Muzgjet e dhjetorit mbase janë më të shkurtër, e psonisjet e tij mbase më të gjata - kur dola nga shitorja gjigande u habita se si nata kishte rënë sakaq. M’u kujtua ajo që kisha lexuar dikur në një tregim të Kadaresë: kur nata bie në mungesën tënde, ajo ka diçka të pabesë. Nata nuk pranonte të tregonte hollësi, dritat e semaforëve kishin alarmin e dhënies shpirt dhe tabelat e stërmëdha në qiell veniteshin të rraskapitura. Edhe vijat ndarëse të rrugëve mbaronin papritur në një hon terri që të vinte shumë afër e përballë. Nje lodhje asfalti ishte kacavjerrur gjer tek fenerët e vëngër të makinës.

Duke u munduar të ndiqja vijën e bardhë, qysh në kryqëzimin e parë u gjenda në korsinë e gabuar, të caktuar vetëm për kthesën djathtas, kur duhej të vazhdoja drejt për tek rruga shtetërore që më shpinte fill e në shtëpi. Pasoi ai ngurrimi i shkurtër: të ndaloja me ngulm duke penguar të gjithë ata që vinin pas  meje, derisa rreshti i makinave në të majtë të kalonte e të vazhdoja pastaj drejt siç duhej, apo të kthehesha sidoqoftë djathtas dhe të gjeja një mënyrë për të dalë më pas në rrugën shtetërore. Një bori padurimi nga pas i dha fund mëdyshjes sime. Mora djathtas.

Me sigurinë që së shpejti do shihja një tabelë me drejtimin për rrugën shtetërore, u zhyta drejt territ bashkë me rrugën e panjohur, e cila nuk donte të kishte të bënte aspak me mua. Nuk më ftonte dhe më thosh një “si të duash” pas çdo jardi të kafshuar pa dëshirë prej meje. Por unë isha shpërfillës, do apo nuk do ti, diku do kthehesh për tek rruga shtetërore, i thosha me vete rrugës, ndërsa bishti i saj herë-herë gjarpëronte, por pa u bërë megjithatë kthesë. Ishte një rrugë kokëfortë. Por jo më kokëfortë se unë. Kot bën naze, i thashë, të gjitha në Romë përfundoni. Dhe i jepja gazit me një ndërkryerje të lehtë. Ndonjë makinë e rrallë që shfaqej përballë, avitej me shpejtësinë e pandryshueshme që ta jep siguria, të cilën unë kisha filluar ta humbja tashmë.

Kryqëzimi i parë erdhi dikur, por pa asnjë përfundim. Emri i vendit ku të çonte degëzimi i rrugës ishte i panjohur. Kjo zonë nënqytetëse ishte zhvilluar vetëm së fundi dhe emrat e vendeve nuk më thoshin asgjë. Rrjeti i rrugëve i ngjante atij të kapilarëve ushqyes së një gjetheje të tharë. Ja një degëzim tjetër që të çonte tek “Pesë pikat”. Five points. Pastaj një tjetër tek “Rrethi i brendshëm”. Inner circle. Terr dhe provim gjeometrie.

Më në fund një qendër po afrohej. Nuk kishte asnjë shenjë të drejtpërdrejtë të saj, thjesht ai thërrmim pavetor drite nëpër ajër, i shpërndarë si polen nate, dëftente një qendër. Më në fund! Dritat u bënë namëta të qarta. Ishte një market place. “Publix” u shqua së largu, me të gjelbër, tamam ngjyra e shpresës. Sa më tepër ai afrohej, aq më shumë bindesha se ishte “Publix”-i im, ku shkoja pothuaj përditë, edhe kur nuk doja, një nga tempujt e mi të ditës zakonore. Nuk ishte shitorja e parapëlqyer, por e rutinës. Publix. Ku konsumohesh duke konsumuar. Dhe "ku psonisja është një kënaqësi". Në anën tjetër të rrugës u dha CVS Pharmacy. Melhem për plagë. Kujdes lëkure. Incontinence. Dhe ngjitur me të “Cleaners”, i cili manaxhohej nga kinezë që dukej sikur komplotonin vazhdimisht. U lehtësova; nuk e dija që tek market place i im vihej edhe nga një rrugë, së cilës nuk i dija as emrin… rudha sytë që ta dalloja si quhej në tabelën e saj lëkundur lehtë mes një pluhuri neoni: Rruga e Teknologjisë. Hmm, po plakesha, si nuk e kisha vënë re më parë këtë rrugë?

U dhashë i plotësuar në shesh, pika e karburantit “Shell” ishte aty, guacka dhe të verdhët e tij rrekeshin të rrezatonin ngrohtësi, por pa mundur. Kinezët e “Cleaners”-it po mbyllnin dyqanin, duke më parë me një mosbesim komploti. Në fakt isha unë që po shikoja me mosbesim. Kishte diçka të huaj në ajër. Megjithatë. Prapëseprapë. Sidoqoftë.

Nuk ishte market place im. Nata ishte vërtet e pabesë. Copërat e sigurisë sime ranë së bashku me disa shishe birre të thyera anë rrugës. Xham i gjelbër. Publix, ku blerja do të ish një kënaqësi.

