Së shpejti përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar do të vizitojnë Shqipërinë për të gjykuar mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe perspektivën e saj të ardhshme. Gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë, përfaqësuesit e Fondit pritet të diskutojnë mbi pritshmëritë ekonomike të vendit në periudhën afatmesme, parë kjo nga këndvështrimi i FMN-së kundrejt atij të autoriteteve shqiptare. Nisur edhe nga zhvillimet e fundit ekonomike në vend, një pyetje e përhershme që ka shoqëruar debatin publik ka qenë mundësia e nënshkrimit të një marrëveshjeje të re bashkëpunimi ndërmjet FMN-së dhe autoriteteve shqiptare. 

Qëndrimi im për këtë çështje ka qenë plotësisht në mbështetje të negocimit të një marrëveshjeje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Kjo pasi jam i bindur se ekonomia jonë do të përfitojë, veçanërisht në kushtet aktuale kur qëndrimi i FMN-së ndaj vendeve në zhvillim është bërë më fleksibël. Aktualisht sfida më e madhe me të cilën përballet ekonomia shqiptare është rigjallërimi i aktivitetit ekonomik, sigurimi i ritmeve të qëndrueshme të rritjes ekonomike dhe të punësimit. Këto janë sfidat me të cilat po përballen njëkohësisht të gjitha ekonomitë e Europës Qendrore e Juglindore. 

Objektiv kryesor mbetet rritja e konkurrueshmërisë: me fjalë të tjera, krijimi dhe rritja e kapaciteteve prodhuese, për të prodhuar mallra e shërbime me cilësi më të lartë e kosto më të ulët, sesa konkurrentët tanë. Aktualisht ekonomia jonë dhe ato të rajonit janë shumë të vogla në madhësi, për të gjeneruar kërkesë të brendshme të mjaftueshme për të nxitur punësimin, dhe të shtrenjta në kosto për të përballuar konkurrencën që vjen prej ekonomive aziatike. Njëkohësisht ekonomitë tona janë të vogla edhe në raport me ekonomitë e Europës Qendrore, madje vuajnë nga një produktivitet i ulët, që nënkupton se në kushtet aktuale cilësia dhe sasia e prodhimit për njësi pune është më e ulët se në partnerët tanë të drejtpërdrejtë, si në planin rajonal, ashtu edhe në atë global. Rritja e prodhimit dhe e punësimit janë të vetmet alternativa për të mundësuar krijimin e vlerave që do të garantojnë konvergjencën me ekonomitë e zhvilluara europiane. 

Për ekonomitë e Europës Qendrore ky fenomen ndodhi kryesisht në fund të viteve 1990 dhe u mundësua nga investime kapitale prej tregjeve europiane e atyre globale. Faktorët që mbështetën këto flukse kapitale u zbehën me shpërthimin e krizës financiare globale dhe u tërhoqën plotësisht pas krizës së borxhit sovran. Aktualisht tregjet botërore të kapitaleve janë tërhequr nga ekonomitë e Europës Lindore dhe të vendeve të tjera në zhvillim. Në mungesë të kapitalit të lirë nga jashtë, reformat strukturore në tregjet e punës, të kapitalit, tregut të tokës dhe sistemit të pensioneve mbeten të vetmet mundësi për tërheqjen e kapitaleve dhe investimeve të huaja në mbështetje të rritjes dhe të punësimit. Këto reforma kanë një kosto të lartë financiare dhe përfitimet shfaqen në periudhë afatmesme e afatgjatë. 

Ndërkohë, politikat ekonomike aktuale janë të orientuara nga ruajtja e ekuilibrave të brishtë makroekonomikë e financiarë dhe janë të detyruara të fokusohen në kapërcimin e vështirësive të momentit të shkaktuara nga kriza që ka mbërthyer jo vetëm rajonin tonë, por edhe partnerët tanë europianë. Prioritetet e momentit nuk e mbështesin ose më mirë të themi e vështirësojnë ndërmarrjen dhe zbatimin e menjëhershëm të reformave strukturore në ekonomi, të paktën të atyre që kërkojnë burime dhe mbështetje financiare. Por, zgjidhjet përfundimtare të problemeve afatshkurtra do të vijnë në kuadrin dhe kontekstin e përfitimeve dhe konvergjencës ekonomike. Rrjedhimisht, zgjedhjet në përcaktimin e prioriteteve ekonomike, të edukimit, të punësimit, boshllëkut ekzistues në kapitalin human e financiar, politikat fiskale, reformat strukturore dhe ligjore duhet të orientohen nga vizioni dhe objektivat tanë për 20 vitet e ardhshme. 

