Dalëngadalë muaji nëntor u mbyll, ka nisur…dhjetori, dhe skenat e paharrueshme të protestave të nëntorit, që përfunduan me festën e fitores në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë, sikur po zënë vend në atë pikë të ndërgjegjes që quhet kujtesë. 

Jeta politike dhe shoqërore i është kthyer rutinës. Debate në Kuvend, debate në media, arratisje të burgosurish nga një burg i sigurisë së lartë, aksidente në rrugë, pingpongu “e ka kush e ka”, shpërblimi i militantizmit me poste shtetërore,  jeta shqiptare duket se vazhdon të përsërisë  vetveten në të keqe dhe në të mirë…
Në një masë është e kuptueshme sepse rutina ka qenë, është dhe do të jetë bashkudhëtare e jetës sonë dhe jo vetëm në këtë shoqëri, por në çdo shoqëri. 

Por në bindjen time asgjë nuk është më si më parë në Shqipëri, asgjë nuk mund të jetë siç ka qenë. Sepse ka ndodhur Nëntori i protestave rinore e mbarëqytetare, fund e krye të reja në mënyrën si u organizuan, në përmasat që morën, në stilin si u zhvilluan, në dekorin dhe atmosferën që krijuan, në  nivelin e ri të vetëdijes demokratike e qytetare për forcën e bashkimit pa dallime politike rreth  së mirës publike.

* * *
Të rinj e të reja, studentët dhe gjimnazistët, prindërit e tyre, të rinj apo jo në moshë, burrat dhe gratë e çdo moshe thirrën njëri-tjetrin nëpërmjet rrjeteve sociale dhe formave të tjera të komunikimit bashkëkohor, por edhe të komunikimit të zakonshëm. Nuk u pa kush duke shpërndarë derë më derë ftesa, thirrje; nuk u panë dhe nuk u dëgjuan gjëkundi duke buçitur rrugë më rrugë e lagje më lagje altoparlantët e vjetër të politikës; nuk pati zarfe dhe as shpërblime në shkëmbim të daljes në protesta. Njerëzit zbritën në rrugë dhe në sheshe me kushtrimin e një shqetësimi të përbashkët, qytetar dhe atdhetar, që kishte të bënte me dinjitetin, me të drejtën e gjithsecilit prej tyre dhe e gjithsecilit prej nesh, për të vendosur jo vetëm nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Kuvend, por edhe drejtpërsëdrejti për çështje të mëdha të  demokracisë, sigurisë dhe mirëqenies.
Jo frika, por para së gjithash zemërimi ndaj shpërfilljes, zemërimi ndaj mungesës së transparencës dhe monopolizimit të vendimmarrjes në duart e një njeriu apo një grushti njerëzish rreth tij e përhapi këtë kushtrim me shpejtësinë e dritës  në çdo shtëpi, në çdo familje, në çdo mendje dhe zemër. Kishte ardhur koha, kishte ardhur dita që rinia shqiptare, qytetarët shqiptarë të merrnin në dorë sovranitetin duke i deklaruar një “Jo” të madhe arbitraritetit politik, duke rivendosur hierarkinë e forcave si në një demokraci të pjekur e solide; sovrani i pari, qytetarët të parët, ligji mbi arbitraritetin.

Dhe ndodhi ajo që lartëson prej shekujsh çdo popull të lirë e të arrirë; rinia shqiptare rivendikoi dhe fitoi në sheshet e protestës sovranitetin, atë që rëndom i atribuohet pa doganë në fjalime demagogjike, por që i zhurmohet dhe i mohohet në forma të ndryshme në realitet. E arriti këtë me bashkim, me zemër, me dashuri, me pastërti, pa bori shurdhuese, pa tellallë të paguar, pa banera të mëdhenj, pa spote të kushtueshme, pa reklama marramendëse, pa gjithë këtë dekor gjigantesk që në fakt jo rrallë është pasqyra e korrupsionit dhe arrogancës politike; një botë e vjetër që e pa veten të mundej nga “jo”-të e shkruara me laps në faqet dhe në shuplakat e vajzave dhe djemve të Shqipërisë.

