Mbi përmbledhjen me tregime dhe novela “Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit”, të Ismail Kadaresë; botimet ONUFRI, 2013.

Sot, pak shkrimtarë përdorin shprehjen “e hodha në kosh”, sepse koshi i shkrimtarit nuk ekziston më as virtualisht në epokën e kompjuterit, duke e bërë të pamundur historinë e një shkrimi, pasi ajo që mbetet, është vetëm varianti përfundimtar. Dhe kjo histori do të ishte mjaft interesante për t’u analizuar. Po kaq interesant është edhe analizimi i procesit të një shkrimtari në vite, pra zhvillimi vertikal. Për kureshtje por edhe i një rëndësie studimore, është botimi i fundit i Kadaresë, “Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit”, në të cilin janë përfshirë tregime dhe novela të shkruara brenda një periudhe 60-vjeçare, gjest i cili do të konsiderohej padyshim një gjest kurajoz. Për më tepër, kjo përmbledhje merr një kuptim të dyfishtë, e parë edhe si një kronologji letrare e shtrirë në dy epoka politike.

Në zonën neutrale

Edhe pse një nga tregimet e tij më të hershme (1962), tregimi “Provokacioni” është çuditërisht njëri prej tregimeve që të mbetet më shumë në mendje, kryesisht për shkak të gjetjes: ushtarakët e një poste kufitare, të cilët bëhen pré e një provokimi nga pala tjetër në shtetin fqinj, për shkak të bllokimit nga dëbora, ndërprerjes së ndërlidhjes telefonike, e marrin vetë situatën në dorë, duke pranuar të kurojnë në postën tonë të plagosurit e shtetit fqinj, me të cilin ishim në armiqësi. Pra, një rastësi ideale për të ekspozuar sjelljen njerëzore, në rrethana ekstreme dhe larg urdhrave politikë. “Për humanizëm”, e justifikon doktori këtë gjest,  kur nocioni i “humanizmit” nuk ekzistonte në terminologjinë komuniste të asaj kohe. Ngjarja ndodh gjatë Krishtlindjeve. Dhe mirësisë dhe tolerancës së palës shqiptare, pala tjetër në fund i përgjigjet me dhunë, duke bërë masakër mbi ushtarakët shqiptarë. Çuditërisht, shumë vite më vonë pasi është shkruar ky tregim, filmi “Toka e askujt”, një film mbi absurdin e luftës, i cili bëri shumë bujë, kishte pak a shumë një situatë të ngjashme: gjatë Luftës së Parë Botërore, dy palët që ishin në luftë me njëri-tjetrin, bashkohen për të festuar Krishtlindjet, por që të nesërmen u kthehen llogoreve për të bërë detyrën: për të vrarë njëri- tjetrin.

Por, pavarësisht mbylljes së sforcuar e disi të dhunshme të tregimit edhe për vetë shkrimtarin, dhe ndjesisë se mungon një kapitull midis, tek “Provokacioni” gjejmë imazhe të cilat gjenerojnë ide që shkojnë përtej kësaj zgjidhjeje ideologjike ksenofobike të kohës, siç është imazhi emblematik i trupit pa jetë të vajzës, midis kufijve, pikërisht në zonën neutrale. A mund të lexohet ky tregim në një kontekst tjetër? Falë lirisë që më jep leximi, ky imazh rezonon diçka shumë herë më të fuqishme se vetë ngjarja: vetëm të vdekur, ne nuk i përkasim askujt.  Dhe ndoshta tregimi ka një lëndë të mjaftueshme për roman, por a është e mundur sot? Vështirësia e rikthimit të autorit në të njëjtin subjekt qëndron në faktin që dija, përvoja, qartësia, sa janë të rëndësishme janë edhe penguese, sepse të pozicionojnë. Sadoqë, është pak e vështirë (sidomos pasi ke lexuar edhe tregimin më të hershëm të Ismailit “Në dheun e panjohur”, të cilin ai e ka shkruar në moshën 17-vjeçare) të jesh i sigurt, që Kadare  kishte iluzione mbi realitetin shqiptar. E keqja është se për t’i dhënë formë të besueshme ngjarjes, sidomos karaktereve, duhet t’i besosh asaj që krijon. Në letërsi ka dy zgjedhje: o ta besosh, o ta refuzosh diçka. Në kushtet e një shtrëngese të tillë ideologjike në kohën që është shkruar ky tregim, mund të funksiononte një mekanizëm tjetër, i ndërgjegjshëm, ai të cilën unë e konsideroj si një “zonë neutrale”, që është: vetëmanipulimi, ose bindja e vetvetes. Përndryshe, do të ishte e vështirë që në një tregim të tillë si “Provokacioni”, të mos i shpëtonte ndonjë notë e herëpashershme ironie. Madje edhe ëndërrimi i vendeve të ngrohta gjatë izolimit nga dëbora, dhe shprehja “tani më merr malli për gjithë ato krahina që përmendte Radio-Tirana në emisionin e lajmeve të orës 8” duket sa groteske, e sinqertë por aq edhe prekëse (e lexuar sot), por jo ironike. Edhe pse të indoktrinuar (gjë që del rrallë në dukje), ushtarët trajtohen me një lloj ndershmërie emocionale nga ana e autorit.

