1. Që herët, që kur kam filluar për herë të parë të lexoj libra, kam besuar, nga instikti, se jam një europian. Jo thjesht se [rudolf marku] vendi të cilit i përkisja nga prindërit dhe nga gjeografia, ishte në Europë. E ndjeja se Europianizmi kishte diçka shumë më tepër se gjeografia. Më vonë, në rininë time, sidomos në vitet universitare, fillova ta ndjeja se përkatësia ime europiane ishte më tepër se gjithçka tjetër përkushtimi ndaj continuum të kulturës perëndimore. Kisha arritur atë fazë të jetës kur jo vetëm instinkti, por dhe bindja, më thoshin se më tepër nga gjeografia, përkufizimi i identitetit tim ishte përcaktuar nga kultura, nga leximet, nga filmat, nga muzika që dëgjoja, nga përkatësia e prindërve të mi, nga gojëdhanat dhe mitet e ambientit ku jetoja. Por m’u deshën dhe disa vite të mira për të kuptuar se identiteti im ishte përcaktuar sidomos nga e shkuara e vendit ku jetoj.

E shkuara është më e rëndësishme nga e sotmja, edhe për arsyen e thjeshtë se e sotmja është vetëm një pikë uji në oqeanin e së shkuarës. Natyrisht, të gjithë e pranojmë se sa është e rëndësishme për të gjitha qeniet njerëzore vendosja e tyre dhe e gjithçkaje rreth tyre në kohë.  Jashtëkohësia vetëm sa do të na bënte më konfuzë, më të çorientuar, si një qytet pa rrugë, pa tabela orientuese, pa semaforë, pa mbikalime dhe nënkalime. Koha ka nevojë që të strukturohet, që të mos jetë një masë amorfe, dhe ajo që e strukturon kohën është historia. Për të kuptuar të sotmen, na duhet njohuria për të shkuarën. Pa njohjen e së shkuarës qenia njerëzore nuk mund të ketë identitet. Dhe i gjithë identiteti ynë kulturor duket se është ndryrë në të shkuarën. Mishëruar në veprat letrare, në shkrimet e dijetarëve-qofshin këta të karakterit historik, gjuhësor, filozofik, pragmatik-, në ato pak revista dhe gazeta të kohnave të shkuara, në përkthimet e para në gjuhën tonë, në ato pak ndërtesa dhe kështjella që na kanë mbetur prej shekujve të kaluar, në rrënojat e gjetura nga arkeologët, në gjuhën tonë, në kulturën gjenuine popullore, në kujtesën historike, në përkatësinë e hershme shqiptare në komunitetin  kristian… Kolektivisht të gjitha këto mishërojnë arritjen më të madhe  të mendjes dhe shpirtit njerëzor shqiptar. Sidomos veprat e njëmendta letrare dhe artistike duket se më me mjeshtëri nga aktivitetet e tjera, dinë t’i shkapërcejnë lehtësisht barrierën kohore dhe muret ndarëse të politikes për të na arritur kudo që të jemi, që të mund të na përqafojnë me magjinë e vet. Dhe me përjetësinë e mendimit të tyre. Kam parasysh romanet e Ismail Kadaresë, poezitë e Fishtës e të Poradecit, Konicën dhe Fishtën, Koliqin dhe Kutelin. Identiteti kulturor është letra lakmus që zbërthen falsitetin, shpesh herë të fshehur e të kamufluar me letra ambalazhi shëndritës. Nuk është e rastit që krijuesit e mëdhenj janë dhe armiqtë më të padëshirueshëm në shoqëritë të cilat nuk janë të përgatitura historikisht që të pranojnë të vërtetën.