* * *
Gjithë bota e ndoqi me pasion protestën e rinisë shqiptare, që nuk e kishte parë më parë, e rinisë sonë të bukur, të bashkuar, moderne, demokratike, modeste, paqësore, të çiltër, shqiptare, europiane dhe amerikane.
Kemi arsye të gjithë të ndihemi shumë të entuziazmuar dhe të inkurajuar me këtë premtim të Shqipërisë së re. 
Unë jam kryetari i ri i Partisë Demokratike në opozitë, parti e cila, siç e dini, ka lindur nga një Lëvizje Studentore që e nxori Shqipërinë nga izolimi gjysmëshekullor dhe e ktheu atë me fytyrë nga Perëndimi.  
Por nuk e kam dashur e kërkuar këtë takim e ballafaqim, as e kam pranuar këtë ftesë për të bërë politikën e partisë që drejtoj, as për të kërkuar  analogji të sforcuara mes Dhjetorit të lavdishëm të  vitit 1990 dhe nëntorit jo më pak të lavdishëm të vitit 2013. 
E kam dëshiruar këtë takim, këtë bashkëbisedim, së pari për t’ju shprehur ju, kolegëve juaj në këtë universitet dhe në të gjithë botën studentore shqiptare, por edhe rinisë jostudentore gjimnaziste, admirimin tim të pakufishëm për atë që jeni, për atë që bëtë, për atë që shënuat si arritje dhe si vlerë të jashtëzakonshme për vendin, për kulturën e re demokratike, për të sotmen dhe të nesërmen. 

Së dyti, për të filluar së bashku, në partneritet dhe respekt të ndërsjellë, një bashkëbisedim të hapur dhe një bashkëpunim të vazhdueshëm për një varg çështjesh madhore që lidhen me funksionimin dhe forcimin e demokracisë në Shqipëri, me hapjen e një periudhe të re, të një demokracie të re në Shqipëri, që duhet të jetë e do të jetë ajo e Dinjitetit me “D” të madhe e çdo individi, si guri i themelit i një shoqërie të lirë.
Lidhur me sa thashë pak më sipër, më lejoni të ndaj me ju se jam duke u përpjekur të lexoj në thellësi këtë zhvillim të madh historik në jetën e vendit dhe natyrisht të kuptoj më mirë detyrat e mia, detyrat e forcës politike që drejtoj, nevojën për një hapje të re, për një frymë të re, shumë më afër brezit të ri, shumë më afër mendimit të ri që karakterizon shoqërinë civile bashkëkohore, duke shtrirë e zgjeruar urat e komunikimit e bashkëpunimit të ngushtë me ta kudo ku ndodhen, ku mësoni, studioni, ëndërroni, punoni dhe krijoni. 
E di se çështja e armëve kimike që i hodhi njerëzit në protesta ishte një problem i madh. Por dua të abstragoj këtë moment që u zgjidh ashtu siç ishte vullneti juaj dhe i forcave të ndryshme që u rreshtuan në frontin e “Jo”-së.

Dua të shoh në koncentratin që sollën në jetën shqiptare këto protesta, të cilat përhapën kudo  një ndjeshmëri risie dhe shprese të madhe. 
Kthehem e rikthehem në bindjen se protestat e nëntorit janë nga ato ngjarjet që vënë një kufi të ri ndarës, para dhe pas tyre, domethënë para nëntorit 2013, kur qytetarët konsideroheshin pak ose aspak, dhe pas nëntorit 2013, kur qytetari nuk mund të mos pyetet, konsultohet e konsiderohet për të gjitha çështjet e mëdha dhe sidomos për vendime që nuk kanë qenë pjesë e programit elektoral të partisë në pushtet, pra nuk kanë marrë miratim me votë, pasi ka lindur përgjatë qeverisjes.
Ngjan si një ëndërr e bukur, por e ardhmja e re gjithnjë e ka hapur rrugën përmes ëndrrave të mëdha. Të fitosh zgjedhjet nuk do të thotë të dalësh mbi popullin, të dalësh mbi ligjin, të jesh Zoti. Ky mesazh u dha, ky cak u vu, kjo kulturë fitoi. Një grumbull zakonesh e stereotipash të vjetër mbaruan kohën e tyre përballë frymës së re të brezit të ri. 

Protestat vendosën një stad të ri të pjekurisë së demokracisë, caktuan një drejtim të ri të zhvillimeve politike dhe shoqërore në Shqipëri. Ka lindur dhe ekziston Shqipëria e re e demokracisë së re, më e avancuar se e djeshmja, pasi ka nxjerrë në qendër individin e lirë, njerëzit e lirë, të lidhur në vetëdijen e solidaritetit dhe forcës së bashkimit kundër çdo gjëje që është antidemokratike.

* * *
Kur Partia Demokratike vendosi të marrë anën e protestave, e dinim se dikush apo disa, pengje të kulturës së vjetër politike, do të nxitonin të na etiketonin si antiamerikanë, populistë, demagogë etj. 
Për shkak të historisë që kemi si forcë politike proamerikane, vendimi ynë do të proklamohej nga këta njerëz të paditur edhe si tradhti ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kemi qenë të qetë e të kthjellët në vendimin që morëm, të bindur se vlerat për të cilat kishin nisur protestat, transparenca, konsultimi dhe llogaridhënia, janë vlera të një demokracie të rrënjosur e të përparuar, se nuk mund të ketë antiamerikanizëm me vlerat mbi të cilat është ngritur dhe ekziston ngrehina madhështore e demokracisë amerikane.

