Në një nga monedhat më të vogla shqiptare, në 20 qindarkëshin, atë që njerëzit zakonisht ua lënë kamerierëve si bakshish, shfaqet profili i një anieje të lashtë - liburnës së përmendur ilire. Po pse është dashur që në një monedhë të prerjes së vogël, aty ku fare mirë mund të qenë stampuar simbole, qytete, data historike apo fytyra njerëzish të shquar, të gjendet profili i anijes së lashtë? Të jetë formë e fshehur e krenarisë kombëtare mbi lashtësinë e kombit? Të jetë ideologjie e re, një luftë përmes ikonës numizmatike, apo një kundërvënie ndaj tezës se shqiptarët, ndonëse të vendosur pranë detit, i kanë të pakta dhe të zbehta lidhjet me të? Dyshoj te ky qëllim, por edhe mundet. 

Në të vërtetë, asnjë populli dhe asnjë kulture tjetër bregdetare në Evropë nuk i është vënë kaq shumë në dyshim marrëdhënia me detin, sa ç'i është vënë shqiptarëve. Ndoshta për këtë shkak unë, në mënyrë krejt instiktive, vazhdoj t'u tregoj fillimisht detin, dhe jo qytetin miqve që mbërrijnë në Durrës. Kjo sepse deti ishte dhe vazhdon të mbetet hapësira ku vendasi takon botën, njëlloj siç njerëzia takohet me fqinjët në një tavernë, në rrugë apo në kafene. Deti ishte dhe vazhdon të jetë si një enciklopedi e vogël xhepi. Ai ngjason me një portofol që, në mos para të madhe, mban brenda kartën e identitetit tënd. 

Flas për kohën e izolimit, kur deti ishte ndërmjetësi ynë natyror. Deti ishte bashkuesi dhe ndarësi - pengesa dhe mundësia e takimit. Kina, Franca, Gjermania, Koreja, Holanda, Kuba, Italia, Anglia, Vietnami, Bullgaria, Jugosllavia, Polonia dhe gjithë portet e Mesdheut takoheshin në Durrës. Historitë e njerëzve të botëve të tjera hynin në qytet në po atë mënyrë siç erërat detare kishin mësyrë për mijëra vjet brigjet e Durrësit: tramontana, që frynte nga Veriperëndimi, shiroku që sillte shi nga Jugu, zafiri dhe ponente, që frynte nga Perëndimi apo greko levante. Nëpërmjet detit krijoheshin gjithashtu edhe opinionet empirike mbi evropianët, edhe pse shumica prej tyre nuk kishin dëgjuar dhe as shkelur kurrë në qytetin tim. Përmes detit pra, hynin e dilnin jo vetëm anije dhe mallra, por edhe njerëz - "alienë" për nga pamja, ardhur prej një bote që nuk ngjasonte me botën tonë të rruar paq, të qethur shkurt e të krehur drejt. 

Po ndërkaq, si ia bënte Evropa për të mbërritur tek ne, kur ne ishim të mbyllur dhe të izoluar? Sado e çuditshme të duket si krahasim, deti, sidomos flota detare tregtare e Shqipërisë, ishte si një tullë e hequr nga muri me të cilin ne kishim rrethuar veten. Por flota tregtare shqiptare s'ishte vetëm një grup anijesh prej metali, që lundronte nën flamurin shqiptar. E ndonëse e kontrolluar dhe e mirëllogaritur gjer në detajet më të hollësishme (si p.sh., sa filma do të shihnin detarët gjatë lundrimit, sa ton ujë deti do të kthehej në ujë të pijshëm etj.), mbi çdo dalje të anijeve shqiptare jashtë territorit të porteve të Shqipërisë, rrinte hija e një eksodi a të një arratie të hamendësuar, ndihej ikja e përkohshme nga izolimi. 