U nisa rrugë pa rrugë, pa ajrin e luftës, me një të grahur mercenari tashmë. Market place tjetër u dha pas 5 minutash, me të njëjtën fani, “Publix”, CVS, Cleaners, Shell dhe ca dyqane pa emër. Nuk isha aq fillestar sa të gëzohesha para kohe tani. Nuk ngopesha me lugë të zbrazët. Pas pesë minutash të tjera mbiu nga nata i përpiktë market place tjetër. Publix. CVS. Shell. Dhe pas pesë minutash tjetri. Do shqetësohesha sikur ky të mos kish dalë nga ajo rregullsi e zezë. Pata një marrje mendsh, me siguri nga ndonjë helmim i lehtë. Kurrë mos bli “Chef’s specials”. Telefoni gjithëditës celular me sistem navigimi rëndoi në xhep, si një plak i bezdisur që ka të drejtë.  Mjaft që ta prekja disa herë, dhe kjo odise merrte fund. Por kjo do nënshkruante edhe humbjen time.

Ndalova në mes të market place, ku makinat e parkuara të blerësve ishin rralluar së tepërmi. Jeta po bëhej gati të flinte aty jashtë. Kjo nuk të shkaktonte ndonjë panik, thjesht një trishtim karbonifer përzier me të hidhtën e kotësisë. Një ndër blerësit e fundit doli nga Publix. Nuk u besova syve, ai ecte si unë, ndoshta jo tamam si unë, por xhakaventoja jeshile për shi ishte si e imja, blerë në “Burlington, the coat factory” para pak kohe, me çmim të rrëgjuar, kapuçi i saj mbi shpinë na bënte aq të ngjashëm gjithësesi, dhe kur tjetri arriti tek makina e tij, desh thirra me zë “mos!” - edhe ajo ishte si e imja. Aty për aty më hipi dyshimi se mos ai boti ishte vërtet një unë. Eksperimentet e NASAs dhe dosjet X nuk e kishin për gjë të na mbillnin mbi mur si bojaxhiu një mostër përsëritëse. Si do e merrja vesh, ata ta fshinin kujtesën. Të linin aty gjëra pa rëndësi, netë të vjetra ku rruga nuk humbte kurrë, ku pas fushës së sportit vinin ca shtëpi me pupulit e më pas një shkollë me emër tingëllues: “Kushtrimi i Lirisë”. Zilja e pushimit të madh.

Një tepsi feste me gurabie të së njëjtës formë u nder përpara meje, e ngrohtë, dritëndezur, me avull pas xhamash. Deli. E ndoqa tjetrin që mori rrugët e panjohura për mua, por të njohura për të, derisa u fut në një mëhallë si e imja, hapi një garazh të ngjitur me shtëpinë si i imi, dhe para këmbëve iu hodh një maçok si i imi, që mjaullimën e kishte si çangë vakti për ngrënie. Ding ding! Jingle bell, jingle bell, jingle all the way.

All the way. All the way. Pa fund. Një spanim që nuk shtrëngonte asgjë. Jingle all the way… Seç erdhi një si erë vanilje. Klithma “nuk dua!” u mbyt nën ballin tim që po prehej mbi timon, ku koka më kish rënë si kokë dëshmori, pa prodhuar dot baluke. Parku i market place ishte boshatisur gati krejt.

E shkula ngadalë celularin nga xhepi. Maja blu e një shigjete regëtiu lehtë nën ekranth. Thuaje destinacionin. E afrova celularin tek goja dhe iu ckërmita gjithë mllef me adresën alfanumerike të banesës sime.

20 Komente

Si gjithmone, mua me pelqejne me shume ato gjerat qe i shkruan ne amerikance ose keto qe jane per ameriken.

GAT?

 Real men don't ask directions ... they give them !smileysmiley

That's fucking true man. Real men nuk download google maps either. smiley

një bori padurimi nga pas i dha fund mëdyshjes sime. Mora djathtas

 

----Perse Emo .. Perse,  smiley   majtas doje te shkoje , majtas te shkoje, mullar te behej trafiku pas teje smiley , S'te lene rehat keta te djathtet te kthehesh majtas smiley

  Keto majtas,djathtas me kujtuan nje barcalete:

Saliu diku ne Europe,ne nje ambjent te panjohur ne pritje per te dhene nje interviste.Po i shpetonte dhe pyet  per halene. 

_Ne fund te koridorit, kthehu majtas- i thone.

_Majtas?? Une ne breke e bej dhe majtas nuk kthehem !

*

Emigrant,me pelqeu,shkruar bukur. E di kete ndjenje kur je i humbur dhe nuk do te dorezohesh. Kryenecesi e pafuqise. Nje lloj hakmarrjeje.Nga jashte dhi e zgjebosur, brenda bishtin perpjete. Por nuk eshte gjithmone aq gabim sa duket. Per shembell, ti ne rrugen tende letrare me dukesh se mund t'i  biesh botes verdalle neper nate po telefonin nuk do ta perdorje kurre. Mos e perdor, them edhe une.

