Ekziston përshtypja se udhëtimet janë një prej atyre gjërave që përshkruhen me lehtësi. Kjo, me sa duket, e shtyn njerëzinë të mbajë shënime apo fotoditar. Në të vërtetë ndodh e kundërta. Për të përshkruar udhëtimet nuk lipset të jesh i pranishëm në një kohë apo në një vend të caktuar. Duhet guxim dhe talent, për të shkruar dhe sidomos për ti botuar shënimet e udhëtimit. Përveç përkorjes, duhen edhe këllqe për të mbajtur gjatë mbi supe cilësime të tilla si, Mjeshtër, Princ apo Poet i reportazhit… Por këtu e kemi fjalën për Ryzard Kapuçinski, që talentin dhe guximin i ka pasur me shumicë siç dëshmohet prej gjithë opusit të tij letrar, përfshi këtu edhe Udhëtime me Herodotin, botuar së fundi edhe në gjuhën shqipe nga Papirus, nën përkthimin e çmuar të Astrit Beqirajt. 

Pasi ndihet i imunizuar prej fakteve mbëresëlënëse, por jashtëletrare gjithsesi, të cilat e kanë shoqëruar gjer në përndjekje Ryszard Kapuçinski, (dënimi katër herë me vdekje, dëshmitar në 27 grushte shtetit dhe revolucione dhe të tjera si këto) lexuesi e gjen kënaqësinë e vërtetë në tekstet e këtij shkrimtari. Komentet, përshkrimet e tipareve të njerëzve me të cilët bisedoi, vëzhgimet mbi kulturat që ndeshi dhe çapitjet prej e tij maratonomaku, përveçse forcë stili dhe dashuri për njerëzimin, shfaqen që në krye si forma të qortimi të reporterit, që e mati botën me këmbë, ndaj gazetarëve që, me mollëzat e gishtrinjve, rrëmojnë të gjejnë tema dhe përvoja nëpër libra dhe nëpër universin “Google”. Kapuçinski nuk ishte i kësaj shkolle. 

Ai nuk ishte, sigurisht as i vetmi mes shkrimtarëve polakë, që e gjeti atdheun tematik larg Polonisë. Më herët se ai nëpër ato shtigje kishin ecur Henryk Sienkieëicz dhe Józef Konrad. Megjithatë, dallimi mes tyre është i dukshëm. Sienkieëicz-i dhe Konrad-i e dinin se ku shkonin: i pari në Romën e Neronit dhe i dyti në zemër të Afrikës Qendrore. Kapuçinski jo, nuk e dinte. 

Gjatë udhëtimit të tij të parë Kapuçinski do të ketë provuar ndjesitë që provuan lundërtarët e shekullit XV pasigurinë, praninë e gabimit dhe mungesën e paraardhësit dhe të literaturës ndihmëse. Më shumë se gjysma e botës për të ishte krejt e panjohur. Gjeografia e tij nuk shkonte përtej hartës politike të Pakt Warszawski. Ndërkohë që Perëndimi europian u shfaq para tij si një hapësirë utopike, ku thuhej se prodhohej liri dhe sende të bukura. Por fatet e udhëtarëve takohen. Ndaj dhe ai, teksa ëndërronte të gjente Çekosllovakinë, zbuloi Indinë, Kinën, Afrikën dhe Amerikën e Jugut… 

