E harruara ishte e bardhë si buzëqeshje, me sy jo aq të zinj, të rrumbullakët, tepër, me një trup të ndjeshëm, të brishtë – do të vdiste ajo si të gjithë të vdekshmit? – me flokët si ajër, të lehtë e të ngrohtë, në butësinë e tyre si frymë e një pëshpërime, ek(re)zistonte si element pa emërtim – e kishte parashikuar Менделе́ев një formë të tillë? – e harruara ishin fjalët, hapësirat boshe mes tyre, ishin heshtja, buzët të kryq-kyçura si lapsa të pushkatuar të hedhur mbi njëri-tjetrin mbi byro, ky varr masiv shkresash, faturash të papaguara, tekstesh të nisur, të fshirë, e të rinisur, e të rifshirë, faqje të bardha shuk si llambushka, libra të shfletuar, të nënvizuar, të përthyer dhe një foto hedhur barkas mes një mijë xhingla-minglash të tjera. A la une, à la deux, à la mort. E harruara është sërish aty.

E harrura, da-sein! Mendoja se kishte shkuar, përgjithmonë, ishte larguar n’atë portë të destinuar, n’atë të largëtë distancë, n’atë pakthim sa as gjuha, me gjithë alternacionet e saj, fjalët më s’i gjente. E tani, rivjen ajo, e ka nevojë të shprehet: përmes çensurës, të “E NDALUAR”-ave,  autenticitetit të pamundësisë, zhargonëve që dremisin prej ç’kohësh. Është aty! Para meje! E mua më mbetet të shpik neologjizma për ta përshkruar, pa e trembur se ajo ka horror nga fenomenologjia e vrazhdë!

Rrathët e kujtesës riprodhojnë trajtat e shkuara të harruarës si absolutizim i një patosi pa variacion. Me siguri e gjitha kjo tingëllon kaq völkisch ! Me duart plot gishtërinj ngulur tëmthave, me habinë e varur mbi qerpikë si pikëpyetje, e vështrova një çast dhe vehten pyeta : Përse u ktheve ? Gjithçka ishte e qetë në këtë qytet : poshtë, pleqtë luajnë domino me kockat mbërthyer si varëse brenda palltove, fëmijët të djersitur klithin gëzimi në një topa-djegësi pa rregulla, makinat janë parkuar mbi (le ta quajmë) lulishten tonë dhe im atë vazhdon të ujisë fidanët e thyer, beson ende se ata do të lulëzojnë një ditë- ndoshta im atë është çmendur- në rrugë negociohet një gjobë e një parkingu të gabuar, kurse plehrat janë po aty, ku kanë qenë, ku janë, ku besoj do të jenë, ato janë ndoshta të vetmet gjëra të vërteta që ne besojmë ; lart, tarracave të ndërtesave, bidonat e alumintë nxijnë prej smogut  si kafshë të pista me barrë me kërthizat si antena kthyer nga qielli, e akoma më lart, aferat e zotit, kambist i devotshëm, kanë ecur këto kohë më mirë se kurrë. Rezymeja lë shumë për të dëshiruar, e di, por ndoshta sepse tash që të kam para syve, ndihem kaq i paralizuar prej idesë që ti je rikthyer, pikërisht atëherë kur mendoja se ishte e pamundur të të mendoja sërish ! Eshtë kjo paralizë që rrëshket aksidente, gabime, lapsuse në këto lojra fjalësh (sepse është vetëm një lojë) e vogëlsirash gramatikale. Po pse të të refuzoj ? A nuk ka një detyrë kujtese ? Një kujtesë me detyrim, me urdhër, si dënim, fiskulturë maoiste! Majtas, 2, 3, 4, Majtas, 2, 3, 4, Majtas... ! Kujto! Kujto ! Por, të paktën, e harruara është e tejdukshme. E mirësjellshme, ajo s’më thotë ç’ka mua më buçet në kokë: ajo s’erdhi vetë, e solla unë.

1 Komente

bukur smiley

Nganjehere gjerat e vogla,ato vogelsira per te cilat s'te bie me ne mendje prej kohesh por qe rastesisht nje dite si kjo ti i shikon dhe hulumton me shpirtin e nje eksploruesi ne hapat e para,te bejne te mendosh gjate.
Te fusin ne shtigje ku mendja jote fluturon.....nuk eshte e thene te jete nje fluturim linear e aq me shume i provokuar nga nje gote autostime(vere) ose objekt ,nganjehere (ndoshta ne shumicen derrmuese te rasteve) ajo ngrihet ne udhetim vetvetiu dhe takon te harruaren , si kendi - mendoj me ze te larte on-air smiley
 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).