Më datën 28 tetor 2013, u bënë 90 vjet nga lindja e Simon Gjonit, një prej dirigjentëve, kompozitorëve e kritikëve muzikorë më në zë shqiptarë. Data e lindjes së tij deri më sot është vendosur herë më 1925 e herë më 1926, por sipas dokumenteve të reja të gjetura së fundi në arkivin e Kishës së Madhe në Shkodër, viti i saktë rezulton të jetë 1923. 

Sa të rezervuar, prudent, herë-herë dhe të ngurtë e bëri jeta Simonin në dekadat e fundit të saj, aq aktiv, improvizues e tërë fantazi dhe me ndjeshmëri të lartë ishte ai i moshës njëzetvjeçare kur punonte me formacionet instrumentale e vokale të qytetit të Shkodrës. Aftësitë e tij krijuese dhe e veçanta që spikatej tek ai, u shquan që në këngët e para të tij si "Lule borë", "Fyelli i çobanit", "Sytë e tu si drita", "Sy larushes" dhe "Nëna dhe çika". Ndjehej në to aroma qytetare shkodrane e gërshetuar me ngjyrimin e lirikës tradicionale të këngëve të dasmës shkodrane, ashtu dhe të ritmikës po kaq tradicionale të përtej këtij qyteti të zonës së Mbi-Shkodrës. 

'Lule borë', që do të bëhej himni i këngës së lehtë qytetare shqiptare, e fitoi dhe e konsolidoi legjitimitetin e saj mbarë kombëtar duke u përhapur anë e mbanë Shqipërisë, e që më vonë do të gëzonte jehonën ndërkombëtare kur për së pari trioja Mula, Athanas, Tukiçi e prezantuan atë në Moskë më 1956. Valët e kësaj kënge u përhapën me një shpejtësi të çuditshme edhe në republika të tjera të Bashkimit Sovjetik, për t'u regjistruar më pas në disk e për t'u transmetuar ne radiot e ndryshme të këtij vendi. Rrezatimi i saj përfshiu një sërë vendesh të Europës Lindore për të mbërritur deri në Vjenë më 1961, në çeljen e Festivalit të Rinisë ku jonet e këngës do të shërbenin si Hyrja e këtij Festivali. 

Simon Gjoni ka qenë mësuesi im i parë e i vetëm i dirigjimit dhe unë kam qenë i vetmi student i tij. Nga ai mora bazat e kësaj mjeshtërie dhe komunikova ngushtë për pesë vjet me radhë. Sigurisht dirigjentit i duhet të mësojë edhe nga specialistë të tjerë të fushës, por mësuesi i parë le gjithmonë gjurmë, për mire ose jo. Simoni më ka lënë mbresa te pashlyeshme për njohuritë e tij metodologjike dirigjoriale. 

Studimet e larta Simoni i kreu në Akademinë e Arteve Ekzekutuese të Pragës, në klasën e dirigjimit simfonik me pedagogët Václav Smetá?ek dhe Alois Klima. Bashkë me dirigjimin ai studioi edhe në fushën e kompozimit dhe në 1954 ai u paraqit si kompozitor në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës (Pranvera e Pragës), ku pjesëmarrës ishin emra të mëdhenj të kulturës muzikore botërore si Juri Shaporin, Arvds Jansons, Sviatoslav Rihter, Edëin Fischer, Pierre Fournier e të tjerë. Në vitin 1956 në sallën 'M?stská knihovna v Praze' Simoni dirigjon "Rosamunda" të Schubert-it dhe "Peer Gynt" të Grieg-ut. Po në këtë kohë dirigjon "Pygmalion" të Jirí Antonín Benda-s. Në vitin 1957 në sallën 'Dum umelco' të Pragës, ai drejtoi Gran duo concertante për violinë dhe kontrabas të Carl Ditters von Dittersdorf dhe pak më vonë "Les préludes" të Franz Liszt-it. 

Në vitet 1960 në Shqipëri tre ishin dirigjentët orkestralë që përballnin jetën muzikore të Teatrit të Operës, Mustafa Krantja, Rifat Teqja dhe Simon Gjoni. Simoni u emërua si dirigjent efektiv në këtë teatër më 1958 dhe mjaft nga veprat skenike, disa prej tyre premiera absolute, i besoheshin batonit të tij. Midis këtyre veprave mund të përmenden baletet "Lola" të Sergei Vasilienkos, "Laurencia" të Vakhtang Çabukianit, operat "Don Pasquale" (opera buffa me tre akte) e Gaetano Donizetti-t, "Berberi i Seviljes" e Rossini-t, "Pagliacci" e Ruggero Leoncavallo-s, Fantazia Simfonike "Francesca da Rimini" e Çajkovskit (e kthyer në balet), opera "Pranvera" e Tish Daisë. 