Por rituali shugurues e do që shtegtimet, pavarësisht nëse janë reale apo imagjinare, të ketë një udhërrëfyes. Do e shpërfillte Kapuçinski i ri ritualin e vendosur që prej Dantes me Virgjilin, më së paku? Atëbotë, ndonse nuk e njihte, edhe ai e kishte mjeshtrin e tij. Madje kishte jo një, por dy mjeshtra. Herodotin dhe Hemingway-n. Librin Historitë e grekut të lashtë dhe plot përvojë, ia kishin lënë në dorë, që para se të nisej nga Polonia. Ndërsa librin e dytë, For Whom the Bell Tolls, rasti e solli ta blinte me dorën e vet në tregjet e hapura të Delhit të vjetër. Ishte si të dëgjoje përgjigjen se këmbanat bien për ata që kanë veshë, njëlloj siç edhe librat e tij do të shkruheshin për ata që dinin të lexonin: sidomos me zemër. E, nëse do i përfytyronim udhëtimet e Kapuçinski-t si një shkollë, mësuesi i historisë dhe heroi i tij kulturor do të quhej Herodot. Hemingëay do të mbetej mësuesi i i gjuhës së huaj, ndërmjetësi drejt asaj bote ku lingua franca nuk ishte më greqishtja, që Herodoti gjente nëpër kolonitë greke, por anglishtja koloniale. 

Diçka kishte ndryshuar, sigurisht, por bota ishte po ajo. Nomade. Antike dhe e re. Po aq provincë sa dhe globale. A thua ishte më njeriu masa e çdo gjëje, siç kishte besuar sofisti Protagora, bashkëkohës me Herodotin? A ishte dhuna, mizoritë, përndjekjet, vrasjet, fyerjet qenë konstantja dhe filli lidhës mes botës të re dhe botës së vjetër? 

Të bëhej apo të mos bëhej pjesë aktive e asaj bote të larmishme? Kjo ishte dilemma edhe për Kapuçinski. Edhe pse i veshur tebdil me kostum të ri, me këmishtë të bardhë, me kravatë mode me pika dhe krekosur, gjoja çlirshëm, kafeneve të Romës, qytetërimi tjetër i dha të kuptonte se ai do të vazhdonte të mbetej siç ishte - “mish i huaj”, nëse nuk shkrihej me të. Kapuçinski ishte njeri që mësonte dhe leksioni Ii pare ishte nxënë. Drejt botëve të reja shkohet i pa maskuar; kulturat e tjera nuk i zbulojnë misteret me një të shtrirë dore; udhëtimet nuk të lënë kurrë duarthatë: në mos pasuri, ato japin përvojë pikërisht ashtu siç besonte Kavafis. 

Kulturat ngjajnë si fëmijët ose si pleqtë - nuk duan thjesht njohje, kulturat duan ti duash, ti dëgjosh, tu përkushtohesh, ti kuptosh, duke e konsideruar kuptimin si pjesën më të rëndesishme të kënaqësisë që të fal udhëtimi. Një autor si Kapuçinski nuk shtiret, kur takon kulturat e tjera. Që në krye të udhëtimit, ai e pranon se vërtet nuk ka, nuk njeh dhe nuk di, por dëshiron të ketë (përvoja), të njohë (njerëz dhe botë) dhe të rritet. Një autor aq i sinqertë sa ai, nuk kërkon të tregojë se sa i lëçitur dhe i gjezdisur është, apo sa i zhvilluar është kontinenti prej nga vjen ai. Kapuçinski zgjedh më të vështirën: fillimisht t'i njohë, t'i pranojë botët e ndryshme nga bota e tij dhe më pas të kuptojë pse tek një njeri është gjithë njerëzimi, pse asnjëra prej botëve nuk është më e mira. Për fat gjithçka ndodh për herë të parë, por vazhdimisht dhe për secilin. Njëlloj u shfaq bota edhe për Kapuçinski. Ndonse me 2500 vjet në mes, bota e lashtë e Herodotit, përballë botës së re të Kapuçinski-t nuk kishte ndryshuar aq sa të mos e njihnim. Megjithëse më e zbutur dhe e përmirësuar, botët e Herodotit dhe të Kapuçinski-t takoheshin sërish në të njëjtën pikë: te lufta. 
Mes dy autorëve nuk ka garë. Kapuçinski nuk kërkon ta kapë gafil dhe në gabim Mjeshtrin e tij. Përkundrazi. Ai e di se po e kryen udhëtimin e tij në shoqërinë e një shputëmadhi, me të cilin ndajnë të njëjtin shqetësim: raportin mes humanizmit dhe barbarisë në të gjitha kohërat. Edhe citimin e paragrafëve të Herodotit, Kapuçinski nuk e përdor as me qëllimin e thjeshtë didaktik të ndjekjes së gjyrmëve të “atit të hisorisë” dhe as të parimit merkantil “merr dy paguaj një” libër. Kapuçinski i referohet Herodotit për të nënvijëzuar se përplasja mes qytetërimeve dhe kulturave nuk është një dukuri e re. Ajo ka ekzistuar përherë si një ethe, një gjendje zjarrmie mes popujve, që në kohë paqeje bëjnë art dhe krijojnë kultura. 