Veçse nëpër detet e botës nuk lundronin vetëm anijet shqiptare. Bashkë me to 'lundronin' edhe qytetet, emrat e të cilëve qenë shkruar në të dyja anët e bashit të anijeve. Veçse qytetet nuk ishin të vetmit lundërtarë. Bashkë me to 'lundronin' edhe malet shqiptare (anija 'Korabi', anija 'Dajti'), 'lundronin' ishujt e Shqipërisë (anija 'Sazani'), 'lundronin' heronjtë tanë kombëtarë (anija 'Gjergj Kastrioti' - 'Skënderbeu'), lundronin lumenjtë që rridhnin nëpër trupin e atdheut (anija 'Shkumbini'), 'lundronin' mbretëresha e mbretër ilirë (anija 'Teuta'), 'lundronin' madje edhe qytetet e lashtë, bashkë me teatrot antikë (anija 'Butrinti'). 

Qytete të tërë, heronjtë e panteonit, lumenjtë e mëdhenj, ishujt e pakët, mbretërit dhe mbretëreshat me bëma mitike, bashkë me malet e lartë, merrnin arratinë dhe lundronin nëpër detet dhe oqeane. Iknin, por për t'u kthyer sërish në mëngjes dhe për të zënë, pa u vënë re nga askush, vendet e tyre mbi territorin e atdheut të vogël dhe mbi hartat politike, fizike apo ushtarake! Netëve sidomos, më bëhej sikur e gjithë Shqipëria merrte arratinë dhe niste 'lundrimin' drejt "Botës së Lirë", siç quheshin vendet e Perëndimit asokohe. E gjithë harta fizike e Shqipërisë komuniste shkëputej nga molet dhe nisej për lundrim. Dukej sikur atëherë ekzistonin dy Shqipëri: njëra Shqipëri që kishte ngecur në stere, mbërthyer dhe lidhur fort pas maleve, pas moleve të porteve shqiptare dhe pas ideologjisë. Ekzistonte edhe një Shqipëri tjetër - një Shqipëri lundruese, pluskuese, që ia dilte të ruante në një farë mënyre komunikimin me botën. Kjo ishte Shqipëria e anijeve. 

Paradoksal mbetej vetëm një fakt, që nuk ndryshoi për një kohë të gjatë: malet e Shqipërisë, bashkë me heronjtë dhe ishujt, bashkë me lumenjtë dhe krahinat, bashkë me qytetet antikë dhe qytetet e rinj të Shqipërisë (anijet 'Tirana', 'Vlora', 'Durrësi', 'Shkodra', 'Saranda', 'Gjirokastra') kishin një farë liridaljeje. Ato mund të lundronin drejt porteve të Evropës dhe të botës. Anijet iknin, por qytetarët e saj jo. Qytetarët e këtij vendi ishin ndryrë brenda një harte tjetër, të palëvizshme, një harte me rrënjët ngulur thellë në tokë. Ata shtetas kishin ngrirë brenda një vendi - anije, që nuk i kishte pasur gati për lundrim të lirë as velat dhe as kapedanët. 

Po le t'u kthehemi anijeve. Druaj se asnjë flote tjetër nuk i ka rënë për short të provojë fatin që pësoi flota shqiptare pas viteve '90. Sikur ta kishin përpirë befasisht dallgët dhe vorbullat e detit, ajo u zhduk dhe u tret krejt në më pak se 15 vjet. Ku gjenden sot anijet e flotës tregtare shqiptare - krenaria lundruese e atyre viteve që dikur çanin jo vetëm detet, por edhe bllokadën? Ku janë anijet që dikur sillnin, mall, gjë dhe përvoja prej më shumë se 100 porteve të botës? Të dhënat e mëposhtme duket se nuk kanë të bëjnë me letërsinë dhe lëndën letrare, por me një ditar bordi, nga ata që numërojnë të mbyturit, të humburit dhe të zhdukurit nën det. Dhe po shënoj këtu jo anijet e vogla, por vetëm disa nga të zhdukurit dhe të humburit e mëdhenj - dinosaurët e flotës detare shqiptare… 