Me rikrijimin e Orkestrës së Radios më 1961, Simoni u emërua dirigjenti i parë i saj. Unë atëherë isha student në Konservatorin e Tiranës dhe së toku me kolegët e mi studentë të moshave nga më të ndryshmet ndiqnim me sy vrojtues rolin, kërkesat dhe ajo që ishte më e dukshme, lëvizjet manuale të këtyre dirigjenteve. Mustafaj dallohej për lëvizjet e matura dhe për efiçencën në rendimentin e provave. Rifati, për lëvizjet emfatike, të cilat i jepnin frymëmarrje dhe këndueshmëri veprave që drejtonte. Simoni ruante një skemë koncize dirigjoriale dhe orkestra i tingëllonte gjithmonë kompakte, e ritmuar dhe me fuzion të admirueshëm. Ky fakt, më bënte shumë përshtypje pasi me gjithë mos synimin e tij për një lloj gjestikulacioni të efektshëm dirigjorial, Simonit i tingëllonte orkestra, dhe më tepër se kushdo tjetër, sigurinë e ndjenin muzikantët e saj, veçanërisht violinistët. 

Në rastin e të tre dirigjenteve, në një farë mënyre kishim të bënim me dy shkolla të Europës Lindore, çeke dhe sovjetike. Rifati ishte më tipik i asaj që përfaqësonte, shkollës sovjetike, ku plasticiteti i skemave dirigjoriale shprehte figurshmërinë e frazës melodike. Kjo vinte nga ajo shprehje specifike romantike që e karakterizonte interpretimin sovjetik bazuar në traditën e muzikës ruse. Mustafaj, si i pari që studioi për dirigjim në Çekosllovaki pas Luftës së Dytë Botërore, solli në Shqipëri përvojën e shkollës çeke dhe e adoptoi atë me kushtet konkrete të nivelit të orkestrave tona, pra duke qenë racional kërkonte aq sa mund të arrihej për nivelin e këtyre orkestrave. Ky lloj prakticiteti i jepte atij rezultat të shpejtë e të kënaqshëm. Ndërsa Simoni, mbi të gjitha, ishte për disiplinën orkestrale. Ai punonte me orkestrën si në laborator. Për të, më shumë se çdo gjë tjetër, rendësi kishte fuzioni, pra intonacioni i mirë i instrumenteve të drunjtë dhe tunxhit dhe deshifrimi i pasazheve të vështira tek haqet deri në një. 

Në botë njihen shumë dirigjentë akademikë, veçanërisht në Çeki, Austri e Gjermani, që më shumë se çdo gjë tjetër i venë rëndësi disiplinës muzikore orkestrale dhe strukturës së rreptë të veprave. Produkti i dirigjimit, në të tilla raste, qëndron më tepër tek dëgjimi sesa tek të parit, dmth., gjestikulacionet muzikore dhe plasticiteti i duarve nuk marrin atë përparësi që do të kishte tingëllimi muzikor në dobi të balancimit të raportit midis sektorëve orkestralë. Gjithashtu, saktësia teknike, reagimi i muzikantëve ndaj skemave dirigjoriale, roli i madh të ritmit dhe i tempit, fuzioni simfonik, këto e të tjera bëjnë që orkestra të tingëllojë e sigurt por dhe të vendosen baza të shëndosha për një progres të vazhdueshëm. Simoni ishte ithtar i kësaj prirjeje të fundit. 

Kur vendosa të studioj dirigjim pasi e kisha kryer një herë Konservatorin për violinë dhe punoja ndërkohë si orkestrant në Opera e më vonë mësues në Liceun Artistik, ishte momenti për të përzgjedhur mësuesin tim të ardhshëm të dirigjimit. Pasi kisha vëzhguar prej vitesh aftësitë pedagogjike të Simonit në raport me orkestrën, mendova që atij i buronin këto njohuri nga një njohje thellësisht e ndërgjegjshme e artit didaktik të dirigjimit. Mirëpo çuditërisht Simoni nuk ishte i ftuar te jepte mësim dirigjim në Konservator, apo dhe më pas, në Institutin e Lartë të Arteve. Vendosa të studioja me të duke shpresuar të isha në gjendje të zbuloja në atë që fshihej prapa rezultatit dirigjorial. Që në ditët e para të mësimeve me të në një nga dhomat e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, apo disa herë dhe në shtëpinë e tij, dallova që ai të kishte me të vërtetë dijeni të lakmueshme mbi artin dirigjorial. Nisa të mbaj shënime të rregullta. Ndërkaq lexoja dhe një traktat dirigjimi te huaj të Hermann Scherchen-it, "Manual i Dirigjimit", si dhe ndiqja duke mbajtur përsëri shënime ciklin e simfonive të Beethoven-it që jepeshin aso kohe në televizion tek Tirana, nën drejtimin e Kurt Masur-it, dhe konstatova se ky trekëndësh, Gjoni-Scherchen-Masur, kishin parametra didaktike të ngjashëm dhe plotësonin më së miri njeri-tjetrin, gjë që më shtoi besimin në vlerësimin e Simonit si mësues i dirigjimit. E dëgjoja me vëmendje dhe, të jem i sinqertë, habitesha se si ky njeri kishte mundur t'i ruaj me aq skrupulozitet gjithë atë mori njohurish teknike dirigjoriale të mësuara gjatë gjashtë viteve të studimeve në Pragë në vitet 1952-1958. Në praktikën e punës, dirigjenti dhe mund t'i neglizhojë apo modifikojë ato që ka mësuar në shkollë, por jo, Simoni i kishte të ngjizura në qenien dhe kredon e tij muzikore parimet skolastike të fituara në Akademinë e Pragës. Ashtu dhe orkestronte apo kompozonte, me një principialitet gati të shenjtë të atyre që kishte mësuar në shkollë nga lëndët teorike dhe praktike. 

