Etude, coquille

 

Xhelo Ziu

Xhelua është një sevdalli,
Dhe esnaf si asnjë tjetër,
Por si kali kuqali
Xhelua ka një huq të vjetër.

Kur vjen prill’ i dashurisë,
Si kongjill dëshirën djeg.
Humbin lulet virgjërinë
Mollëzat feksin përmbi degë.

Maji me sevda të re,
Çpon meraku si hosten.
Molla larvën nuk e sheh,
Protokrimbin që e bren.

Ka një tjetër erë malli
Me meraqe prej sepeti,
Me një prerje kapistalli,
Dy Minushër prej ileti,

Qajnë me një mërzi mbreti,
Djegur anës si mangallët,
Me qeder prej amaneti
Dhe sedef nga më të rrallët.

Zëri zogut zë fashitet
Me ofshamën amëshim.
Aguridhja mollë rritet,
Por dhe larva bëhet krimb.

Xhelo ziu humbet paqen,
Shpirti nuk i gjen derman,
Me dyshim kafshon mustaqen,
S’e ze gjumi nën jorgan.

Sersen jermi ndezur flakë,
Si lugate kjo fanì,
Ëndërr s’është, por është merak,
Dhe prapë s’është dashuri.

Ëndërr jo, por as gënjeshtër,
Një mullar muharebe,
Tek mullari kas një tjetër
Çupës këmbët po ia ngre.

Çurg rrebeshi në të kthjellët
Çpon çatitë përmbi hatull,
Flokë gremisur mbi minderët,
Gjunjëthyera mbi shpatull.
 
Njëqind herë i kishte parë
Isharetet e bandillit,
Vallë vërtet qe aq i marrë
Sa mos shihte gili-vilin?

Sa hidh’ boti një shaka,
Ajo qeshu shtatë palë qejfe
Të vënë brirë, brirë s’ka,
Pa t’më shohësh, moj qenefe!

Ze një pritë, ze një pusi,
Lidh një ledh e ndal një shteg,
Tjetri si më sevdalli
Gjarpërin lozte nën brezmek,

Dorën vajzës nën jelek,
Ku përgjon o zogu gji,
E burgjiste një zemrek,
Tjetri ish me nishanlli.

Dita zinte ditën pus,
Huq i dilte huq i vjetër:
Perëndi nuk do të lus
Pse s’më hodhe diku tjetër,

Po në ferrë e në dëllinjë,
Lulen ma përzjen me gjemb,
Gjer e liga zuri thinjë,
Po ty shpirti nuk t’u shemb.

Na e nxin çfarë është e bardhë,
Na e bën thëllëzën sorrë,
Krimbi zemrën ha në dardhë,
Qentë dhjesin mbi dëborë…

Shemri linte gjurmë ujku,
Po nuk dukej në mëhallë,
Një sokak me gurë e zhduku,
Tallej hënës një çakall,

Dhe një dhelpër bishtëtundur,
Linte sir, linte fani,
Dimri shkoi e s’kishte mundur
Që t’i kapte gjer tani.

Fshati kish plevica shumë,
Kashtë pa fund e plot mullarë,
Kish përrua dhe një lumë,
Për të lënë e për të marrë.

Mbledhur vatrës bërë grusht,
Tretur burri erzhdërha,
Shkoi një vapë e shkoi një gusht,
E një ditë kismeti s’pa.

Nëpër bute ngjizej musht,
Sylynjare një llulla,
Gjinj në vreshta ngjishnin rrushtë,
Ai vrërët me hata.

E u lodh nga e pandehma,
Zemra llohë kallkan iu ftoh,
Reja shi, dyshime femra
Sillnin dimrit domosdo.
 
Po prapë ngrihet nëpër sqotë,
Ngrin mustaqja në pusi,
Ty laneti t’u kundoftë,
Kërcu mbeç, o Xhelo-Zi!

 

Qymyr

Nuk di agim është apo muzg,
e shtunë, e djelë apo e hënë,
s’di në më do a më përbuz,
kaq keq qymyri më ka zënë.

Kusur s’i lamë shoshoqit mbrëmë,
djersinë xhamat mbi dritare…
Të nesërmen ftohtë veç “si ke qënë”,
thua e djeshmja s’qe gjë fare.

Këtë tabiat e marifet
që më largohesh bën gjithmonë,
nuk ke qeder se tjetri pret
pas natës zjarr pak devocion.

