Në fund të qershorit të kaluar senati amerikan miratoi me shumicë votash projekligjin e ri të emigracionit në SHBA. Autorë dhe propozues të këtij projektligji ishin katër senatorë demokratë dhe katër senatorë republikanë mes te cilëve dhe John McCain, Lindsey Graham e Marco Rubio. Projektligji i ri për emigracionin synon të vërë rregull në gjendjen sociale dhe ekonomike të mbi 11 milion emigrantëve të paligjshëm që ndodhen momentalisht në SHBA, pra njerëz nga vende të ndryshme të botës që kanë hyrë në Amerikë dhe jetojnë e punojnë aty pa dokumenta të rregullta. Sipas këtij projektligji, kjo masë emigrantësh të paligjshëm do të futet në udhën e dokumentimit dhe të marrjes së qytetarisë amerikane, gjë e cila do të sjellë daljen e këtyre individëve nga tregu i zi i punës dhe punësimin e shkollimin e rregullt të tyre dhe të fëmijëve të tyre.

Qendra Kombëtare për Ligjet e Emigracionit, me zyra në Los Anxheles, raporton se ndër të tjera ky projektligj ofron këto reforma themelore, si zgjidhje për problemet e sotshme të emigracionit në SHBA:

1)  Një mundësi për 11 milionë emigrantë të paligjshëm që të marrin dokumenta amerikane. Në fillim emigrantët do të pajisen me leje pune dhe qëndrimi, gjë e cila do t’i mundësojë atyre punësim të rregullt dhe hyrje e dalje me dokumenta nga SHBA në vende të tjera. Pas 10 vjetësh nga momenti me pajisje me dokumenta të rregullta, këta persona do të mund të aplikojnë për nënshtetësi (pashaportë amerikane). I gjithë procesi që nga legalizimi i dokumentave e deri tek marrja e nënshtetësisë llogaritet të zgjasë rreth 13 vjet për çdo individ. Ka një kosto finaciare që konsiston në gjoba të ndryshme dhe pagesa për dokumente e shërbime e që llogaritet të jetë një shumë mesatare prej rreth 4000 dollarësh për person. 

2) Penalizim më të ashpër për individët që hyjnë në SHBA në mënyrë të paligjshme. Ky projektligj parashikon një ndëshkim maksimal prej 15 vitesh burg për shkelësit e kufirit, duke e rritur kështu masën e penalizimit disa herë, nga 2 vjet burg që është maksimumi i tanishëm.

3) Një sistem elektronik i rregjistrimit të të gjithë punonjësve që të verifikojë të dhënat e tyre prej punëdhënësve dhe qeverisë. 

4) Siguri e lartë dhe e përforcuar për kufirin jugor të SHBA-ve. Administrata shtetërore do të ketë për detyrë të arrijë një efikasitet prej 90% të ruajtjes së kufirit, d.m.th. kapjen dhe rikthimin në vendin e origjinës të të paktën 9 prej çdo 10 personave që shkelin kufirin në menyrë ilegale. Pjesë e planit të sigurisë së kufirit do të jetë dhe vendosja e 700 miljeve (ose mbi 1100 kilometrave) të gardhit të kufirit, shoqëruar me infrastrukturën dhe teknologjinë e nevojshme për survejimin e linjës kufitare. 

Por, që ky projektligj të kthehet në ligj dhe të hyjë në fuqi, ai duhet të kalojë me shumicë votash dhe në dhomën e kongresit amerikan, ku edhe ka ngecur procesi. Republikanët e kongresit janë treguar skeptikë ndaj këtij projektligji dhe e kanë kundërshtuar atë pasi shumë prej tyre mendojnë se akordimi i qytetarisë për emigrantët që kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme është një veprim i padrejtë që do të legjimonte shkeljet e ligjit që janë bërë gjatë vetë procesit të emigracionit. Shumë amerikanë i shohin emigramtët e paligjshëm si konkurrentë në garën për vende pune dhe si burim potencial për veprimtari të paligjshme. Por, nga ana tjetër, autoritetet dhe administrata e presidentit Obama janë të shqetësuar për këtë masë të madhe njerëzish që jetojnë në hijet dhe qoshet e errëta të shoqërisë, ku puna e tyre është e pakontrolluar nga ligjet dhe taskat dhe jeta e tyre qytetare e pambuluar nga rregullat e komunitetit. Presidenti Obama e ka mbështetur fuqimisht reformën e emigracionit duke insistuar në domosdoshmërinë e plotësimit sa më shpejtë të saj. Rritja e buxhetit nga taksat e mbledhura vetëm në dekadën e ardhshme do të jetë domethënëse dhe llogaritet ta ulë defiçitin federal me rreth 2.5 trilionë dollarë, nëse emigrantët e paligjshëm sot dokumentohen dhe fillojnë të punojnë duke paguar rregullisht taksat. Rregullimi i situatës së emigracionit të paligjshëm do të mbetet prioritet parësor për politikën e administratës së presidentit Obama, siç deklaroi së fundmi dhe zëvendëspresidenti Biden.