Edhe pse në vitet e më vona Simoni vendosi të mos dirigjojë më, por të merrej me kompozim, kritikë muzikore dhe punë administrative në Lidhje, ato që unë arrita të njoh për botën e tij dirigjoriale mbeten pothuajse të panjohura për te tjerët. Edhe sot e kësaj dite Simoni njihet për "Lule Borën", këngët e romancat e tij, kantatat dhe baladat, poemat, vallet simfonike dhe Simfoninë në Mi bemol mazhor, kritikat muzikore dhe mësimdhënien e polifonisë dhe muzikës së dhomës, por fare pak për tërë atë bagazh të admirueshëm dirigjorial. Me sa duket atij i interesonte të ishte disi jashtë luftës të pushtetit dirigjorial për të cilin nuk mjaftonin vetëm aftësitë profesionale dhe njohuritë intelektuale! Atij i duhej me të gjitha mënyrat të provonte që nuk mendonte ndryshe nga linja zyrtare e parimeve të artit socialist, përkundrazi, që ishte pjesë e tij. Por unë që kam qenë pranë tij, në shtëpi, në zyrë e në Institut, isha në gjendje të lexoja, madje të përfitoja, përtej heshtjes se tij. Ai ishte i matur, tepër prudent. Atij në mënyrë të veçantë nuk i lejoheshin lajthimet, nuk i lejohej zëri i parë. Nga ai kërkohej të ishte "korrekt". Fare mirë mund t'i kujtoheshin 'kleçka' biografike që pas martesës me Mirën iu shtuan dozat e një sfondi të "mjegullt" familjar. 

Vetëm tre muaj pas shpërnguljes sime në Angli, mora vesh për vdekjen e Simonit më 31 tetor 1991. Nuk kisha asnjë mundësi të merrja pjesë në humbjen e këtij mjeshtri të muzikës shqiptare si dhe në dhimbjen e familjes. Ashtu si dhe për kolegë të tjerë muzikantë shqiptarë, periudha kur jetoi Simoni bëri që të lerë pas ato vepra që njihen nga të gjithë. Por ajo që nuk u njoh sa duhet dhe që e mori me vete, ishte dijenia e tij ekzemplare mbi metodologjinë e artit të dirigjimit. Ai ishte i veçantë, jo për ato që njerëzit dinë për të, por për ato që muzikantët shqiptarë e më gjerë nuk patën kurrë rastin t'i mësojnë.

 

Milosao

Simon Gjoni: "Lule borë" interpretuar nga solistët dhe kori i T.K.O.B. Tirana

6 Komente

Ishte nje profesionist i rralle,punetor i madh.Eshte e vertete qe jeta e tij private ka qene e rrethua me mjegull.Dy martesa...qe ne ato kohra nuk ishte e zakonshme.Kam njohur te nderuar zonjen se ciles iu kushtua Lule bore..ashtu ishte Lule bore...nje pale sy e nje elegance e pashoq...Paten nje djale tashme mendoj gjysh edhe ai....i mrekullueshem....

Bukurshkruar! Faleminderit miku yne Eno!  E lexuam  duke pasur tere kohes ne mendje  Luleboren e famshme te Simon Gjonit, ketij artisti  te  spikatur  shkodran. Fatkeqesisht sot kjo  race  artistesh  eshte  zhdukur me sukses  te plote.

Ky e ka Gjon Simoni

eshte tjeter person. Dhe ai muzikant, shkodran

"Por ajo që nuk u njoh sa duhet dhe që e mori me vete, ishte dijenia e tij ekzemplare mbi metodologjinë e artit të dirigjimit. Ai ishte i veçantë, jo për ato që njerëzit dinë për të, por për ato që muzikantët shqiptarë e më gjerë nuk patën kurrë rastin t'i mësojnë."...Shume bukur!!!

Faleminderit z.Koço qe hodhet drite mbi jeten dhe vepren artistike te z. Simon Gjoni i cili ka lene nje "legacy" jo vetem me kompozimin e Lulebores, por mbi te gjitha per dijenine, njohurine dhe perkushtimin e tij ndaj artit te dirigjimit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).