Anija 'Arbëria' (16.000 ton), lindur në Suedi, në vitin 1975 - bllokuar në Turqi, bigat, vinçat dhe instrumentet e drejtimit janë çmontuar, zhveshur dhe shitur. Anija 'Tirana' (12.012 ton), lindur në Poloni në vitin 1972 - gjendet e bllokuar në Greqi, mbuluar nga ndryshku dhe prerja në copa për skrap! Anija 'Sazani' (500 ton), prodhuar në Gjermani, - prerë dhe shitur për skrap. Anija 'Vlora' (12.600 ton), lindur në Itali, viti 1961 - ndryshkur, jashtë kushteve për lundrim. Anija 'Dajti' (4.600 ton), vendlindja Gjermani, 1961 - ndryshkur, jashtë përdorimit. Anija 'Saranda' (1.000 ton), lindur në Durrës, viti 1984 - shitur më 2006. Anija 'Shkodra' (12.600 ton), lindur në Itali, në vitin 1961 - ndryshkur, çmontuar në pjesët e lëvizshme, jashtë përdorimit. Anija 'Skënderbeu' (3.600 ton), prodhuar në Bullgari - peng në Itali pas eksodit. Anija 'Gjirokastra' (2.700 ton), lindur në vitin 1983 në Durrës - shitur më 2006. Anija 'Durrësi' (5.000 ton), prodhuar në Poloni - ndryshkur, çmontuar, jashtë përdorimit. Anija 'Partizani' (2.500 ton), prodhuar në Poloni, - ndryshkur, jashtë përdorimit. 

Duket sikur duke i thirrur në emër, duke u përmendur ditën dhe vendin e lindjes, duke veçuar moshën dhe kapacitetin e tyre mbajtës, në të vërtetë unë po bëj gjithashtu apelin e një armate të hekurt. 15 anije, me aftësi të përgjithshme mbartëse rreth 80 mijë ton, tani nuk ekzistojnë më. A mund ta dijë kush se me çfarë trupash të tjerë mund të jenë bashkuar metalet e shkrirë të trupave të anijeve që dikur përbënin flotën tregtare shqiptare? Ku janë rimishëruar pas shkrirjes ato? Janë bërë tuba? Litarë çeliku? Shufra hekuri për ndërtesa shumëkatëshe apo këmbë urash? Janë bërë armë? Dyer të blinduara? Gozhdë dhe bulonë? Grepa peshkimi, gërshërë, piskatore për vetullat e grave, hapëse birrash, zinxhirë, vepra abstrakte arti, makineri metalprerëse apo u metali i tyre u përdor për trupa të tjerë anijesh? 

Edhe po t'i thërras për emër të gjitha anijet, kjo armatë e hekurt lundruese e kthyer tanimë në skrap, armatë jo aq e papërfillshme për një vend të vogël si Shqipëria, nuk do të mund të ngrihet dot më nga fundi i detit ku dergjet e mbytur. Asgjë: asnjë lloj force, asnjë urdhër dhe asnjë komandë nuk mund t'i bëjë dot sërish bashkë copërat e prera të atyre anijeve, që u dërguan në furrnalta për shkrirje, si të qenë thjesht hekur i ndryshkur - Skrap. Po a mund të quhet një formë harakiri ajo që i ndodhi flotës sonë? 

Pa dashur ta teproj, them se prania e ndryshkut, e furrnaltave, e tymit, e llavës, si dhe e vetë fjalës skrap, më sjell para sysh jo thjesht një histori metalesh të vjetra që shkrijnë, por një lloj krejt të veçantë holokausti - marrëzinë e përndjekjes gjer në shfarosje që çoi në zhdukjen e një flote pas viteve '90. Po ç'luftra e ç'beteja detare kanë ndodhur ndërkaq? Së paku deri tani, nuk ka të dhëna për ndonjë betejë të ashpër a zulmëmadhe, si ato që përshkruan Longfelloë në "A Ballad of the French Fleet", betejë e cila do të na jepte justifikimin se ku dhe pse e humbëm flotën. 