Por kryetari i dhomës së kongresit, repulikani John Boehner, është shprehur se shumica republikane e kësaj dhome ka rezerva për këtë projektligj dhe nuk është e vullnetshme ta votojë atë. Kjo është arsyeja pse projektligji ka mbetur pezull në protokollin e dhomës së kongresit amerikan duke bërë që hedhja e tij në votim, dhe miratimi i mundshëm, të shtyhen në mënyrë të papërcaktuar. E megjithatë, megjithë hezitimin republikan ndaj projektligjit të tanishëm, çështja e emigrantëve të paligjshëm mbetet ndër shqetësimet kryesore edhe në vetë politikën republikane. E ashtuquajtura “Latino vote”, pra votat e popullsisë hispanike në Amerikë, ka provuar në zgjedhjet e dekadës së fundit se është faktor vendimtar. Presidenti Obama dhe demokratët kanë mundur të marrin shumicën e votave të këtij minoriteti, numri i të cilëve pritet të vijë gjithnjë në rritje në të ardhmen. Fakti që një nga kandidatët e mundshëm republikanë për president në zgjedhjet e 2016-ës, senatori Rubio, është njëri prej hartuesve kryesorë të këtij projektligji dhe djalë i një emigranti kuban, dëshmon për momentin kritik të çështjeve të emigracionit të paligjshëm. Lufta politike mbi këtë çështje do të vazhdojë të zërë vend kryesor në Uashington e më gjerë gjatë vitit të ardhshëm. Problemet e shumta të emigrantëve të mbetura pezull prej kaq kohësh imponojnë nevojën e një zgjidhjeje të shpejtë e të shumëanshme. Pjesë e këtij kontigjenti të madh njerëzish janë individë nga shumë shtete të botës mes të cilëve dhe shtetas shqiptarë, siç është rasti i një nënë me tre fëmijë e deportuar rishtazi nga autoritetet amerikane.   

 

28 Komente

Dhoma Amerikane e Tregtise shume e merzitur me Ramen smiley

Ligji me shume ka fjale te bukura dhe nuk ofrn ndonje gje konkrete.Shkurt eshte nga ata ligje qe as rregullon as kafshon,thjesht propogande.

Me nje fjale as qe ka shprese per emigrantet e paligjshem edhe sikur te miratohet.

Ligj beri Ronald Reagan,qe ju dha letra hispanikeve ne 2-3 vjet dhe e mbylli si muhabet per njefare kohe.

Po tani, momentalisht, qe nuk eshte ligji ne fuqi cfare shprese kane?

Dmth nga perspektiva e emigranteve te paligjshem, me mire te miratohet apo jo?

Apo po jep mendimin e Republikaneve? Cfare propozojne ata ndryshe nga ky ligj?

Nese nuk gaboj ligji eshte propozuar nga 4 Demokrate dhe 4 Republikane...

Une jam per ate qe beri Reagan.
Do tju jepja letrat emigranteve te paligjshem,pra do ti ligjeroja dhe do te forcoja kontrollin ne kufi.

Natyrisht qe ky ligj qe po propozohet tani, eshte me mire se asgje,por nuk eshte kushedi se cfare.

Ironia eshte qe cajistet qe i bien gjoksit se jane Reagan-ista, jane krejtesisht kundra shume gjerave qe ka bere Reagain, perfshi emigracionin.

Reagan ka qene dhe eshte presidenti me i madh amerikan i pasluftes.

Si te majtet qe e shajne dhe te djathtet qe gjoja e lavderojne,nuk mund ta arrijne madhashtine e tij,prandaj sillen keshtu.

nice job, Magus!

Flm.

Eshte ceshtje e koklavitur e ku nderthuren shume interesa grupimesh, partish, e miliona njerezish. Pothuajse cdo jave ka artikuj te rinj ne shtyp per kete pune. Shume po flitet por pak ose aspak gje po leviz. Te shohim si do ta zgjidhin eventualisht. 

Yep, faleminderit Magus. 

Yep... great job!

Shume IR major-sa (or IR-fansa) paska Peshku, nice. You qunagoca should form a club or something smiley

O Magus, po ato qe kane pak kohe, qe kane shkuar ne Amerike dhe s'ka letra, perfitojne gje?

Sipas ketij projektligji, qe emigrantet te futen ne rrugen e dokumentacionit duhet te plotesojne keto kushte:

- te kene hyre ne SHBA para 31 dhjetorit 2011

- te shlyejne taksat e prapambetura (pra cdo borxh qe mund t'i kene shtetit ne forme taksimi te pashlyer)

- te mos kene histori kriminale (rekorde te pastra kriminaliteti)

Por ki parasysh se ky projektligj nuk ka hyre ende ne fuqi dhe, sic shpjegon reportazhi me lart, ka ngecur ne kongres. Nuk dihet a do te miratohet apo jo, por eshte thuajse e sigurte se nje reforme emigracioni do te ndodhe ne nje menyre a nje tjeter, pasi keshtu e kerkon koha. Gjithsesi keto detaje te projektligjit ma merr mendja se japin nje ide se per ku po shkon trend-i dhe si mund te zgjidhen praktikisht ceshtjet e emigranteve ne te ardhmen e afert (me shume gjase nje ligj do hyje ne fuqi ne 2014).

