Revolucioni Iranian është një nga ngjarjet e bujshme të shek. XX. Kjo ngjarje vazhdon të tërheqë vëmendjen e studiuesve dhe të analistëve të politikës siç dëshmohet nga një libër i botuar në gjuhën shqipe prej Fondacionit Kulturor Iranian “Saadi Shirazi”, ku janë mbledhur disa prej debateve në rrethet akademike dhe politike në Perëndim. Eshtë e natyrshme që revolucioni iranian të interpretohet në mënyra të ndryshme, nisur edhe nga botëkuptimet dhe shkollat teorike të interpretuesve. Kuptohet pse studiuesit iranianë vënë theksin te faktorët kulturorë që çuan në shpërthimin e tij dhe pse ata nxjerrin në pah rolin e fesë islame, sikurse në krahun tjetër, kuptohet se përse vetë shahu dhe personat pranë tij në kujtimet e tyre i mëshojnë teorive të komplotit ndërkombëtar. Studiuesit kanë dalë në përfundime të larmishme se cili faktor ndikoi në mënyrë vendimtare, që nga reformat e dështuara ekonomike, struktura klasore e shoqërisë, psikologjia e shahut etj. Revolucioni Iranian ka sfiduar në disa aspekte teoritë që ekzistojnë në shkencat shoqërore për shpjegimin e revolucioneve dhe duket se qasja më e dobishme është ajo shumë-shkakësore, e cila përpiqet të kombinojë disa faktorë (shih Moshirzadeh, 2010).

Zhvillimi i Revolucionit Islamik në Iran u ndoq me interes të madh edhe nga udhëheqja e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Sot ndonjëherë lexon shpjegime të përcipta dhe aspak të besueshme që këtë interesim të veçantë të Shqipërisë komuniste e lidhin me formimin dhe prirjet islamike të diktatorit shqiptar, si edhe me nevojën që kishte ai për të gjetur një sponsor tjetër “lindor” e kundërperëndimor pas ndërprerjes së marrëdhënieve me Kinën (Kadare, 2012: 210-211; Ngjela, 2012: 456-457). Sigurisht që mendime të tilla nuk kanë nevojë për shumë mend dhe mund për t’u hedhur poshtë dhe nuk do t’ia vlente këtu që të merreshim gjatë me to. Megjithatë, duke marrë shkas prej tyre, këtu do të përpiqemi të japim shpjegimin tonë për interpretimin që Shqipëria në atë kohë i bëri revolucionit iranian, sepse përbën një rast interesant të jehonës që revolucioni ngjalli në një vend të vogël dhe të izoluar në Evropë, por që kishte marrë përsipër një barrë të rëndë ideologjike (disa do të shtonin edhe donkishoteske) për supet e veta: atë të pishtarit të revolucionit marksist-leninist në botë. Prandaj, ajo që sot shumëkujt mund t’i duket e habitshme në trajtimin shqiptar të një ngjarjeje që ndodhte larg vendit, për udhëheqjen e Partisë dhe të shtetit në atë kohë bënte pjesë në misionin e vet botëror dhe nuk mund të anashkalohej.

Për të pasur të qartë interpretimin shqiptar për revolucionin në Iran, duhet të kemi parasysh gjendjen e atëhershme politike në vend. Shqipëria ishte një vend totalitar në kohën kur shtetet e tjerë të Evropës Lindore kishin hyrë në fazën e pastotalitarizmit. Qysh me denoncimin e Hrushovit të krimeve staliniste, udhëheqja komuniste shqiptare kishte zgjedhur që të shkëputej nga ai që ajo e quante “revizionizëm” dhe të vazhdonte zbatimin e stalinizmit në emër të purizmit ideologjik. Prandaj kur themi qëndrim, apo interpretim shqiptar të situatës ndërkombëtare, apo për qëndrime të Partisë së Punës për ngjarjet jashtë vendit, duhet të kemi parasysh se kemi të bëjmë me enverizëm, pra me mendimin e Enver Hoxhës, Sekretari i Parë i PPSH. Zyrtarisht ideologjia që drejtonte zhvillimet në Shqipërinë e kohës ishte marksizëm-leninizmi, sikurse edhe në vendet e tjera të bllokut komunist, mirëpo monopolin e interpretimit dhe të zbatimit të marksizëm-leninizmit e kishte vetëm udhëheqësi. Nuk është e vërtetë se Hoxha personalisht i formuloi të gjitha aspektet e ideologjisë zyrtare – ajo u përpunua nga një numër i madh individësh dhe institucionesh të shumë fushave profesionale – por është e vërtetë se çdo ide politike apo shoqërore mund të bëhej publike në Shqipëri vetëm nëse legjitimohej në emër të Enver Hoxhës. Ishte vetë Enver Hoxha ai që interpretonte zhvillimet ndërkombëtare dhe studimet dhe analizat e të tjerëve duhet të ndiqnin patjetër linjën e tij të mendimit.

