Netëve moskovite dhe syve të zinj të vashave ruse do t’u këndohet sot në Pallatin e Kongreseve. Për të 12-in vit me radhë do të zhvillohet në Tiranë koncerti “Tre tenorët”.  Siç është kthyer tashmë në një traditë fundviti, skena e madhe e Kongreseve do të mbushet me tingujt e arieve më të bukura të repertorit botëror, por kësaj here edhe prej notave ku malli përzihet me gëzimin, në këngët tradicionale ruse. Arsyeja është e thjeshtë: tre protagonistët e këtij koncerti janë tre tenorë rusë. Janë tre emra të njohur jo vetëm në skenat ruse apo në ish-republikat sovjetike, por edhe në ato botërore. Bëhet fjalë për këngëtarët Dmitry Galikhin, Oleg Polpudin dhe Nurlan Bekmukhambetov. Të ndodhur për herë të parë në Tiranë, gjatë një konference për shtyp të zhvilluar dje, tre tenorët shprehën kënaqësinë që do të këndojnë përpara një publiku, i cili ka një lidhje historike me Rusinë. 

Programi 

Sipas producentit të koncertit Edmond Tullumani, do të jetë një mbrëmje që premton shumë surpriza dhe që do të justifikojë tërësisht pritshmërinë e publikut, i cili nis të interesohet për blerjen e biletave, pa dalë ende në treg. Mësohet se programi i koncertit do të jetë i pasur me pjesët më të bukura të repertorit klasik botëror. Do të ketë arie nga vepra të Verdit, Puçinit, Çajkovskit etj. “Nuk do të mungojë muzika tradicionale ruse, ato këngë që publiku shqiptar i ka shumë për zemër, si ‘Oci ciornie’, ‘Podmoskovnye vechera’ etj.”, thotë Tullumani. Kësaj atmosfere do t’i shtohen edhe tingujt e muzikës shqiptare, që do të vijnë nën interpretimin e tenorit Kastriot Tusha. Të tjerë të ftuar të kësaj mbrëmjeje do të jenë sopranoja Ramona Tullumani dhe pianisti Genc Tukiçi. Orkestra e Re Filarmonike do të drejtohet nga dirigjenti italian, Orazio Baronello, drejtor artistik i koncertit është mjeshtri i violinës Ibrahim Madhi dhe drejtor i orkestrës, muzikanti Isak Shehu. 

Koncerti 

I krijuar si një ndjekëse e traditës së bukur të “Tre tenorëve” në botë, ku kulmi i shkëlqimit ka qenë me të mëdhenjtë Luciano Pavarotti, Jose Carreras dhe Placido Domingo, koncerti shqiptar, i cili fillimisht kishte pas vetëm vullnetin e mirë, sot mbush 12 vjet. Koncerti “Tre Tenorët”, i cili ngre siparin e atmosferës festive të fundvitit, ka ngjitur në skenë deri më sot emra të mëdhenj të operistikës shqiptare, si Gaqo Çako, Josif Gjipali, Agim Hushi, Kastriot Tusha, Adrian Xhema, Armaldo Kllogjeri, Ramë Lahaj etj., si dhe shumë tenorë të huaj, si Francesco Zingariello, Sebastian Ferrada dhe Francesco Malapena. Sopranoja e madhe italiane, Katia Ricciareli, ka qenë gjithashtu ndër të ftuarat speciale të koncertit. Në edicionin e vitit të shkuar, protagonistë të kësaj skene ishin tre tenorët amerikanë, ndërsa këtë vit një tjetër vend i madh sjell në Shqipëri traditën dhe një shkollë shumë të pasur operistike.

Tre Tenorët: 
Dmitry Galikhin 
Nurlan Bekmukhambetov 
Oleg Polpudin 

Të ftuar:
Tenori Kastriot Tusha,
sopranoja Ramona Tullumani, 
pianisti Genc Tukiçi

Producent:
Edmond Tullumani 
Drejtor orkestre:
Isak Shehu

Dirigjon:
Orazio Baronello 

Drejtor artistik:
Ibrahim Madhi


Oleg Polpudin
I lindur në Rusi, i diplomuar në Konservatorin Shtetëror të Moskës, tenori Oleg Polpudin është një tjetër zë i njohur i skenës operistike, edhe pse ende i ri në moshë. Por angazhimi i tij i kalon kufijtë e tokës ruse. Falë repertorit të gjerë, ai ka qenë vazhdimisht i ftuar në skena të rëndësishme operistike. Pjesë e repertorit të tij janë role si Arturo në “Lucia di Lammermoor” e Donixetit, Goro në “Madama Butterfly”, Rodolfo në “La Boheme” të Puçinit, Triquet në “Yevgeny Onegin”, Vaudemont në “Iolanta” e Çajkovskit etj. Aktualisht është solist pranë Stanislavsky and Nemirovich-Danchenko Musical Theater në Moskë. 

