(me gjasa edhe në Shqipëri)

“Do të bëhemi milionerë”. Besoni apo jo, kjo ishte motoja zyrtare dhe titulli i spotit parazgjedhor të një partie që morri pjesë në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë. Bëhet fjalë për parti që zyrtarisht quhet Partia e Fortë dhe që kandidoi për kryetar dhe këshilltarë në kuvendin e qytetit të Prishtinës. Me guximin, kreativitetin, sarkazmën politike dhe parodinë që vunë në skenë gjatë zgjedhjeve, ky grup i të rinjve të partisë lanë shenjë të posaçme pozitive në gjithë procesin zgjedhor, në kohën kur vëmendja kryesore ishte përqëndruar në pritjet dhe ndodhitë në pjesën veriore të shtetit. Nuk mbeti pa u vërejtur as fakti që kjo paraqitje politike cinike është e para në rajon dhe më gjërë, gjë që i dha Partisë së Fortë famë të posaçme dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithë mediumeve relevante regjionale, e madje edhe të disa brendeve mediatike botërore.

Gjithçka filloi si shaka nëpër rrjete sociale të një grupi dizajnerësh të rinj nga Prishtina. Pas feedback-ut pozitiv, ky grup në një moment të caktuar vendosi që të regjistrohet edhe zyrtarisht si parti politike dhe të marrë pjesë në zgjedhje. Duke parodizuar autoritarizmin në partitë ekzistuese, Partia e Fortë me statut përcaktoi që kryetari i saj të jetë Kryetar Lexhendar, që për momentin është legjendari Visar Arifaj. Edhepse i lindur në 1986 ai sipas vijës zyrtare partiake ka marrë pjesë në të gjitha ngjarjet e rëndësishme historike të shqiptarëve si Lidhja e Prizrenit (1878), pavarësia (1912), kongresi i alfabetit(1910) e të tjera; një aluzion i qartë për liderët tjerë të dashuruar në vetvete që e mendojnë veten si Skenderbegë (e më gjërë Aleksandër, Nemanjiqa, Njegosha etj.). Me statut partia nuk ka anëtarë; me përjashtim të Kryetarit Lexhendar të gjithë tjerët janë nënkryetarë. Përsëri një përqeshje e rrethanave tona, ku edhe ngjitës i thjeshtë pllakatesh e ndjen veten si shumë të rëndësishëm për partinë dhe shtetin, gjithsesi pas Liderit.

Përveç autoritarizmit, tema tjera qendrore të partisë janë korrupsioni dhe nepotizmi. Pasi kanë llogaritur se një politikani të thjeshtë kosovar i duhet rreth një vit për të fituar miliona, edhe në Partinë e Fortë presin të bëhen milionerë brenda vitit, prej ku del edhe motoja e këtyre zgjedhjeve. Partia ka premtuar se kur të vijë në pushtet do të legalizojë korrupsionin, duke përcaktuar nivelin e mitos në 8%, me çka do të kursehen mjete nga buxheti. Partia poashtu ka formuar firmë të veten që do të fitojë të gjithë tenderët. Sipas Kryetarit Lexhendar puna e parë që do të bëjë kur të merr pushtetin do të jetë blerja e një veture të re dhe rregullimi i zyrave të veta. Ai poashtu ka premtuar se së pari do të punësojë anëtarët e familjes së vet, pastaj të nënkryetarëve dhe vetëm nëse mbetet diçka do të mendojë edhe për popullin. Por sipas planit ekonomik të partisë qytetarët e thjeshtë as që do të kenë nevojë të punojnë. Partia do të shesë të gjitha resurset publike dhe do të fusë shtetin në borxhe, me çka do t’u mundësojë të gjithëve të kenë jetë luksoze. Ajo e din që afatgjatë kjo politikë do të krijojë probleme, por sipas Kryetarit Lexhendar “ky do të jetë problem i fëmijëve tanë dhe jo i joni”.

Partia nuk i ka lënë anash as temat tjera relevante politike. Ajo ishte e sigurtë se do të fitojë 120%-130% të votave, ndërsa nuk mund të parashikonte numrin e saktë sepse nuk dinte sa të vdekur do të dalin për të votuar. Kur ditën e zgjedhjeve në listat zgjedhore vërtetë u gjetën njerëz të vdekur, Partia doli me deklaratë ku thuhej se kjo veçmë ishte parashikuar nga Instituti i saj për Studime Paranormale. Për mediumet partia mendon se ata duhet të kenë liri raportimi, por pasi bien lehtë nën ndikime të huaja është me rëndësi që ata të jenë nën kontroll. Sipas Partisë “nuk ka liri pa kontroll”, prandaj edhepse duhet të jenë objektivë, mediumet nuk duhet të kritikojnë Partinë e Fortë.

