I

 Skena (b)

 

Edmond Fizmaurice – Gjykatës

Ben Emmerson- Avokat mbrojtje

Zonjusha Zemza  – Padija

Lekë Dukagjini- I pandehun

Parota me njizetekatër

 

Restorant Kuvlia

Në nji tavolinë janë ulun Princi dhe Avokat Emmerson. Në ajër lundrojnë tingujt e zbehtë kangësh të vjetra.  Avokati asht i dhanë pas ushqimit ndërsa Princi me  nji gotë venë në dorë ka ngulun shikimin përtej në shprazti.

 

 

Ben Emmerson – Ëëëmm, (lëshon nji tingull kandje), me t’ lanë mendja! Asht supozue me u shërbye me njifarë kaushi,  andaj dhe letra kafe. Hapet prej nalt e t’ndukë era. (pauzë) Croquette asht thjesht e mrekullueshme.

 

Princi Princi – T’a besoj...

 

Ben Emmerson – (sheh kah Princi), S’e paske prek fare pjatën?!

 

Princi – S’jam unët. Vena po, asht tepër e mirë.

 

Ben Emmerson – T’a dish guzhinieri asht ai i trashi.  Si asht ajo fjala: mos i zen besë nji guzhinieri të hollë!

 

Princi Princi – (Buzëqesh dhe pin pak venë e pështetë brrylat mbi tavolinë)

Nji gja s’kuptoj un avokat; si ka mundësi qi ka ende njerëz qi m’ fajsojnë mue për kët gjendje të mjerueme!?

 

Ben Emmerson – Ah, fajsia miku im asht gjaja ma e lehtë në botë.  Kalon saora tangent mendjes së njanit e fill në gojë të tij me lehtësinë ma të madhe. 

Edhe ata qi s’na i merr kurrë mendja bien pre e kësaj murtaje.

Dje mora nji faks nga Kalkuta; nji shoqatë qi përfaqson të vobektit e qytetit duen të ngrejnë nji padi kundër Nanës Terezë. Ajo kinse i paska lanë ata të ngratë, të paaftë me e marrë fatin në dorë e veta tue i trajtue gjithnji me mëshirë e përkujdesje.

 

Princi Princi – S’e marr vesh, pse si duheshin trajtue?

 

Ben Emmerson – Jo me mëshirë e përkujdesje sipas tyne!

 

Princi Princi – Eh dritë e amshueshme, kush e ka tash rradhën me u përbaltë, Shen Çelia?

 

Ben Emmerson – Kush e di?  Sot paditë po ndehen si çarçafët jashtë dere.

 

Princi Princi –  Tash do  m’thuesh se edhe ti ke derdhë lott për tiraninë e juristëve?!

 

Ben Emmerson – (tue pi në gotë ban me shenjë mohuese me gisht)....Oh jo jo, un i tutem veç ligjjvansave si puna juej!

 

Princi – Ah! (qesh)

Çohet  njiherë dreqi e shkon në kët katund qi i kish dalë emni për keq e i thotë katundareve; Kam ardhun me iu prue nen ligjën teme. Ç’ka asht ligja juej pyesin katundarët: E thjeshtë u thotë ai - mos me lanë njeri me vdekë në shtrat prej lëngate. Ah, gjegjen katundarët po për ate punë ne kemi Lekën, ç’ka po na duhesh ti dhe e zajnë dreqin me sfurqe!  

(qeshin)

 

Ben Emmerson – M’ duket se e kam qenë në at’ katund, ka ujët e pusit me aftësi kuruese.

 

Princi – Githkush ka qenë në at’ katund sëpaku nji herë jetës së tij.

 

Ben Emmerson – (ndryshon ton) Mos ia vej shumë veshin fjalëve Lekë. S’iu ban mirë për shpirt.    

Princi Princi – Fjalët janë gjithçka kemi i dashtun. (mbush gotat), sa për shpirt ka kohë qi s’asht ma n’ dorë teme.

 

Ben Emmerson – Masandaj, kush janë ata njerz me dy fije mend në kokë qi mendojn sot e kësaj dite se ju jeni shkaku i vërtetë i fatkeqsive të tyne?!

 

Princi – Hm,,, i kam ndërmend nja dy a tre!

Ti duhet të buesh patjetër vetëm nji natë në kryet e mi - veç nji natë, jo ma shumë...  

Dita nuk asht dhe aq keq, mësohet njeri me çuçullimat por kur ngryset drita e zanat zejnë e kthjellohen në heshti të muzgut, veshët m’ia nisin me m’piprue me gjithnduer fjalësh: Leka kësi Leka asi, Leka nalt Leka poshtë, Leka e djathta  Leka e rremakta, Leka, Leka e pafundsisht Leka. Sikur përmendja e qellimshme e emnit tem do t’ia bante pak ma të lehtë e ma të durueshme paudhësitë e tyne.

 

Ben Emmerson – Phhhëë, (shfryn, shtyn pjatën e ndez nji cigare) Mbase përmendjen e emnit duhet me e marrë si kompliment. Përmes jush përmendet synimi i nji rendi ma i naltë, gjithnji i lakmuem po kurrë të arritun.

Natyrish qi gjatë rrugës ndeshë robi i shkretë devijime, shmangie, herë-herë kthesa të gabueme, por a nuk ndodh kjo herët a vonë me gjithë gjindjen e kësaj bote?  

 

Princi – Udha për në ferr asht shtrue  me synime të mira,  do t’thuesh.

Ah neshtrasha teme paska qenë me u tundue gjithnji prej shpirtnash t’ pezëm.

