AKIP ka krijuar një peticion në te cilin ftohet të gjithë qytetarët e Shqipërisë (por jo vetëm) për të nënshkruar kundër demontimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) i bën thirrje Qeverisë Shqiptare të refuzojë importin e armëve kimike nga Siria. Importi i armëve kimike nga Siria përbën një kërcënim madhor për jetën dhe ambientin e popullit shqiptar. Ekzistojnë të paktën dhjetë arsye të fuqishme së përse ky import nuk duhet të ndodhë.

1. Armët kimike rrezik për njerëzit dhe ambientin.
Shqipëria është vend me territor të kufizuar dhe me burime te shumta nënujore dhe shkalla e përhapjes së një rrjedhje të mundshme është me pasoja katastrofike. Nën-produktet e demontimit janë substanca të rrezikshme të cilat do te duhet t’i mbajnë në Shqipëri për shkak të masave kufizuese që kanë vënë shtetet e tjera për importin e lëndëve të rrezikshme. Prandaj sjellja dhe demontimi i armëve kimike në Shqipëri do të ketë pasoja katastrofale.

2. Qeveria në kundërshtim me veten dhe ligjin. 
Qeveria shqiptare sapo erdhi në pushtet ndaloi importin e çdo lloj mbetje në territorin e Shqipërisë. Në këto kushte lejimi i mbetjeve toksike dhe vdekjeprurëse është në kundërshtim me ligjin dhe politikën e shpallur nga qeveria aktuale për të mbrojtur territorin dhe jetën e qytetarëve shqiptar nga rreziku i mbetjeve toksike.

3. Mungojnë Infrastruktura, kapacitetet dhe eksperienca. 
Shqipërisë i mungon infrastruktura adekuate e menaxhimit të demontimit të armëve kimike, qysh nga aeroportet, apo portet pritëse deri në landfillet e lëndëve të rrezikshme, i mungon ekspertiza e specialistëve kimist ushtarak të lëndëve helmuese, gjatë dhe post shkatërrimit të armëve kimike. Pavarësisht se trumbetohet nga specialist ndërkombëtar dhe lokal se Shqipëria është vendi i parë në botë që ka shkatërruar armët e saj kimike, e vërteta është se Shqipëria nuk ka pasur armë kimike ofensive moderne si ato që mund të vijnë nga Siria.

4. Mungon kuadri ligjor për trajtimin e armëve kimike në vend. 
Shqipëria nuk parashikon në legjislacionin vendas rregullat e sigurisë, mbajtjes, transportit, ruajtjes, apo ndikimit në mjedis të armëve kimike apo nënprodukteve të tyre. Mungesa e kuadrit rregullues ishte edhe një nga arsyet përse Norvegjia e refuzoi importin e armëve kimike. Kryerja e këtij operacioni në kushtet e mungesës së kuadrit të brendshëm rregullues do të rezultonte në shkelje të së drejtës së jetës (neni 2 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut), dhe të së drejtës për një jetë të qetë familjare (nenit 8 i konventës). Nuk duhet pritur që të ndodhin tragjedi për të konsideruar konventën të shkelur.

5. Shqipëria ende nuk ka zgjidhur problemin e mbetjeve të saj toksike. 
Mbetjet e lëndëve kimike luftarake të çaktivizuara në Qafëmollë gjatë periudhës 2003-2008 ende nuk janë asgjësuar. Pa përmendur mbetje të tjera toksike nga industria e kohës së komunizmit. Prandaj në vend që të trajtojë armët kimike të vendeve të tjera Shqipëria duhet të asgjësojë mbetjet e saj toksike.

6. Vende më të zhvilluara se Shqipëria i kanë refuzuar armët kimike. 
SHBA-të i kanë kërkuar edhe vendeve të tjera perëndimore që të importojnë dhe shkatërrojnë armët kimike të Sirisë. Mjaft prej këtyre vendeve, siç është Norvegjia, e kanë refuzuar ofertën e SHBA-ve. Nëse vende të zhvilluara si Norvegjia, me kapacitete shumë më të mëdha administrative dhe me infrastrukturë shumë më modern se Shqipëria e kanë vlerësuar si shumë të rrezikshme importin e armëve kimike nga Siria, atëherë nuk ka asnjë arsye që vende si Shqipëria të marrin përsipër këtë import.

7. Konventa për Ndalimin e Armëve Kimike në asnjë rast nuk lejohet importi për qëllime asgjësimi. 
Konventa lejon importin e armëve kimike vetëm në rastet e përdorimit për qëllime kërkimore shkencore, mjekësore, farmaceutike dhe të mbrojtjes nga kimikatet. Shtetet palë mund të kontribuojnë por gjithmonë me dhënie mjetesh, fondesh, specialistësh, ku nuk përfshihet edhe kontributi me dhënie territori.

8. Importi i armëve kimike nga Siria nuk është detyrim që buron nga Konventa apo nga NATO.
Gjithçka do të bëhet vetëm mbi baza vullnetare nga ana jonë sepse është çështje që lidhet me respektimin e sovranitetit. Kjo kërkon patjetër debat me publikun dhe marrjen e mendimit të tij, sepse sipas Kushtetutës sovrani është populli.

9. Mungon transparenca dhe diskutimi me publikun. 
Qeveria shqiptare e ka mbajtur sekrete për një kohë të gjatë çështjen e importit të armëve kimike nga Siria. Shteti është i detyruar të njoftojë publikun, si dhe ta ftojë atë në diskutim përsa i përket çështjeve që ndikojnë direkt në sigurinë e tij. Një fushatë mediatike, me shpjegime të detajuara, me fletëpalosje, broshura, spote televizive, debate me specialistët, është e detyrueshme në çdo rast kur ka risk sado të vogël nga operacione të rrezikshmërisë së lartë.

10. Shqipëria transformohet nga destinacion turistik në destinacion toksik!
Kryerja e këtij operacioni bëhet për herë të parë në botë (pra që armët e një vendi shkatërrohen në një vend tjetër), dhe kjo rrezikon precedentin për herët e tjera me destinacion Shqipërinë. SHBA nuk është e bindur se ka zbuluar të gjithë arsenalin e Sirisë. Pas disa kohësh mund të zbulohet arsenal tjetër në Siri, apo gjetkë, dhe Shqipëria nuk do të mund të thotë jo, nëse e ka pranuar në një rast. Prurja e armëve kimike për shkatërrim në Shqipëri dëmton imazhin e vendit tonë si destinacion turistik.

http://www.avaaz.org/en/petition/Peticion_kunder_pranimit_te_armeve_kimi...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).