Dhe kur kujtoj se krejt të humba,
i leqendisur për ibret,
ti zë papritur e hedh thumba,
më shtie çik me isharet.

(Aq më duhet, sikteris
xhelozinë e pathënë,
harroj tradhëtitë e saj me listë,
kaq keq qymyri më ka zënë.)

I harroj mllefet, gjeç belatë
dhe moralizmat me gazep
harroj që pres një vit i ngratë,
gëzoj shën ditën që ma jep,

se kur ma jep gjëmon si pushkë,
gjithë viti derdhet një pasdite,
(Ajnshtajn, ke njohur ndonjë kuçkë
kur nxore kohën relative).

Kusur shoshoqit nuk i lëmë,
e xhami dirset në dritare…
Dhe nesër ftohtë, as “si ke qënë”,
e djeshmja shkoi e s’qe gjë fare.

Mbes fillikat se tjetër s’dua,
s’më hyjnë në sy, s’bën fajde nuri,
ç’magji s’e di, një sir e grua
më bëjnë që shkoj si qorr pas muri.

Muri s’më merr e shpie kund,
rri e përgjoj qyqar pas gardhi,
kur ti kalon e hirin shkund,
je natë e djegur pasi zbardhi.

E zhdukesh fir, tërbon dynjanë,
që veç të shajnë bëjnë muhabet,
dikush për ty thotë je putanë,
taksi e fshatit a biçikletë.

Po taksia të shëtit,
dua t’u them, more të mjerë,
të shpie vende, të çudit,
ju hipur mbetët mbi gomerë.

S’di ku ta flak ditën pa ty,
kaq keq qymyri më ka zënë,
s’më hyn e del asgjë në sy,
u bë një vit që s’ma ke dhënë.

 

* HENRI MATISSE (1869-1954); ETUDE, COQUILLE

11 Komente

S’di ku ta flak ditën pa ty,
kaq keq qymyri më ka zënë,
s’më hyn e del asgjë në sy,
u bë një vit që s’ma ke dhënë.

Kjo i referohet nje kohe kur rropatja pas nje femre te kushtonte nje pale kepuce te grisura sipas paradigmes te kenduar: edhe rrushi qe te piqet/duhet nje behar i tere/ dhe dy zemra  qe te lidhen/duhet nje vit e ca hene. Tani koha  eshte bere me pragmatike, dashurite jane me praktike. Ne kafen e pare hapen dhembet , ne kafen e dyte hapen kembet.

nje vit e ca i referohet vetem kesaj qe i ka kushtuar poezine.....nder kohe mund te jene te tjera ,pa poezi ,ose me poezi te tjera,ose proze pra n....... numer

Poezia moderne e kerkon nga lexuesi i sofistikuar te vazhdoj pikerishrt aty ku ndalon autori.

Emo,gajret he burre smiley

♫ ♫ ♫ ...

 

Ka nje vjet e disa muaj

Kemi pas dashnine e rand

Tash do t'i kallxoj gjithkujt

Vet je ik se,une s'kam thane

 

Me pas dijte se ke noj tjeter

Une ma rralle te kisha ardhe

Me harru dashnine e vjeter

Pa t'marre n'gryk s'ta boj hallall

 

T'marrsha t'keqen dhe gjynahet

Se mas teje do te vdes

Copa-copa do te bahem

Se prej zemres sun te qes

 

E zhdukesh fir, tërbon dynjanë,
që veç të shajnë bëjnë muhabet,
dikush për ty thotë je putanë,
taksi e fshatit a biçikletë.

S'e kuptoj pse meshkujt luajn gjithmone rolin e viktimes,indinjohem si femersmiley

Poezite qene te bukura, me lidhje, te kuptueshme, veç nuk e kuptuam se kush i ka bere, Emigranti apo Henri qe shkruhet poshte ne fund. 

Mulli me erë është po uji se nga i vjen s'merret vesh.smiley

E pra, ca nga xhelozia e ca nga qymyri.

S'e kuptoj pse meshkujt luajn gjithmone rolin e viktimes,indinjohem si femer smiley

prizreno,jo vetem,por jane t'pavaksinum,te papergjegjshem, dhe kujtojne akoma "se lahen me nje legen uje" smiley

"se lahen me nje legen uje" smiley smiley

Aha kanë ndryshuar disi, nga frika nga frika por kanë ndryshuar.

Se harrova , që kur i tha njana se pse s'thua që ta paskam bërë un(dmth ajo)

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).