Edmond Fizmaurice – Gjykatës

Ben Emmerson- Avokat mbrojtje

Zonjusha Zemza  – Padija

Lekë Dukagjini- I pandehun

Shna –Ndoi - Dëshmitar (Shën Ndoi)

Parota me njizetekatër

 

Pjesa I - Shna Ndoi Dëshmitar

 

Ben Emmerson – I lumi Shna Ndue (ul kryet në shenjë nderimi), ndigjova me ngulm shjegimet e jueja për benë e në qoftë se më lejoni desha me fillue me diçka prej së famshmes nyje tetëdhjetëtet të Kanunit.

Shna – Ndoi – Me shumë dëshirë!

Ben Emmerson –  (shfleton librin) Kisha ndërmend nji prej pikave të hymjes, më falni sa t’a gjej, ah po, fillon kësi:

“Beja asht nji sjellje besimtare, për-mjet së cillës nieri, tue dashtë me dalë se keq prej nji zhgarkimi të dhunshëm, do të përkasë me dorë nji shej besimi, tuj e grishë emnin e Perendisë në dëshmi të së vërtetës.”

Nuk asht veç e bukur por dhe me vend!

Barra e pafajësisë bjen mbi supet e të paditunit kur zakonisht asht padija ajo qi duhet të provojë fajësinë e dikujit. Robit s’i ngelë gja tjetër por me i ra mohit akuzës me të cillën përballet tue thirrun në dëshmi emnin e Zotit.

Përmendja e herëpashershme e fesë nuk asht rastësi por qëllim i qartë në vetvete.

Shna –Ndoi – Njimend ka diçka thellësisht prekse kur nieri lypën shkarkimin e fajësisë kundruell Zotit,

veçse vërtetimi i pafajesise asht gjithnji i zorshëm; asht njisoj sikur me marr përsypra vërtetimin e mangësisë, gja qi edhe kah pikënisja fetare lypën nji shkapërcim symbyllun në të panjoftunën.

Ligja e tokës sado e papërkryeme qëndron e pështetun kryesisht në gjana të prekshme, e pra vërtetohet ajo qi asht e jo ajo qi mungon.

Ben Emmerson – Natyrisht qi keni të drejtë lumni. Un desha me vue në pah se ligja vet-rregulluese e malit mbahet në kambë prej pëlqesës të së tanëve e jo prej pushteti autoritativ qi zdrypën pahiri prej së-nalti.

Ky vërtetim mangësie, siç e thirrni ju, asht nji përpjekje e përbashkët në ushtrimin e nji gjyqsie të urtë e të matun.

Nuk m’ duket me vend me mendue për librin veç si përcaktues gjaku.

Shna –Ndoi – Këtu po. jam me nji mendje. Kanuni asht shumë ma tepër se nji numër serie në raft bibloteke.

Ben Emmerson – (buzëqesh) Na diftuet gjithashtu për randësinë e dëshmuesve e sesi tubimi i tyne në kuvende  forcon benë ma tutje.

Shna –Ndoi – Po, njashtu asht!

Ben Emmerson – N’dashti më ndigjoni  iu lutem edhe diçka tjetër prej Kanunit qi mendoj se i shkon për shtat fjalës tuej. (shfleton librin)

“Si epet e as s’i gjegjet beja atij qi don te lejë vendin pa parotnikë, sepse Ujku e lpin mishin e vet po të huejin e han” . Gjecovi Nyja nandëdhetët, pika  546 –

Kur e këndova për herë të parë vuna buzën në gaz. Proverbi populluer mu duk ma se i qokun për nji tekst ligjor. Nuk asht e vështirë me kuptue se çka asht ujku e mishi.

Aty ku lypi pak ndihmë prej jush asht parotniku!

Shna –Ndoi – Shna Ndoi – Gjithçka qi ju duhet me ditë për parotnikët asht se ata janë shpotarët ma të fortë të besë. Të zgjedhun jo veç për urti por dhe për aftsinë e tyne me bisedue pafundisisht. Në gjykime, dëshmi a vendimarrje, ata kanë për borxh me e marrë shtruet porsi të kishin për vete tanë kohën e lume e me shprazë me nge çka kanë në krye.  

Gjykatësi Fizmaurice –  Me pak fjalë kryejn të njajtën punë si xhuria anglosaksone?

Shna Ndoi – Njisoj atë punë.

Biles fjalorët e vjetër te shqipes e kanë pasë renditë parotën përbri xhurisë shumë herët.

Ben Emmerson – Me sa shoh un parota më duket gjithnji e ma e përligjun.

Në mungesë te nji pushteti i përpjetshëm, ajo krente lidhjen horizontale përmes robit, bajrakut e fisit. Mandej kur u krijue shteti jo vetëm lidhi ate drejtpërsëdrejti me sistemin e vjetër fisnor por edhe bani qi vendimet e nji koncepti abstrakt si shteti te qenë edhe ma të pranueshme.

Po t’hedhim sytë rreth-e-rrotull vrehet çiltas magnesia e shkaktueme prej ketij boshlleku.

Shna Ndoi – Nuk kam asnji pengesë me pranue se disa prej pikave të kanunit  janë ende të vleshme edhe sot. Ajo qi kundërshtoj janë ato pika qi kanë dalë së tepërmi jashtë kohe.

Ben Emmerson –  Falemiderit lumni, edhe diçka tjetër për fuqinë shdnruese të besë.