 

Ben Emmerson – Jo jo m’ndie nji cast; jo shumë njerz mund të lavdrohen qi kanë lanë nji vragë kaq të thellë në vetdijen e të tjerëve. Numrohen me gishta kësish njerzish në historinë njerzore!

 

Princi – (kërveshet) Të njajtën gja u tha për Vlad Peteshin e shif tash se ku gjindet...

Pesë shekuj pagjumsie do t’i kishin mjaftue gjithkujt me fshie prej faqes së kujtesës çdo grimë të mekët krenie. Lavdrimi s’asht pare qi mund te shkëmbehet kësaj ane.

Sa shkoj udhës lej kah pas nji deng të madh me kujtime, luzmën e tyne s’do t’i kisha zgjedhë me i sjellë kurrë ndër mendje...

Mos i ndie pra asnjiherë ata qi kallzojnë se pendesa asht nji fillim i ri e jo peshë e gjithëhershme mbi supe, as ata qi tregojnë se vdekja asht rrafshues i madh e jo rrëmyes i pandalun i asaj qi ka kalue. (hesht)

 

Ben Emmerson – S’ do kisha dashtë  me i vanë veshin as atyne qi pa të keq kanë vendosë në 22 % ratën e bakshishit me thanë të drejtën...

 

Princi – Çmimi qi pagon për nji couppo misto të kësaj cilësie!

 

Ben Emmerson – Seriozisht Lekë e kuptoj ironinë, për besë e kuptoj - nji princ i drejtë e i urtë qi nuk u mjaftue veç me u mbajtë në virtytin e prijsit me sundue mbi polemin e tij por çeli gjykimin për çdonjanin me nji ligj të pranueme prej të tanëve.

 

Princi –  E di e di – mandej gjithçka u kthe përsëprapthi - ata qi banë njimijë-e-nji të zeza u lanë t’ prehen n’ qetsi vorreve t’harruem ndërsa un përgojun nalt e poshtë për të tana arsyet e gabueme...

Kjo i dashtun vuen kah sindroma “sikur t’ishte” e tashma askush nuk asht ma i interesuem në “sikur t’ishte” !!! (zhurmë ne guzhinë)

 

Keni ndie ndonjiherë epigjenetikën?

 

Emmerson – Jo, çka asht?

 

Princi – Gjithçka qi mund të ndikojë në gjenetikën e robit përveç trashigimisë fisnore.

 

Ben Emmerson – Interesante.

 

Princi – Natyrisht qi do kohë qi nji ndryshim i kësisojtë t’ marri nji farë formë. Fjollet ma të imta kalojnë  ndër eshtna brezni pas breznie derisa marrin ndonji trajtë të dallueme, njisoj sikur uji laton me rrejdhë  thepat e gurëve.

 

Ben Emmerson – Pak si ajo pyetja; “A e din pse asht shqiptari nevrik”?

 

Princi – Se e lidhin qysh të vogël në djep! (qeshin). Diçka e kësisojtë, veçse kët herë bahet fjalë për vite të tana, mbase qindra vjet.

Kushedi pesëqind vjetshi tem çka kish mund me sajue?

 

Ben Emmerson – Po a nuk pëgjysmohen gjenet e robit me çdo brezni qi shkon?

 

Princi – Ëhë, (me aprovim) Ti ndan çerekun e gjeneve me gjyshin dhe nji të dymbëdhjetën me stërgjyshin.

Po t'i vesh mendjen dallon se vija fisnore e njerzve sa vjen tue u hollue ndërsa e jemja vjen tue u gjallnue.

Merre me mend un mund t’ jem ma shumë ma afër dikujt sesa paraarrdhsi i drejtëpërdrejtë i tyne.

 

Ben Emmerson – Mendim i frigshëm! Nuk qenë krejt pa vend edhe prrallimet e njerzve qi ti bjen farefis me gjysëm e vendit.

 

Princi – Ky mendim do kish me tundë me rranjë lisin ma t’ motçëm.

 

Ben Emmerson –  T’marr ndonji gja t’ ambël për me t’ qetsue idhnimin?

 

Princi –  Jo për mue faleminderit, s’po e ndalim fillin e idhnisë – po marr nji kafe,,, (ndez nji duhan)

Çdo çap i vogël asht tash i përmasave gjigande, çdo grimë kumti asht kthye në përmendore trishtimi. Siç duket jam i përgjegjshëm jo vetëm për ato qi jam i përgjegjshëm!

 

Ben Emmerson – S’po të marr vesh?

 

Princi – Un për shembull duhet t’gjegjem për gjana qi s’mund t’i merrja dot me mend e jo ma t’i parashikoja. S’e kam fjalën për at parotën qi jan ndenjë atyna, (shënon me gisht ne krah). As do m’u bante vonë pra ta!

Do t’ gjegjem për zhvillim e humbun, për ligsinë në zemra, për zbulimin e armëve, për shpikjen e barotit, për premjen e pyjeve, për pesëqind vjet përgjumje...

 

Ben Emmerson –  Duhet t’ heqni qafe kët zgiedhë, s’jeni me faj për veprimet e çarta të çdo idioti.

 

Princi – Faji dhe sinori!

Gjithçka qi doja n' jetë qe qi t’ mbahesha mend për mirë.

Po tash cilli do të jetë mirazi i jem?

 

vijon...

1 Komente

Pres vazhdimin shumë i ngadalë me kto pjesët.

Dialogu pak disi i zgjatur e pa nerv tek këta të dy.

PS; mirë do të ishte mos e përdorësh lidhësen qi por që.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).