Sipas ligjit, “Albminiera” duhet të ruajë 33 objekte minerare. Asaj i duhen të paguajë të paktën 120 persona, për të këqyrur 24 orë objektet, por në realitet ka pasur vetëm 33 të punësuar.

Pas vdekjeve nga asfiksia në dy minierat brenda një dite, Ministria e re e Energjetikës ka zbuluar raportet dhe kërkesat financiare të “Albminierës” që nga viti 2009.  Shkresat i drejtohen ish-ministrave të Ekonomisë, për shtesë fondesh dhe asnjëra prej tyre nuk ka marrë përgjigje pozitive. “Albminiera” ka nën varësinë e saj objektet minerare në katër qarqe të vendit. Në të gjitha shkresat e saj, shoqëria kërkonte fonde për të paguar rojet e objekteve. Por, asnjë nga ish-ministrat, disa prej tyre në qeverinë e re, nuk i kanë kthyer përgjigje kërkesave. Kjo ka sjellë që të paktën për katër vite, minierat të mos ruhen me tri turne, por vetëm gjatë ditës. Sipas ligjit, “Albminiera” duhet të ruajë 33 objekte minerare. Asaj i duhen të paguajë të paktën 120 persona, për të këqyrur 24 orë objektet, por në realitet ka pasur vetëm 33 të punësuar.

Shkresat

Ministria e Ekonomisë, si institucioni nga ku varej edhe shoqëria, ka marrë katër shkresa nga viti 2011 deri në vitin 2013, ku ngrihej problematika, por nuk ka pasur asnjë reagim. Konkretisht, një shkresë është dorëzuar në shtator të 2011-s, një tjetër në mars 2012, e treta në nëntor 2012 dhe e fundit në prill 2013. Me një shkresë është njoftuar edhe Ministria e Financave në mars të këtij viti dhe kur nuk ka pasur asnjë reagim, shkresa e fundit i është drejtuar Kryeministrit, por zgjidhja nuk është dhënë nga asnjë nivel.

Fondet

Shoqëria “Albminiera”, vit pas viti ka marrë një fond sa gjysma e asaj që nevojitej dhe më vonë edhe sa një e pesta e asaj që duhej. Në vitin 2009 Ministrisë së Ekonomisë iu kërkua një fond 41.2 milionë lekë, por iu dhanë vetëm 21 milionë. Në vitin 2010, “Albminiera” kërkoi një fond prej 59 milionë lekësh, por Ministria i dha vetëm 26 milionë lekë, dhe kjo u shkurtua edhe më tej me 2 milionë lekë. Në vitin 2011 Ministrisë iu kërkua një fond 120.7 milionë lekë, por u dhanë vetëm 27 milionë lekë. Një vit më parë u kërkuan 115 milionë lekë, që duhet të shkonin në vlerën 21 milionë për mbyllje punimesh minerare dhe 34 milionë për demolim objektesh, por u dhanë vetëm 22 milionë lekë. Kulmi i krizës financiare të shoqërisë do të ishte viti 2013, kur iu akorduan vetëm 5 milionë lekë dhe më pas u shtua një fond tjetër prej 7.5 milionësh. Me këto para janë paguar vetëm pagat nga dhjetori deri në maj, ndërkohë që pagat e gushtit nuk janë dhënë dhe as ka fonde për muajt në vijim. Në kohën kur fondet e dhëna s’kanë përballuar dot as pagat, fondet për mbyllje punimesh minerare kanë qenë totalisht inekzistente. Sot janë 224 punime minerare të miratuara nga AKBN në përgjegjësinë e “Albminiera”, që duhet të mbyllen, që kërkojnë një fond 62.5 milionë lekë, i cili nuk është dhënë kurrë.

Gërmimet ilegale në Beragozhd, prej vitesh

Gërmimi në galeritë e Beragozhdit dhe nxjerrja e hekurit për të mbijetuar ka qenë një veprim që kryhej haptazi. Tragjedia u paralajmërua vetëm dy javë më parë, kur nxjerrja e hekurit për skrap sa nuk i ka kushtuar jetën më 28 tetor një 24-vjeçari nga fshati i Beragozhdit në Pogradec. Ardian Hamolli mbeti i bllokuar për gati 12 orë në minierën e Beragozhdit për shkak të rrëshqitjeve të gurëve në zonën ku ai gërmonte. Moskthimi i tij në shtëpi ka alarmuar familjarët, të cilët lajmëruan policinë. Kjo e fundit, së bashku me forcat e kërkim-shpëtimit, nisën operacionin për nxjerrjen e të riut, i cili ka mundur të dalë vetë nga miniera. Vetëm pasi doli ai dha shpjegimet në polici se kishte hyrë për të siguruar qymyr. E ëma e të riut tregoi për gazetën se i biri detyrohej të gjente qymyr në thellësitë e minierave për shkak të varfërisë në familjen e tyre. Sipas banorëve, sigurimi i mineraleve apo hekurave është mundësia e vetme për të mbijetuar në zonën e largët të Pogradecit.

3 Komente

Minierat qe jane jashte shfrytezimit t`u bllokohet hyrja me shperthim. Mjafton t`i jepet ushtrise si detyre dhe kjo pune mbaron tak fak. Kostot do jene minimale dhe kapitull i mbyllur

O admin, po une inatin e kam me politik-bersit, me vendim-marrsit, pse duhej ta hiqnit komentin tim. Pse a nuk jane per tu share ata? Se te tjeret do thonin , se; Jane per tu varur, ne fakt. 

po Albpolicia i ruan dot mo...?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).