Shndërrimi i librit në një industri, ndryshoi shumë edhe kërkesat ndaj letërsisë; të shkruarit u shndërrua në një sipërmarrje biznesi në të cilën tani përfshihet: autori, agjenti, botuesi, shpërndarësi dhe reklamuesi. Dhe një agjenti letrar, për t’i shitur një roman, fjala vjen, një botuesi, i duhet patjetër një “histori”, dhe në një botë ku koha është para, pesëmbëdhjetë minuta prezantim të subjektit, bëjnë ndryshimin midis “po”-së dhe “jo”-së. Por, le të përfytyrojmë për një çast, sikur në ditët tona, agjentit do t’i duhet të shesë historinë “Plaku dhe deti” të Heminguejit, e cila është thjesht një alegori.. E aq më tepër, tregimet e tij, ku nuk ndodh pothuajse asgjë në sipërfaqe, asgjë për t’u treguar qoftë edhe shkurt, asgjë përveç një drame psikologjike që zhvillohet “nën lëkurë”. Si do të bëhej ?!!

Në kërkim të ekzotikës

Një presion i kësaj natyre, pra presioni për të kërkuar doemos një histori që të “lë pa frymë”, i shtyn shkrimtarët shpesh, që për shkak të fabrikimit, të dalin prej natyrës së tyre, duke tradhtuar kështu shkrimin si një nxitje të brendshme. Dhe akoma më i madh bëhet ky presion për shkrimtarët që shkruajnë në gjuhë të tjera, pra që vijnë të përkthyer në treg, për shkak se zinxhirit që përmenda më sipër, i shtohet edhe një hallkë tjetër: ajo e përkthyesit, meqenëse bën edhe ai seleksionim e tij. Po çfarë përbën një temë ekzotike? Politika “shet”. Termi “shet” është ai që përdoret rëndom në një biznes të tillë. Dhe politika vërtetë shet. Në këtë kontekst, ne mund të quajmë veten disi “të bekuar” që i përkasim një realiteti politik, i cili intrigoi botën jo pak për gati një shekull, realitetit ish-komunist të Europës Lindore dhe Qendrore, të cilin, siç thuhej në një artikull të ‘New York Times’, do ta kishte zili edhe një shkrimtar si Philip Roth kur shprehej se “atje, asgjë nuk shkon, por çdo gjë ia vlen; dhe këtu  (SHBA), çdo gjë shkon por asgjë nuk ia vlen.” Në mos tjetër, edhe kur politika nuk është tema qendrore, referimi ndaj realitetit komunist mbart në vetvete një formë origjinale, atipike të organizimit social, karakteristikë kjo e shoqëritë të izoluara. Por edhe kjo ekzotikë duket tashmë e konsumuar pas më shumë se dy dekadash, siç dëgjova të shprehej një botues perëndimor, i cili ishte për të zbuluar autorë interesantë nga Lindja, në një aktivitet letrar në Slloveni. E në mos politika, çfarë tjetër “shet”? Përplasjet raciale, përplasjet fetare, dhe përplasjet kulturore. Fjala vjen, një nga romanet më të bujshëm sot është “Dervishi amerikan”, i cili ka autor një pakistanezo-amerikan, që fitoi edhe Çmimin “Pulitzer” për dramë vitin që shkoi. Autorë nga India, Afganistani, Lindja e largët..vazhdojnë të mbetën shumë të preferuar në treg, sepse trajtojnë pikërisht këtë temë: përplasjet kulturore. Dhe në mos përplasjet kulturore…, autori mund të kërkojë të tjera ekstremitete: krimi, dhuna, spiunazhi, perversiteti…çdo gjë që përfaqëson një skaj, një ekstrem, pa paragjykuar cilësinë e librit (meqenëse tema nuk përcakton cilësinë e shkrimit). Sepse çudia “shet”.

Mungesën e një përvoje të tillë (dhe shkrimtarët nuk e zgjedhin vendin ku lindin, as shumicën e përvojave), një prozator francez fjala vjen, i izoluar brenda një tematike të kufizuar, e kompenson përmes dramës familjare, abuzimit dhe seksit, sepse “seksi shet”.  Natyrisht, ky presion është shumë herë më i madh për autorët e panjohur, meqenëse emri gjithashtu “shet”; emri përbën një ekzotikë në vetvete. Një memuar i Sarah Palin, p.sh, u ble një milion dollarë nga botuesi i saj. Një libër i një vrasësi serial, do të kishte një shitje të hatashme sepseReality show shet. Dhe kjo situatë, natyrisht që rëndon më tepër mbi letërsinë, ku shitet vepra dhe jo autori, deri në momentin që autori bëhet shumë i njohur. Meqë e përmenda Philip Rothin më lart, ai sot është shumë më i lirë në zgjedhje, duke qenë që librat e tij blihen vetëm nga emri. Dhe kur kjo ekzotikë mungon në realitet, kërkoje atë në një dimension tjetër: fantastiken. Si tek “Harry Potter”, p.sh.