Ndonse do të vazhdonin të udhëtonin bashkë, Kapuçinski me Herodotin qenë ndarë diku. Herodoti udhëtonte për t'iu përgjigjur pyetjes së një qytetërimi fëmijë, që pyeste nëse ekzistojnë apo jo botë të tjera? Kapuçinski udhëtonte i tërhequr nga uria e përjetimeve, udhëtonte për t'iu përgjigjur pyetjes: lëvizim, madje shpejt, por a mbërrijmë diku? Përkimet e Kapuçinski-t me Herodotin dhe ndërthurjet e historive të tyre, nuk thonë doemos takimin e historisë moderne me Greqinë dhe botën e idealeve klasike. 

Herodoti e dinte atë që Kapuçinski e mësoi me kohë nëpër udhëtime: ka shumë botë dhe secila është e rëndësishme dhe e ndryshme. Këto botë duhen njohur dhe kuptuar, nëse duam të njohim dhe kuptojmë më mirë veten tonë. Kjo duket haptazi në 28 kapitujt e Udhëtime me Herodotin, ku lexuesit i ofrohet mundësia e rrallë jo të shfletojë faqe libri, por përvoja vetiake. Këto përvoja Kapuçinski i ka të shkruara kudo: në kujtesë, në zemër, mbi lëkurë dhe nën shojet e këcucëve. Për trill ndoshta, duket sikur fati i këtij autori është i lidhur me këpucët si simbol i udhëtimit. Madje mund të mos jetë krejt pa qëllim arsyeja pse Kapuçinski, që në krye të librit kujton detajin e dhimbsur të fëmijërisë kur për të blerë një palë këpucë dimri, iu desh të shiste aq e kaq qirinj dhe të thyente çapokët e gishtrinjve në sa e sa dyer. Ndodhí të tilla lënë gjurmë, për të mos shlyer nga kujtesa mësimet e thjeshta: jeta nuk bën dhurata; për të plotësuar një dëshirë, lipset ngulm më shumë se sa fat. Për shkrimtarin loja me jetën ka dalë më e mirë se soditja më nge e saj, siç dhe marrëdhënia me botën dhe me kulturën e Tjetrit është më frytdhënëse se mbyllja dhe izolimi në kulturën tënde. 

Ngjarjet që paraqet ky autor, ndonse lokale si ngjarje, ruajnë vlera dhe kumte humanizmi për të gjitha mëhallat e tjera të botës. Por po aq sa për librat, Kapuçinski-t i njihet merita për mënyrën unike të të shkruarit. Falë tij kemi në dorë një markë, një licensë krijuese, një patentë, të cilën shkrimtarët mund të përdorin për të vazhduar të shkruajnë në mënyrë origjinale, me përkushtim dhe me dashuri të sinqertë. Ndaj dhe cilësimi veprës Udhëtime me Herodotin, si letërsi autobiografike apo si libër udhëtimi nëpër “mëhallat” e botës, do të ishte i mangët, gjithsesi. 
Por, nëse unë gjer tani nuk kam cituar paragrafë të zgjedhur, antologjikë, nëse nuk kam dhënë ngjarje, detaje apo thënie ndjellëse nga libri Udhëtime me Herodotin, këtë e kam bërë për të nxitur vëmendjen drejt atij akti të papërsëritshëm, ku lexuesi, përmes leximit resht pas rreshti takon autorin e tij. 

