Me transformimin e sistemeve politike prej diktaturave të ndryshme në demokraci, vjen edhe problemi i të qëndruarit në pushtet. Të mësuar me diktaturë dhe tirani, vetë koncepti i mundësisë së humbjes së pozitës dhe fuqisë prej budallallëkut të turmës së njerëzve është mëse i frikshëm.

Perandorë, diktatorë dhe tiranë të panumërt janë çmendur vetëm nga shqetësimi prej një problemi të tillë. Por mos u friksoni. Ju si politikanë në pushtet jeni të sigurtë. Ekspertët tanë nga Departamenti për Emergjenca Imagjinare e kanë përpiluar mu këtë doracak, për t’iu lehtësuar juve tranzicionin në demokraci, dhe në të njejtën kohë duke ua mundësuar të rrini në karrige dhe pozitë.

Duke ditur se sa ju pëlqejnë drekat dhe darkat e paguara nga paraja e qytetarit, në formën e një menyje restoranti luksoz ju paraqesim më poshtë strategjitë me anë të të cilave ju do të mund të siguroni fitoren në zgjedhjet e radhës:

Bukë shtëpie:

Buka më e mirë është ajo e gatuar në shtëpi. Vetëm kujtimi i erës së bukës së sapo nxjerrë nga furra na bën të na shkojë goja lëng. Shprehjen e vjetër në Kanunin e Lekë Dukagjinit “bukë, e kryp’, e zemër” ne rekomandojmë ta përditësojmë për kohët tona, me “bukë, e kryp’, e vota”.

Sipas kësaj strategjie rekomandohet ta eliminoni krejt konkurencën në mënyrë që vetëm emri juaj të figurojë në fletëvotim. Mënyra më e mirë për t’a arritur këtë është me anë të simpatizuesve të partisë suaj. Simpatizuesit mund të kthehen shumë lehtë në militantë.

Identifikoni grupin më të cënueshëm në popullsi, dhe shfrytëzoni varfërinë e tyre për arritjen e qellimeve tua. Atyre mund t’u ofroni punë ose para. Sidoqoftë, ju sygjerojmë që të mos harxhoheni dhe fillimisht të provoni me një thes miell. Përvoja jonë tregon se një gjë e tillë do të duhej të ishte e mjaftueshme në kushte të tanishme të varfërisë që mbretëron në vendin tonë.

Me një thes miell, e gjithë familja mund të hajë bukë shtëpie për një kohë të gjatë.

Shnicëll viçi:

Sekreti i cili e bën shnicllën një nga specialitetet më të shijshme është se mishi duhet rrahur për t'u zbutur. Strategjia e njejtë mund të përdoret ndaj kundërkandidatëve tuaj. Në këtë mënyrë ju do t’i dekurajoni ata nga pjesëmarrja.

Në këtë rast çekiçi i drurit me të cilin ju do ta rrihni mishin e kundërkandidatit tuaj janë vetë militantët e partisë suaj. Urdhëroni militantët që t’i friksojnë kandidatët për të mos u kandiduar. Nëse kjo nuk funksionon, lirisht mund të përdorni forcën për t’i bindur.

Shniclla duhet ngjyer dhe mbuluar në vezë dhe miell, në mënyrë që ta marr atë reshkësen e shtresësë së jashtme. Në këtë kontekst, kanosjet dhe kërcënimet janë përbërësit sekret të këtij specialiteti. Ky kombinim teknikash, jo vetëm që shkakton gërshëtim të shijeve më të mira, por edhe ndihmon në sigurimin e votave tua.

Bërxollë:

Karakteristikë e bërxollës cilësore është copa e ashtit që vjen me të, duke qenë se është mish i pjesës së shpinës. Vetë fragmenti i kurrizit i jep një shije të veçantë mishit gjatë proçesit të pjekjes.

Kur përdorni militantët e partisë, në vend që t’i frikësoni kandidatët, përdorini ata për t’i frikësuar votuesit. Në këtë mënyrë do të mund të rritni numrin e votave që do t’ju cojë në fitore.