At Anton Harapi në ligjëratën “Një kushtrim për kulturen” mbajtur në Selinë e Institutit të Studimeve Shqiptare (botuar së pari te Hylli i Dritës, Fruer 1944), thotë: “Vall, pse tash tridhjetë e sa  vjet të pamvarsis, me të gjitha përpjekjet për kulturë, erdhem dhe u vorfunuem shpirtnisht? Ky problem i madh për mue, ka një shkak të vetëm, një shpjegim të thjeshë:..nuk morëm kulturën vetë, por morëm format e përftimet e kultures dhe i përshtatëm; shndërruem vlerat objektive me vlerat relative; përparuem për dukë, ndërsa realisht në shpirt borëm shumë, mbetëm mbrapa; u dhamë rëndësi të parë mjeteve e harruem qellimin; tue kërkue t’a bajmë jetën sa ma të lehtë, shvleftësuem jetën vetë. Lavrimin e mendjes, trajtimin e vullndesës, ndiesit e nalta shpirtnore i qitëm dhe i lamë në vend të dytë e të tretë. Faktori shpirtnuer nuk pati vendin e vet, vendin e parë. Ja, sot në Shqipni nuk të pyetë kushshka je, por si dukesh,…sa pare ke në Bankë. Nuk  po lypet të jesh i dijshëm, as i aftë, mjaft të dijsh me u mbajtë dhe me u dukë i tillë…”

Është e çuditshme ngjashmëria e jashtëzakonshme e realitetit që përshkruan At Anton Harapi me realitetin e sotëm shqiptar. Besoj se kjo ngjashmëri e dy realiteteve që i ndan një periudhë historike mbi 70-vjeçare, flet për inercinë e jetës shpirtërore dhe intelektuale shqiptare, e cila, pavarësisht zhvillimeve politike edhe shoqërore që nga koha kur janë artikuluar mendimet e At Harapit, dhe pavarësisht faktit se shoqëria shqiptare flet përherë e më tepër për europianizimin e saj dhe progresin e saj, shpirtërisht ajo ka mbetur e njëjtë, mos me hapa të bëra mbrapsht.

2.

Më 13 Tetor të vitit 1913, në qytetin e Shkodrës botohet numri i parë i revistës Hylli i Dritës. Sot, 100-vjetori i botimit të revistës Hylli i Dritës është një rast për t’u ndalur e medituar për rëndësinë e jashtëzakonshme të kulturës dhe të identitetit tonë. E themeluar nga françeskani i madh, poeti Patër Gjergj Fishta, revista dijti të mbledhë rreth vetes elitën intelektuale shqiptare, e cila nga ana e vet qe në gjendje që të jetë e vetëdijshme për misionin e saj dhe për mjetet për të realizuar këtë mision. Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë, ajo shpallte që në numrin e parë: Tani që Shqipëria u ba, duhet të bajmë dhe shqiptarët…

“Hylli i Dritës”, në vitet që doli, pasqyroi me dinjitet jetën letrare, kulturore e kombëtare shqiptare. Dhe sipas rregullit të artë të vendit tonë, kjo revistë, drejtësisht me rregullin, duhej të kishte (dhe në të vërtetë pati) telashe dhe peripeci më tepër se çdo revistë a gazetë tjetër e botuar në Shqipëri. Botimi i saj u ndërpre, që nga dalja e numrit të saj të parë, katër herë. Pa patur as dhe pretendimin më të vogël për të bërë historikun e revistës, do përmendja shkurtazi se në periudhën e parë të botimit (1913-‘14), revista përfshinë diskutimin e madh të  aftësisë së shqiptarëve për shtetkrijim mbas pesë shekujsh pushtimi të huaj, dhe marrëdhëniet në mes lirisë e klerit katolik, në mes kombësisë e fesë…diskutime që do të qenë të dobishme po të vazhdonin dhe sot e kësaj dite… Dhe mbi të gjitha shkëlqen forca polemizuese e revistës. Si dhe ai ekuilibër drejtpeshues mes virtytit të përuljes dhe mbrojtjes së dinjitetit. Ironikisht, ndalimi i parë i revistës, në vitin 1914, u bë me urdhrin e Fuqive të pranishme në Shkodër, pas botimit të shkrimit me titullin “Nji komedi e pandershme e shekullit të XX”. Duhej të qe një shkrim model për politikanët dhe shumicën e gazetarëve të sotëm, një shembull i provës se europianizmi i vendit tonë nuk do të thotë domosdoshmërisht servilizëm ndaj zyrtarëve përfaqësues të huaj që ndodhen kalimtarisht në truallin tonë…Vijnë pastaj mbylljet e revistës në vitin 1924 (periudha e botimit 1921-1924), ajo e vitit 1944 (1930-1944), që ishte periudha më e gjallë, më e pasur e kësaj reviste, si dhe mbyllja e fundit, ajo bashkëkohorja, e vitit 1997 (periudha e botimit 1992-1997)… Për herë të fundit, Revista ka rifilluar botimin e saj në vitin 2006, falë përkushtimit të botuesit dhe drejtorit të saj, Prof. Ardian Ndreca.

