Mirela Kumbaro-Furxhi, Ministre e Kulturës në Republikën e Shqipërisë, në një intervistë ekskluzive për “Zërin”, flet për bashkëpunimin kulturor e politik të Shqipërisë me Kosovën, për nismat e përbashkëta, për identitetin dhe diversitetin, për konkurrencën dhe mosdurimin.

Zëri: Unë besoj se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e kulturës, lë shumë për të dëshiruar. Keni ndonjë plan, se si do të mund të kishte një lëvizje pozitive dhe të shpejtë në këtë drejtim?

Znj. Kumbaro-Furxhi: Pajtohem me ju kur thoni se bashkëpunimi mes nesh nuk është aq sa do të na e donte zemra. Dhe bash për këtë qeveria e re e ka caktuar prioritet vendosjen e urave reale për të punuar së bashku, pa patetizëm dhe duke bashkuar forcat. Ky mesazh doli shumë qartë kur kryeministri Edi Rama, të nesërmen e dekretimit të tij prej Presidentit të Republikës, ndërmori udhëtimin e parë qeveritar drejt Prishtinës, delegacion në të cilin pata fatin të jem edhe unë. Shumë shpejt do të kemi mbledhjen e parë të përbashkët të të dy qeverive dhe agjenda të përbashkëta për çdo fushë. Të tilla mbledhje do të bëhen dy herë në vit për të ruajtur vazhdimësinë dhe aksionet konkrete.

Zëri: A jeni në dijeni se sikur ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ka filluar një fazë që më shumë i ngjet konkurrencës e mosdurimit, se sa bashkëpunimit?

Znj. Kumbaro-Furxhi: Nuk e kam këtë ndjesi. Por varet si e kupton edhe këtë. Nëse ka një konkurrencë cilësie aq më mirë. Nga përvoja ime jo e pakët në Kosovë unë e di, për shembull, që ka sektorë ku Kosova është shumë më përpara se sa Shqipëria, si për shembull shërbimi i policisë, ndërsa në kulturë shoqatat kulturore kanë një jetë më tërheqëse sesa në Tiranë.

Zëri: A mund të luajnë një rol vendimtar qeveritë e të dyja vendeve në atë që cilësohet integrim kulturor fillimisht? Nëse po, si duhet bërë?

Znj Kumbaro-Furxhi: Natyrisht që mund të luajnë. Dhe ky është roli mbështetës i atyre tendencave që ekzistojnë në realitetet tona kulturore. Sepse kulturën nuk e bëjnë qeveritë, por popujt dhe njerëzit e kulturës. Kultura jonë e përbashkët ishte edhe kur qeveritë e regjimet e mëparshme na kishin prerë çdo rrugë komunikimi dhe kur e paguanim me kokë një takim të dashuruarish. Tani që kultura është hapur qeveritë e të dy vendeve duhet të ndjehen me shumë fat që kanë mundësinë e madhe të bashkëpunojnë në këtë tokë pjellore kulturore.

Zëri: Me aq sa jam në dijeni ka pasur disa nisma të akademive respektive të shkencave, të instituteve profesionale etj.., për disa projekte të përbashkëta, por pa rezultate... nuk po shkon siç duhet as debati për shqipen letrare. A ka rrezik që mosgatishmëria për t’u marrë vesh për çështje që u përkasin dy entiteteve, të çojë në krijimin e dy identiteteve krejtësisht të ndara kulturore?

Znj. Kumbaro-Furxhi: Nëse ka nisma të përbashkëta që s'kanë qenë histori suksesi, kjo nuk është arsye të paragjykohen apo të tuten nisma ta tjera, përkundrazi. Nga ana tjetër, do të ishte e pabesueshme, që qysh në ditën e parë pasi lidhëm fillin e këputur pas 100 vjetësh të rigjendeshim pa asnjë dallim sikur të mos kishim 100 vjet nostalgji në mes. Por mendoni një çast, a do ta na shkonte ndër mend 10 vjet më parë se mund të flitej për një agjendë kulturore të përbashkët të mbështetur nga qeveritë përkatëse? E pra, ja ku jemi. Pra ka gatishmëri, ka vullnet, madje ka dhe shumë dëshirë, dhe këtë e dimë të gjithë ne që e kemi bërë rrugën Tiranë - Prishtinë pjesë të jetës tonë.

Sa për debatin që ju përmendni, unë nuk besoj se ka një debat për shqipen letrare. Sipas mendimit tim ka një debat për shqipen, çka është një tregues i shëndetshëm për gjuhën tonë si një qenie e gjallë e cila duhet zhvilluar, njohur e pasuruar, me të gjitha format e të folmet e saj.

Zëri: Zonja Kumbaro Furxhi... edhe Shqipëria, por edhe Kosova, kanë numër të madh krijuesish e artistësh që i kapërcejnë kufijtë tanë. A mund të ketë një strategji ose një plan të përbashkët për një përfaqësim ndërkombëtar kulturor në botë? Apo kush si të mundet e në mënyrë krejt individuale?

Znj. Kumbaro-Furxhi: Unë besoj se në mbledhjen e parë të përbashkët midis dy grupeve qeveritare me çka e filloi punën qeveria e re, doli shumë qartë ky vullnet dypalësh për të ndërtuar strategji të përbashkëta, kalendarë të përbashkët, dhe sinergji të përbashkëta kulturore të institucioneve, grupeve dhe individëve. Hapësira jonë kulturore është një hapësirë pa kufij dhe kultura është bashkimi ynë i pandashëm.