Në këto kushte, kur zgjidhjet afatgjata dhe problematika afatshkurtër në ekonomi janë të ndërlidhura e kushtëzojnë njëra-tjetrën, është i domosdoshëm adoptimi i ankorave të brendshme dhe të jashtme, të cilat do të mbështesin politikat ekonomike dhe të zhvillimit. Duke e parë situatën ekzistuese me një spektër 360 gradë, në një kontekst global, duke vlerësuar kohën dhe mënyrën e vendimmarrjes me qetësi, vlerësoj se vendit i nevojitet dhe e meriton të shkojë si partner drejt një marrëveshjeje të re fleksibël me Fondin Monetar Ndërkombëtar. 

Nga këndvështrimi i përgjithshëm, ekonomia shqiptare gëzon stabilitet ekonomik dhe financiar. Ekonomia jonë vazhdon të prodhojë rritje ekonomike pozitive, kemi një sistem të qëndrueshëm financiar, inflacion të ulët por të kontrolluar, kurs këmbimi relativisht të qëndrueshëm dhe norma të ulëta të interesit për financimin e borxhit publik. Gjithashtu, politikat makroekonomike së fundi kanë qenë në linjë me natyrën dhe rekomandimet e programeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Nënshkrimi në këto kushte mundëson një marrëveshje dinjitoze dhe njëkohësisht bën të mundur minimizimin e kostove që shoqërojnë reformat e ndërmarra aktualisht nga autoritetet. Në të njëjtën kohë, në gjykimin e investitorëve të huaj sidomos të atyre në sektorin bankar, kjo do të ndihmonte në uljen e primeve të rrezikut për vendin. Eksperienca e vendeve të tjera ka treguar se ndërhyrja e Fondit Monetar Ndërkombëtar ka mundësuar që Sovereign Ratings (vlerësimi i borxhit sovran) të rikthehen në pozicionet e tyre të mëparshme dhe Spread – et (diferencat në interesat e borxhit) janë ngushtuar menjëherë duke ulur nervozizmin dhe hezitimin e agjentëve për të investuar në këto tregje. Në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare duket se rreziku më i madh lidhet me sigurimin e mjeteve monetare për të përballuar nevojat e menjëhershme që lindin nga njohja e detyrimeve të qeverisë ndaj biznesit dhe nevojat afatmesme për të përballuar detyrimet apo për të mundësuar riinvestimin e detyrimeve që rrjedhin si pasojë e stimujve të jashtëzakonshëm fiskalë të aplikuar në vitin 2009. Marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar do të adresonte skepticizmin e tregut të brendshëm dhe atij ndërkombëtar për madhësinë e borxhit publik, veçanërisht në kushtet e një mungese të madhe në fonde valutore në lidhje me kreditimin e ekonomive të rajonit tonë. Sipas të gjitha analizave të besueshme të vetë tregut dhe të institucioneve të rëndësishme financiare ndërkombëtare, ekzistojnë një numër rreziqesh, jo vetëm për ekonomitë në zhvillim, por edhe për të ashtuquajturat ekonomi të zhvilluara. Partnerët tanë kryesorë tregtarë dhe financiarë janë të fokusuar në problemet e tyre të ekonomisë reale dhe sistemit financiar. Politikat e tyre të korrektimit kanë efekte anësore negative për ekonominë shqiptare që shfaqen në një kërkesë të ulët për produktet tona, në rënien e remitancave dhe në kufizimin e financimeve përmes investimeve direkte dhe formave të tjera të kapitalit ndërkohë që, pavarësisht nga axhustimi i pjesshëm i vërejtur së fundi, raporti i llogarisë korrente ndaj PBB-së vijon të jetë shqetësues. Varësia e ekonomisë shqiptare ndaj vendeve në vështirësi si Greqia e Italia, kërkon marrjen e masave për përballimin e një situate të mundshme mosfinancimi të bilancit të pagesave. Për më tepër autoritetet monetare europiane dhe rregullatorët e tregut bankar e financiar shprehen se ekziston një vendim politik që çdo ekonomi europiane me mungesa financimi duhet të gjejë fondet në bashkëpunimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Marrëveshja e re do të siguronte fonde valutore të sigurta me kosto të ulët drejtpërdrejtë nga llogaritë e FMN-së. Kjo do të rriste vlerësimin e Shqipërisë në lidhje me aftësinë e saj për të shlyer borxhin e huaj, e do të ofronte akses më të madh në tregun financiar ndërkombëtar me kosto më të ulëta financimi. Marrëveshja është një lajm pozitiv edhe për investitorët e huaj dhe partnerët potencialë, jo vetëm nga këndvështrimi i sigurimit të mjeteve financiare por edhe si një garanci për aplikimin e politikave të kujdesshme dhe adaptimin e një rregulli të besueshëm fiskal që mundëson konsolidimin e financave publike në periudhë afatmesme dhe njëkohësisht mban nën kontroll trajektoren e borxhit publik. Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk mund të zgjidhë sfidat e zhvillimit afatgjatë të ekonomisë shqiptare. Problemet që lidhen me konkurrueshmërinë, punësimin e zhvillimet demografike, shfrytëzimin e kapaciteteve, dhe ripozicionimin e ekonomisë sonë në rajon dhe në ekonominë globale, kërkojnë ndërmarrjen e reformave strukturore në edukim, punësim, zgjerimin dhe thellimin e tregjeve financiare e të kapitalit, përshtatjen dhe unifikimin e legjislacionit dhe bashkërendimin e reformave strukturore në nivel rajonal e europian. Por, kapërcimi i këtyre sfidave do të jetë më i lehtë në kushtet e qetësisë që ofron një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar. 