Dmitry Galikhin
Dmitry Galikhin thuajse ka lindur në skenë. Ka kënduar që në moshën 5-vjeçare dhe nuk kishte program televiziv apo kor fëmijësh që të mos e kishte atë protagonist në vitet ‘80. Gjithë fëmijërinë e kaloi nëpër turne, duke përfaqësuar Rusinë në aktivitete ndërkombëtare. Studimet e larta i kreu në Konservatorin Shtetëror të Moskës “Çajkovski” dhe sot është solist në Operën Shtetërore të Moskës. Repertori i tij është shumë i gjerë, që nga Çajkovski, te Verdi, Puçini, Rimsky-Korsakov etj. Ka dhënë qindra koncerte recitale, të cilat gjithnjë kanë qenë të suksesshme. Në vitin 2010, së bashku me një grup këngëtarësh rusë dha një koncert në Ankara, ku u ndoq nga 12 mijë shikues, duke shënuar numrin më të madh të spektatorëve që kishte ndjekur ndonjëherë një koncert klasik në Turqi.

Nurlan Bekmukhambetov
Tenori Nurlan Bekmukhambetov është një nga ata këngëtarë që gjithë jetën ia ka kushtuar muzikës operistike, ngritjes profesionale dhe pjesëmarrjes në konkurse ndërkombëtare. Aktualisht është solist i Novaya Opera Theatre. Ka lindur në Kazakistan dhe është diplomuar me medalje në Sobinov State Conservatory of Samara në vitin 1997, për të vijuar studimet në Konservatorin “Çajkovski” në Moskë. Nga viti 1996-2000 ka qenë në Saratov Opera and Ballet Theatre. Në 2001-shin pati debutimin e tij më Teatrin Bolshoi dhe më pas ka punuar për dy vjet në Operën Kombëtarë në Kazan. Në repertorin e tij numërohen role nga Verdi, Rosini, Donixeti, Vagner, Moxart, Puçini etj. Është pjesëmarrës dhe fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare në Rusi, Kinë, Finlandë, Austri, Itali etj.

 

Në foto: Tre tenorët rusë, gjatë provave në Pallatin e Kongreseve

20 Komente

po kengen me fame boterore ''triste domenica''  e kane ne repertor  3 tenoret..?   sikur te na i kendonin edhe kete kenge....smiley

Sikur ruset te na donin sa cereku i dashurise qe kemi per ta!Ehhsmiley

dashurine qe kemi ne per Ruset ?

koment i cuditshem .

Mos u merzisni se mungesen e dashurise ruse e kompesojme me dashuri amerikane qe e kemi me teprice.

 

Pse c'kishte te cuditshme ketu ?smiley

ndihma e tyre ka qene me efektivja qe ndonje fuqi e huaj i ka dhene shqiperise.ne vetem 5 vjet 1954-1960, shqiperia kishte ushtri flote ajrore detare insititucione shteterore ...

Asnje gje krahasur me ndihmen qe i dhane vendeve te tjera. E pare nga ky kendveshtrim edhe kinezi na ka ndihmuar boll, por ne s'arriten dot te krijonim ate feeling me kinezin sic e krijuam me rusin. Akoma ne Tirane ka rob nostalgjik per vitet me Rusine, por ti pyesesh per Kinen i shuhet zjarri i dashurise nga syte.

periudha e miqesise me kinen qelloi ne shterpesine e viteve te revolucionit kulturor te maos.me ruset ishte ndryshe , ishin qeflinj te pijes ahengut .ne lufte humben shumicen e mashkujve , cobenet shqiptare atje rane si ujqit ne mes te deleve.perkunder snobizmit urban qe padrejtesisht  iu referohet si muzhike kuadrot shqiptare te arsimuar ne rusi dalloheshin qe ne komunikim per klas e kulture dhe me njohurite e fituara atje i sherbyen mire vendit.