Se të jesh sot proeuropian dhe proamerikan në Shqipëri do të thotë pikë së pari të luftosh për  ato standarde që konsolidojnë demokracinë, për rrjedhim mirëqenien dhe dinjitetin e personit. Se nuk ka e nuk mund të ketë proamerikanë dhe proeuropianë më të spikatur se vetë qytetarët e lirë shqiptarë dhe në veçanti të rinjtë shqiptarë; atyre u duhet kjo, juve ju duhet kjo para politikanëve dhe më shumë se politikanëve.
Po flasim këtu për konstituimin e një elementi, mund të themi mungues të demokracisë se re shqiptare përgjatë këtyre dy dekadave, që është pjesëmarrja politike, element bazë i mirëfunksionimit të shtetit demokratik. Qëllimi i pjesëmarrjes qytetare është të promovojë transparencën, të inkurajojë qeverisjen e mirë dhe të nxitë llogaridhënien. Kjo është një sfidë e madhe politike dhe kulturore që përcakton cilësinë e vërtetë të një demokracie.

Duke shfaqur këtu mendimet e mia për thelbin e  protestave dhe duke dashur të ndaj me ju dhe me gjithë përfaqësuesit e brezin e ri të Shqipërisë frymëzimet e reja të këtij zhvillimi të ri, jam i vetëdijshëm se kemi së bashku një detyrim; të mos lejojmë që kjo frymë e re, kjo valë e re  jetëdhënëse e demokracisë sonë të molepset me frymën e vjetër, që nervi i saj të mpihet e të ngordhë në ingranazhet e kulturës dhe zakoneve të vjetra politike. 

Duhet ta ruajmë të pastër, të gjallë, të fuqishme si një vlerë të së ardhmes. Ta ruajmë jo si  një relikte muzeu, as në shtatë kyçe si të Bukurën e Dheut, por duke e mbajtur në fushën e hapur të veprimtarisë së përditshme politike dhe shoqërore, duke e hedhur në betejat e tjera të mëdha, sekush nga pozitat e veta, opozita si opozitë, shoqëria civile si shoqëri civile, studentët si studentë, të gjithë për një qëllim, kundër arbitraritetit, që vazhdon të kërcënojë e do të vazhdojë të kërcënojë  në forma të ndryshme demokracinë në Shqipëri.

* * *
Arbitrariteti politik, siç mund ta keni konstatuar edhe vetë, synon të zhbëjë e përmbysë disa prej standardeve nonsensuale në fushën e legjislacionit nëpërmjet krijimit të kuorumeve politike që nuk kanë dalë nga vota e lirë e juaja dhe e qytetarëve shqiptarë, por janë produkt i shitblerjes dhe pazareve në kulisa me mandate deputetësh. 
Shitblerja e votës dhe dhunimi i zgjedhjeve me paratë e pista të trafiqeve, korrupsionit dhe krimit të organizuar, legalizimi i dhunshëm i mediokritetit, paditurisë, injorancës, diplomave  të blera dhe deri edhe i krimit në organet përfaqësuese dhe në drejtimin e shërbimeve publike; të gjitha këto janë gangrena që gërryejnë e kalbin themelet e çdo demokracie si dhe demokracisë në Shqipëri, janë burimi kryesor i së keqes në vendin tonë, janë thirrja e betejave të reja për ne të gjithë.

* * *
Mbyllja njëherë e përgjithmonë e kapitullit të zgjedhjeve të blera e të manipuluara, ngritja në këmbë njëherë e përgjithmonë e tempullit zgjedhjeve të lira e të ndershme sipas standardeve më të përparuara europiane, është kushti i kushteve për  të bërë që të triumfojë vala e demokracisë së re që doli në pah e në sheshe në protestat e nëntorit.

Personalisht kam qenë jo pak shpresëvrarë nga shitblerja e votës si fenomen, që u zbatua me sistem edhe në zgjedhjet e pjesshme lokale në Korçë disa ditë para se të shpërthenin protestat e nëntorit; jam ndier i lënduar si të gjithë ju besoj duke parë disa të rinj e të reja që paguheshin me 20 mijë lekë të vjetër  për votën e hedhur. Por në këtë moment të zymtë për demokracinë, doli fuqishëm në skenë rinia ndryshe, rinia e së ardhmes, rinia e protestave të nëntorit, dhe historia ndryshoi. Shqipërisë i ndriti sërish fati pas 23 vitesh me rininë e saj të mrekullueshme.  
Sot jemi plot me shpresë e besim se bashkë më këtë rini, bashkë me ju do t’ia dalim të çlirojmë qeverisjen e çdo niveli nga arbitrariteti, të çlirojmë ligjin nga paligjshmëria, të çlirojmë zgjedhjet nga shitblerja e votës, të çlirojmë demokracinë nga tentakulat e mafies politike dhe ekonomike që synon ta marrë peng atë. 