Ndërkaq duhet shënuar, madje fort, se reportazhi, siç e shkroi ky autor, mbetet një nga zhanret më të vështira të krijimit letrar. Kjo për asyen se reportazhi i terrenit, gazetaria njëherazi politike dhe poetike, është zhanër që punohet me duar të lidhura. Në të, përfytyrimet dhe imagjinata duhen bërë zap, stili vihet nën kontroll, ndërsa emocionet mbahen lidhur fort datave, emrave dhe fakteve. Kjo zonë është kloni, toka letrare e askujt, ose thënë ndryshe, janë viset e atyre që guximin dhe talentin e kanë në masën që Kapuçinski na dëshmoi me shkrimet e tij fact-fiction plus poetikë. 
Vetë Kapuçinski e dinte se poezia mbetej “një shkollë e mrekullueshme për disiplinimin e gjuhës, tablosë letrare dhe luftës për fjalën.” E dinte se poetët, ndryshe nga prozatorët, “janë rojtarë të fuqisë, bukurisë dhe origjinalitetit të gjuhës…”, ndaj mbante atë qëndrim ndaj fjalës së përdorur si art. 

Në fund të fundit, teksa lexojmë "Udhëtime me Herodotin", përjetojmë një metamorfozë. Si lexues na duket se jemi ne ata që i kanë kryer udhtëtimet e përshkruara nga Herodoti dhe Kapuçinski. Ndoshta. Mundet. E vërteta nuk shijon pa dyshimin dhe dilemën gërryese. Për shkak të kësaj, në Kreun V të librit, teksa përpiqet tu bëjë bisht citateve të Maos mbi njëqind lulet, Kapuçinski kujtohet për Çuang Çuoun mendimtarin kinez të shekullit IV para Krishtit. Duke fjetur, filozofi kishte ëndërruar sikur qe një flutur. Por befas u zgjua, braktisi trajtat e fluturës dhe mori sërish formën e Çuang Çuout. Dhe pyeti pa të keq: të ishte vetë ai, Çuang Çuou, që kishte ëndërruar se qe një flutur, apo ishte flutura ajo që ëndërroi se qe Çuang Çuou vetë? E njëjta gjë që mund të thuhet për ne, lexuesit e këtij libri, mund të hamendësohet edhe për Kapuçinski dhe Herodotin. Të ketë qenë Kapuçinski, ai që rimishëroi Herodotin, apo ishte vetë Herodoti ai që jetoi përvojat e botës sonë, përmes çapitjeve të Kapuçinski-t? Por edhe ti, që mbase do i avitesh këtij libri, mos u ndjej kurrë i sigurt, se në fund të leximit do të jesh po ai njeri që ishe, kur e more në dorë dhe nise të udhëtosh me sy nëpër fjalët, fjalitë, paragrafët dhe fletët e këtij libri. 

Ti, që lexon, po udhëton në fakt. 

2 Komente

Ekziston përshtypja se udhëtimet janë një prej atyre gjërave që përshkruhen me lehtësi. Kjo, me sa duket, e shtyn njerëzinë të mbajë shënime apo fotoditar. Në të vërtetë ndodh e kundërta. Për të përshkruar udhëtimet nuk lipset të jesh i pranishëm në një kohë apo në një vend të caktuar. Duhet guxim dhe talent, për të shkruar dhe sidomos për ti botuar shënimet e udhëtimit. Përveç përkorjes, duhen edhe këllqe për të mbajtur gjatë mbi supe cilësime të tilla si, Mjeshtër, Princ apo Poet i reportazhit… Por këtu e kemi fjalën për Ryzard Kapuçinski, që talentin dhe guximin i ka pasur me shumicë siç dëshmohet prej gjithë opusit të tij letrar, përfshi këtu edhe Udhëtime me Herodotin, botuar së fundi edhe në gjuhën shqipe nga Papirus, nën përkthimin e çmuar të Astrit Beqirajt. 

akoma shkruhet keshtu? me kete stil fosilesh te jurasikut!

ca boni mer njerez, qe ju quajne edhe autore! 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).