Në 100-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të njohur francez, Albert Kamy, Ministria e Kulturës kujton nobelistin përmes ekspozimit të librave që kanë ardhur në shqip.

Albert Kamy erdhi për herë të parë në një libër në gjuhën shqipe më vitin 1961 në Kosovë, vetëm një vit pasi ishte ndarë nga jeta. Shtëpia botuese “Rilindja” hodhi në treg për lexuesit romanin e tij më të njohur “I huaji”. Ndërsa në Shqipërinë komuniste shkrimtarë si Kamyja ishin të ndaluar, “I huaji”, kishte kohë që shkëmbehej fshehurazi ndër studentë të letërsisë, apo njerëz që merreshin me letrat në Tiranën e atyre viteve. Disa kopje të tij frëngjisht, të sjella në Shqipëri nga ata që kishin shkuar jashtë për udhëtime pune, kishin mjaftuar për ta bërë të njohur shkrimtarin ndër ambientet letrare. Gati 23 vjet më vonë po “Rilindja” e Kosovës do të hidhte në treg një tjetër libër të nobelistit francez “Kaligula i ndjekur nga keqkuptimi” (1984). Në Shqipëri, Albert Kamyja do të vinte i plotë në një libër pas viteve ‘90. “Miti i Sizifit”, një libër i cili të fton të endesh dhe të kuptosh absurdin, erdhi në shqip nën përkthimin e Petrit Sinanit, nga shtëpia botuese “Fan Noli” më 1992. Po atë vit, shtëpia botuese “Naim Frashëri”, i vetmi ent botues shtetëror që tashmë ishte drejt fundit, hedh në treg një tjetër libër të rëndësishëm të tij “Rënia”. Libri i shkruar nga Kamy më 1958-n është shkruar si rrëfim i personazhit kryesor kundër dyfytyrësisë, kundër mashtrimit dhe egocentrizmit, të cilat konsiderohen jo thjesht vese, por mëkate me thelb antinjerëzor, të tilla që e pengojnë njeriun të dashurojë e të jetojë ashtu si duhet.

Në fjalimin e shquar që mbajti me rastin e dorëzimit të çmimit Nobel, Kamy u shpreh se “mohimi i së keqes dhe qëndresa fort përpara skllavërimit” tashmë ishin arritur! Në vitin 2003 “Ombra GVG” boton esenë “Letra mikut gjerman” në të cilën Kamy bisedon me mikun gjerman të imagjinuar, kërkon që bota të përfshihet nga solidariteti dhe njerëzit të përveshin mëngët për ta larguar sa më parë fatin mizor dhe për të jetuar në harmoni. Është i vetëdijshëm për vështirësitë, por ka besim te njerëzit. “Më pyesni, – i drejtohet Kamy mikut gjerman, – se çdo të thotë ta shpëtosh njeriun? Përgjigjja ime është: kjo do të thotë të mos e sakatosh atë, por të mbash si orientuese drejtësinë. Dhe këtë është i zoti që ta ngrejë në këmbë vetëm njeriu”. Kështu përpara nesh qëndron ekzistencialisti Kamy, i pasuruar me idenë e solidaritetit njerëzor. Është ekzistencialisti shpërfillës i kësaj jete të parregulluar, që del me mendimin e përgjegjësisë që ndien përpara njerëzve, lidhur me gjithçka që ndodh me njeriun në këtë botë. “Mërgimi dhe Mbretëria” është një tjetër libër i tij i cili vjen në shqip po nga kjo shtëpi botuese më 2003-in. 44 vjet nga botimi i tij në Kosovë, vjen i botuar në Shqipëri, romani “I huaji” nga “Vëllezërit Tafa” nën përkthimin e Nasi Lerës. Një përkthim që shkrimtari Lera e shoqëron dhe me një parathënie, ku tregon udhëtimin e tij në Algjer, në vendin ku dy personazhet e këtij libri Mersoja dhe Maria jetojnë historinë e tyre të dashurisë. “Njeriu i revoltuar”, një tjetër roman i tij botohet në Kosovë më 2010-tën nga “AIKD”, ndërsa më 2011 ribotohet sërish “Rënia”, por këtë herë nga “Argeta”. Kjo është harta e botimeve të Albert Kamysë në shqip, ku kanë mbetur jashtë shumë libra të tjerë të njohur të këtij shkrimtari, të cilat ende nuk kanë ardhur në shqip.

