Për herë të parë Kristo Frashërin e kam takuar 5 vite më parë. Në atë kohë punoja në prapavijë për një projekt televiziv, të cilit gjatë një viti i bëra dhurata të vyera, siç ishte dalja për herë të parë në ekran e historianit që kurrë nuk kish pranuar një kamera. Ishte në fakt rezultat i disa vizitave rresht në shtëpinë e tij. Herë me portokalle në duar, ndonjëherë kaloja 2 ose 3 orë duke i lexuar veprat dhe shënimet e tij, dhe nuk di sa shumë provova që t’i hyja në zemër një burri të moshuar, i cili nuk doja që të largohej prej nesh pa i thënë disa gjëra. Më kujtohet se një ditë bleva kek, dhe ‘e detyrova’ të më priste në shtëpi duke i thënë se e kisha përgatitur vetë, vetëm për të. Pa mendjemadhësi, u ndjeva e vetëkënaqur që ia dola të bind një plak kokëfortë, të mençur dhe të lodhshëm për gazetarët që s’kanë durim të presin.

Sot kam vendosur që këtë intervistë t’ia bëj dhuratë vetes, pasi vjen një ditë dhe punëve të mira iu vë poshtë emrin tënd. Kam marr sërish kek të blerë tek ushqimorja aty pranë pallatit të tij.

Ai ka pranuar në telefon që të takohet dhe çuditërisht më krijoi idenë që s’më kishte harruar. U habita disi, por gjatë rrugës mendova se memoria është diçka që duhet të jetë se s’bën e fortë te një historian, dhe tek Kristo Frashëri natyra mesa duket nuk është kursyer aspak. Ama dhe unë ia kisha nxirë me prezenca aq shumë sa diku duhet të kisha lënë njollë në kujtesë, e pranoj!

Në shtëpi ndodhet një grua e cila më tregon se ajo është e turnit të pasdites, a thua se unë e di që aty punojnë 3 gra. Ai është 93 vjeç, për pak vite mbush një shekull jetë. Dalloj që këto vitet e fundit kanë lënë gjurmë sa për 10 vjet. Ai merr frymë përmes një pompe oksigjeni, dhe ka shumë kohë që nuk është në gjendje të dalë nga shtëpia.

-“Më ka marr malli të dal vetëm një herë dhe të ulëm buzë rrugës në një bar e të shoh njerëzit kur kalojnë”,- më thotë ai duke e shpjeguar me dorën që e lëviz sikur imagjinon qytetin, pemët, makinat që lëvizin dhe aromën e kafesë se lokalit. Nuk më ndodh të përlotem, por ndiej që mbase këtë detaj ai s’do e shohë dhe ia lejoj vetes një njomje qerpiku!

-Çfarë mendoni këto kohë? E kam fjalën kur nuk bëni histori, çfarë kujtoni, nëse reflektoni për jetën që jetuat?

-“Që jam ngopur me jetën. Që nuk dua t’ia nis nga fillimi dhe që po të ndodhte kjo do të isha bërë sërish historian, do kisha dashur shumë familjen time, nuk do isha bërë kurrë politikan. Ngopesh, moj vajzë ngopesh, – thotë ai me zërin e dobët dhe me një mallëngjim që sikur ngjitet nga barku e del mbi ajrin e tryezës.

-I lutem nënës që të vijë të më marrë, se nuk dua më të rri këtu”.

-Pse nënës? Pse jo gruas ose babait?

-“Nëna është dhembshuri, ndërsa babai është mençuri. Gruaja ka ikur para 17 vitesh, vijon ai. Kur kisha ende fuqi shkoja çdo të diel në varreza. Më mungon ajo. Në jetën time kam qenë me fat dhe kam patur mundësi të shkoj e të jetoj jashtë që para komunizmit, por unë kam zgjedhur familjen gjithmonë, nuk e kam lënë kurrë atë. Tani ajo më ka lënë mua”, – tregon ai me një inat që dihat bashkë me sondën që i dërgon oksigjenin.

-Kështu si po më flisni më trembët, jeta duket sfidë e madhe. Unë nuk e di a di të jetoj pa njerëzit që dua, – i them.