Pjesë e posaçme e mesazhit të partisë ishin edhe marrëdhëniet me partnerët e jashtëm. Partia e Fortë mendon se këto marrëdhënie janë të shkëlqyera, prandaj në kohë krize Kosova ka hapur dyert për një numër të madh emigrantësh ekonomikë nga Europa që tani punojnë në misione të OSCE, EULEX e KFOR në Kosovë. Për marrëdhëniet me Turqinë i shkroi letër të hapur Erdoganit gjatë vizitës së tij në Kosovë, ku shpreh kënaqësinë nga investimet turke në vend, pasi biznismenët turq kanë mentalitet të njëjtë me ata kosovarë dhe fjala “rushfet” është e njëjtë në të dy gjuhët.

Për arsimin një thënie e Kryetarit Lexhendar thotë se “për dallim nga liderët tjerë, unë kam mbaruar edhe shkollën e mesme”. Pasi tani çdokush mund të mbarojë lehtë fakultet, Partia premton se do të eliminojë plotësisht arsimin e mesëm, me çka do të shkurtojë kohën për marrje të diplomës së fakultetit. Artistët mendon se janë të panevojshëm, joproduktivë dhe joseriozë, por pasi është kohë zgjedhjesh premtoi se edhe atyre do t’u premtojë diçka. I pyetur nëse edhe Prishtinës i duhet projekt si ai i Shkupit 2014, Kryetari Lexhendar u përgjigj se historia është e rëndësishme për çdo popull. Por poashtu shtoi se nuk duhet të lihet anash asnjë periudhë historike dhe për Shkupin 2014 ka vërejtje se nuk shkon pas sa duhet, prandaj edhe do të duhej të ndërtoheshin përmendore të shpellave parahistorike.

Por lënë anash humorin, a kishte dhe cili ishte efekti i vërtetë politik i paraqitjes së Partisë së Fortë në skenën politike kosovare? Këtë më së miri e ilustrojnë dy shembuj. Së pari, disa ditë para zgjedhjeve Kryetari Lexhendar preu shiritin për inaugurim të një sheshi të sapondërtuar në Prishtinë, para se këtë të mund t’a bënte kryetari i tanishëm i Prishtinës. Duke deklaruar se “e kemi ndërtuar këtë shesh me paratë e qytetarëve të Prishtinës”, ai i përkujtoi qytetarët se merita megjithatë është e tyre sepse mjetet nuk dalin nga xhepat e politikanëve. Me këtë gjest ai kryetarit të tanishëm ja hoqi mundësinë për të fituar ndonjë pikë shtesë politike me inaugurime disa ditë para zgjedhjeve. Në rastin tjetër Partia e Fortë kishte premtuar 12.000 punësime. Kur disa ditë më vonë një parti tjetër vërtetë premtoi 20.000 punësime pa dhënë asnjë detaj konkret, Partia e Fortë u përgjigj me premtim të ri për 62.000 vende pune, duke vënë kështu në lojë premtimin joserioz të partisë së parë.

Partia e Fortë ka premtuar saktësisht atë që partitë tjera bëjnë realisht, pa shtuar ndonjë gjë. Prandaj kritikave se nuk është serioze, Partia me plot të drejtë ju përgjigj duke thënë se përkundrazi është tepër serioze, e madje shërben si ombrellë për partitë tjera që në thelb janë të njëjta me të. Dhe mu kjo ishte efekti i vërtetë politik i Partisë së Fortë. Në shërbim të qytetarëve ajo me humor arriti që publikisht të nxjerrë në shesh hipokrizinë e partive dhe politikanëve të tanishëm, duke i përkujtuar vazhdimisht që të rruhen nga premtimet boshe të dhëna para zgjedhjeve. Për politikanët dhe partitë prezenca e Partisë së Fortë kishte tjetër efekt. Ajo i detyroi ata që të kenë më tepër kujdes gjatë paraqitjeve të tyre parazgjedhore, pasi në çdo moment mund të bëheshin objekt talljeje, gjë që në politikë shpesh mund të jetë vdekjeprurëse.

Në fund Kryetari Lexhendar nuk arriti të bëhet kryebashkiak, por me votat e marra Partia e Fortë siguroi një vend në kuvendin e qytetit të Prishtinës. Ky fakt është garancë se ajo nuk do pushojë së ekzistuari dhe se madje mund të marrë pjesë edhe në zgjedhjet parlamentare, gjithsesi “nëse e meritojnë qytetarët e Kosovës”, siç thonë nga Partia. Nuk është çudi as nëse fenomeni i Partisë së Fortë shpërndahet edhe në vende tjera, publiku i së cilave ka parë Partinë me interes dhe simpati të posaçme. Ky lloj eskapizmi nga fushatat e neveritshme parazgjedhore në hapësirën ballkanike është më se i mirëseardhur, e për më tepër mund të kontributojë edhe për t’i bërë më seriozë dhe më të kujdesshëm faktorët tjerë të rëndësishëm politik. Një gjë e tillë pikë së pari i është mëse e nevojshme Maqedonisë./Portalb

 

Shqipmedia.com

1 Komente

smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).