Bulqiza që mbahet gjallë prej “grurit të zi” e që vdes ditë për ditë nga pak po prej të njëjtit gur. Aty ku fëmijët mësojnë që të dallojnë mes pirgjeve mineralin që lëshon xixa e që e shesin me kile, nga gurët e rëndomtë

Rugeni, 10 vjeç, thotë se mbledh krom që ta shesë e të nxjerrë paratë me të cilat do paguajë në mbrëmje karuselin në qendër të Bulqizës. “Ja ku është”, bën ai me dorë drejt një pike që duhet të jetë karuseli, por që ne nuk e identifikojmë dot në grinë e mërzitshme dhe të përzishme të qytetit, në të cilin një park lojërash as e çon dot nëpër mend. Ndryshe nga shoku i tij Geli, 13 vjeç, të cilit i mbahet pak goja dhe ka turp të flasë me ne dhe thotë se i mbledh paratë për t’ia dhënë së ëmës në mbrëmje, duke i ndihmuar familjes që jeton me këto para, dhe ato që i ati bën si ahengxhi në dasma. Rugeni dhe Geli nuk janë të vetmit fëmijë që i rropaten faqes së kodrës mbi Bulqizën e vjetër, duke rrëmuar në mbetjet e gurëve, për të nxjerrë prej aty guralecë të vegjël me xixa, të cilët i fusin në kova plastike që peshohen e shiten në qytet, por janë të vetmit që gjetëm pasditen vonë të së enjtes.

Historia e tyre është miniatura e asaj që ndodh me njerëzit që jetojnë brenda parafabrikateve dhe pallateve 6-katëshe të kohës së diktaturës në qytetin e njërës prej minierave më të pasura me krom në Evropë. Qyteti i minierës, sepse siç na thonë banorët miniera nuk i përket qytetit dhe thuajse nuk i jep asgjë atij veç bukës së përditshme, dukej sikur flinte ende mesditën e të enjtes kur ne u “përplasëm” me të, fillimisht duke u grindur me policin rrugor që na ndalon sigurisht sepse jemi me targa që nuk i përkasim zonës dhe se nuk jemi fytyra të njohura sa shoferi i një furgoni që e tall kur e sheh dhe i xhiron gomat mu në sy pasi i ka thënë se nuk e ndalon dot, dhe ikën duke u zgërdhirë. Pasi polici na ka lënë të qetë e është strukur në një nga kioskat buzë rrugës, ne ulemi të pimë një kafe me një minator sindikalist, një nga njerëzit që na sugjeruan se do na ndihmonte me emra dhe adresa të atyre familjeve të cilëve miniera që ndodhet në shpatin ku mbështetet pjesa e vjetër e qytezës, u ka “ngrënë” të afërm e njerëz të shtrenjtë. Ai ulet me ne, por nuk porosit asgjë. Ngutet thotë se do të arrijë turnin në minierë e pak kohë prej atij momenti do të jetë në rropullitë e malit prej nga nxirret pasuria më e madhe dhe ndoshta e vetme e kësaj zone, e megjithatë aty për aty fillon e kujton emrat e shokëve që nuk janë më e që u shuan pikërisht në ato rropulli mali, o të shtypur prej gurëve të kromit, o të mbytur prej shpërthimeve të gazit. Vetëm kur i zëmë në gojë se nuk po ia përmendim emrin e s’po themi që na ka treguar ai burri që nuk ka frikë të futet 2 mijë metra nën tokë, fillon e vizaton (edhe pse pa emra), tablon e një qyteze që është skllavëruar prej bandave të kromit, për fatin e kolegëve të tij që punojnë në të zezë në kompani pirate e të paregjistruara që me një shuk paresh i mbyllin gojën shtetit dhe mbulojnë dhjetëra aksidente deri dhe në paralizë të minatorëve të Bulqizës. “Me letra duhet të jenë nja 60 galeri, por kështu shkojnë më shumë se 100”, thotë ai duke përshkruar se si gjithkush me një fije pushtet apo me mbështetje të forta hije në parlament e qeveri ka mundur të fusë duart në malin mbi Bulqizë e të rrëmbejë prej aty miliona duke paguar sa për kotheren e bukës minatorët.

“Mafia e kromit”, togfjalëshin që në Bulqizë e dëgjon sa herë që flet me dikë që nuk është i kënaqur me situatën apo që është dëbuar në një farë mënyre prej fitimeve milionëshe që dalin çdo ditë (në fakt natën) prej qytetit e ikin drejt Durrësit. Minatori që takuam thotë se shteti është thuajse i padukshëm para grupeve që luftojnë për çdo centimetër të malit me krom. “Njeriu është vrarë në mes të qytetit dhe askush nuk ka shkuar në burg për vrasjen”, thotë ai duke kujtuar një përplasje me armë për të cilën u fajësua grupe rivale në biznesin e kromit e për të cilën sipas tij nuk ka as të ndaluar e as po bëhet gjyq…