Ai qesh pak, dhe më dallon që mbaj shënime. Nuk e kuptoj atë njeri: nuk shikon më as TV, nuk lexon prej vitesh dhe mua më dalloi që shënoja çfarë thoshte. Por e kaloi shpejt me një fjali duke më thënë se të gjithë gazetarët janë hileqarë. Gjithsesi biseda vazhdon, dhe ai nuk tregon shenja pendese që pranoi këtë intervistë me mua. Mund të them se ka ndryshime të shpeshta të humorit, por është i vetëdijshëm për gjithçka. Kam frikë se e di çfarë është dhe Facebook e Twitter, aq i kthjellët është. E pyes dhe më thotë se ka dëgjuar në radio për to. Por nuk shfaq interes për pyetje që me siguri i konsideron humbje kohe. Ai është në një proces tjetër tashmë.

Më tregon se shikon shpesh në ëndërr nënën, e cila gjithmonë bën të njëjtin veprim.

-“Më prek në ballë, ma fërkon pak dhe unë aty zgjohem”. Kaq e shkurtër është jeta sa prekja e ballit të nënës sime në ëndërr, por tani jam lodhur, – më thotë ai dhe këtë herë më duket sërish ai plaku kokëfortë, por dhe pak sarkastik.

Kam shumë pyetje për të, por dua t’i bëj më të rëndësishmet.

-“Si do jetë Shqipëria pas 100 vitesh, ose kur të jem unë një grua plakë dhe e thinjur?

Unë nuk jam fallxhore, por duke u nisur nga 100 vite shtet, them se do jetë siç e deshi Ismail Qemali. E lirë, më vete dhe e mosvarur. Më vjen keq që as Deklaratën e Pavarësisë nuk lexojnë shqiptarët. Ismail Qemali ishte burri më i mençur e i kulturuar nga të gjithë ne të tjerët që erdhëm pas (ai flet duke përfshirë edhe veten e tij).

-Po Ahmet Zogu si ishte?

Ai më pyet se nga jam dhe i tregoj se origjina ime është për ironi nga i njëjti fshat, edhe pse nuk jam zogiste.

-Qenke nga Burgajeti! A e di ti që ka dy Mat-e, një të qytetëruar e një që kishte nga ata që ishin gati të bëheshin xhandarë për të jetuar. Fshati yt bën pjesë tek Mati i shkolluar. Shiko, Ahmet Zogu ishte një njeri i rritur me mësues në shtëpi. Ai u shkollua, ishte njeri i kulturuar. Bëri punë të mira për vendin. Pati edhe të meta, por nuk i mohohet emancipimi dhe përpjekja për të vënë shtet. Nuk jam zogist, por të mirat nuk ia mohoj si historian. Shumë veta bëjnë gabim që e quajnë Zogun malok.

Ai ka shumë dokumente mbi tryezë. Po përgatit një libër ku do t’i japë përgjigjen përfundimtare Janullatosit.

-“Do të bëj një shkrim dhe më pas librin. Me kaq e mbyll me Janullatosin dhe s’do merrem më me të. Ai ndryshon shumë argumente të miat dhe shpif mbi gjërat që unë kam thënë. Si të ta them, m’i ndryshon ato. Po të kishim ne shtet, nuk bënte kështu një Peshkop në vendin tonë. Ata tallen, sepse nuk mund të qëndrojë 20 vjet në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare një grek. Kur me status është që duhet të jetë një shqiptar. Kaq vite nuk kemi ne një peshkop?! Është tinëzare kjo moj vajzë,” – më drejtohet ai dhe duket sikur diçka e nervozoi. “Ah ç’më prishe gjakun se më çove në këtë temë! Ortodoks nuk do të thotë grek. Në Korçë nuk ka patur asnjë grek, tani na dalin mijëra. Në fshatin tim, në Frashër, nuk ka patur kurrë grekë, tani na del që paska grekë. Po të kemi qeveri zgjidhet kjo punë. Zogu dhe Enveri kanë qenë më konsekuentë me këtë çështje. Ata i treguan vendin Greqisë, por me pluralizmin të gjitha qeveritë kanë frikë. Kanë frikë se mos u kthejnë mbrapsht emigrantët.”

-Kush e zgjidh të ardhmen me Greqinë?

-Haga, – më përgjigjet ai direkt. Çështjet duhet të marrin një zgjidhje vetëm atje. Por nuk di se kur do realizohet. Greqia është e llastuara e BE-së. E ke parë sesi sillet? I kanë dhënë hua dhe prapë do i japin. Sa herë të kërkojë ajo. Ata e dinë se Greqia ka pozitën gjeografike. Ka dalje në Azinë Qendrore dhe në Afrikën Veriore, si dhe dalje në Detin e Zi. E mbron Europën nga dy kontinente. Ndaj kot sa lodhen, se sa herë do hapë gojën Greqia ata do i thonë: Na!

