Kalimi  i pushtetit politik nga një qeveri që e dorëzon mandatin tek një tjetër që e merr atë pas votëbesimit popullor, në Shqipëri është shndërruar në një proces të vështirë e të zgjatur teprueshëm, sidomos kur qeveria që ikën ka tërë "dëshirën e mirë" të abuzojë me atributet e veta, siç bëri kjo e fundit që na la shëndenë me votë në qershor e me takat në shtator. E vetmja gjë e mirë e kësaj të keqeje, që mund dhe duhet adresuar për zgjidhje me një ide të re kushtetuese, është se i jep kohë të bollshme kryeministrit të ri që, nisur nga ideja qeverisëse që ka prezantuar para elektoratit, ta konkretizojë atë e të ndërtojë një skemë efektive qeverisjeje e të nisë punë me kapacitet të plotë. Tre muaj s'janë pak, madje janë shumë, kur mendon se mandati është katërvjeçar.

Ajo çka shoh, jo pa çudi, është se qeveria po sillet sikur u votua më 23, hyri në zyrë më 24, sot jemi më 25 dhe tani i duhen edhe ca muaj kohë gjer të maturojë idetë, projektet e veta dhe t'i sendërtojë ato në politika. Në vend që të dëgjojmë se cila do të jetë udha që do të ndiqet dhe koha për zbatimin e premtimit themelor për shëndetësi falas brenda këtij mandati qeveritar, dëgjojmë nga qeveria se s'paska para për ilaçet e për aparatet në spitale dhe këtë po na e kompenson me prishje kioskash e mbjellje pemësh, a thua se ne si qytetarë nuk e dimë në ç'gjendje janë spitalet e po prisnim të na e thoshte qeveria këtë. Prandaj e shporrëm paraardhësen.

Në vend që të dëgjojmë se si dhe kur do të fillojë taksimi i përshkallëzuar, në mënyrë ata që fitojnë më tepër në këtë vend t'i kthejnë më shumë shoqërisë nga ajo çfarë i marrin, dëgjojmë për sukseset a aksioneve në dogana e tatime, a thua se s'e paskemi ditur që në ato vende vidhej.

Nuk i dhamë kësaj qeverie mandatin vetëm për të mbledhur ato që deri dje nuk mblidheshin, por ende më fort për t'i çuar para drejtësisë ata që kanë shpërdoruar me detyrën e tyre. Si qytetarë ne kemi në dorë të ndryshojmë qeverinë, s'mund ta bëjmë edhe përpiluesin e akuzave penale e të dënojmë Berishën e Boden - këtë punë e bën gjykata me prova të forta.

Në vend të dëgjojmë se si mendon qeveria të kryejë reformën aq të domosdoshme në gjyqësor, që gjykatat nga skena farsash deri më tani të kthehen në vende ku shërbehet zbatimi i ligjit, dëgjojmë akoma edhe sot llogje për fotot e Ismail Qemalit apo edhe të Bujar Nishanit. Akoma s'varni brekët e Saliut dhe Jozefinës nëpër zyra - e kujt po i plas për këtë!

Në vend që të dëgjojmë një plan kombëtar të mbështetur në ligje që duhen miratuar për trajtimin e gangrenës së menaxhimit të territorit, përfshi ndërtimet pa leje dhe bregdetin, shohim shfaqje me dinamit në TV e prishje godinash, pronarëve të të cilave ka të ngjarë të jemi të shtrënguar t'u paguajmë për tërë jetën dëmshpërblim nga taksat e qytetarëve të këtij vendi.

Sa për aktualitetin, në vend të dëgjojmë sqarime shteruese për mundësitë reale që ka Shqipëria për trajtimin e gazit mustard dhe për sasinë e ulët të mbetjeve të procesit që jemi realisht në gjendje të menaxhojmë, një operacion të cilin e ka kryer më parë në eliminimin e arsenalit të vet kimik, si dhe për mungesën totale të teknologjisë së avancuar në vend që nevojitet për trajtimin e gazit sarin, në përgjigje të një angazhimi ndërkombëtar për eliminimin e armëve kimike siriane, jemi katandisur të dëgjojmë avoketër konsumatori që janë gdhirë edhe ekspertë LHL-sh të bërtasin në emër të atdheut. Në rast se qeveria vendos të angazhohet pjesërisht në këtë operacion politik ndërkombëtar, qytetarët e këtij vendi kanë nevojë dhe të drejtë të informohen deri në detajet më të imëta, përfshi edhe përfitimet që do të sigurojë politika e jashtme  e vendit nga një angazhim i tillë, e jo thjesht për ca miliona që do t'u fitokan nga ky operacion, miliona që rezulton se i siguron po aq mirë edhe kontrolli rigoroz nëpër dogana dhe tatime.

E pra, deri tani po shohim vetëm thjatro. Ne vdekatarët e thjeshtë,, kur duam të shohim shfaqje, presim një biletë e shkojmë në TK a në TOB. Nga një qeveri e kohëve tona nuk presim bileta shfaqjeje falas apo aksione alla komuniste me goditje të përqendruar. Vjeshta shkoi. Në krye të katër viteve ne do të kthehemi tek kutitë e votimit, për ta mbajtur një qeveri që u mbahet premtimeve të veta ose edhe për ta qëruar një tjetër qeveri të padenjë. Në ndërkohë, ne presim që qeveria t'i kthehet me seriozitet listës së atyre për çka u votua.

1 Komente

+1

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).