Teksa mediat përcillnin lajmin e një vrasjeje të konsumuar në ambientet e shkollës ‘Beqir Çela’ në Shkozet, për një çast u rievokuan ngjarjet e trishtuara të shkollave amerikane, por në fakt vrasësi i djaloshit Tota, gjithashtu adoleshent si ai, kishte ndjekur manualin famëkeq shqiptar: një ofendim (sharje), të paktën kështu justifikohet vrasësi, mëria (njëjavore), automatiku/pushka, publiku, kostoja e ulët e jetës së njeriut. Kemi të bëjmë me elementët tipikë të “kodit të nderit”, që dikush mund ta etiketojë si kanunor, megjithëse, në të vërtetë, problemet qëndrojnë te normalitetet e shoqërisë shqiptare.

Ja i pari normalitet. Skema tipike e vrasjeve me motivacionin e një mërie banale, e kryer me armë të përmasave të mëdha, që ofrojnë spektakël – pistoleta është fizikisht shumë profesionale – dhe me zhurmë që bren memorien e të mbijetuarve, mundësisht në publik, ditën për diell, me ankthin e të tjerëve që instinkti i detyron të rrafshohen për tokë, të mbyllin sy, veshë e gojë. Vrasësi ikën, si përherë në drejtim të paditur, dhe mediat mbyllin raportin me formulën klishe “policia po punon për kapjen e autorëve” –  thua se policia ekziston për ndonjë punë tjetër. Pastaj dorëzimi, i reklamuar si sukses i institucioneve të rendit, dhe parodia e drejtësisë shqiptare…

I dyti normalitet lidhet me pohimin se “ishin nxënës të mirë dhe të rregullt”. Kjo i integron në turmën normale. E pra, duke parë fotot në facebook e disa dëshira makabre të shprehura aty, për t’i konsideruar si të tjerët, duhen ndryshuar skemat e normalitetit. Ose duhet të pranojmë që normaliteti shqiptar tashmë është ky: jo rastësisht (p.sh.) të pozosh me pistoletë nuk të pengon të jesh zëdhënës i një partie.

Heshtja është një tjetër normalitet, madje kompleks, sepse nuk reduktohet te fajësimi i thjesht i dëshmitarëve. Qytetari shqiptar pranon t’i nënshtrohet të keqes përmes indiferencës, kryesisht sepse nuk ka siguri në kryerjen e detyrës njerëzore të refuzimit të krimit me fjalë dhe me vepër. Mungesa e sigurisë, natyrisht, është dukuri që zvarritet në tranzicionin tonë nën pafuqinë e politikës për ta ndryshuar. Kush e mbron një qytetar që denoncon krimin, kur krerët e shtetit – pozitë dhe ish-pozitë – akuzojnë çdo ditë njëri-tjetrin për shkelje ligji? Po kur drejtësia perceptohet si korruptive; kur fytyrat e vrazhda, si të dala nga trishtimi i tablove të Pikasos (që u mungon vetëm ta kenë të shkruar ta kenë të shparulla në ballë: “jam kriminel”) xhirojnë me makina luksoze me xhama të errët e as policia rrugore nuk i ndal; kur eprori ka të drejtë të të pushojë nga puna qoftë edhe pse nuk i pëlqen mënyra jote e krehjes së flokëve? Nëse jetojmë në një realitet ku deputeti lëviz me makinë që kushton 120 mijë euro, të cilat rroga nuk asnjë mundësi t’ia justifikojë, detyrimisht qytetari priret t’i nënshtrohet këtij normaliteti.

Kalimthi, dy dukuri të normalizuara vërehen në reportazhet mediatike. E para lidhet me ndjesinë espektaklit që krijohet teksa shikon fotot dhe kronikat e bashkëmoshatarëve të viktimës e vrasësit, të marrë në intervista. Duket sikur po rrëfejnë diçka nga jeta e përditshme, një moment ekstrem, por pjesë e agresivitetit rutinë. Nuk përcjellin informacion e as ndjenja dhimbjeje, përkundrazi, grumbullohen përpara kamerave, më tepër për të mësuar diçka apo për t’u bërë aktorë në teatralitetin e tragjedisë. E dyta lidhet direkt me mediat, konkretisht me emrat e të përfshirëve në ngjarje. Emri i viktimës jepet i plotë, ndërsa i vrasësit qarkullon me targë: dhe nuk është standard juridik, sepse nganjëherë vrasësi shfaqet me emër pa mbiemër, e nganjëherë i arrestuari identifikohet tërësisht (mësuesi). Mos vallë justifikimi është ruajtja e dinjitetit të të miturit? Po viktima e mitur? Po viktima në vetvete? Në fakt kjo është kultura e anonimatit të krimit, deri ai nuk përzihet me politikën, sepse në atë moment fillojnë teoritë konspirative, akuzat dhe manipulimet, të cilat mbeten të pandëshkuara edhe kur emrat e politikanëve zbulohen të plotë.

Normaliteti më i dukshëm është ai i lojës politike ku vdekja përdoret për beteja personale. Njëra palë kërkon heshtje, tjetra ulërin për paaftësitë e palës së parë, ndërsa kjo e fundit i përgjigjet me historinë e “babait të Zenit”, 21 janarin, e kështu pa fund. E ky është normaliteti më i zymtë dhe patetik. Vetëm respekt për viktimën, keqardhje për realitetin, diskutim mbi problemet apo masa konkrete për t’i vënë ato në kontroll nuk duken gjëkundi. Fundja edhe kjo është normale në këtë vend.

E-zani

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).