Eh nejse Alba, se me duket se dhe ti i jep nje tis mitizimi marredhenieve me rusin. 

Pastaj e kupton qe komenti eshte pak kondradiktor ne vetvete.Sepse e kalon nga marredheniet personale, ne shkembim kulturor , tek ndihma ekonomike , tek niveli i arsimit qe merrnin te shkolluarit neper vendet perkatese. 

Ka patur te shkolluar ne Perendim, por asnje si vari kandarin kur u kthyen.Dhe ata ishin boll te civilizuar e me the te thashe.Pastaj asnje si ndalonte shqiptaret te krijonim marredhenie me kinezet. Plus sa kam dijeni edhe inxhinieret e shkolluar ne Kine s'kane qene me mbrapa se ata te shkolluar ne Rusi.  S'kane qene te gjithe ruset aristokrate dhe  te gjithe shqiptaret cobane, se na cudite.

Une mendoj se gjithe kombet kane vlera per te eksportuar dhe s'ruset s'jane me te vecante. Po ne i deshem fort dhe i duam ende.

p.s. te lutem i lejme keto etiketimet percmuese per shqiptaret, se s'ka kuptim. ++

une s'po i ul aspak shqiptaret perkundrazi.eshte fakt qe shumica e djemve e vajzave te derguar ne rusi per shkollim sapo kishin lene kerrabat dhe u kthyen profesioniste te zot ne fusha te ndryshme .kam njohur disa syresh.

Mire mire, po gjithe shqiptaret s'paten marredhenie me ruset qe kane kaq dashuri per ato. Ishin nje grusht rrobsh. Te degjosh pershkrimet e shqiptareve per ruset thua se flasin per MagicLandin e globit. 

Nejse e terheq, se per ate pune dhe suedezet bujq e femer kane qene deri para disa dhjete vjecareve, s'eshte asnje gje negative.

jo te gjithe shqiptaret jane nostalgjike.kryesisht nje pjese e brezit te vjeter te cilet ose studiuan ne rusi ose punuan me ruset.

ishte koha e idealizmit dhe idealizmi i bashkonte. pastaj ruset jane te ngrohte si shqipot prandaj ju hahej. c'te te hahet me kinezet qe qeshin kot, mos harrojme dhe ndryshimin komplet te rraces. sa per ate qe mbaruan ne rusi shume shqipo, e verteta eshte qe shumica, ndoshta 95% dolen tape-topi. kete e kane thene vete ruset. ja u jepnin shkollen kot me kot, si sot qe po pagove para e merr shkollen kudo. dhe kjo ndodhi jo vetem ne rusi por ne gjithe kampin e lindjes. nuk do rrinin te ngelnin ne klase ca shqipo se s'ju prish gjiza.

~~c'te te hahet me kinezet qe qeshin kot, mos harrojme dhe ndryshimin komplet te rraces
..

Nashi qe kane para ata firaune duken te kripursmiley

koncerti ishte fantastik....kastriot caushi dhe lepirjet ndaj udheheqjes dhe lajkat ndaj ruseve me krijuan pershtypjen se jemi ne kohen e xhaxhit enver dhe ne mbrojtje nga perendimi!!!

Netëve moskovite dhe syve të zinj të vashave ruse do t’u këndohet sot në Pallatin e Kongreseve

Epo dhe keto vajzat ruse me sy te zinj si kishim pare ndonjehere. Mos i ngaterron me vajzat e Taxhikistanit nga BRSS, Almaaa!

Sa i ve re detajet dhe ti.

Me lere te prezantoj me tenorin rus Nurlan Bekmukhambetov.smiley

e mire, aty thote qe ky Nuriu eshte nga Kazakistani.. por meqe eshte shkolluar dhe formuar si tenor ne Moske, por edhe jeten (piktoreskesmiley) artistike e ka zhvilluar ne Rusi ne pergjithsi, e prezantojne si produkt rus.

Mbase ka dashur te beje lidhjen me kengen e famshme

“Nuk do të mungojë muzika tradicionale ruse, ato këngë që publiku shqiptar i ka shumë për zemër, si ‘Oci ciornie’

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).