Përveçse hamall, siç e quajnë, flota vazhdon të mbetet edhe një objekt krenarie. Marrëdhënia e njeriut me anijen është tejet e veçantë. Ka aty diçka prej ritualeve të lashta mistike, rituale që fillojnë që nga pagëzimi, dhënia e emrit, thyerja e një shisheje, kur anija lëshohet për herë të parë në ujë, apo kur klerikët e mirosin pupën dhe direkët e saj me dafinë, degë ulliri dhe levandë, si për ta mbrojtur nga syri i keq, e liga dhe fatkeqësia.

Ndonëse funebër, pjesë e ritualit është edhe kapedani, i cili i bashkohet fatit të anijes, kur ajo ndesh fundin… Por kjo nuk ngjau tek ne? Kapedanët e anijeve të zhdukura të flotës shqiptare, të plakur, të pafuqishëm dhe disi të hutuar përballë asaj që ndodhte para syve të tyre, tanimë rrinë në kafenetë e tyre buzë detit dhe ndjekin me sy lundrimet e të tjerëve. Për ta s'ka më lundrime. 

I dëgjoj, i dëgjoj edhe unë zërat që thonë: "ato anije ishin të vjetra", "s'na duheshin më ato gërdalla", "kemi hyrë në një shoqëri të re". Në të vërtetë ato anije ishin në mesmoshën e tyre - njëlloj sikur një njeri të vdiste në të 40-at a në të 50-at e tij. Por gjithsesi, për këto zëra, përgjigjen e gjej tek tregimi "I mbyturi më i bukur në botë", i G. G. Marquez-it, ku një i vdekur u mëson të gjallëve diçka mbi të bukurën dhe mbi madhështinë, edhe kur kjo bukuri bie, zhduket apo mbytet - pakashumë siç ngjau me flotën detare të Shqipërisë. 

Por ndërkaq do të na duhej të pyesnim se ç'vlerë do të kishte tanimë të kujtonim humbjet, dështimet, vonesat, rrëzimet dhe mbytjet, nëse ato nuk na ndihmojnë të ngrihemi sërish? Përse do të na lipsej kujtesa? Po vënia në vendet më të dukshme të shtëpive, të zyrave dhe të qyteteve tona të fotove të Ismail Qemalit apo të shtatoreve të Skënderbeut, ç'kuptim ka? Ç'kuptim ka fakti që në kartëmonedha shtypim portretet e Naim Frashërit dhe të Pjetër Bogdanit? Pse emetojmë pulla me fytyrën e Gjergj Fishtës dhe të Nënë Terezës? Ç'domethënie ka, tek e fundit, relievi i një anieje ilire te monedha 20 qindarkëshe që ua lëmë bakshish kamerierëve? Të gjithë këta të vdekur dhe të mbytur në një farë mënyre janë, apo jo? 

Ndaj, edhe pse pa ndonjë provë a ndonjë fakt, më vjen të besoj se në mos të gjitha, një pjesë e atyre sirenave, që bien kur anijet lënë portin, bie edhe për anijet e flotës të zhdukur shqiptare. Të njëjtën gjë dua të besoj kur mendja më shkon te lulet: disa prej atyre, në kodra apo në saksi ndoshta çelin në nderim të lundërtarëve dhe të mjeteve lundruese, që sollën në jetët tona një ndryshim sado të vogël, diçka që na mungonte dhe s'e kuptonim që na mungonte, gjatë kohës kur ishim të mbyllur: krejtësisht veç dhe ndryshe nga e gjithë bota.

 

Milosao

1 Komente

Po jetojmë në SKRAPISTAN..

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).