* * *
As krimi, as mafia, as paratë e pista, as dhuna, as korrupsioni politik asgjë nuk kanë të ardhme përballë forcës së rinisë, përballë dhe ëndrrës së njerëzve të lirë për një Shqipëri të lirë, të zhvilluar, demokratike, europiane. 
Nga ana ime dua t’ju garantoj ju dhe mbarë të rinjtë shqiptarë, se Partia Demokratike që drejtoj dhe opozita në tërësi do të jetë e përpiktë në detyrimet e saj në këto beteja të reja. Kush dëshiron të bëhet pjesë e Partisë Demokratike, e kësaj force politike në kuadrin e hapjes së fuqishme që do të nisim këto ditë, është i mirëpritur dhe shumë i respektuar prej nesh. Kush mendon t’i përmbushë si i pavarur apo në formacione të tjera politike këto angazhime qytetare, është  gjithashtu shumë i respektuar prej nesh. E rëndësishme është të fitojmë të gjithë së bashku për Shqipërinë demokratike. 

26 Komente

Mire smiley

smiley

o brado, kto liderat e opozites shkrujn carcafe o burre i dheut. si shpjegohet?

Po ky lideri i ri i opozitës, ha bukë (e Fiq) veç... 

smiley.

ahhhhhhh... 

PD, shtëpia e lirisë së shqiptarëve, e hapur për të rinjtë    smiley

Po the PD zere se the Berishe, po the Berishe zere se the PD. Cdo gje fillon e mbaron te Berisha ne PD. Kjo eshte liria e kesaj partie qe nuk e di as vete se c'perfaqeson pervec Berishes.

C'moshe ka patur ky kur ra komunizmi? Se po me duket sikur ka marre nje hartim te atyre koheve dhe e ka pershtatur.

Nga ana ime dua t’ju garantoj ju dhe mbarë të rinjtë shqiptarë, se Partia Demokratike që drejtoj dhe opozita në tërësi do të jetë e përpiktë në detyrimet e saj në këto beteja të reja.

smiley

I njejti stil i stisur shkrimi i sistemit te permbysur socialist. Shtepia e lirise nuk mund te kete zot shtepije nje njeri qe i ka duart e lara me gjakun e 4 veteve te vrare me gjakftohtesi.

Po ajo, te pakten sot, nuk eshte shtepi lirie, por eshte kthyer ne nje shtepi makthi dhe krimi...me nje bufon ne krye dhe me nje makbeth ne hije....qe i ka duart deri ne berrryl te lyera me gjak...(i fundit eshte Olldashi, i bere kurban per hater te bufonit...)

paksa bo hartim Lulka...

/vetem per hartime dhe bojkote eshte opozita ne shqiperi

//harram rrogen e deputetit... 

Bashe, na thuj nai gjo.

Muç Nano përshëndet bukfiqen e PD-së. http://gazetadita.al/shenim-basha-eshte-...

Dhe meqë ra fjala, Bashës duhet t’i kujtohet 21 janari i vitit 2011, kur ai vetë, nga pozitat e ministrit të brendshëm, shfaqej në tarracën e kryeministrisë i shoqëruar nga snaiperë, gardistë e policë, e kur policë të tjerë rrethonin kryeministrinë në pritje të turmave, për të shtënë me armë zjarri mbi ta. Katër vetë u vranë atë ditë. Dhe Basha, në mënyrën e tij, qoftë dhe me atë pamje kokoroçi në tarracën e kryeministrisë, është njëri prej vrasësve. Prandaj të ngjan e pabesueshme që ai të kuptojë se më 23 qershor 2013 ka filluar një epokë e re.

Lulezim nuk eshte koha per te treguar kolltuqe e krevate e tavolina !

 

ueeee, 90% te komentatoreve ketu sikur i ka pjell Mero Baze..smiley. epo te kesh hero nje figure te tille sma merrte kurre mendja. Mero je njesh!smiley

at least Basha nuk te streson kur e degjon, si Rama qe pervec flet me nje cinizem koti si gjeli maje plehut por dhe flet me rrokje sikur kushedi cfare thote

mbase nuk te streson, po qe shqetson as qe diskutohet... Me ato klithmat, me ato keputjet e zerit ate dite ne shesh... pike ne zemer...

Bame nuk ta kemi per borxhe tna risjellesh ne kujtese ato skena renqethese, te lutem shume!

Kjo opozite me 2 kapedane eshte aset per shoqerine!!!!!

vakt dreke, rono. po i fus naj makaron me djath feta.

e kishe nigju me pare "krucifiks perikoloz"? 

eshte latinisht!

perdoret nga njerezit e ligjit me teper!

JE SUIS LE CAPITAINE DE MON ÂME

N Mandela !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).