Loja me mitin

Edhe në këtë përmbledhje, duket qartë shumëllojshmëria e formave letrare si alegoria, satira, dhe mitologjia, të cilat, pa dyshim, në atë kohë shërbenin si një mënyrë për t’iu shmangur censurës letrare.  Trajtimi i mitit, sa të jep dorë, aq edhe të bëhet pengesë, për shkak të zgjidhjes së paracaktuar. Por tek tregimi “Martesa e gjarprit”, ashtu si edhe tek “Doruntina..”, shpjegimi është kaq logjik dhe i argumentuar, me një diapazon aq të gjerë imagjinate dhe me fuqinë kalkuluese të një detektivi, saqë, megjithëse e njeh fundin e mitit, zhgënjehesh që nuk gjen një fund tjetër. Pra çdo gjë midis, limfa e tregimit, i përket një realizmi gati të ashpër. Një nga karakteristikat kryesore, që me sa duket e bën kaq të pëlqyeshëm prozën e Kadaresë, është ajo e cila është ruajtur dhe perfeksionuar në vite: intriga, arsyetimi i fuqishëm logjik, organizimi racional i imagjinatës, e cila krijon sistem ose stil. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për “Dimri i fundit i vrasësit”, një qasje tjetër ndaj “Makbethit” të Shekspirit, ku autori krijon historinë me atë që lexohet midis rreshtave të dramës klasike, duke zbuluar bazën psikologjike të krimit, duke shmangur pathos-in, e duke hyrë analizuar hijet e ndërgjegjes njerëzore, ku gjithçka bëhet e justifikueshme, sidomos në një luftë brenda llojit. Të kuptuarit është hapi i parë i pranimit të diçkaje, thuhet.

Pra, tek Kadareja gjejmë realizmin psikologjik, i cili ekzaminon prej së afërmi aktivitetin kompleks të mendjes njerëzore, pavarësisht se si tek dramat e Ibsenit, gjejmë elementë të fuqishëm simbolikë, të cilat kanë një strukturë e ngjeshur thurjeje përtej simboleve.

Rikrijimi i mitit, ndodh si një rizbulim tek Kadare, ku simbolet krijojnë një devijim kuptimor.. Fjala vjen tek “Lëkura e gjarprit”, janë fjalët e gjarprit-dhëndër (“askush nuk mund ta dijë kurrë me kë e bën një pakt. Me veten tende, me sa duket”), që përcaktojnë kthesën, dhe krijojnë kontekstin e ri. Dhe kjo lëkurë digjet, askush, as njeriu më i afërt, nuk të pranon shumë ndryshe nga vetja.

Edhe temat historike, përbëjnë një lloj kufizimi në vetvete, dhe çështja është si do të luhet midis ngjarjeve të paracaktuara. Në tregimin “Raporti i fshehtë”, një nëpunës i Perandorisë, Tuz Efendiu, vjen me detyrë të bëjë një raport sekret hulumtimi për varrin e Skënderbeut, trupi i të cilit, ishte zhdukur pa e ditur se ku. Kërcënuese rri pezull analogjia me trupin e Krishtit, lavdia e të cilit, filloi pikërisht në momentin që trupi i tij nuk u gjend në varr. Dhe misioni i Tuzit kishte të bënte me frikën e vezirit, të cilin një mistik e kishte paralajmëruar se një varr i zbrazur do të jetë fund i tij. Duke qenë se nuk mund të ketë një version letrar të ndryshëm nga ai historik mbi eshtrat e Gjergj Kastriotit, autori e kthen vëmendjen e tij në fatin e mesazherit, pra të hetuesit, Tuzit, i cili vritet nga duart e njerëzve të tij, për një arsye që mbetet sa enigmatike po aq edhe simbolike: paaftësia e perandorisë për t’u përballur me faktin (cilindo fakt) e një vdekjeje- legjendë, a thua se zhdukja e vetë nëpunësit të nisur me mision për të zbuluar të vërtetën e varrit, do të varroste përgjithmonë mitin.