A mund të jemi fqinjë më të mirë?

-Se di, – thotë ai. Por me siguri këto punë nuk zgjidhen nga qeveri inferiore.

Meqë ra fjala tek qeveria, si të duket Edi Rama. Të pëlqen?

-Mirë më duket Edi Rama, por ende nuk është bërë i gjallë.

Kur thotë këtë gjë, mendoj se pleqëria është një fëmijëri e dytë. Janë aq të sinqertë dhe të paskrupullt. Humbasin muret e hipokrizisë dhe duan atë që kujdeset për ta. Ndërsa ai ma thotë këtë, unë shpresoj që në këto vite që rezistojnë përmes një pompe që harxhon korrent më shumë sesa një kondicioner i ndezur gjithë ditën, dikush të bëhet i gjallë. Edhe pse fëmijët ndihet që janë aktivë dhe e mbështesin nga larg. Ai po pleqëron në stacionin e fundit, i vetëm.

Biseda rrjedh tek Turqia dhe ngrohja e marrëdhënieve të qeverisë Rama me Erdogan.

-“Nuk shoh asgjë të keqe unë këtu. Turqia është një vend mik dhe që na do për shkak edhe të historisë që kemi. Ajo edhe politikisht është një gjetje, pasi qëndron si kundërbalanca me Greqinë. Si i thonë asaj fjalës, ‘armiku i armikut është miku im’.

Mos ndoshta më mirë me Turqinë sesa me BE-në?

-Jo, kurrën e kurrës. Kjo nuk do ndodhë askurrë. Shqipëria e ka vendin në BE. Bashkimi Europian është një superfuqi. Turqia duket e mirë nga jashtë, por është e krimbur nga brenda. Ajo kërkon vetë të jetë në BE, po zor se do e pranojnë me këto politikat islamiste. Ky Erdogani nuk duket ta ketë shumë drejt këtë kauzë. Më lakrat që ka në kokë ai, vështirë se e pranon BE.

Kush është mik i Shqipërisë?

-Mik, është zakonisht ai që s’i intereson të të hajë. Por mund të them që mik është SHBA, Gjermania, Franca, Italia e sotme, Britania. Këta na duan.

Ku do donit të kishit jetuar veç Shqipërisë.

-“Në SHBA jo, njëherë! Atje nuk ecën dot pa makinë dhe duhet të presësh të dielën që të takosh dikë, por e diela kalon shpejt, – thotë ai dhe duket se nuk i ka pëlqyer formati i ftohtë amerikan.

“Në Europë ndihem mirë, sidomos në Itali dhe Greqi. Jam si në shtëpinë time në këto vende. Njerëzit ecin në këmbë, flasin, qeshin, pijnë kafe. Kjo është jeta.

Ai është një dashnor i Europës. Ndihet linja perëndimore në të cilat mbështet idetë e tij. Që në moshë të re kur studionte në Itali, më tregon se vendosi të ishte një social-demokrat dhe i tillë mbeti gjithë jetën.

Frashëri  ka disa libra që presin dritën e botimit, por thotë se asnjë shtëpi botuese nuk i qaset, madje shprehet:- Më kanë kthyer të gjithë kurrizin. Askush nuk do t’i botojë.

Nuk është e vërtetë, i them unë në përpjekje për t’i zbutur mërzinë.

-Qenke entuziaste shumë ti gazetare. Do vijë një ditë që do më kujtosh e kuptosh. Të gjithë ikin një ditë dhe të kthejnë kurrizin.

Po për fat të mirë, i them unë me pak humor, jeta zgjat sa ajo ëndrra juaj dhe do bëj si do bëj.

-Zhgënjimet zgjasin ca më shumë, ose mbahen mend, – sqaron ai.

Ai mban mend gjithçka. Edhe thashethemin për rusen që legjenda urbane thotë se u marros pas Profesor Frashërit.

-Kush ta ka thënë këtë? – më drejtohet kur e ngacmoj.

Dikush, i them unë.