 

 

Dihet qe republikanet jane kundra dhe kan qene gjithmon kundra ligjit ne favorizim te emigrantit, mirpo dhe emigrantet nga ana e tyre, mahzallah se levizin nga e tyrja smiley

Ne fakt shoqatat per mbrojtjen e te drejtave te emigranteve jane shume aktive ne kohet e sotme ne Amerike. Ka shume protesta e demonstrata qe bejne suport per emigrantet.

Por eshte interesant fakti se tani dhe grupet konservatore, mbeshtetes dhe votues te partise republikane, po i bejne presion kongresmeneve republikane qe te bejne nje reforme emigracioni. Me sa duket ka ardhe puna ne ate pike qe nuk mban me. Edhe me konservatoret, ata qe jane absolutisht kunder amnistise, e kane pranuar se e gjithe zona "gri" e miliona njerezve pa dokumenta duhet te rregullohet nga ligji e shteti ne nje forme a nje tjeter.

Shenim: me "amnisti" ketu kuptojne dhenien e dokumentave emigranteve te paligjshem. Por nuk eshte krejt falas, sigurisht: ka kosto te pagimit te taksave te pashlyera dhe disa gjoba te ndryshme qe emigrantet duhet t'i paguajne para se te mund te kualifikohen per dokumenta te rregullta.

emigrantet e paligjshem jane aty sepse ekonomia ka nevoje per ta.ceshtja shtrohet a duhet ti legalizosh tu maresh shenjat e gishtrinjve pajisesh me karta ID paguajne taksa shkollojne femijet shkurt te kthehen ne nje burim njerezor qe ti sherbejne shoqerise apo ti lesh ne hije pa mundesi integrimi e akses zhvillimi e te kthehen ne nje barre e rrezik per shoqerine.Sundimi i ligjit e zbatimi i tij me xhelozi e nje per te gjithe eshte guri i themelise se prosperitetit amerikan.ndonese emigrantet e paligjshem ne shumicen e tyre nuk jane kriminele por hallexhinj , hyrja ilegale ne amerike perben thyerje ligji.legalizimi i tyre kompromenton parimin e respektimit me xhelozi te ligjit.ne kete pike konservatoret nuk jane dakord.

Me ka ardhur shume keq per ate nenen qe e deportuan duke e ndare nga femijet.Rast shume i pafat. 

Informacion i mire-formuluar Magus. Faleminderit shume.

Nuk e marr vesh mire se si funksionojne deportimet ketu. Pasi ka shume njerez pa dokumenta por nuk eshte se i luan njeri. Per shembull me ka qelluar qe te takoj meksikane pa letra ne bar apo edhe ne supermarket. Nuk te japin pershtypjen se po i gjemon policia apo dicka. Ndaj s'e marr vesh mire se si i ka ndodhur asaj gruas per te cilen flet artikulli i gazetes Panorama. Me siguri ajo ka shkuar ne gjyq per te nis procesin e legalizimit dhe pastaj ka ardhur tek puna e deportimit ceshtja.

Pergjithesisht eshte per ata qe kane hapur ceshtje gjyqesore (azil) dhe i humbin. Te pakten keshtu ka qene si praktike.

E drejte, ashtu le te kuptohet dhe ajo historia e gruas shqiptare tek gazeta.

Dora, ai rast eshte flagarant dhe tregon se si ligji, qe eshte realisht " e drejta" eshte aqe i padrejte ne zbatim! Nje mungese e lahtarshme e llogjikes qe ka si kendveshtrim anen humane

Nje perditesim i historise se nenes shqiptare te tre femijeve, per te cilen shkruan Panorama.

Shtypi amerikan njofton se autoritetet kane pranuar ta rishikojne rastin e saj, pas zhurmes se bere ne media. Ndonese asaj i ishte komunikuar me pare nga gjykata se duhej te largohej nga SHBA brenda 24 oreve, ditet e fundit i kane dhene dhe nje vit tjeter leje qendrimi.

Pra, nuk eshte deportuar. Lajm i mire.

Ne SHBA ka rreth katerqind mije deportime qe ndodhin cdo vit.

Po me behet qejfi shume, sepse historia e saj te kepuste shpirtin. 

Ka shpesh nje arbitraritet ne raste te tilla, ndaj me vjen mire per kete levizjen e liberalizimit. S'kishte kuptim ndryshe, pasi eshte situate win-win si per shtetin dhe per emigrantet ilegal.

E beri dhe Obama nje te mire me ne fund

Cfare beri?

Nje mot gjer me sot..smiley

About time ne rast se kalojne reformen. Nuk mendoj se do rrisi taksat a dicka te tille, por eshte ana njerezore e gjithashtu nje kosto shoqerore e madhe te lesh 10+ milion njerez ne erresire.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).