Zëri: A ju lehtëson fakti se janë dy ministri kulture të dy shteteve shqiptare në Ballkan, apo është e kundërta?

Znj. Kumbaro-Furxhi: Nuk besoj se ka ndonjë rëndësi kjo, ministritë janë administrata në shërbim të komunitetit kulturor dhe të publikut që përkthejnë në aksione konkrete politikat kulturore. E theksoj: kulturën nuk e bëjnë ministritë e as ministrat, por e bëjnë aktorët e kulturës.

Në bashkëpunim me ministrin Memli Krasniqi, jemi duke organizuar mbajtjen e një takimi gjithëpërfshirës me krerët e institucioneve artistike si të Prishtinës edhe të Tiranës, me qëllim që ngjarjet kulturore të qarkullojnë në të gjithë hapësirat tona dhe të parashikohen edhe shpenzimet që i shoqërojnë ato. Është ky një nga vendimet e para që kolegu Krasniqi dhe unë morëm në takimin tonë të parë, me çka unë fillova dhe ditën e parë të punës time më parë në Ministrinë e Kulturës së Kosovës, dhe në ditën e dytë hyra në zyrat e Ministrisë së Kulturës në Tiranë.

Zëri: Çka duhet të bëjë Kosova që të jetë pjesë e tërësisë kulturore shqiptare?

Znj. Kumbari-Furxhi: Kosova është pjesë e pandashme, e padiskutueshme dhe dinjitoze e tërësisë kulturore shqiptare, jo vetëm me shqiptarizmin e vet, por dhe me diversitetin e vet etnik, kulturor e gjuhësor, duke përkthyer karakteristikat më të vyera të shqiptarëve, tolerancën, bashkëjetesën dhe mendjen e hapur. Është njësoj pjesë siç janë të gjitha pjesët e mozaikut kulturor shqiptar kudo që të ndodhen shqipfolësit.

Zëri: Nëse ndodh që të krijohen dy identitete kulturore, siç po paralajmërohet me të madhe... kush duhet të mbajë përgjegjësi?

Znj. Kumbaro-Furxhi: Krijimi i identiteteve as nuk paralajmërohet, as nuk vendoset me urdhër dhe as nuk kthehet në përgjegjësi fajtore. Nuk ka identitete të ndara, ka përfaqësim identitetesh sikurse ka dhe identitete të përziera që asnjëherë nuk janë të palëvizshme. Secili nga ne është produkt i një ndërthurje identitetesh çka s'mund të jetë as faj e as përgjegjësi. Unë vetë ndjehem e tillë, çka në fakt ma bën jetën më të bukur, sidomos qysh kur prej disa vitesh kam futur në identitetin tim edhe pjesën kosovare falë punës e jetës që kam kaluar në Kosovë.

Zëri: Ndoshta është herët, por nëse ju pyes se cili do të jetë një projekt i përbashkët kulturor me Kosovën, cila do ishte përgjigja?

Znj. Kumbaro-Furxhi: I pari, në datë 10 tetor, do të jetë promovimi në Tiranë i veprave të plota të Ali Podrimes botuar nga Akademia e Shkencave e Kosovës, aktivitet i përbashkët i kësaj Akademie dhe Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë. Më pas Panairi i Librit në Tiranë do t'i kushtojë një vend kryesor stendës së Shoqatës së botuesve nga Kosova, dhe një tryezë diskutimi të përbashkët me ta.

 

Intervistoi Blerina Rogova Gaxha

Intervista e plotë: Zeri.info

6 Komente

shumekulturalizmi qe u perqafua me aq deshire nga klasa politiko-kulturore ne tirane me shpresen do te mund te devijonte zgjidhjen e ceshtjes shqiptare,eshte ne krize ne evrope dhe konsiderohet eksperiment i deshtuar.

nuk e di si do ta trajtojne ne shqiperi integrimsat qe i referohen evropes per cdo gje!  deri tani gjithe ministrat e kultures e kane patur mbiemrin lubonja

bukur

po kjo edhe kumbar edhe furxhi. o njeren o tjetren o zonje.

edhe mua me pelqen kjo, ka klas.

Secili nga ne është produkt i një ndërthurje identitetesh çka s'mund të jetë as faj e as përgjegjësi. Unë vetë ndjehem e tillë, çka në fakt ma bën jetën më të bukur, sidomos qysh kur prej disa vitesh kam futur në identitetin tim edhe pjesën kosovare falë punës e jetës që kam kaluar në Kosovë

 

pse me duket sikur keta internacionalistat qe ne gjak e ndjejne se jane dy identitete te ndara shqiperia me kosoven? kur jeton ne perendim per shume kohe nis te mendosh se nuk mund te kete pjese shqiptare e greke e serbe te identiteteve por nje identitet ballkanas, ndersa kjo paska kohe qe paska marre pak nga identiteti kosovar (?) dhe e ka futur te vetja. cka na ben te kuptojme se identitetet e ndryshme nuk do krijohen sic pyet gazetari por jane tashme te ndara. 

booh!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).