Mirë se erdhe!

 

Andrrova për ty n'çdo mbramje

n'dritaret e thyeme të vetmisë,

tue soditë zogjt e mërdhimë

n'kodrat e xhveshuna t'Germisë.

 

Të prita n'sofren e shtrueme

me emnin tand kafshatën tue shty;

të prita n'mbraimjet e acarueme,

kur zemra për ty shpesh a ndry.

 

N'shpresat e mija t'përgdhela

dhe ne to për çdo agim je rritë;

të bajta n'vegime si në menela

e kudo sytë e tu m'kanë shëndritë.

 

Ti erdhe si zogu në pranverë

në ditën e kallnorit t'bardhë.

Nji dorë hareje trokiti n'derë:

“Voglushi yt, sonte t'ka ardhë!”

 

Sytë e mallit

 

N'ata sy, o bar, ku flen dashunija ime

dhe malli me digjet si eshkë prej rrëfeje;

n'ato drita që shëndrisin netët e thime —

brengat i prehi dhe shërohem prej hareje.

 

E po t'mos ishin të ngrohta ato dy yje,

që akullin e vetmisë e shkrijnë përherë,

kushedi sa herë do t'u lidhsha n'nyje

të syve që kapërdijnë si ma e marra erë.

 

N'ata sy, o bir, ku rritën andrrat e mija

dhe shpresat m'bredhin si gazele t'shqetsueme,

testament t'i la këto vargje, ku prehet dash'nija.

sepse tjetër as vete nuk pata të trashegueme.

 

Sytë e tu, o bir, sa herë t'i shofish n'liqe,

dije se baba yt shpesh herë n'ta asht betue.

Flaka e mallit, o bir, n'çdo kand më ka bre

dhe hija e tyne, si vehtja, me ka shoqnue.

 

N'ata sy, o bir, i shoh edhe sytë e mij

N'ato drita hareshëm lodrojnë plot fëmij. 

 

_________

Shënim: Enver Gjerqeku poet profesor e akademik, lindi më 25 gusht 1928 në Gjakovë dhe vdiq më 24 tetor, 2008 në Prishtinë. Në vendlindje kreu shkollën fillore dhe Shkollën Normale, kurse Fakultetin Filozofik – grupin e gjuhës e të letërsisë shqipe në Universitetin e Beogradit (1955), ku edhe u magjistrua. Pasi kreu Normalen, shërbeu një kohë mësues, e pastaj shkoi në studime. Gjatë studimeve ishte anëtar i redaksisë së revistës Zani i rinisë (1954-1956). Pas mbarimit të studimeve shërbeu profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në Shkollën Normale të Prishtinës (1956-1959), në Shkollën e Lartë Pedagogjike (1959-1962) dhe prej vitit 1962 e deri në vitin 1995 në Fakultetin Filologjik të Prishtinës ligjërues i lartë e profesor i Letërsisë shqiptare. Në dy mandate u zgjodh prodekan i Fakultetit. Ishte kryetar i Seksionit e mandej i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Poezia e tij është përkthyer në gjuhën serbokroate e në gjuhë të tjera të ish-Jugosllavisë. Është autor edhe i disa botimeve antologjike, si: Sytë që shprepin dashni (1959, bashkë me Esad Mekulin), Shtigjeve të qëndresës – Stazama otpora (1961, në të dy gjuhët, bashkë me E. Mekulin e Vehap Shitën), Panorama e letërsisë bashkëkohore shqipe në Jugosllavi (1964, bashkë me Ramiz Kelmendin e Hasan Mekulin) etj.

2 Komente

Sa bukur ,sa amel.sa shqipe e paqte,e elehte...

dolce  stil  nuovo

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).