Rugeni është i shpejtë dhe i shkathët, por Geli është më i madh, e ndërsa i pari ndonjëherë harron pas ndonjë loje të çuditshme me gurë dhe madje ndalon për të biseduar, i dyti është krejtësisht i përfshirë në atë që bën dhe siç pranojnë të dy Geli është ai që bën më shumë para.  Njësoj si lufta e madhe për kromin në të cilën banda të rriturish përleshen me armë apo me pako tritoli edhe ata kanë rivalët e tyre në këtë përpjekje për të fituar diku mes 3 mijë dhe 5 mijë lekësh të vjetra në ditë. Siç thotë Rugeni një grup djemsh të tjerë dhe nja dy vëllezër janë të gatshëm të të sulmojnë me kazma nëse u afrohesh zotërimeve të tyre në pirgun e stokut të ngurtë të kromit apo të sulmojnë për të ta rrëmbyer nëse ti ke gjetur një pirg më të mirë mes gurëve të nxjerrë nga miniera. Ata thonë se punojnë deri sa mbushin një kovë e më pas kova që mund të mbajë deri në 7 kg mineral dërgohet në pikat e grumbullimit, që Rugeni na i tregon sërish me dorë, por pa mundur të na orientojë. Geli që është më i kujdesshëm në ato që thotë e korrigjon herë pas herë të voglin. Të dy thonë se shkojnë në shkollë dhe punën në faqen e mbushur me gurë kromi e fillojnë pasdite. Familjet që e dinë sa e rrezikshme është aty, duket se nuk i pengojnë dot të paktën në rastin e Rugenit që shfrytëzon faktin se i ati punon në minierë dhe nxjerr mineral nga thellësitë dhe e ëma ndodhet diku tjetër. Për Gelin d nuk ka zgjidhje tjetër, vetëm librat e tij të klasës së shtatë kanë kushtuar sa 10 ditë pune në pirgjet e kromit, por ai thotë se ato ja ka blerë e ëma që ndonjëherë vjen me të në shpat për të gërryer edhe ajo më thotë në gur e nxjerrë guralecë apo copa minerali…

“Në këtë vend nuk ka asgjë tjetër veç gurëve të zi”, na thotë e veja e Dilaver Koçit, Pranvera, që sa herë kujton kromin është gati të përlotet. I shoqi jetoi thuajse gjysmën e jetës së tij nën tokë aty edhe ku mbeti pasi një “dushkë” kromi u shemb ndërsa ai po inspektonte galerinë ku do të hynin më vonë punëtorët e tij. Prej gurit të zi familjet në Bulqizë fitojnë vetëm aq sa u duhet për të jetuar, ndërsa paraja e madhe që del nga thellësitë shkon për të tjerë njerëz.  Adem Çupi një ish-punonjës miniere tani në pension kujton se që herët nënat kur i përcillnin djemtë në minierë ndaheshin duke u thënë “dalsh shnoshë”. Burri që ka kaluar një pjesë të mirë të jetës së tij duke punuar aty e di mirë se sa rrezikojnë ata që futen nëntokë dhe për sa. Ai thotë se një minatorë arrin të fitojë duke shtyrë karroca të rënda me gurë deri në 20 mijë lekë të vjetra në ditë, ndërsa një sipërmarrës po prej të njëjtës punë merr deri në 300 dollarë për ton minerali dhe në varësi të cilësisë e peshës që arrijnë kamionët e kromit deri në 12 mijë dollarë për secilin kamion. ACR kompania që zotëron edhe llokmën më të madhe në minierën e Bulqizë thotë se nxjerrë 82 mijë ton krom në një vit me një vlerë që fillon nga minimalisht 24 milion dollarë në vit duke llogaritur çmimin e mineralit 300 dollarë për ton. Përllogaritjet, sidoqoftë nuk pretendojnë të jenë të sakta, ato i afrohen më shumë minimumit dhe nuk marrin dot parasysh as cilësinë dhe as faktin që për vite me radhë çmimi i kromit ka qenë disa herë më i lartë. Sidoqoftë, fitimet që dalin nga miniera nuk kanë qenë asnjëherë të mjaftueshme që të mposhtin varfërinë, e jo më zinë prej vdekjeve që ka sjellë, në qytetin të cili siç thonë banorët i mungojnë thuajse të gjitha që nga një spital i denjë deri te ujësjellësi apo uji për vaditje për atë pjesë të banorëve që nuk jetojnë dot me minierën dhe u duhet të merren edhe me bujqësi…

Kur ne nisim të ikim Bulqiza është edhe më e përgjumur se sa e gjetëm. Fëmijë që luajnë me asgjënë në rrugët e pjerrëta të qytetit të ri dhe burra e gra që vënë stivë drurësh duke u bërë gati për dimrin. Në fakt pas kromit, grisë së pallateve të pasuvatuara, drutë e stivosura mes pallatesh e madje edhe në ballkone të kateve të 6 janë e treta gjë masive që të mbush sytë në qytetin, që mallkon çdo ditë minierën e cila sidoqoftë e mban me bukë… Me gjysmën e kovës të mbushur Rugeni duhet të ketë fituar tashmë një xhiro në karuselin e Bulqizës, ndërsa shokut të tij të gërmimit duhet t’i mjaftojnë për të blerë një bukë në shtëpinë, që tani kur nuk ka më ahengje e dasma, pret vetëm paratë e mbledhura në stokun e kromit…

Reportazh 2012

2 Komente

Memedhimbja, do thosh Emigranti. Eshte e çuditeshme se ata qe prodhojne, nxjerrin, perpunojne, fitojne 10 here me pak nga ai qe e tregton. 

Vlera e jetes...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).