Shpjegimi ideologjik enverist i revolucionit iranian i ka rrënjët te pozita ndërkombëtare e Shqipërisë në ata vite. Për njëfarë kohe Shqipëria u lidh ngushtë me Kinën dhe qëndrimi i tyre ndërkombëtar ishte i njëjtë: imperializmi kapitalist nën udhëheqjen e Amerikës dhe revizionizmi socialist nën udhëheqjen e Bashkimit Sovjetik ishin njëlloj të rrezikshëm për revolucionin. Maoizmi dhe enverizmi përfaqësonin në atë kohë radikalizmin e marksizëm-leninizmit. Më 1972 presidenti Nikson u takua me Mao Ce Dunin dhe më 1979 SHBA-ja vendosi marrëdhënie diplomatike me Kinën. Këto ngjarje në Shqipëri u interpretuan si tradhti ndaj vijës ideologjike të deriatëhershme dhe, pas ndërprerjes së marrëdhënieve zyrtare me Kinën, Shqipëria e pa veten pothuaj të vetmuar në arenën ndërkombëtare dhe njëkohësisht si mbrojtësen e vetme të frymës revolucionare. Në këtë kohë, për shkak të përparësisë që i jepet papërkulshmërisë ideologjike, pavarësisht prej gjendjes reale brenda dhe jashtë vendit, Enver Hoxha mori përsipër rolin e përçuesit të pastër të marksizëm-leninizmit në botë, sikurse kishte vepruar edhe Maoja para tij. Gjithmonë komunizmi ka pasur një përmasë mesianike, sepse ai vetë-paraqitej si rruga për te shpëtimi i botës nga shtypja klasore. Në mënyrë paradoksale, kjo përmasë erdhi e u forcua te enverizmi ndërkohë që shtetet më të fuqishëm komunistë të botës e kishin braktisur, në fillim Hrushovi e më pas Maoja, që filloi bashkëpunimin me Amerikën kundër Bashkimit Sovjetik.

Enverizmi pretendonte se revolucioni i masave fshatare e punëtore ishte çështje e ditës, sepse antagonizmat klasore po vinin duke u shtuar. Elitat komuniste në Bashkimin Sovjetik dhe në Kinë e kishin tradhtuar çështjen e revolucionit dhe ishin “borgjezuar”, duke u kthyer kundër masave popullore. Në mënyrë që ky qëndrim ndërkombëtar i Shqipërisë të provohej i saktë, nevojitej të provohej se situata ndërkombëtare po shkonte drejt përplasjeve të dhunshme midis revolucionarëve dhe reaksionarëve dhe se tensionet ndërkombëtare nuk po uleshin, me gjithë përpjekjet për bashkëpunim midis imperialistëve amerikanë dhe revizionistëve sovjetikë e kinezë. Më 1978 Enver Hoxha boton librinImperializmi dhe revolucioni, ku ai shkruan:

Në arenën ndërkombëtare sot veprojnë forca të ndryshme imperialiste e socialimperialiste, të cilat, nga njëra anë, luftojnë së bashku kundër revolucionit e lirisë së popujve, nga ana tjetër, ndeshen e përleshen për tregje, për zona influence, për hegjemoni… Në të njëjtën kohë, perspektiva e revolucionit dhe e çlirimit të popujve jo vetëm nuk është zhdukur si rrjedhim i tradhtisë së revizionistëve titistë, sovjetikë, kinezë etj., por, pas tërheqjes së përkohshme, revolucioni tani ndodhet përpara në rrugën që i ka caktuar historia (Hoxha, 1978: 20).

Ndër rajonet “e nxehta” të botës, ai veçon Lindjen e Mesme, për shkak të pasurive të mëdha energjitike dhe të konfliktit izraelito-palestinez. Në një shënim të janarit 1979, në prag të përmbysjes së shahut në Iran, ai shkruan në ditarin politik se Lindja e Mesme mund të jetë shkëndija e një lufte botërore, por edhe shkëndija e revolucioneve zinxhir, në fillim demokratiko-borgjeze dhe më pas revolucione të mirëfillta (Hoxha: 1984: 199-200).