Kjo marrëveshje duhet dhe mund të karakterizohet nga një fleksibilitet i mjaftueshëm që të garantojë të gjithë hapësirat e domosdoshme për të stimuluar vazhdimin e reformave strukturore dhe rritjen ekonomike të qëndrueshme të vendit në terma afatgjatë pa u kushtëzuar nga problematika afatshkurtër. Së fundmi shpreh bindjen time se lajmi i një marrëveshjeje do të pritet pozitivisht nga tregjet financiare, të brendshme dhe të jashtme, dhe njëkohësisht do të interpretohet si një garanci se Shqipëria gëzon një ambient të shëndetshëm ekonomik dhe financiar, me mundësi të mëdha investimi dhe fitimi.

11 Komente

Une per vehte nuk kuptova asnje gje nga ky shkrim i zotit Fullani. Por pavaresisht nga kjo, une jam i mendimit qe ky frymor duhet proceduar penalisht per demet qe i ka sjelle Shqiperise nga keqmenaxhimi i Bankes se Shqiperise.  

Une per vehte nuk kuptova asnje gje nga ky shkrim i zotit Fullani.

 

smiley  nuk osht faji jot, sheme, duhen nja dy grom tru kur vjen puna per me kuptu, s´te bo fajde vetem leximi.

Jom icik i interesum me e dit nga ana jote, qe nuk kupton shum, per cfarlloj arsyje duhet psh me e fut n´burg Fullanin? Ose po t´jesh i disponushem me ma shkoqit iher ket punen e keqmenaxhimit te Bankes se Shqiperise?

PO ja casaubon une them se duhet me u rikqyr ene njehere e gjithe procedura e blerjes se hotel Dajti nga Bonka e Shqiperise per 30 milion Euro me duket, se llafet e keqia thone se u ble per ti dhone leke qeverise se ishte keq me tejkalimin e shpenzimeve. Ky e bleu me qellimin e mire per ta bo pjese te Bonkes por megjithse kane kaluar mbi 5 vjet, godina vecse renohet e renohet e as nje leke nuk eshte hudh me e regullu. Por atehere pse e bleu? 

Duhet edhe me i bo nje kontroll te imtesishem dokumentacionit per blerjet direkte qe ben Bonka e Shqiperise bonove te thesarrit te qeverise me maturim deri ne nje vit, i blen nga kapitali i saj apo duke printuar para ose sic quhet boterisht "quantitative easing". Nejse, sido qe te jete, mesa di une ligji per Bonken e Shqiperise e ndalon kete te fundit ti nape kredi qeverise, me perjashtim te rasteve shume te vecanta. Ndersa Bonka ja nep qeverise sa here i teket bytha kesaj te fundit. 