Po në mënyrë të njejtë ju sygjerojmë të zbutni shpinën e votuesve, që t’i bindni për të votuar për partinë tuaj. Njëlloj sikur te reçeta e shnicllës, edhe këtu mund të kërcënoni, kanosni, ose t’ja zbutni shpinën dhe shpirtin votuesit tuaj të preferuar.

Ju sugjerojmë që gjatë pregatitjes së bërxollës të përdorni fletëza trumze për ta çuar shijen e mishit në nivel edhe më të lartë. (Nga ana tjetër, nuk rekomandojmë përdorimin e erëzës së trumzës gjatë aktiviteteve të zbutjes së shpinës së votuesve; kryesisht për shkak se nuk do të jenë në gjendje ta çmojnë aromën delikate të saj përshkak të dhembjeve të shpinës).

Mish në hell:

Thuhet se mishi më i mirë për t'u pjekur në hell është ai që është i freskët. Mirëpo ky është një keqkuptim, sepse vetë fakti i të qenit mish, do të thotë se ajo copë e muskulit nuk është më e gjallë. Një gjë e tillë është e vlefshme edhe për votuesit. Nuk është e thënë që ata të jenë të gjallë.

Kjo strategji ju inkurajon të rekrutoni sa më shumë votues nga bota e përtejme. Çdo votë është e vlefshme, mirëpo votat e njerëzve të cilët nuk janë më të gjallë konsiderohen delikatesë e çmuar jo vetëm nga gurmanët e vjedhjes së votave, por madje edhe nga ekspertët ndërkombëtarë.

Njëlloj se si e rrotulloni qengjin për t'u pjekur ngadale në flakët e zjarrit ndërsa yndyra e ëmbël pikon dhe shushuritë ndërsa digjet, ashtu duhet t’i rotulloni dhe recikloni edhe emrat e të vdekurve në listat e votimit. Gjithashtu, nëse nuk i rrotulloni emrat gjatë zgjedhjeve të ndryshme, vini në situatë të njejtë me mishin i cili nuk rrotullohet, që do të çojë në djegjen dhe shkatërrimin e specialitetit tuaj.

Njëlloj si mishi në hell që do shumë kohë për t'u pjekur, ashtu edhe listat e votuesve dojnë shumë kohë për tu përditësuar me informata më të reja. Sa më ngadale që bëhet kjo, aq më i shijshëm specialiteti.

Sallatë ruse:

Disa thonë se sekreti i sallatës ruse qëndron në llojin e majonezit që përdoret. E keni gabim. Sekreti i sallatës ruse është vetë Vlladimir Putini. Pa marr parasysh nësë për sallatën tuaj ruse përdorni karrota, kastraveca, bizele, mish pule apo madje ndonjë mish më ekzotik të siguruar nga ndonjë ekspeditë gjuetie, sikur ato të Putnit lakuriq pa këmishë, që i kemi parë nëpër fotografi; me rëndësi është teknika me të cilën ju e përgatisni këtë specialitet.

Shpesh, nuk do të keni në dispozicion armata të tëra simpatizantësh që do të jenë të gatshëm të shndërrohen në militantë të dhunshëm. Ndonjëherë një gjë e tillë do të jetë e pamundur për shkak të kushteve në terren. Mos kini frikë. Krejt çfarë u duhet është një agjent special i trajnuar në infiltrime, diversione, joshje të femrave të bukura, lojëra të pokerit, karate, xhudo, kung-fu, dhe sabotazh.

Në rast se nuk e gjeni versionin tuaj të agjentit 007, dhe partia juaj ka mungesë personazhesh që i përngjajnë Vlladimir Putinit, thjeshtë rekrutoni një nga simpatizantët e partisë tuaj që është duke punuar në vendëvotim (në fjalorthin tonë ushqimor, këtij personi do t’i referohemi si kastravec), dhe kërkoni nga ai që të mbyll një sy kur përkrahësit tuaj vijnë për të votuar për herë të dytë, apo të tretë, apo për herë të (2n+17)^2-të.

Variacionet e kësaj strategjie (njëlloj sikur sallata ruse mund të pregatitet me lloje të ndryshme mishërash dhe zarzavatesh) përfshijnë manipulimin e listës së votuesve, manipulimin e mënyrave që parandalojnë votuesin të votojë më shumë se një herë, manipulimin e mjeteve për detektimin e shenjave të personave që kanë votuar njëherë, etj.