-“Nuk është e vërtetë. Ajo ishte studente që unë i udhëhoqa diplomën për një periudhë 6-mujore. E kam dashur shumë gruan time dhe familjen. Nuk ka patur të tilla gjëra. Janë gjepura këto dhe vë pak buzën në gaz, në atë pak buzëqeshje që ka mbetur nga rruga e gjatë, e kushedi çfarë ndërmend.

Sot që po e shoh me kujdes teksa shkruan një shënim në librin që po ma dhuron, dalloj që veç memories, pjesa tjetër po zbehet si shikimi i vagullt. Nuk është më ai burri hijerëndë që shfaqet në disa portrete të varura në mur. Ndihet në dhomë pasioni për historinë, për Shqipërinë, dhe kujtesa e aromës së kafes me gruan si dikur në ballkon në një pasdite pranvere, janë ato që sillen rrotull më shumë sesa hidhërimet. Tani mban mëritë e së tashmes dhe kryesisht me ata që thotë se i kanë kthyer shpinën. Gjatë bisedës kishte momente që ndihej i kënaqur, por ndonjëherë të krijonte idenë se po bezdisej. Gati mendova se as pleqëria s’ia ka zbutur egon, dhe se mbetet një burrë i vështirë dhe i përkëdhelur. Por tani që po bëjmë një fotografi bashkë dhe ai kujdeset të rregullojë jakën e këmishës së bardhë, më ngjan veç një njeri i butë që kërkon vëmendje të vogël dhe pak ngrohtësi para se të jetë tepër vonë!

 

51 Komente

po patjeter i nderuar, se ca e cave, me mire tu ashtush motrat dhe grate, se sa tu prekesh Janullen grek.

Saliut keshtu?

NJe cope e historise, ose me mire e bibliotekes historike po shuhet dale ngadale... duhet treguar pak me teper respekt per te tille njerez.... Te pakten pasuria e tij shkencore e historike qe eshte e shumte, ti kerkohet ti kaloje arkivit qendror.... Prof Frasheri eshte nje enciklopedi historike....

Sa nuk eshte vone, ministria e Kultures, duhet te kujdeset per botimin e shkrimeve te tija, sa profesor Frasheri eshte gjalle. Te pakten te vendosi 1-2 studente per t'ia hedhur ne cd apo usb , sipas faqosjes qe kerkon ai. 

Si ështe puna e njeriut,kur plaket.Ështe si puna e tij fikut,kur nuk është i pjekur mirë ,lëshon një si qumësht që të besdis,kur e kap me dorë.Kur piqet mirë i ka hikur lëngu dhe i ka mbetur sheqeri.Respekte për këtë njeri!

respekte per kete shqiptar te mire.   vleresim nga jeniceret nuk ke si pret zoti frasheri dhe s'ke ce do.

uroj te rrosh me shume se janullatosi!

Mos u qederos i miri Profesor Frasheri! Ju nuk do te largiheni nga kjo bote me i lig sesa diten kur hyte ne te." Semundje " kjo qe i ka prekur rende te gjithe ata qe nuk dine te bejne " epikrizen "tende.
Hyre ne kete bote i xhveshur nga frika, bestytnite, nga pabesia, nga gjithe veset qe i kane kapluar te gjithe ata qe te kane kundershtuar.Ju do te delni prej kesaj bote me te gjitha cilesite brilante ...qe te fali natyra. Shume shume ake njerez e meritoj e kete privilegj Mira

Legjende e gjalle eshte, nje njeri qe ruajti dinjitetin e tij aq sa mund te ruhet edhe brenda sistemit komunist. 

intervistat e Mires jane si thashetheme lagjeje, por kjo gje nuk ju ul vleren pergjigjeve plot dituri te prof.

jane nga te paktat intervista qe i lexoj me qejf. Te tjerat kane te njejtin format, sikur i pergatit dikush qe ka jetuar ne Mars. Mbesa e H. Milloshit, me ka pelqyer edhe nje shkrim qe beri per Hysniun pas vdekjes.

Po i iken ai brez i vertete intelektualesh profesionist te talentuar shoqerise shqiptare, qe lulezoi me sukses gjate viteve te socializmit,  i dhane shume shume shoqerise per ta emancipuar ate , por eshte fatkeqsi qe shoqeria e sotme, nuk i ka vlersuar dhe vlerson  sic duhet! Nuk besoj se do ti vijne me si ky brez, ne te ardhmen! Keta kane dhene me shume sec kane mare! Po ikin pa marre me vete ndonje pasuri ose trashgim, cfare kishin ju a kane lene brezave  pasardhes! Respekte  historianit  profesionist, Kristo Frasherit! 