Ky vit është dhe 100-vjetori i lindjes së shkrimtarit, i cili u nda nga jeta në një moshë shumë të re, në moshën 47-vjeçare, Ministria e Kulturës do të organizojë një aktivitet kushtuar veprës së tij. Në ditën e dytë të Panairit Ndërkombëtar të Librit më 14 nëntor do të organizohet konferenca me titull “Kamy, transmetues i ideve demokratike” me pjesëmarrjen e Jean Yves Guerin, profesor i letërsisë franceze, drejtor i Shkollës Doktorale të Letërsisë Franceze dhe të Krahasuar, Universiteti Sorbonne Paris 3, drejtorit të Institutit të Albanologjisë, Ardian Marashi, ambasadores së Francës në Tiranë, Christine Moro, dhe ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro. Në stendën e ambasadës franceze po atë ditë do të jetë një fotoekspozitë kushtuar jetës dhe librave të këtij shkrimtari. I diplomuar për Filozofi, Kamy do ta gjejë veten shumë shpejt të përfshirë nga dëshira për të shkruar. Në moshën 30-vjeçare boton romanin e parë, vetëm pak kohë pasi i kishte shpëtuar një sëmundje që mund ta çonte drejt vdekjes. Pasioni për filozofinë do ta bënte Kamynë, të përshkruante absurdin në shkrimet e tij. Heronjtë e tij ishin ekzistencialistë, dhe pse shpesh thoshte se “Nuk ishte i tillë”. “Unë dhe Sartri e gjejmë shpesh veten të përshirë në këtë term, por nuk jemi ekzistencialistë”. Por, ekzistenca njerëzore në librat e tij duket e pakuptimtë. Tek “I huaji”, një nga librat e tij më të lexuar, personazhi i tij kryesor është në kontradiktë me jetën.

Vetë jeta ishte një kontradiktë e madhe për Kamynë, i cili nuk deshi ta sillte ndryshe në librat që shkroi. Por ndërsa në librat që shkroi ai të krijonte idenë e një burri të ftohtë, një grua kishte mundur të prekte zemrën e tij. Ajo ishte aktorja bohemiane, Simone Hie, me të cilën u takua në vitin 1932. Ai e ndjeu trupin e saj dhe pse në dorë mbante një unazë nga miku i tij, Max Pol Founchet, me të cilin ajo ishte fejuar. Takimin e parë bashkë e patën në teatër…për të vijuar më pas kafeneve dhe parqeve të Parisit. Në vitin 1934 ata lidhën martesë e cila do të përfundonte shumë shpejt, për shkak të varësisë së Simon nga droga. Kamy nuk e harroi asnjëherë atë, dhe pse në jetën e tij takoi të tjera femra. Pas ndarjes ai u kujdes për vite me radhë duke i paguar mjekimin. Për biografin e Kamy, Oliver Todd, Simonë është personifikuar te personazhi Maria në romanin “I huaji”. Në asnjë vepër të letërsisë botërore, dashuria nuk i ngjan aq shumë absurdit sa te ky libër. Për Todd “I huaji” është një himn për Simonë, dhe vendin e tij të lindjes Algjerin. Teksa kërkonte vdekjen në librat që shkroi, ajo do të vinte shumë shpejt në jetën e shkrimtarit. Në moshën 47-vjeçare vetëm tre vjet pasi kishte marrë çmimin Nobel, ai vdes në një aksident automobilistik më 4 janar 1960 bashkë me botuesin e veprave të tij, Mishel Gallimard.

9 Komente

Dashuria eshte absurd.

Absurditete! smiley

Absurdi eshte dashuri, dmth dridh e perdridh llafkat dhe gjithnje del diçka ekzistencialiste, interesante nga pikpamja psikologjike ne sallonin e sinjora Bertinit ku Sizifi here ngjitet e here zbritet, por kurre nuk ndalet. Ndryshe na fiku deren.

http://www.toonpool.com/user/707/files/s...

dashuria është kënaqsia e jetës ose jeta që ja vlen të jetosh. Nuk shtyhet jeta me inat e zemrim.

smiley per nje t qe ai se ve...etj etj

Cobance i thone Albert smiley

ne fakt çobançe ( çobançe jugu ) i thone Albërç

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).