Parotniket shqiptare, shumica e të cilëve pa rrjedhti shenjtore e qi në pamje të parë duken si të lanë nji herë e mirë jashtë mëshirës shuguruese, sjellen si mos me qenë prekë ndonji-herë prej mëkatit, ndersa nieri, prej natyre gjykues i keq i gabimeve të veta, duhet me ia lane fatin e tijë në duert e urtisë së të tjerëve.

Jo keq per nji ngehinë kaq të moçme.

Shna –Ndoi – Qe Shen Agustini i pari qi shtjelloi idenë se njeriut në tokë i mungon liria me ba mirë e veprue drejt  pa hijen e orën hyjnore; ndërsa i mbështetun në ndihmën e te amshueshmit e të bashkevendasve të tij ai mund të tejkalojë gjendjen e brishtë e përhera të gabueshme.

Ben Emmerson – Lumni, përtej gjuhës poetike te kanunit dhe ikonografisë shenjtore të kishës, qi le t’a pranojmë, këtyne ditëve mund t’i interesojë pakëkujë, beja e përshkrueme në Kanun nuk duket aq jashtë vendit në oborr të kishës suej apo në sallë të gjyqit të ndonji vendi me ndjenjë të mprehtë drejtsie?

Shna Ndoi –  Eh...(hesht)

Kam dëshmue nder vite në gjithnduer parotash e mund t’iu flas me njifarë përvojë se as moraliteti e as drejtësia nuk jane preokupimi kryesor i këtyne tubimeve. Ruejtja e jetëgjatesisë, rrahzemrës së vetë kodit duket sikur asht vetë shqetsimi.  

Jo shpirti i i tij por përfjalsia kanë zanë vend mbi ate kep.

Ben Emmerson –  Drejtsia e morali nuk janë shpesh përparsia e ngrehinave të tjera edhe ma të përparueme. Për ma tepër nuk janë veç idetë qi korruptojnë nierzit por edhe nierzit qi korruptojne idetë.

Mue  me duket se ju shqetëson largësia e mes synimit fillestar të kodit e efektit të tij të mbasandejshëm. Jemi pra përsëri tek anokronizni.

Shna Ndoi –  E marr me mend çka do t’më thoni ; Anakronizmi i këtyne anëve s’asht veç i menduem por për ma tepër i prekshëm fizikisht.

Ben Emmerson –  Le t’ marrim për shembull kishën tuej, vendi ka ndryshue fare pak qysh prej kohëve të kanunizmit të hershëm; nji rrangalle industrie poshtë lumit, dalja e re në udhë të madhe janë të pakta shenja modeniteti. 

Shna Ndoi –  Mos harroni kasketat e lëkurës.

Ben Emmerson – (qesh) Po dhe ato.

Jo pa vend Carleton S. Coon quen pandryshueshmëninë e botës material të malësorit vendimtare në ruejtjes së zakonit. Ngulmi mbi traditën, shpjegon ai, asht reagim psikollogjik ndaj përshtatjes së këtij mjedisi.

Shna Ndoi –  Sado qi t’ përpiqet nji relativist kulture si asht prej natyre atropologu, prap do t’a kish të pamundun pajtimin me racionalen e sotme të kanunit. 

Ndjekja e tij tash duket sikur shkon kundër instiktit të ruejtes së jetës njerzore.

Ben Emmerson –  Kanuni asht prodhim i pafalshëm i kohëve mizore por ka brenda tij ka dhe dritare të shumta shprese.

Me i shpetue nji ‘zhgarkimi të dhunshëm thotë kanuni, e fton Zotin e të tjere me dëshmue benë në nji dorëzanje të matejshme.

Duket sikur ka nji mekanizëm të vete banancimi.

Meqi jemi ke përfjalsia, a asht e vërtetë se At Gjeçovi përmblodhi kanunin gjatë qendrimit në Shna Ndue?

Shna Ndoi – (ha ha ha, qesh me te madhe), M’ngjan se e  kishit ruejt per në fund këte pikë.

Jo veç qi e mblodhi kur ka ndenjë aty po asaj kohe por kemi shti sëbashku edhe shumë venë Kallmeti.

Na themi qi kur vena asht e mirë nuk ka herezi, pra mund t’iu dëshmoj me njifare kënaqsie se vena e atyne viteve ka qenë e shkëlqyeshme

Sa për përfjalesine mund t’iu gjegjet ma mirë gjuha profetike e Fishtës.

Poeti humbi vetë nji vlla për shkak të gjakut.

 

“O Zot, pse kaq vonove 
Gjaksorin pa ndeshkue? 
E, dersa ky mizori
Gjak vllazensh pat dikue, 
Kot landë rrufeja e jote
Pse bjeshkavet por çau ?”

 

Ben Emmerson –   Faleminderit lumni, s’kisha kurrgja tjetër.

 

 

Vijon

Dëshmitari tjetër Jahja Beg Dukagjini

Gjykimi i Princit (I)

2 Komente

" Shna Ndoi – (ha ha ha, qesh me te madhe), M’ngjan se e  kishit ruejt per në fund këte pikë.

Jo veç qi e mblodhi kur ka ndenjë aty po asaj kohe por kemi shti sëbashku edhe shumë venë Kallmeti."

smiley

Më pëlqeu! dialogu i avokatit me dëshmitarin. Spjegime të pranueshme mbi kanunin.

Parota e spjeguar lezeçëm.

PS shumë e vonove vazhdimin e pjesës së parë , besoj se vazhdimin e ke gati.Guxim e punë!

Se harrova dialogjet duhet të jenë pak më me nerv si në gjygj dhe pyetjet e avokatitduhet të jenë në favor të kanunit mgjths me thanë të drejtën veç me mend e marr(ndoshta dhe gabim) se për çfarë akuzohet Princi Lek.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).