 

Kristo Frashëri është djali i parë i patriotit dhe rilindasit Anastas Frashëri dhe i Evdhoksi Tole-Ogrenit dhe rrjedh kështu prej njërës nga dinastitë e familjeve të Frashërit. I pagëzuar në kishën e Shën Triadhës së Fanarit në Stamboll, pati si kumbar Dhimitër Nolin, vëllain e peshkopit Fan Noli.

Prof. Kristo Frashëri ka një prodhimtari shkencore që mbulon një periudhë 70-vjeçare. Që nga viti 1938, kur ka botuar shkrimin e tij modest mbi Jeronim de Radën, ka botuar me dhjetëra e dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë. Ka trajtuar temat nga historia politike, zhvillimi ekonomik, probleme shoqërore, mendimi filozofik dhe lëvizja kulturore shqiptare. Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, shqiptarët në Betejën e Kosovës (1389), figurën e errët të Musa Arvanitasit, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, jetën kulturore shqiptare gjatë shekujve të sundimit osman, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, Luftën çlirimtare të Vlorës, zhvillimin e ekonomisë së tregut gjatë shekujve XIX-XX, jetën dhe veprimtarinë e Pjetër Bogdanit, Sami Frashërit. Spikatin punimet shkencore të botuara pas vitit 1990, si: “Lidhja e Prizrenit 1878-1881” (Tiranë, 1997); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra” (Tiranë, 2002); “Historia e Tiranës” (Tiranë, 2004); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri” (Tiranë, 2006); “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (Tiranë, 2005); “Identiteti kombëtar i shqiptarëve” (Tiranë, 2006); “Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006); “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912” (Tiranë, 2008); “Historia e qytetërimit shqiptar” (Tiranë, 2008).

Fan noli vinte nga nje familje e madhe mirepo deri me sot nuk kam degjuar per asnje nga te afermit e tij.

Alba2265, para nja 5 vjetesh, Rudina Xhunga te Shqip i ka kushtuar nje emision Fan Nolit.. nder te tjera ajo bashke me Nasho Jorgaqin njohes i mire i Nolit, shkoi ne Turqi e Greqi, vende ku kishte jetuar Noli.. ne Greqi, ne Thraqi (Trake) mos gaboj, gjeti edhe nje nipin e Nolit.. djali i vellait. por gjeti edhe disa te aferm te tjere..

Respekte per prof K Frasheri,kete shqiptare kaq cilesor !

flm loloto per infot,duhetpranuar qe shqiptaret cilesore-kaq te paket ne ditet e sotme- lihen rastesishte ne hije e te gjithe u kthejn ''kurrizin'' smiley

Gazetare langaraqe!!! 

e vetëkënaqur që ia dola të bind një plak kokëfortë, të mençur dhe të lodhshëm për gazetarët që s’kanë durim të presin.

Bukur fort! E ndrite. Pale ate punen e kekut.

Kaq e veshtire eshte te punohet mbi baza besimi te ndersjellte. Integriteti kundrejt nje njeriu si ai s'besoj t'i kushtoje shume gazetarise.

 

s'e kish alexuar une kete. e beri beli qe eshte nga ato ane.  o zot o zot, kush e ka punesuar kete?

Te pakten, te na i kursejne ne lexime ato qe bejne, kur i bejne keshtu.

kjo eshte ajo qe i thoshte babait te asaj vajzes qe i prene koken ne durres......une kam lidhje shume te mira me babane tim    ?????

 

mos i hy kaq thelle; te lutem shume smiley

e mbylla. Nuk di, po me shume se me ate vete, duhet te kete te beje me politika siper saj, klimen ne pergjithesi. Ajo menaxhon me c'mundet, them.

Tema eshte per Prof. Frasherin, gjithsesi.

Në atë kohë punoja në prapavijë për një projekt televiziv, të cilit gjatë një viti i bëra dhurata të vyera, siç ishte dalja për herë të parë në ekran e historianit që kurrë nuk kish pranuar një kamera. 

