Gjatë periudhës së tranzicionit, koncepti i shoqërisë civile shpesh u keqpërdor dhe u deformua prej politikës shqiptare deri në atë shkallë sa, në vend që një pjesë e mirë e individëve dhe grupeve të ishin shprehje e gjallë e kësaj shoqërie, ata u njësuan me vetë pushtetin shtetëror e sferën shtetërore në përgjithësi, madje duke u vënë edhe në shërbim të plotë të tyre. Në fakt, shoqëria civile është një koncept opak dhe i vështirë për t’u përkufizuar, jo vetëm në kontekstin shqiptar. Megjithatë, shumë studime e përkufizojnë shoqërinë civile si një strukturë të tretë, mes shtetit dhe tregut, ose biznesit.

Zanafilla e shoqërisë civile mund të gjendet në shkrimet e Alex De Tocqueville, i cili në librin “Demokracia në Amerikë” përshkruan se si në vitet 1830 “amerikanët kishin një tendencë të fortë për të krijuar shoqata vullnetare të pavarura nga shteti për të plotësuar nevojat e komunitetit”. Nëse shteti ofronte sigurinë dhe lirinë politike, kurse tregu mirëqenien ekonomike, shoqëria civile përmbushte nevojat e përditshme të mirëqeverisjes lokale. Në këtë kontekst, shoqëria civile përbëhet nga organizata dhe institucione që janë të pavarura nga shteti, administrativisht dhe financiarisht, por që nuk synojnë marrjen e pushtetit. Ato përfshijnë, për shembull, institucione mediatike, universitete dhe/ose grupe shoqërore e fetare.

Ekzistenca e kësaj shoqërie civile konsiderohet si jetike për një shoqëri demokratike, sepse ajo bën lidhjen mes shtetit dhe tregut të lirë. Po ashtu, në vetvete, shoqëria civile është ngjitësi që ndihmon në bashkimin e normave dhe vlerave individuale, për të formuar një kohezion të sferës publike, ku debatohen idetë e së mirës shoqërore. Në këtë kuptim, shoqëria civile luan një rol kyç në pluralizmin e një shoqërie. Për këtë arsye është i nevojshëm institucionalizimi i një partneriteti me shoqërinë civile, por jo keqpërdorimi i saj, duke i servirur opinionit publik, veçanërisht kur është fjala për të emëruar njerëz në poste kyçe shtetërore, se gjoja politikisht ata nuk janë në shërbim të pushtetit shtetëror. Duke u bërë një me pushtetin, shoqëria civile cenon dy elemente të rëndësishme të funksionimit të saj: pavarësinë dhe paanshmërinë. Kjo nuk do të thotë që shoqëria civile të jetë kundërshtare me shtetin, por kurrsesi nuk duhet të njësohet me të. Po ashtu, ajo nuk mund të jetë identike as me opozitën politike.

Në vendet postkomuniste, shoqëria civile vazhdon të jetë e dobët dhe të shihet me dyshim prej shtetit, sepse ajo ka marrë disa nga atributet e organeve të mëparshme shtetërore. Nga ana tjetër, duke qenë e pavarur nga shteti, ajo shpesh bie në konflikt me vetë shtetin. Shoqëria civile bën oponencë konstruktive të tendencave autokratike të qeverisjes. Tjetër, shoqëria civile luan edhe disa role shumë të rëndësishme, si: formimin e politikave ekonomike dhe sociale nëpërmjet instituteve “think-tank”; informimin e drejtë dhe të paanshëm nëpërmjet medias, apo dhe monitorimit të zgjedhjeve demokratike në vend.

Për shkak të mungesës së përvojës, fatkeqësisht, në shumë vende postkomuniste, përfshirë dhe Shqipërinë, ka një mungesë pothuajse të plotë të financimit të brendshëm të shoqërisë civile. Për rrjedhojë, shumica e të gjitha organizatave të shoqërisë civile u financuan, deri së fundi, nga burime të huaja, duke krijuar një mungesë besimi si nga ana e shtetit, ashtu edhe nga individët. Ndikimi i shoqërisë civile në Shqipëri në përpilimin e politikave sociale dhe ekonomike është i panjohur, ndoshta dhe i papërfillshëm.

Kësisoj, janë, së paku, dy dilema që duhen zgjidhur:

Së pari, sa është masa që zë ky sektor në të gjithë ekonominë e vendit? Një hulumtim i këtyre faktorëve do të ishte me shumë interes si për shoqërinë civile, ashtu edhe për vetë shtetin dhe individët. Për shembull, në Britaninë e Madhe, sektori i shoqërisë civile, përshirë të gjitha organizatat joqeveritare, shoqëritë bamirëse, institucionet think-tank dhe universitetet, kanë të ardhura vjetore prej 170 miliardë stërlinash, ose afërsisht 200 miliardë euro.  Kjo është e barabartë me 25 për qind të buxhetit vjetor shtetëror. Për krahasim, në një rast të ngjashëm, shoqëria civile në Shqipëri duhet të kishte të ardhura vjetore prej 660 milionë eurosh.