 

E shkula ngadalë celularin nga xhepi.

E shkule.... ngadale? Wow!

Pse cfare shikon gabim aty!

Asgje! Me çuditen termat. 

Mbete te Publix o shok. smiley dukesh qe je nga south-i. smiley 

Ska faj emoja jo. ne publix ti je mbret, ne publix eshte edhe moda.

Emigrant, a ka mundesi mos shkruash me  per kshu vendesh? smiley

Kjo rrefenje e bukur ka nevoje per nje kuader ilustrues la Voce del Padrone.

Edward Hopper is one of the most interesting painters of the 20th Century. Hopper's subject matter comes from the common features of American life (gas stations, motels, apartments, restaurants, theaters, railroads, offices, and street scenes) and the people who inhabit these spaces. ... His figure paintings focus on the subtle interaction of human beings with their environment. There are solo figures, couples and groups and the works carry the emotional themes of solitude, loneliness, regret, boredom, and resignation. They have a film-like quality as if something has happened or is about to happen.

 

eh sa po vujn emigrantet ne amerike globalizim total kthehuni mor njerez ne Shqiperi ka vetem nje TEG dhe zbehen dy kurre, ka veshje te shumellojshme te GABI dhe çdo njeri ka stilin e vet

p.s. emigrant e lexova me kenaqsi

~~“Publix”, CVS, Cleaners, Shell

ke harruar te shtosh walgreens , gjenden across the street nga CVS  e shesin te njejtat gjera.

me pelqeu shume.....shkrim real ....vertet perseritja rutina ketu ta merr shpirtin....shume rralle ka "special day", ose nje ndryshe "market place".....por ne fakt une vet pelqej me shume rutinen se ndryshimin...cdo dite ketu ndjehet e njejte si kjo histori e shkurter por shume e vertet....

thanx bro.
 

Provoj ta lexoj letersine e emigrantit, por nuk arrij shume - s'e di pse. Mbase teper e holle per durimin tim te pamjaftueshem per t'i shkuar deri ne fund. Pa dyshim qe duhet te jete e persosur.

 

Well, ke dhene nje perkufizim goxha te mire per letersine e keqe. Por nuk shkruaj dot ndryshe.

Falemnderit qe ke provuar. Sinqerisht, kjo eshte gjeja qe enderron cdo njeri qe shkruan, qe dikush t'i fali nje 5 minutsh nga koha e vet. Gjasat per kete jane pothuajse zero, kaq e madhe eshte oferta e teksteve, ndaj ma beso ket falenderim. Numri i njerezve qe rreken te shkruajne shtohet, ndersa i atyre qe perpiqen te lexojne pakesohet dita-dites. smiley

Cheers, man!

 Faleminderit juve dhe ju kerkoj falje per kete pohim keshtu. Nuk e ka fajin letersia pse vrapoj me 4-5 pune njeheresh neper duar dhe kam harruar zakonin e shkuar te perhumbjes me nje liber - koha (e plot te tjera) na ka ndryshuar. Por besoj duhet te jete qe edhe lloje te ndryshme shkrimesh kerkojne lloje te ndryshme vemendjesh dhe mendoj se letersia jote kerkon nje perhumbje te madhe si te thuash, emigrant.  Provoj gjithmone me shpresen se do jete me e lehte kesaj here. Nderkohe cikli i probabilitetit (pa formulat) dhe fantascienca e komunikimit (gjysma e pare) u lexuan me kenaqesi te madhe - prurje te rralla (them) per kete faqe.

E afrova celularin tek goja dhe iu ckërmita gjithë mllef me adresën alfanumerike të banesës sime.

Ne epoken e erret b.gma (google map app), apo ne Dark Ages para iluminizmit nga google map app, o tmerr aventurat dhe mallkimet e perendise se pameshirshme te sensit te orientimit.  Nje here neper rrugica ne Westchester ... me mire pa detaje, po le te themi qe Odisea e Ymerit qe trendeline e kenge para peripecive dhe verdallosjes kohes.  Pershtatur per milje/hr, inflacion shekullor e te dhena te tjera. 

emo, "dhe drita e google map app perpara do te na shpjere" na tha Naimi po ku degjon PF-ja smiley

Me pelqeu rrefimi.  Sikur po e udhetoja vete.  Publix eshte version jugu i super-marketeve?

Do rishikoja ndonje gje te vockel.  Togfjaleshi "rruge shteterore" psh, per lexuesin/lexuesen shqiptare mund te jete i paqarte meqe termat "state, local roads" jane ndryshe. 

 

Me pelqeu si shkrim. Me kujtoi shume qarte nje ndodhi te ngjashme ketu e disa vjet te shkuar kur me makine udhetova ne nje humbetire te Baltimore per nje dasem. Te njejtat dyqane, te njejtate fytyra, te njejtat rruge qe perseriteshin si makth i keq per ore te tera. Shume sureal eshte ai casti kur perhumbesh ne ate mjegull komercializmi. Dicka midis epifanise dhe endrres se keqe, ose me sakte te dyja se bashku ku fatkeqesisht e dyta fiton. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).