Në fillim të vitit 1979, atëherë kur revoltat kundër shahut në Iran arritën pikën kulmore, gjithçka dukej se po shkonte në pajtim me vizionin enverist të betejës së përbotshme të popujve kundër shfrytëzuesve të tyre. Kjo theksohet edhe prej faktit se qysh në nisje të tij revolucioni iranian hodhi parullën “As Lindje, as Perëndim”, për të shprehur pavarësinë e tij nga dy blloqet (Eghbali Zarch, 2010: 21), gjë që mund të interpretohej si një qëndrim i afërt ideologjik me atë të PPSH-së. Më 13 shkurt 1979 Hoxha shkruante në ditar se po vërtetohej teza e Leninit se epoka e sotme është epokë e revolucioneve dhe se revolucioni iranian do të pasohej nga të tjerë (Hoxha, 1984: 219-220). Sipas tij, bëhet fjalë për një revolucion kundërimperialist e kundërfeudal që ka bazë shoqërore dhe klasore (po aty: 213-214, 232).

Një problem të rëndësishëm nxirrte për analizën enveriste karakteri islamik i revolucionit dhe fakti që në krye të tij ishin klerikët myslimanë. Studiuesit iranianë i japin një rëndësi të dorës së parë faktorit të klerit dhe rolit të udhëheqësit, Ajatollah Khomeinit, në përgatitjen ideore dhe strategjike të revolucionit, mobilizimin e popullit në revoltë kundër shahut dhe në fitoren e vitit 1979 (Mohammadi, 2010). Kësaj çështjeje edhe Hoxha i kushton vëmendje, por në fund e përjashton besimin fetar si shkakun themelor, sepse kriteri i parë i analizës duhej të ishte materializmi. Sipas shënimit të 14 janarit 1979, revolucioni ka kushte objektive materiale, të cilat i kanë çuar njerëzit në këmbë kundër regjimit, sikurse ka edhe momentin subjektiv të udhëheqjes së klerikëve, veçanërisht të Khomeinit. Feja nuk është faktori kryesor.

Fakt është dhe duhet njohur se ky person [Khomeini] dhe sekti i tij shiit aktualisht luajnë një rol, si faktor subjektiv, në revoltën e popullit iranian, por në asnjë mënyrë nuk janë vetëm ky dhe sekti i tij forca vendimtare. Në udhëheqje të këtij revolucioni, mund të themi me tipare demokratiko-borgjeze, antiimperialist në Iran… është edhe borgjezia përparimtare, bile dhe afetare, si dhe komunistë e patriotë të vërtetë iranianë (po aty: 193-194).

Për Hoxhën, ta gjykosh revolucionin iranian si një revolucion islamik do të thotë të pozicionohesh së bashku me revizionistët dhe imperialistët që kanë synime denigruese ndaj popujve. Për të, përjashtoheta priori që një lëvizje dhe regjim fetar të jetë përparimtar, sepse i duhet qëndruar besnik parullës së njohur marksiste për fenë si opium të popujve. Marksistët duhet të jenë të palëkundur në lidhje me çdo fe, prandaj është i gabuar edhe i ashtuquajturi “socializëm fetar” (po aty: 343). Kushtetuta e miratuar para disa viteve e kishte shpallur Shqipërinë një shtet ateist, prandaj nuk bëhej fjalë që të lëshohej pe në këtë pikë.

Disa kohë më vonë, kur u bë e qartë se Irani pasrevolucionar do të ishte një republikë islamike, Hoxha hulumton gjasat e vendosjes së një rendi demokratiko-borgjez në Lindjen e Mesme. Ai merr në shqyrtim pikërisht faktorin fetar për krijimin e një demokracie islamike, madje citon edhe kuranin dhe kalifët e parë për të dalë në përfundimin se feja islame mund të përshtatet me sistemin modern republikan të qeverisjes (po aty: 466). Enver Hoxha, i cili kishte projektuar shoqërinë ateiste shqiptare pikërisht i nisur nga ideja që feja është e panevojshme për socializmin, tani mendon se ajo do të jetë një përbërës i rëndësishëm i “demokracisë borgjeze” në Lindjen e Mesme. Në teleologjinë marksiste-leniniste, “demokracia borgjeze” është një etapë e ndërmjetme drejt revolucionit të fundit proletar, prandaj jo më kot në historiografinë shqiptare ardhja në pushtet e Fan Nolit më 1924 emërtohej si “revolucion demokratiko-borgjez”. Duke e quajtur të tillë edhe revolucionin në Iran, Enver Hoxha tërthorazi pohonte modernitetin dhe etapën më të përparuar të Shqipërisë socialiste, në të cilën kjo fazë ishte mbyllur në vitet 20 dhe institucionet fetare ishin mbyllur në vitin 1967.