Hylli i Dritës ka meritën se mblodhi rreth vetes në faqet e saj emrat më të shquar të kulturës e të patriotizmit shqiptar, Imzot Preng Doçin, Imzot Lazer Mjedjen, Imzot Nikoll Kaçorrin, Imzot Bumçin, Imzot Prennushin, At Gjergj Fishtën, At Mati Prennushin, At Gjeçovin, At Pal Dodajn, At Anton Harapin, At Marin Sirdanin, Don Ndre Mjedjan, At Marjan Prelën, Don Ndoc Nikajn, Luigj Gurakuqin, Isa Boletinin, Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Mustafa Krujën, Kristo Floqin, Prof. Eqrem Çabejn, Zef Harapin, Zef Palin, Gjon Kamsin, Avni Rrustemin, Mati Logorecin, Faik Konicën, Namik Resulin, Lef Nosin, Nush Radovanin, Gjush Sheldinë…Është revista që hedh rrënjët e Albanologjisë, me studime historike, gjuhësore, etnografike, duke trajtuar anë pak të njohura ose krejt të panjohura, të historisë, të letërsisë, të gjuhës, të etnografisë e të folklorit shqiptar. Nuk është e rastit që ndër emrat e autorëve të huaj që shkruajnë për revistën janë dhe emrat e prof. Norbert Jokl dhe Georg Stadtmüller. Është në nderin e Hyllit që ajo nuk pati iluzion as për komunizmin dhe as për nazizmin. Sa për t’ua kujtuar atyre që janë të gatshëm që t’i gjykojnë gjërat me skema demaskimesh ideologjike, në faqet e saj u botuan shkrimet Laicizem apo bolshevizëm dhe njëherësh dhe Austria ndrroi jetë (Gjon Kamsi), njëra ndër protestat e pakta, në mos qoftë e vetmja, në shtypin shqiptar kundër Anschluss, pushtimit të Austrisë nga Gjermania naziste.

3.

Ka qenë fillimi i vitit 1990 kur e pata takuar së pari pater Zef Pllumin. Që në bisedën e parë ai më tregoi projektin e tij për ribotimin e Hyllit, që ishte ndërprerë në vitin 1944. Ribotimin e revistës e shihte si simbolin e ringjalljes së mendimit intelektual kombëtar. Ashtu si të gjithë françeskanët e tjerë të mëdhenj, besonte se kultura është shprehja më e lartë e identitetit kombëtar. Kishte ndërhyrë pranë fondacioneve ndërkombëtare që të dërgonte për studime shumë studentë nëpër universitete prestigjioze, dhe ishte i lumtur për këtë. Ke me e pa, më thosh me sytë që i shkëlqenin, se çfarë djelmosha të ditun kanë me dalë. Më fliste me entuziazëm veçanërisht për studentin Ardian Ndreca, të cilit asokohe ia dëgjoja emrin për së pari. Dhe kur dallonte atë skepticizëm të pavullnetshëm në pamjen time, më thosh Ke me e pa se kam të drejtë!