Brenda nje periudhe prej gati 5 vjet bonkat e nivelit te dyte rriten kredite e keqia nga 3-5 % te portofolit te huase ne 23-25% ose me nje rritje mesatar vjetore prej 100%. 

Shkrimi i guvernatorit te BQ ishte jo keq, ishte mire ne vija te pergjitheshme, veç ajo reklama ndaj FMN sikur ishte pakez e tepruar smiley si, kur fliste per stabilizimin e tregjeve ashtu dhe per pritshmerine (varesine, me sakte) e fondeve te saja ne drejtim te investimeve. 

Duhet sqaruar per publikun, se tregjet jane stabilizuar pa ardhe FMN, vete fakti qe interesat e bonove te thesarit jane ulur keto muaj, tregon se tregu ka nje fare stabilizimi, nuk ka oshilacione te medhaja, ofert-kerkesa eshte normalizuar. Vete fakti qe BQ e ka ulur normen baze te interesit, i jep shkak kredive dhe tranasksioneve te ndryshme te behen me fleksibel. Interesi i depozitave eshte ulur po gjithashtu, duke treguar nje stabilitet te tregut bankar, nje ngopje dhe shendoshje financiare.  Ajo qe mungon jane projektet e sakta ne drejtim te prodhimit, shtimit te saja. 

Persa i perket pritshmerise se investimeve (borxheve me sakte) nga FMN, kjo eshte nje budedallik, se sektori jon bankar (me sakte bankat ne Shqiperi) kane likuidete te teperta, kane para, veç mungojne projektet e qarta, gje qe i detyrojne bankat te nxjerrin (parkojne) parane ne bankat meme. 

shkrim tejet mire i argumentuar dhe ekspoze e qarte se ku eshte ekonomia shqiptare e cfare duhet bere. guvernatorit i intereson te fuse FMN si influencuese ndaj politikave qe duhet te ndemarre qeveria. me keto qe thote guvernatori, cani duhet te filloje te mbaje shenime. 

Per Pjer: guvernatori ka folur shume per punen e likuiditetit te bankave te nivelit te dyte. me duket se ka bere edhe konference per shtyp, edhe nje tavoline te rrumbullaket me duket, a nje prezantim tek komisioni i ekonomise ne parlament. fjala fatekeqesisht nuk i degjohet. duhet te likuidohen urgjentisht kredite e keqija qe kane ne letra bankat qe ato te japin kredi te tjera. guvernatori ka folur edhe boshllekun ligjor qe kane bankat dhe lirine per t'i cuar fitimet jasht. sistemi yne bankar dominohet nga dy banka kryesore: greke dhe italiane, dy shtete me ekonomi te tkurrura. nxjerrja e ketyre parave e ben tregun financiar vulnerabel ne nje aspekt sepse ato para nuk hidhen ne treg per me shume kredi. fullanit i intereson ta kete FMN ketu sepse dihet qe kur ata bejne raporte keto gjera i vene me shume ne dukje dhe t'i vene edhe si kushte nese do te marresh kredi. 

 

Likujdimin e kredive te keqia Gaia, e bene keto dite, ishin rreth 450 milion euro, sipas MONITOR-it.  Mendoj qe dje eshte bere mbyllja e librit te kredive, sot fillon liber i ri smiley Bankat sakrifikuan nje pjese te likuidetit te tyre, nuk kishin nga t'ia mbanin, se dhe projekte konkrete nga qeveria dhe biznesi nuk kishin keto muajt e fundit. 

450 milion me duket futen edhe pagesat e interesit te borxhit te jashtem. PD ka bere edhe padi per kete pune ne gjykate, po ka kaluar pak lehtshem se kishim hallin e figures se komandantit. 

pjeserisht pagesa e borxheve ndaj biznesit do shlyeje kredi te keqija, po nuk dime se cfare peshe kane keto kredi tek totali i kredive te keqija qe duhet te likuidohen. sa frymemarrje do kete ekonomia. bankat kane 22 % te kredive te pashlyera kur 5 vite me pare kishim stabilitetin me te madh bankar. bankat shqiptare nuk jane aq te shendosha sa e mendon.