Mos merr kohën time!

Sot njerëzit lexojnë për të mbushur kohën midis, ose kohën parazite, dmth: në trena, aeroporte, në pritje të radhës tek dentisti, para gjumit për të shmangur mendime që të lënë pa gjumë, kështu që, çdo ekzagjerim në informacion apo në numrin e faqeve, do të ishte i parehatshëm për ta. Veshja e “kohës” me një kuptim të tillë materialist, e detyron shkrimtarin t’i përshtatet lexuesit, të respektojë kohën e tij. Padyshim, është shumë e vështirë, që sot, një botues të pranonte një roman epope alla “Lufta dhe paqja” që është kaq impenjues dhe i ngjeshur në ngjarje dhe personazhe apo çdo lloj romani tjetër që i tejkalon 300 faqet. Dhe nuk është aspak e lehtë për një shkrimtar t’i përshtatet edhë këtij kufizimi, gjë që kërkon një stërmundim të madh, ose siç shprehet Mark Twain: “Shkruaj gjatë, se nuk kam kohë të shkruaj shkurt.” Kështu që, asnjë autor nuk habitet më, kur agjenti ose redaktori, me gjakftohtësi të madhe, bën atë gjestin që imiton gërshërët: “Prite! Është shumë i ngarkuar. Të lodh!”

Je sentimental? Shko në shtëpi dhe qaj!

Në një intervistë televizive me rastin e premierës së filmit të tij të fundit, regjisori austriak Michael Haneke (mjaft i njohur viteve të fundit me filmat “Fjongoja e bardhë” dhe “Amour”), shprehet se nuk do të bënte një film si “Lista e Shndlerit”, i cili sipas tij, është “argëtues”. Parimi i Haneke është se, për të bërë njerëzit të kuptojnë diçka, duhet t’i bësh të shohin të gjitha anët qartë. Pra, filmi i Spielberg-ut është imponues, sentimental, dhe i ekzagjeruar në patos, sipas tij. Duket se arti në kohën tonë kërkon diçka më shumë se lotët në kinema: kërkon një perceptim analitik dhe racional.

E njëjta gjë duket se ndodh edhe në letërsi. Mjafton të lexosh faqet letrare të New Yorker-it, për të parë tendencat e letërsisë, e cila priret drejt ironizimit, racionalizimit të botës, më shumë se sa drejt një perceptimi emocional. Dhe është e natyrshme, përderisa letërsia është projeksion i një psikoze sociale ku emocionet, ndjeshmëria e tepërt, shihen si një pengesë për të ecur përpara. Ky është modeli i njeriut modern, të cilin, duam, s’duam, letërsia duhet ta modelojë. Problemet janë për të dalë mbi to; kjo është forca e njeriut.

Më kujtohet një tjetër rast domethënës në një koloni artistësh: pas një performance muzikore, një regjisor iranian pyeti kompozitoren që ishte nga Bostoni: “Pse është kaq e ftohtë kjo muzikë? Pse nuk përjetohet me zemër, pse nuk të prek?” Dhe ajo iu përgjigj: “Profesori im në shkollë më thoshte: “Je sentimentale? Shko në shtëpi e qaj sa të duash!”

Pse e vrave Mark Darcy-n?

Por ndërsa zinxhiri midis autorit dhe lexuesit është zgjatur dhe komplikuar, po aq duket se është shkurtuar nga ana tjetër. Fjala vjen, Helen Fielding, autorja e romanit të suksesshëm “Bridget Jones” (popullariteti i të cilit u shumëfishua prej filmit) në një intervistë zbulon subjektin e “Bridget Jones III” që del së shpejti në shitje, dhe në të cilin, njëri nga personazhet, ai i Mark Darcy-it nuk është i përfshirë, pasi ka vdekur pesë vjet më parë, dhe Bridget tashmë ka krijuar një lidhje me një djalë shumë më të ri se veten. Dhe ky fakt ka irrituar mjaft fansat, të cilët reagojnë kundër shkrimtares në rrjetet sociale:“Vetëm një fjalë për Helen Fielding: pse?!” Apo një tjetër: “Çfarë djallin po bën në këtë “Bridget Jones”, Helen Fielding!?” Duket se pasi personazhet e librit janë bërë kaq popullorë, autorja nuk zotëron të drejta të plota më mbi ta; nuk ka më të drejtë t’i vrasë e të luajë me ta sipas qejfit. Pyesim veten: çfarë po ndodh? Bestseller apo jo, duket se ka ardhur një kohë, ku lexuesi ka po aq të drejta sa edhe autori mbi veprën. Dhe kjo është një dëshmi e asaj që thamë më sipër: letërsi e shkruar për të hapur oreksin e lexuesit, flirtim i hapur me të, një flirt të cilin, vjen koha që duhet ta “paguash”.