Brilantet dhe koha

Tregimi “Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit” i shkruar së fundmi, është diçka midis tregimit dhe esesë (duke pasur parasysh shkallën e lartë estetizuese), dhe bën fjalë, për një takim rastësor në një vend të huaj, me një zonjë, që i përkiste familjes mbretërore shqiptare. E gjithë atmosfera vërtitet rreth tre imazheve kyçe: brilantet, violina, dhe latinishtja. “Kush ishte vonuar..?”- shprehet autori, një pyetje që bën ndarjen midis zonjës së familjes mbretërore dhe brilantit, mitit dhe realitetit, perceptimit tonë për një epokë të ndritshme dhe historisë së vërtetë në kampet e internimit. Brilantet, ashtu si violinat dhe latinishtja, nuk kanë kuptim, nuk kanë jetë, pa mbartësit e tyre. Dhe zonja e brilanteve, ose një “Kareninë pa Vronsk”(siç e quan autori), e ndarë midis mitit dhe realitetit, e pajisur me një dialekt dhe me një sharm impresionues dhe arkaik, e mban vetë tregimin në një nivel midis reales dhe sureales.

“Për të harruar një grua” është një tregim tjetër për kohën. Protagonisti kërkon të fshijë nga kujtesa e tij njohjen me një grua, pra, gruan, por “fshirësit e kohës” merren vetëm me vitet e katastrofave natyrore, ngjarjeve historike, ngjarjet kolektive, ku duket qartë, se fati i individit është i papërfillshëm brenda nocionit “kohë”.

Shmangia nga vulgarja është gjithashtu një tipar i qenësishëm i prozës së Kadaresë, që ka edhe koston e vet. Por, fundja, çdo lloj letërsie, është projeksion i një stil jetese, që është jeta e shkrimtarit. Tek Kadare, si pjesë e realizmit, karakteret nuk do të bënin kurrë ndonjë gjë që nuk është logjike dhe që nuk është e pranueshme në natyrën e tyre realiste, apo që nuk i përgjigjet konceptit  tonë mbi atë që tashmë jemi edukuar të presim. Kështu që, duke e njohur karakterin në një episod, lexuesi mund të parashikojë sjelljen e tij në aktin tjetër.

Ashtu siç e përmenda më sipër, për disa prej tregimeve të hershme, sinqerisht do të vija në dyshim kohën kur janë shkruar. Mosha, përvoja, informacioni, i ndihmojnë saktësisë dhe pasurimit të stilit, por inteligjenca letrare (në opinionin tim, Kadare është më shumë inteligjent se intuitiv), me sa duket i jep frytet e veta që në fillim.

11 Komente

Sapo i  lexuam  opinionet e  Saj  rreth  prozes se Tij dhe vendosem unanimisht  qe  ne  te ardhmen e afert Lleshanakun ta preferojme  vetem si  poete.

take, me duket se nga inoti gamorit je duke i ra samorit, sepse shkrimi i poetes eshte ne nivel te poezise. Mu me pelqen shume, vetem grate mund te shkruajne ne kete menyre dhe me kete lloj sharmi. Thjesht dhe bukur.

Perveç te tjerash ka kap tek Ismaili pjesen e tij me te mire. Me vlejti edhe si informacion i ri sepse nuk e njihja tregimin e tij per kufitaret armiq, me skenar qe paraprin filmin e famshem te ushtareve armiq qe festojne Krishtlindjen. Eshte vertet merite e Kadarese kjo gje, aq me teper se ka bere vaki edhe per veper tjeter.

take, desha me te thone diçka qe e kam pas prej kohesh nder mend me ta thene. Ke nje hidhesire te papame neper komente. E kam fjalen me teper si stil. S'kam pa ndenjehere fraza letrare ne shqip te kene kaq LHL brenda. Ishalla edhe ti je nick letrari, dhe jo person i vertete, sepse nuk e di se si mund te hash nje pjate me makarona mbasi keput te tilla fraza per persona gjalle e shendoshe e qe mund te lexojne.