E bukura e kësaj recete dhe strategjie është se ju jep hapsirë për të improvizuar sipas dëshirës.

Speca të mbushura:

Specat e mbushura na dërgojnë prapa në fëmijëri çdo herë kur me thikë ose pirua shqyejmë specin, dhe nga barku i tyre dal përzierja e shijshme e mishit dhe orizit, ndërsa një re avulli aromatik çohet për tek hundët tona.

Receta por edhe koncepti i kësaj strategjie është shumë i thjeshtë: mbushni kutitë e votimit me fletëvotime të kandidatit tuaj të preferuar sikur të mbushni specat me oriz dhe mish.

Si kuzhinier më të përshatshëm për këtë specialitet traditional rekomandojmë mbikqyrësit e procesit zgjedhor nga partia juaj, por nuk kufizohet as për militantë të zellshëm.

Çdo kuzhinier ka mënyrën e tij për ta shoqëruar këtë specialitet shtëpiak. Ne preferojmë kos të ftohtë për të shërbyer si kontrast i nxehtësisë dhe të djegësit të specit.

Specialitete nga skara:

Skara mund të përdoret për të përgatitur një sërë ushqimesh, prej mishërave të ndryshme, e deri tek perimet.

Ashtu si specat e mbushura që duhet të piqen në furrë, e njejta gjë rekomandohet të bëhet edhe me kutitë e votimit. Kjo duhet të ndodhë sa më shpejtë pas përfundimit të numërimit të votave, në mënyrë që të parandaloni rinumrimin nëse vlefshmëria e votave vihet në dyshim.

(Kjo gjithashtu do të parandalojë opozitën të kontestojë rezultatet, ose të dalë në protesta të mundshme.)

Kështu, Komisionit Qendrorë Zgjedhorë (KQZ-së) nuk do t;i mbetet gjë tjetër veçse për t’a gëlltitur gjellën që i’a keni zier.

Turshi shtëpie:

Në Kosovë e kemi mjaft të avancuar artin e pregatitjes së turshive. Prej ajvarit, e deri tek kastravecat turshi, e deri tek llojet e ndryshme të reçelave dhe ëmbëlsirave, kjo është një kategori e veçantë ushqimesh për të cilën mund të flasim deri në pranverën e ardhshme. Në fakt e tërë arsyeja për turshi është që të mundësojmë ndrënijen e pemëve dhe perimeve tona të preferuara gjatë kohës kur ato nuk rriten për shkak të të ftohtit dimrorë.

Për të siguruar një ruajtje dhe konservim sa më të mirë të turshive, rekomandohet ndonjë vend pak më i ftohtë, si për shembull podrum i shtëpsë suaj.

Në mënyrë të njejtë, ju sygjerojmë të fshihni kutitë e dyshimta të votimit në ndonjë vend të ftohtë dhe të errët. Në raste të veçanta, rekomandohet mbjellja e tyre në pyll, sikur kemi parë nga një shembull i dëshmuar para disa muajve.

Me Porosi, ose Delivery, ose To-go:

Mënyra moderne e jetës e ka transformuar madje edhe mënyrën se si hamë, dhe gjithnjë e më tepër nuk kemi kohë të ulemi në tavolinë por preferojmë të marrim ushqimin me vete. Kjo mënyrë e re gjithashtu ka frymëzuar krijimin edhe të aplikacioneve me telefon, nëpërmes të cilëve ju do të mund të porositni ushqimin tuaj të preferuar nga rehatia e shtëpisë suaj.

Në mënyrë të njejtë, me anë të aplikacioneve të telefonave mobilë votuesit e partisë suaj do të mund të evidentojnë dhe dokumentojnë votën e tyre. Kjo është e rëndësishme për të shërbyer si provë (përndryshe si do t’i besonit nëse kanë votuar si kanë premtuar, dhe si do të jeni të sigurtë se nuk po ju gënjejnë për ta marrë atë një thes miell që e përmendëm më parë).

