Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, në një konferencë për shtyp për të bërë një bilanc të situatës dhe procesit të legalizimeve

Pas rreth dy muajsh në krye të institucionit të Agjensisë së Legalizimeve, po bëjmë publike situatën në të cilën është dergjur prej vitesh ky institucion. Gjithë kjo periudhë na u desh për të vënë disi rregull dhe për të kryer një analizë të të dhënave që i duhen publikut. Fillimisht do të doja të bëja një përmbledhje në shifra të situatës:

Janë përfshirë në procesin e legalizimit, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.9482, datë 03.4.2006, i ndryshuar:
270.592 ndërtime pa leje: Periudha Qershor-Shtator 2006 
22.570 ndërtime pa leje: Periudha Qershor-Korrik 2013
Është miratuar kufiri për 127 zona informale, ku përfshihen rreth 120.000 ndërtime pa leje.
Me VKM, është miratuar kalimi i të drejtës së pronësisë mbi truallin për 94.590 ndërtime, të ngritura në truall jo në pronësi të poseduesit të ndërtimit.

Konflikte gjyqësore ku ALUIZNI është palë në proces. Rreth 70% e çështjeve gjyqësore, janë për shkak të vendimmarrjeve konfliktuale. Kryesisht në qarqet Berat, Shkodër, Lezhë, Fier, Durrës, Vlorë, Elbasan dhe Tiranë, 

SITUATA E INSTITUCIONIT

Problemet që do të trajtojmë sot do t’i ndajmë në: 

1. Probleme qe kanë të bëjnë me situatën financiare të Legalizimeve, 
2. Probleme me situatën e korrupsionit që ka shoqëruar deri tani gjithë procesin.
3. Kaosi administrativ dhe institucional.

Situata Financiare

Situata aktuale financiare e Institucionit, është praktikisht e falimentuar. Nëpër dyshemetë e institucionit gjenden aktualisht rreth 50 mijë praktika, për të cilat qytetarëve i’u është kërkuar për të bërë pagesat dhe ata i kanë kryer. Paratë janë arkëtuar dhe kanë shkuar në buxhet. Por, nga ana tjeter, qytetarëve nuk ju është dhënë leja e legalizimit, duke i lënë për vite me rradhë në një pritje absurde. Dikush duhet të përgjigjet për këtë shpërdorim të fondeve, dhe do të përgjigjet.

Siç e dini, fondi i mbledhur nga legalizimet ka qenë burimi i vetëm gjatë gjithë këtyre viteve për kompensimin e ish-pronarëve. Deri tani (2008-2013) janë mbledhur 7,9 miliardë lekë (79 milionë USD) nga të cilat 6,98 miliard duhet të kishin shkuar në një llogari të veçantë të buxhetit të shtetit për t’u përdorur eskluzivisht për kompensimin e ish-pronarëve. Por në fakt, vetem një pjesë e kësaj shume (4 miliard lekë) ka shkuar në destinacion, ndërsa rreth 3 miliard lekë Ministria e Financave i ka përdorur për qëllime të tjera dhe në kundërshtim me ligjin. Dhe këtu po flasim për një qeveri që për 8 vjet rresht u përbetua për ish-pronarët dhe që pretendonte të ishte pëfaqësuese e interesave të tyre. Dikush duhet të përgjigjet për këtë shpërdorim të fondeve dhe do të përgjigjet.

Pas vitit 2008, nga ALUIZNI janë punësuar me qindra punonjës me kontratë të përkohshme, të cilëve tashmë rezulton se nuk iu janë derdhur pagesat për sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore. Vetëm për drejtoritë e Tiranës, Durrësit dhe Fierit, ky borxh i akumuluar është 83 milionë lekë, ndërsa në rang vendi i kalon të 100 milionët. Kjo është një njollë turpi për shtetin Shqiptar, pasi ka trajtuar si skllevër edhe vetë punonjësit e vet. Në një kohë që ka një Inspektoriat Pune, i cili nuk lejon edhe një subjekt privat, që të punësojë një punonjës pa e siguruar. Ne u detyruam të anullojmë rreth 200 kontrata pune, për shkak të paaftësisë paguese të institucionit, ndërsa tani del që jo vetëm nuk kishte para për këta, por edhe për vite me rradhë këtyre nuk ju janë paguar as sigurimet shoqërore. Dikush duhet të përgjigjet për këtë shpërdorim të fondeve dhe do të përgjigjet.

Korrupsioni

Në vitet e qeverisjes së kaluar, korrupsioni ka qenë një nga lejtmotivet që kanë shoqëruar vazhdimisht, por në këtë sektor korrupsioni ka qenë i përhapur si sistem kapilar dhe praktikisht ishte kthyer në të vetmin mjet që e vinte në lëvizje sistemin. Gjithë këtë sistem korrupsioni do ta ndaja në dy tipe, në korrupsion kapilar dhe korrupsion të përqendruar. Me korrupsion kapilar nënkuptohet tortura që duhet të ndiqte çdo qytetar për të mbaruar punë për të plotësuar duke paguar çdo dokument të dosjes, duke paguar tek roja poshtë sa herë kishte hall dhe duhet të vinte në institucion, duke paguar për të nxjerrë dosjen nga arkivi sa herë duhet të shtonte apo plotësonte dokumenta, duke paguar për të shtuar dosjen e kështu me radhë në çdo hap e detaj. 