Së dyti, cila është gjendja faktike? Historia e zhvillimit të shoqërisë civile në Shqipëri nuk është domethënëse. Viti 1991 do të shënonte fillimin e një faze të re të zhvillimit të shoqërisë civile shqiptare. Krahas lindjes së partive politike, në Shqipëri filluan të “lulëzojnë” me dhjetëra e qindra organizata, shoqata, qendra, institute, fondacione, urdhra, të njohura si organizata “joqeveritare”, “jofitimprurëse”, ose “shoqëri civile”. Tradita e dobët e shoqërisë civile në Shqipëri lidhet edhe me statusin e paqartë të grupeve të interesit në drejtim të organizimit të interesave sociale, me të drejta dhe detyrime të përcaktuara, një profil jo të lartë të tyre në hartimin e politikave publike dhe peshën jo reale në sistemin politik. Për këto arsye, edhe shteti, me sa duket, nuk tregoi ndonjë preokupacion të veçantë për t’i mbështetur financiarisht. Mbështetja për ta ishte kryesisht ndërkombëtare, me fonde nga jashtë. Në rastin e Britanisë së Madhe, rreth 40 për qind e të ardhurave të shoqërisë civile vjen nga shteti dhe pjesa tjetër nga donacionet dhe investimet.

Duke pasur parasysh rolin vendimtar që luan shoqëria civile në një shoqëri demokratike, shteti shqiptar duhet domosdoshmërisht të rrisë kontributin e vet për financimin e shoqërisë civile, dhe jo të mbështeten vetëm te donatorët e huaj, përndryshe, nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë do të përballemi me apatinë deri në zhdukje të saj, gjë që do të dëmtonte funksionimin e demokracisë.

Atëherë si mund të realizohet konkretisht financimi? Shteti, kryesisht nëpërmjet pushtetit vendor, i duhet të financojë shoqërinë civile nëpërmjet dhënies së kontratave, granteve dhe pagesave për punë të kryer (fees). Alokimi i fondeve kryhet nëpërmjet tenderëve ose aplikimeve për grante. Në të gjitha rastet, shoqatat apo organizatat e ndryshme të shoqërisë civile që aplikojnë për fonde shtetërore, duhet të paraqesin projekte për kryerjen e shërbimeve sociale, të cilat shqyrtohen për financim. Pra, pak a shumë përdoren të njëjtat forma mbështetjeje sikur aplikimet për fondet e kërkimeve shkencore, por që të arrihet kjo shoqëria civile shqiptare duhet të ridimensionojë rolin dhe misionin e saj në realitetet e reja demokratike në vend, të demokratizojë strukturat civile të saj, me qëllim që të marrë më me shumë seriozitet programin e modernizimit rrënjësor të shoqërisë shqiptare, si e vetmja rrugë për t’u integruar në Europë dhe për të përmbushur shpresat e qytetarëve shqiptarë për një shtet modern e demokratik. Nuk mjafton që aktiviteti i tyre të shtrihet vetëm brenda vendit. Përkundrazi, ata duhet të bëhen pjesë integrale e një rrjeti rajonal dhe global të shoqërisë civile. “Shoqëria civile në një vend të vetëm është kategorikisht e pamundur”, thotë Ralf Dahrendorf.

17 Komente

Po pra, Alex De Tocqueville...

A pika qe nuk te bie mu ne tacke te kokes o Tonin Gegu. smiley

 “amerikanët kishin një tendencë të fortë për të krijuar shoqata vullnetare të pavarura nga shteti për të plotësuar nevojat e komunitetit”

Mbasi e ke thene vete ca eshte shoqeria civile, c'ne qe paske dal ta kerkosh ketej? smiley