Nga këndvështrimi i Tiranës, revolucioni në Iran vlerësohej pozitivisht për përmasën mbarëpopullore dhe kundërimperialiste, por nënvlerësohej ndihmesa e faktorit fetar në të. Ai shërbente si provë e potencialit revolucionar të Botës së Tretë dhe të ashpërsimit të kontradiktave midis popujve dhe klasave shtypëse. Ky interpretim i shërbente PPSH-së për të vërtetuar qëndrimin e saj ideologjik në atë kohë, të cilin Hoxha e shikonte të vlefshëm për revolucionin në mbarë botën: “Në këtë drejtim, në mënyrë modeste, edhe Partia jonë jep kontributin e saj. Popujt e besojnë atë, sepse flet të vërtetën dhe e vërteta e ka burimin në teorinë marksiste-leniniste që është zbatuar konkretisht në Shqipëri” (Hoxha 1978: 446-447).

Me anë të këtij artikulli u përpoqëm që të ofrojmë një shpjegim për interesin ideologjik të shfaqur nga Shqipëria komuniste për Revolucionin Iranian të vitit 1979. Për të ndriçuar më mirë këtë episod nevojiten studime të tjera. Sidomos duhet hulumtuar nëse ka pasur kontakte diplomatike midis Shqipërisë dhe Iranit pas revolucionit dhe se si vlerësoheshin ato nga elitat politike në të dy vendet. Gjithashtu, me mjaft interes do të ishte kërkimi se si është interpretuar në Iran pozicionimi i Shqipërisë komuniste në krah të revolucionit dhe nëse ka pasur ndonjë interesim të udhëheqjes së re iraniane për Shqipërinë.

***

Ai merr në shqyrtim pikërisht faktorin fetar për krijimin e një demokracie islamike, madje citon edhe kuranin dhe kalifët e parë për të dalë në përfundimin se feja islame mund të përshtatet me sistemin modern republikan të qeverisjes (po aty: 466). Enver Hoxha, i cili kishte projektuar shoqërinë ateiste shqiptare pikërisht i nisur nga ideja që feja është e panevojshme për socializmin, tani mendon se ajo do të jetë një përbërës i rëndësishëm i “demokracisë borgjeze” në Lindjen e Mesme. Në teleologjinë marksiste-leniniste, “demokracia borgjeze” është një etapë e ndërmjetme drejt revolucionit të fundit proletar.

 

E-Zani

12 Komente

teme shume interesante!!smiley

ku eshte ai analisti, Napoleon Roshi, kur te duhet, tha..smiley

_

smiley

hehehehee

Shkrim fort i sakte.
Ne historine e Shqiperise komuniste, ka vetem nje rast te mos shpjegimit te nje ngjarjeje nderkombetare nepermjet ideologjise marksiste-leniniste: marrja e pushtetit nga Khmeret e kuq ne Kamboxhia (1975-1979) dhe mbrojtja qe i beri Tirana pushtimit te ketij vendi nga ana e Vietnamit ne 1979 (gje qe solli dhe renien e khmereve te kuq nga pushteti)

Shyqyr qe eshte Ezani se kush tjeter do na tregonte per lidhjet historike mes Shqiperise dhe Iranit. Mezi pres te na tregojne tashti edhe per dashurine e vjeter me Kuvajtin dhe per marredheniet vellazerore me Malajzine.

Shume keq qe ky Mohammadi nuk njihet shume. Duhet punuar, duhet punuar.

Pavarsisht komenteve ironike qe djemte bejne ketu, tema na sjell nje informacion te rendesishem, se; si e shihnin udheheqesit e PPSH/APA  kete revolucion. Dhe ajo qe mesojme ketu eshte, se; Keta udheheqes/lidere nuk e kishin idene se kush e financoi kete revolucion, dhe pse e financoi.   Sapo te mesoi/mesonte kete gje ata gomere te mjere, nuk do benin  "analiza"  te mjera per kete revolucion.  Vet fakti qe ata kane heshtur me mbrapa ndaj ketij revolucioni, tregon se sa te painformuar kane qene per lideret dhe financuesit e ketij revolucioni. Dhe kjo vjen se ata gomere (edhe keshilltaret e tyre) nuk dinin te dallonin kontradiktat ndermjet shteteve/fuqive te medha. 