Ndërsa korrupsioni i përqëndruar ka të bëjë me bllokimin e qëllimshëm të dosjeve dhe proceduarave duke i vënë qytetarët para alternativës: ose paguani, ose dosja varrosej pa shpresë. Dëshmia më e qartë për këtë janë qindra e qindra denoncimet e mbërritura në portalin e denoncimeve të hapur nga ana jonë. E gjithë kjo gjë ka çuar në një humbje të plotë të besimit të publikut se mund të mbaronte punë pa paguar dhe në formatimin e një mentaliteti gati zyrtar që, sa duhet të paguaj që të mbaroj punë . 

Për korrupsionin do citoj vetëm një raport të KLSH-së të bërë në Vlorë në vitin 2012. 
Nga 76 dosje të pajisuara me leje legalizimi, u konstatua që janë dhënë leje për:
- 1 rast në monument kulture, 
- 42 raste në studim urbanistik dhe në rrugë, 
- 1 rast mbi kolektor, 
- 8 raste në studim urbanistik, në zona të gjelbra dhe në rrugë,
- 10 raste në studim urbanistik 6-8-10 kate. 

Dmth nga 76 dosje, 61 dosje me leje janë në kundërshtim me nenin 2, pika 4, dhe 5 të ligjit 9482, dt 03.04.2006 i ndryshuar “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje, i ndryshuar” si dhe të VKM Nr 438, dt 28.06.2006, “Për percaktimin e kritereve dhe procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar objektet në ndërtim që legalizohen ose jo”.  Apo rasti i dosjeve që flinin për vite me rradhë nëpër rafte, ndërsa dosje të tjera mbaronin punë brenda muajit. Ne kemi hapur në Sitin e Institucionit, një portal denoncimesh, i cili vazhdon të mbushet me dufin e grumbulluar të qytetarëve, gjatë këtyre viteve që sorollaten. 

Por sot, unë jam i detyruar të bëj një deklaratë shumë të vështirë. Ne po punojmë për të gjetur zgjidhje midis presionit të qytetarëve për të vazhduar procesin; midis kaosit korruptiv dhe nevojës për të gjetur një zgjidhje të mesme.  Nuk mund të anulohen me mijëra leje korruptive dhe problematike, por nga ana tjetër nuk mund të mbyllen sytë përpara kësaj çorbe urbane dhe për më tepër nuk mund të merremi vetëm me të shkuarën, duke lënë mënjanë zgjidhjen e problemit për të ardhmen.

Kaosi administrativ

Në tetë vjet janë bërë 4 ligje bazë që kanë të bëjnë me legalizimet, të cilët janë ndryshuar rreth 22 herë, në 180 pika të ndryshme. Plus ligjet e tjera që kanë të bëjnë direkt ose indirekt me legalizimet, si legjislacioni i planifikimit urban, legjislacioni i kontrollit të territorit, legjislacioni i regjistrimit të pasurive, etj. Këtyre ligjeve iu duhen shtuar me dhjetra vendime qeverie, urdhra të kryeminstrit, urdhra te ministrave e kështu me rradhë, e të kuptohet në çfarë komplikimi ka çuar i gjithë ky vandak ligjor, i cili në shumë raste bëhej dhe i palidhur me njëri- tjetrin, apo dhe në kundërshtim me njëri- tjetrin.  Për të mos shtuar këtu edhe akte ligjore apo nënligjore “ad personam”, që dmth akte të bëra për të favorizuar raste të veçanta, duke shkaktuar kaos në praktikën e përgjithshme.  Tek kaosi adminstrativ do të shtoja edhe një element që është për t’u vënë në dukje: që është shërbimi ndaj qytetarëve që është e papranueshme për një vend të qytetëruar. Mungesë ambjentesh pune, braktisje e institucionit, mungesë investimesh, etj.

Këtu dua të shtoj edhe kaosin në informacione. Rasti i Tiranës, ku ende sot nuk jemi në gjendje të themi numrin e saktë të vetëdeklarimeve, 29.000, 35.000 apo 37.000.

Si përfundim ka një pyetje që kushdo dëshiron t’i jepet përgjigje: 

Pse dështoi procesi i legalizimit (në 8 vjet vetëm 22.000 legalizime në 293.000 aplikime)?

Përgjigja është kjo:
- Procedura të komplikuara (20 deri 30 dokumenta / çdo dosje);
- Moskoordinim midis institucioneve ZRPP-ALUIZNI-AKKP;
- Korrupsion kapilar dhe i përqëndruar;
- Mungesa e profesionalizmit dhe ndryshimet e shpeshta të stafeve;
- Humbje e besimit të qytetarëve se shteti e ka seriozisht procesin e legalizimeve;
- Mungesë vizioni dhe vullneti politik.

1 Komente

Shabanizimi i ligjerimit te veprimeve te paligjeshme...ketu do conte !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).