 

hero, ne asnjehere nuk e vume ne dyshim  faktin qe ty te vlejti  informacioni i ri, por nuk deshem ta thonim qe ne fillim. Sidoqofte rri i qete  se Sashenka  beri sikur nuk e kuptoi lidhjen mes  fjaleve  "kufitar" dhe "pjate  me makarona". Ishte ne forme  Sasha  sot. Plus qe  i erdhi  per  vizite  edhe qiraxhesha e  re  e  katit  te  pare, e cila  pasi  i dha  doren  i  peshperiti me dashamiresi "Sa e lumtur  jam qe nuk ia vure emrin Elidon ose  Amarildo  cunit!". 

 

Mund te kisha thene edhe "birre me berxolle" ose me mire si me e kohes "birre (bavareze) me salçiçe", por preferova makaronat si pjate me e pafajshme, me universale dhe me me shume kalori.

Si i thone acidi grryen enen e tij, pa per mu bej si te duash, edhe me Sashenken.

Ndoshta nuk e di, e mund te vleje si "informacion i ri" kufitar: inxhinieri sovjetik qe shpiku armen "Katjusha" i vuri emrin e vajzes se tij. 

 

 ... 'proud of your talk, heretik (smiley):

nje hidhesire ..... neper komente

te tilla fraza per persona gjalle e shendoshe e qe mund te lexojne

si pjate me e pafajshme

 

" Letersia si Proces...? " Procesin nuk po e gjej moj Luli !

 vetëm të vdekur, ne nuk i përkasim askujt

po kete thagme nga e gjeti kjo? si keshtu!

alba1, perfshihet ne ato metaforat, .... qe u shpetojne poeteve...! Eshte nje mode sot , qe kush shkruan e permend te Kadarese, mund te kepusi sa te mundi ....se i zene vend.Po kjo nuk me duket gjer aty .

eh...

futja katundit thuaj.

po gjene mire qe ka nderruar objekt te pakten, na ben analiza librash se i mbeti ora tek diktatura edhe pas 20 e ca vjetesh. 

Meqe poetes prozatore po i beni "proçesin", si avokat mbrojtes shpjegoj se perderisa shkrimi trajton krijimtarine e hershme te Kadarese, vetvetiu behet fjale per letersi ne proçes, ne kuptimin se mund te tregohet sa ka ndryshuar Kadareja i pare, me Kadarene e dyte (dhe Kadarene e trete, qe nuk i pelqen shume syresh). Ky eshte proçes ne letersi, neqoftese se ka. Gje qe shkrimi indirekt e ve pak ne dyshim.

Dhe ka te drejte qe e ve ne dyshim, perse te ndryshoje ne proçes letersia, perderia nuk ka ndryshim ne proçes ne politike? Dmth qe ne thelb vazhdon gerr-verri midis kamuniste dhe diversante ne lidhje me interpretimin e "Proçesi" te Kafkes.

 

Me qe e gjete se po i bejme " procesin" dhe u tregove i gatshem si " avokati mbrojtes" , lejo ate seancen Paraprake qe quhet e " pajtimit" qe dhe te degjoshe, se kur flitet per proces ne letersi, behte fjale per " fryme", rrymen per dukuri te pergjithshme e cila tentonte revolucionarizoje krijimtarine letrare, njeheresh kulturen e nje kombi dhe as sesi retushimet e krijimtarise se nje shkrimtari, qofte sikur ai te jete flamurtari i nje fryme te tille.Letersia ne keto vite ka nje ngecje te dukshme.Krijimtarite e mirfillta letrare me se shumti po vuajne duke germuar ne te shkuaren, pa vizionin e kombit per te ardhmen.Kjo po duket tek penat e medhaja.Sidomos tek Kadareja..
Nuk paska ndryshime ne proces, ne politike? Thelbesore jane ndrydhimet social- politike. Letersia qe duhet tu paraprinte eshte jashte loje.Te medhenjte e dikurshem ka kohe qe " heqin vetullat "...Pra nuk ka nje proces, nje fryme qe t'i pergjigjet atyre qe kane ndodhur, per mire por edhe per keq...Rinia, e ardhmja 47 perqind ngelse edhe ne lenden e letersise.Kokat e medhaja mblidhen per te hequr a per te shtuar ndonje germe...te cilat vertetojne ato gerr- merret qe thoni Juve...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).