Edhe pse KQZ-ja e ka dënuar dhe ndaluar fotografimin e votës, ata gjithashtu kanë pranuar se nuk kanë mënyra dhe mundësi për të zbatuar një dekret të tillë. Kështuqë, shkurt-e-shqip i bie, vetëm vazhdoni si keni vazhduar më parë. Nuk është sikur do të mund t’i ndalojnë njerëzit të hynë në vendvotim pa telefonat e tyre (ajo do të ishte sikur të kërkoje që dikush të shkëpuste dorën e tyre).

Specialiteti i Shtëpisë:

Gjella më e mirë është ajo që i kombinon teknikat e kuzhinierëve më të mirë
Për një gjellë sa më të shijshme, përdorni oriz iranian (si bën Ahmedinexhadi), speca nga Venezuela (e Çavezit), skarë Koreane (e kam fjalën për Koreano Veriore), dhe erëza nga Zimbabwe-ja (e Mugabes), preferohet që kuzhinieri të jetë nga Rusia (sikur Putini) dhe të ketë dituri të arteve luftarake.

Për një ambient sa më romantik gjatë shërbimit të këtij specialiteti, përpiquni të siguroni qirinj përshkak të errësirës së planifikuar nga Korporata Elektroenergjetike e shtetit tuaj.

 

Marrë nga KOSOVO 2.0

______

Shënim: Sot është dita e fundit e fushatës për zgjedhjet lokale në Kosovë.  Sipas kodit zgjedhor, nesër duhet të respektohet "heshtja zgjedhore" dhe të dielën, në 3 Nëntor zhvillohen zgjedhjet.  

18 Komente

 smiley ç'ka, mund te behej edhe me mire smiley

kush e ka shkruar kete artikull, Enka..?

Mish ne hell, thote o Belul. Ca eshte kjo, torture e re e peshkut? 

Peshk në hell, mos doje të thoje...

shënim tangent i tangentit: fish on a spit më del shprehje me përdorime të larmishme

shënim tekstual: trumza qënka shqipja e thyme-it, o tropizma

dhe peshkataret ne sgarre

po peshku e  ka zene me gjelle tradicionale sot.. andej  grosh me sallate dimri (ullinj qepe etj),   ketej  te mbushura, turshi,  mish ne hell...  po sikur ta kishin shoqeruar me pikçër kete mishin e pjekur, se su shtyka kshu thate..smiley

 

 

Lere Belul, se na e punuan me duket. U dendem me fasule ne e tashti na nxjerrin mishin ne hell. Po kot e kane, si tha ai ka gjithmone vend per sulltanin.smiley

Autori eshte peshk jo - torturues.  Per krijimet e tij letrare mund te klikohet ketu.

Te dielen jane zgjedhjet lokale ne Kosove, zgjedhje te rendesishme pasi, pervec te tjerash per here te pare votohet ne te gjitha komunat.  Ne vend te nje artikulli thjesht njoftues, e pashe te udhes te sillja kete.  Shqetesimin per manipulimin e votave Bytyci e ka trajtuar ne kete forme.  Optimale ose jo, ne doren e lexuesit/lexueses. smiley.   

O Monda shikoje pak këtë, nuk të duket sikur po torturojnë ndonjë të afërt a komshi?

Jam që jam, të falenderoj që ke sjellë diçka në lidhje me zgjedhjet lokale në Kosovë.

Kot shqetsohet, manipulimi i votave eshte tashme recete tradicionale albaneze, mjafton mos ta harrosh ne furre. 

Për zgjedhjet e Prishtinës, rekomandohet kujdes i veçantë 10 minutat e fundit, se tava mund të rrëmbehet.

Apo si ikin 10 minuta ne peshk. 

E paska harru sirupin e dranofileve, me te cilin ,Rene Rexhepi po ben kerdine smiley

p.s.

Me 3 nentor denoje kat'narin!!!

Fiton gje Albin Kurti apo jo?

Po u hoqen fiset gjysemprimitive nga pushteti,fitojme te gjithe,perfshire ketu dhe Albinin smiley

Nuk e njoh politiken ne Kosove, po Albini me pelqen shume. Ruajeni se do t'ua rrembejme ne te perendimit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).