 Ishte në fakt rezultat i disa vizitave rresht në shtëpinë e tij. Herë me portokalle në duar, ndonjëherë kaloja 2 ose 3 orë duke i lexuar veprat dhe shënimet e tij, dhe nuk di sa shumë provova që t’i hyja në zemër një burri të moshuar, i cili nuk doja që të largohej prej nesh pa i thënë disa gjëra. Më kujtohet se një ditë bleva kek, dhe ‘e detyrova’ të më priste në shtëpi duke i thënë se e kisha përgatitur vetë, vetëm për të. Pa mendjemadhësi, u ndjeva e vetëkënaqur që ia dola të bind një plak kokëfortë, të mençur dhe të lodhshëm për gazetarët që s’kanë durim të presin.

e madhe smiley... kjo ose eshte, ose ben vete.. Fotoja me lart flet me shume se njemije fjale. Zoti Kristo e ka paguar shume shtrenjte kekun e ushqimores prane smiley

Shume prekese intervista.

Po femije,etj nuk ka Frasheri?

@ Av: Po, fotografia!!! (Mgjqe s'besoj se ajo vete ka pritshmeri te tjera, dmth. me te medha se aq. Prandaj ndoshta, permbajtja qe vecove eshte perfshire ne shkrim)

smiley  eshte ne rregull me te veten. yes.

smiley

smiley ca eshte kjo (ona ona biberona)

s'e mbaj dot te qeshmen smiley

 

smiley kshu eshte kur zhbirilon si teper ne thellesite e shekujve.

E keqja eshte se tere ketyre intervistave te njerzve te mdhjej mer jau, sidomos ato mbas pilafit, nuk jane per tu besuar, sepse jane zbukuruar me "thellesira te mistershme".

ah moj plaka vili-vuqe

jeta jote gjithe huqe

hardallisur e s'u zbute

tendosur si tel....

'nga thellesia e burimit' mer jahu smiley

 heretik, po si t'i besosh? smiley Distancen dhe aq, boll e kane.

site-i eshte personal, dmth personi shkruan c'i pelqen, apo jo.

rrofsh Av smiley

 Sa bukur e ka shpjegu Lasgushi,  prapashtesen "ona"  smiley Tirona, Valona  Barcelona, Verona,Lisbona , mund te kete nje lidhje te vjeter kjo, . prandaj dhe banoret e vjeter i thone qytetit te vet Tirona dhe jo Tirana! smiley

edhe nenes i thone nona smiley

thone me tallje edhe: hajdenjona!

ose: u bone ti.. etjetj. 

: ndonjehere moma! smiley

ose kur thone ," Ka ona jon "  /Nga ana jone/

ciceroni thoshte :qe pleqeria ne vetvete eshte semundje.......

Mendoj se eshte historian i rendesishem per sa i diskutueshem,po cili historian nuk qe.Mendoj se vite te gjata ne n sistem monopartiak ia kane ngushtuar shume vizionin.Intervista kot.Pleqeri te mbare zoterise....

kot si thone:live fast die young.

"Mendoj se eshte historian i rendesishem per sa i diskutueshem,po cili historian nuk qe."

Oj Zane mali, shka po thu oj burrnesh?

Thuje ne i her ne guhen shkipe...

Ne fakt mu me la nje shije jo te mire intervista, aty nga fundi sikur me mbahej fryma, me trasmetonte ankth.

Ka nje çike si teper hollesi mjeksore.

Mira është yll mer, ça keni me Mirën? Ajo ia vlen të qëndrojë në tv, veç për të pasur përballë avokat Ngjelën. 

 

Ca ke me Ngjelen ti, more lanet?

RESPEKT! 

 

Respekte per Kristo Frasherin.

Prof. Kristo Frasheri eshte nje nga historianet qe ka lene gjurme te thella ne historine Shqiptare dhe si i tille ai mbetet ne altarin e Historianeve Shqiptare.

Historianet si ai jane pateriote dhe e thone te verteten me fakte dhe jo me preferenca partiake.

Nese politikanet do degjonin njerez te tille Shqiperia do te ishte dicka tjeter dhe jo e varur dhe e trembur nga Janullatosit Greke, Serbe apo Maqedonas.

Nderime Prof. Kristo Frasheri!

nuk duhet vetem te kene respekt pe Frasherin por te degjojne dhe c'thote ai per Zogun. 

zogut duhet t'i jepet vendi qe i takon, me te mirat dhe te ligat e tij, ashtu sic thote Frasheri.

C.f.a.r.e m.u.h.a.b.e.t.i!! 

U prehsh i qete i nderuar Profesor

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).