FMN mund te jape kredi te bute per te ristrukturuar borxhin e jashtem duke lehtesuar financat e shtetit. FMN mund te behet edhe ndermjetes ne ri-negocimin e borxhit. 

jam dakort qe bizneset ne periudhen e tranzicionit te pushteteve dihet qe gjithmone tkurrin investimet dhe jane ne pritje se cdo thote qeveria e re. me masat e para ekonomike qe ka marre kjo qeveri per te mbushur arken urgjentisht, e ka corientuar pak biznesin dhe shtyre kohen e investimeve te pritshme. bizneset po presin edhe si do jete politika fiskale e qeverise. dje u shpall skema e re e tatimit te fitimit nga 10 tek 15 % per bizneset e medha. dmth i shlyrja e borxhit te prapambetur biznesit te madh, perseri do t'i merret gradualisht me tatimin e ri te fitimit. keto para prape nuk qarkullojne ne treg per investime ne vitin e pare gjersa t'ja gjeje vete biznesi zgjidhjen e pageses se taksave. konkretisht ne letra do rrisin shpenzimet fiktive qe te dale fitimi sa me i ulet. para te fshehura te padeklaruara do kete prape.

Analize nga Fullani??!!!

As nuk marr mundimin ta lexoj, ky qe para 6 muajsh ishte ne gjendje te bente nje shkrim "pse nuk kemi me nevoje per nje marreveshje me FMN".

Ky edhe ca kokrra te tjera nqs do tu vinte FMN dhe te thoshte qe tani e tutje skeni nevoje per ne, do ju ktheheshin e do i thonin; degjo, ju erdhet qe erdhet - nuk rrini perhere?? smiley

gjithesesi nuk i ve aj se dikush duhet ta kapi gomarin prej bishti...

Nje ri-sistemim i artikullit. Po perdor vetem fjalite e Fullanit (pa pata nge me vone edhe nje permbledhje nga ana ime):

"Aktualisht sfida më e madhe me të cilën përballet ekonomia shqiptare është rigjallërimi i aktivitetit ekonomik, sigurimi i ritmeve të qëndrueshme të rritjes ekonomike dhe të punësimit."

"Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk mund të zgjidhë sfidat e zhvillimit afatgjatë të ekonomisë shqiptare."

"Problemet që lidhen me konkurrueshmërinë, punësimin e zhvillimet demografike, .....  kërkojnë ndërmarrjen e reformave strukturore në edukim, punësim, zgjerimin dhe thellimin e tregjeve financiare e të kapitalit, përshtatjen dhe unifikimin e legjislacionit dhe bashkërendimin e reformave strukturore në nivel rajonal e europian."

"Varësia e ekonomisë shqiptare ndaj vendeve në vështirësi si Greqia e Italia, kërkon marrjen e masave për përballimin e një situate të mundshme mosfinancimi të bilancit të pagesave."

"Nga këndvështrimi i përgjithshëm, ekonomia shqiptare gëzon stabilitet ekonomik dhe financiar."

"Nënshkrimi në këto kushte mundëson një marrëveshje dinjitoze dhe njëkohësisht bën të mundur minimizimin e kostove që shoqërojnë reformat e ndërmarra aktualisht nga autoritetet."

 

- Pra, ekonomia shqiptare ka nevoje te rigjallerohet.

- Fullani propozon qe kjo te behet (nga qeveria) me ane te reformave strukturore (!!!!????). Keto do jene me kosto qe do rrisi borxhin.

- Rritja e borxhit mund te krijoje nje situate mosfinancimi (qe do conte ne falimentim - sovereign default)

- FMN eshte mire te jete ketu se do ulte panikun dhe ne rast se ndodh mund te na financoje borxhin me kuota te ulta.

- Dhe ne (nuk jemi Greqia por) kemi stabilitet ekonomik keshtu qe cfaredo reforme te kerkoje FMN nuk na vret shume

 

Ok me llogjiken. Per "modelin ekonomik" nuk eshte ne kopetencat e Bankes keshtu qe cfare do thote Fullani mund te mos kete asnje vlere. Por "reforma strukturore" (si liberalizimi i tregjeve te punes qe nuk ka asnje kuptim per Shqiperine) eshte dicka qe as FMN'ja nuk e beson me tani ne vitin 2013 dhe te vjen pak keq kur degjon qe shprehet me keto terma. Marreveshja me FMN eshte e dobishme por me modelin ekonomik kemi akoma pune per te bere, nderkohe qe Fullani mund te mendoje dhe te na thote me shume se cfare masash te tjera jokonvencionale mund te nderrmare Banka duke patur parasysh zgjatjen e krizes globale.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).