Në vitin 1990 botimin e Hyllit ia besoi Aurel Plasarit, studiuesit erudit dhe përkthyesit të talentuar. Në vitin 2006 është prapë patër Zef Pllumi që ia ofron botimin dhe drejtimin e revistës Ardian Ndrecës. Gjatë këtyre viteveHylli ka provuar të jetë revista më autoritare e shtypit shqiptar, duke i qëndruar besnike traditës së vet dinjitoze. Në botimet e viteve të fundit në faqet e saj  gjejmë emrat e Ismail Kadaresë, Ardian Ndrecës, Aurel Plasarit, Ardian Marashit, Bahri Becit, Bardhyl Demirajt, Sami Rrepishtit, Visar Zhitit, Eliana Paços, Italo Sarras, Anton Çefës, Persida Asllanit, Anila & Elda Omarit, Stephan Troebst, Nevila Nikajt, Mehmet Krajës, Gazmend Tinajt, Evalda Pacit, Elton Priftit, Elsa Demos, Gjosho Vasisë. Vitet e fundit, krahas tjerash, më ka prekur mbrojtja që revista i ka bërë figurës së piktorit të shquar Lin Delisë, po aq sa më ka impresionuar dhe serioziteti shkencor i shkrimeve  të Bardhyl Demirajt…

Hylli është ndoshta revista e vetme ndër të gjithë botimet në gjuhën shqipe që ka folur dhe vazhdon të flasë në mbrojtje të identitetit kombëtar, jashtë çdo nacionalizmi vetëdiskreditues. E shkuara, faktet dhe evidencat e saj duhet të jenë dhe mobiliet intelektuale të mendjes së kulturuar. Për Hyllin, identiteti kulturor është edhe identiteti më i qëndrueshëm. Pater Zef Pllumit i njihet përkushtimi i jashtëzakonshëm për të shpëtuar nga rrënimi përfundimtar monument të tilla si Manastirin e Rodonit, (sipas Fabianitzit, një manastir i blatuar nga Mamica, motra e Skenderbeut, për murgeshat e Shën Klarës), Kishën e Pllanës (shkolla e parë shqipe hapej në Pllanë në vitin 1638, ndersa gymnasium-i  parë në Blilinisht në vitin 1639), Manastirin e Rubikut (me afresk që datohet që në vitin 1272), Manastirin e Shirqit…

Por sot, në kohërat moderne, edhe identitet kulturor rrezikon të margjinizohet e të humbasë. Ose të katandiset në një subjekt të ngushtë, i kuptueshëm vetëm për rrethet akademike. Të gozhduar para qindra kanaleve televizive apo të zënë rob nga gaxhetet e pafundme elektronike, ne jetojmë në kohën kur koncentrimi, serioziteti dhe thellësia konsiderohen të dalë mode, po aq sa virtyti, dhe po aq të pamundura që të ekzistojnë sa dhe dinjiteti. Shtoji kësaj dhe spekulimet e pafundme të multikulturalizmit. Kjo e fundit ka vendin e vet, por nuk ka se si të mos e pranosh se i ka sjellë qytetërimit më tepër se çdo gjë tjetër, fragmentarizëm të kulturës dhe konfuzion të identitetit. Për ne shqiptarët, që edhe pa këto, kemi provuar dhe provojmë çdo ditë se kemi një krizë të qëndrueshme të identitetit, duket se  kultura dhe forca magjike e saj mund të na shërbejnë si salvaxhentet e vetme që të mund të arrijmë bregun…Bregun e identitetit tonë, të asaj çfarë na dallon dhe çfarë na bashkon (për të  mirë e për të keq) nga popujt e tjerë të familjes europiane. Pa këtë identitet, individi shqiptar zor se mund të ketë identitetin e vet në komunitetin e qenieve njerëzore.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).