Si e shikonte Shqiperia komuniste revolucionin Iranian?

Kujt iu be vone, pervec Pjerit te Madh?

Poshtë rob'rija! Posht' errësira, që po përdorin armikët sot! Njeri me kisha, tjatri me xhamira; Jemi vëllezër, s'na ndajnë dot!

Mihal Grameno, 1902.

Arrestohen për një puthje. Kjo ka ndodhur në Nador, në verilindje të Marokut, ku dy adoleshentë të moshës 14 dhe 15 vjeçare përfunduan në burg, pasi publikuan një fotografi në Facebook, teksa putheshin.Kjo skenë u cilësua “inkriminuese” për organizatën kombëtare për të drejtat e marokenëve, duke alarmuar kështu autoritetet.“Sjellje të dala nga kontrolli si këto, mund të transformohen brenda pak kohësh në një problem shumë të rrezikshëm”, thuhet nga organizata, ndërsa shtohet se do denoncohen prindërit për braktisje të të miturve.Jo vetëm të rinjtë, por edhe autori i shkrepjes së fotografisë u arrestua, ndërsa vajza u dërgua në një burg për të mitur në Fez, që të gjithë për të njëjtën akuzë, “atentat kundër moralit publik”.Por ky lajm zgjoi zemërimin e organizatave për mbrojtjen e të drejtave njerëzore, ku aktivisti Chakib Jiyari tha se, “Në këtë vend është krim të puthësh një vajzë, por nuk është krim nëse e rreh”.Inati dhe rebelimi u shfaq edhe në rrjetet sociale ku mijëra të rinj kanë dalë në mbështetje për lirimin e të ndaluarve.

- Burimi: http://www.clubfm.net/Home/index.php/int...

Emigrant, ky eshte lajm i vjeter, ishte i javes qe kaloi. 

Revolucioni Iranian ka sfiduar në disa aspekte teoritë që ekzistojnë në shkencat shoqërore për shpjegimin e revolucioneve dhe duket se qasja më e dobishme është ajo shumë-shkakësore, e cila përpiqet të kombinojë disa faktorë (shih Moshirzadeh, 2010)

[...]

Nga këndvështrimi i Tiranës, revolucioni në Iran vlerësohej pozitivisht për përmasën mbarëpopullore dhe kundërimperialiste, por nënvlerësohej ndihmesa e faktorit fetar në të.

Para se te studiohet si fenomenon (une e bej studimin autodidaktce), duhet sqaruar se c'paskesh qene kaq revolucionare ne kete mes. Revolicioni perqendrohet rreth konceptit 'velayat-e-faqih': ose 'sundim i juristit'. Ne konceptin islamik, kleri nuk eshte vetem kler por edhe jurist qe jep gjykime bazuar mbi nje burim legjislacioni te kodifikuar (ne kete rast Sheriati).Ne ndryshim nga muslimanet sunite, kleri shiit gezon rrespekt me te madh, dhe kredibiliteti i ketij kleri vjen nga nje linje gjenealogjike e mire-verifikuar.

Dmth nuk eshte se ja keput kot nje here, dhe pastaj e terheq vendimin (fetvane). Ose nje fetva e leshuar prej autoritetit suprem (Ajatollahut te Madh) nuk mund te kundershtohet nga nje klerik tjeter qe s'bie dakort. Per shembull, kemi te bejme me fetvane kunder Selman Ruzhdies. Ajo fetva edhe sot e kesaj dite qendron si e vlefshme ne fletoren zyrtare te Iranit, po eshte gjetur nje akrobaci ligjore qe e ben te pa-aplikueshme (per hir te Ingliterres).

Pra, ne rastin shiit, kemi te bejme me krijimin e nje institucioni kuazi-papal, qe mungon te sunititet, te cilet po vuajne nga fraksionet e shumta mes klerikeve te ndryshem. Dje psh pashe qe ne Egjypt po i kerkojne djemve te sheik Al-Karadauit qe te deklarojne si invalid (senil).

Xhaxhi Enver nuku duhej ta kishte nenvleresuar aq shume faktorin fetar si revolucionar. Po hajt mo.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).