Globalizmi: fillimi apo fundi?

Na pëlqen apo jo, i gjithë procesi i komercializimit të librit tashmë është një proces i natyrshëm dhe i pashmangshëm sa edhe “ngrohja globale”, e cila kohët e fundit na doli se qenka “ftohje globale”. Na mbetet veç të kuptojmë skemën dhe t’i bindemi asaj. Pra: “Më jep një skemë, të jap një libër!”

Por, si do të ndryshojë ky raport, në epokën e globalizmit? Para dy vitesh, isha pjesëmarrëse në një aktivitet ndërkombëtar të poezisë në Dubai, dhe gjëja që më ra më shumë në sy ishte disi e dhimbshme: të gjitha poezitë ishin shumë mbresëlënëse në vetvete, por çështja është se ti nuk ishe më në gjendje të dalloje se cili prej autorëve ishte arab, cili kinez, e cili anglez (natyrisht, në këtë paqartësi fus edhe veten). Falë teknologjisë, brenda pak sekondave ne mund të informohemi mbi të rejat e fundit në letërsi, mund të lexojmë krijimet e njëri-tjetrit, nga njëri cep i botës, në tjetrin. Pra, një ekspozim i tillë kaq i shpejtë, një qarkullim kaq komod i shijeve dhe informacionit letrar, me sa duket ushtron presion jo të vogël në rrafshimin e dallimeve që variojnë që nga tematika e deri tek imazhi, duke çuar në një unifikim estetik. Dhe rrafshimi, nuk fillon me informacionin letrar; ai reflekton së pari, në stilin e jetesës, si rrafshim kulturor. Shtrohet pyetja: në një botë e cila sa vjen dhe po njehtësohet, (politikë globale, ekonomi globale, kulturë globale), atëherë çfarë mund të mbetet ekzotike, akoma interesante për t’u zbuluar përmes artit dhe letërsisë? Dhe pa pretenduar që jam e saktë në këtë parashikim, mendoj se më së fundi, nga e gjitha kjo, mund të dalë një lajm i mirë: kthimi tek ajo që përbën edhe esencën, çelësin e jetëgjatësisë së artit në të gjitha kohërat–kthimi tek e zakonshmja, e përditshmja, tek individi, që gjallon historinë e vet, të padukshme dhe të papërsëritshme.

5 Komente

do ta kuptojne shqipot qe globalizem do te thote afrikanizim,  ngadale-ngadale.  edhe ata(ato) qe per inat te shqipes shkuanin ne globale si lulja do i kthehen shqipes si cifuti ne shkretetire,,,

Yes, ma'am!

Not really. Libri, industri ka qene edhe ne kohen e "Lufta dhe Paqja" apo "Komedise Njerezore"

Letersine e madhe e ben nje ide, nje filozofi e mire. Njeriu eshte mbyllur ne guacken e vet, pasi u zhgenjye nga ideologjite. Pragmatizmi; carpe diem; pas meje qameti u befte, jane bere filozofi e jetes. Nuk ka si i shpeton letersia kesaj bjerrjeje. 

Ndersa gjeja me interesante mbetet raporti Fiction/Nonfiction. Letersia nonfiction ka gjithnje nje epersi te momentit, nderkohe qe ajo Fictional,nese eshte ne nivel, reziston shume me gjate.

 

Shkrimi si stil eshte shume i mire, disi me pak i mire eshte pershkrimi i situates veshtruar nga nje pikpamje e moderuar konservatore (pa pershkruar degradimin deri ne fund ne pergjithsi, por edhe shkelqimin e veçante te disa veprave te veçanta nga ana tjeter), gje qe del hapur ne parashikimin ne fund si gjujtje e rrufeshme me rrafishate:

... kthimi tek ajo që përbën edhe esencën, çelësin ...

Tani nuk ka me kthim mbrapsht (perveç si rikthim i vleres se njerzise se humbur), eshte hap keq loja, luhet rrezikshem me sa ke ne xhep, biles edhe duke lene peng shtepine.

Per vete nuk di ç'te them e te parashikoj, por patjeter do te jete diçka tjeter e papare me pare. Dhe kjo pune edhe ne saje te teknologjise; ka disa shenja avangardiste: artiste qe nuk prodhojne me vepra arti, por prodhojne programe te personalizuara qe prodhojne vepra arti. Rezultatet nuk jane keq, mundesia qe programi te prodhoje te njejten veper eshte nje here ne 400 vjet.  

 

 

  

Mishi tretet, kocka mbetet. Dhe vlera e vertete nuk humb, ne dac e shkruar ne gur, papirus, apo elektrone. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).