Ky shkrim shtron pyetjen se perse duhet te ndihmojme te tjeret? Askush nuk mund të mohojë se ne kurrë nuk jemi ndihmuar në jetë nga te tjeret.Arritja e  karrieres dhe mireqenjes se nje personi eshte rezultat i një sistemi të integruar te ndihmes te ndertuar nga shoqëria . Kuptohet se gjendja ekonomiko-shoqerore e sotme per te gjithe eshte me e mire se e djeshmja. Shumë njerëz na ka ndihmuar qe te arrijme ketu ku jemi , në forma  dhe marrëdhënie te ndryshme dhe kjo esht arritur me ndihmen e  prindërve tanë , vëllezërve e motrave , miqtve, të afërm , kolegët dhe ata që ndeshemi rastesisht ballë për ballë në kohë të ndryshme të jetës , edhe pse për një kohë të shkurtër . Nëse ne mendojme se kjo eshte mënyra me e pershtatshme per nje shoqeri  te civilizuar demokratike , atehere duhet te jemi te  bindur se  është gjithmonë mirë kur ndihmon të tjerët.Nuk ka rendesi sa jep,vetem jep thote zoti.Ndihma juaj e vogel per dike mund te jete nje hapi i vogel per nje per dicka te madhe.

There is always happiness in giving than receiving.’

 

Ke ngatrru adres kaposh, eshte shkrim tjeter ai qe flet per te ndihmuar te tjeret smiley

Normalisht shoqatat civile kendej ne perendim, marrin subvencionime (ndoshta jo te larta) , jane te perjashtuar nga taksat, dhe jane te detyruara te paraqesin aktivitetin e tyre ne instancat e pushtetit lokal. Kur kemi te bejme me vlera financiare, pra nje shoqate edhe fiton, apo krijon nje vlere, apo xhiron nje produkt ne interes te antarve dhe simpatizanteve te vet, etj, ky fitim nuk tatohet, por regjistrohet ne regjistrat e pushtetit lokal, per tu llogaritur per paketa investuese po ne sherbim te komunitetit aty. 

Me shoqëri civile ky kupton vetëm OJQ apo e kam kuptuar gabim.

d.m.th ky ciraku i cilit do edhe leke per m.nanon dhe lubonjen!!

leket kerkojani dacicit dhe venizellosit. ky i fundit do informohet nga janua  per punen tuaj te mire dhe mund tju hedhe ndonje kocke me ane te amc-se ose tirana bank-ut si gjasme sponsorizime per punet e medha shkencore.  sidomos  zotit micos nanos do i jene shume mirenjohes

Ky Ralf Dahrendorf-i mos ka lujatur gje tek Bejuoç-i ? Apo e ngatrroj?

smiley

 

 

Ama kjo pune po behet qesharake, cdokus shkruaj oer gjithcka.

as perben lajm, as analize, as koment asgje nuk jep ky shkrim.

 

Si puna atij billboardit pra "kerkoj pune, 500 dollaret e fundt i harxhova per kete billboard" edhe ky kerkon leke per projekte, ideja e fundit eshte "pse duhet financuar shoqeria civile"

Atëherë si mund të realizohet konkretisht financimi? Shteti, kryesisht nëpërmjet pushtetit vendor, i duhet të financojë shoqërinë civile nëpërmjet dhënies së kontratave, granteve dhe pagesave për punë të kryer (fees). Alokimi i fondeve kryhet nëpërmjet tenderëve ose aplikimeve për grante.."

Shteti duhet te beje kete e ate , shteti keshtu shteti ashtu,Rralle e tek lexon ndonje shkrim ku keshilllon shqipot te vetorganizohen e te mos e presin cdo gje nga shteti (te cilit rralle tek i paguajne ndonje takse).

Nuk kuptova asgje...

nuk kemi shoqeri civile- e kane vrare, terhequr zvarre , prere copash, endrrash

si kthehet ne jete shpirti i nje komuniteti ?

Po duket qarte qe as nuk e njeh sektorin fare, as ka bere kerkim per kete ceshtje, thjesht ngase ka akses (eventualisht te pakontrolluar) ne media, ka bere kete shkrim.

ok robi qe mund te kete nje sasi fjalesh me detyrim ne jave, por nuk e di a i sheh/kontrollon/redakton njeri shkrimet.

dhe se fundmi pse e keni sjelle kete shkrim ketu?

 

Nuk eshte vrare shoqeria civile vetem gjate periudhes se tranzicionit - Gabim fatal te thuash

Ne historikisht kemi qene te gabuar dhe te pa-organizuar , tradhtuar ose me shqip INJORANTE ne menaxhimin e shtetit ne cdo sektor - fatkeqsisht

 

financimet qe jane mare nga bota jane ndertuar vila e pallate pasi politikanet i orientuan gjithe keto vite keto donacione tek te afermit e tyre tecilat u quajten shoqeri civile,OJQ e shume organizata te tjera.Bota financoi qe te ngrihej ne nivel me te larte ndjeshmeria e shoqerise shqiptare por fatkeqsisht kjo e fundit eshte e mpire,pa as nje lloj misioni,individualizmi dhe mbyllja ne guacke eshte karakteristike e saj.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).