Edhe shqiptarët po jetojnë në epokën e konsumit, të paktën një pjesë e tyre që i kanë mundësitë financiare. Ata që nuk kanë paranë, konsumojnë spektaklin e konsumit. Qysh në ditën e hapjes qendra tregtare TEG pranë Tiranës, një nga më të mëdhatë në Ballkan, u vizitua nga dhjetëra mijëra qytetarë, ndërsa kryeministri e cilësoi investimin si një ndër dhuratat më të bukura që i bëhen Shqipërisë në prag të 100-vjetorit të pavarësisë.

Shoqëria e konsumit kritikohet mjaft për egoizmin dhe pasivitetin që përhap në shoqëri. Një tezë shumë e njohur është ajo që vendos përballë konsumatorin me qytetarin. I pari konsiderohet si i prirë për nga interesat vetjake dhe si pre e manipulimit të kulturës së konsumit. I dyti shihet si i angazhuar publikisht dhe politikisht.

Mirëpo, një shikim i kujdesshëm e dallon se kjo ndarje hermetike midis konsumatorit dhe qytetarit është e thjeshtuar dhe e pabazë. Janë vetë politikanët gjatë fushatave zgjedhore ata që u kërkojnë qytetarëve që të votojnë duke pasur parasysh interesin vetjak, si p.sh. do të paguajnë më pak taksa, apo do të kenë më shumë investime në zonën e tyre etj. Për më tepër, politika shpesh është një veprimtari e larguar nga e mira e përbashkët dhe e përshkuar nga interesat egoiste. Fjalori i gjuhës shqipe përmban fjalën “politikanizëm” për të emërtuar këtë lloj sjellje joparimore të politikanëve, të interesuar vetëm për fitoren e pushtetit dhe pasurimin e tyre vetjak, pa lidhje me interesat dhe të mirën publike.

Në krahun tjetër, mund të argumentohet se konsumi në vetvete është më shumë se sa një sjellje egoiste dhe mund të marrë parasysh vlerat shoqërore dhe të mirën publike. Me fjalë të tjera, konsumi mund të jetë një sjellje politike. Zgjedhjet që ne bëjmë në blerje kanë ndikimin e tyre në treg dhe përtej tij. 

Tregu është i pandashëm nga shoqëria njerëzore, pavarësisht prej nivelit të zhvillimit të saj në histori dhe pavarësisht faktit se sociologët termin e “shoqërisë së konsumit” e përdorin për të karakterizuar shoqërinë kapitaliste të disa dhjetëvjeçarëve të fundit. 

Duke vazhduar arsyetimin tonë me këtë  frymë, gjykojmë se janë të duhura, të drejta dhe të nevojshme ato fushata qytetare që kërkojnë ta lidhin çështjen e rritjes së prodhimit shqiptar edhe me nxitjen dhe orientimin e konsumatorit shqiptar drejt mallrave vendase. Në Shqipëri tashmë janë bërë të njohura fushatat mediatike dhe panairet e nismës qytetare Blej Shqip!, sikurse në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje! ka zhvilluar fushatën Duaje Tënden! Qëllimi i projekteve të tilla qytetare është, krahas shtimit dhe përmirësimit të cilësisë së produkteve shqiptare, të edukohet konsumatori që të zëvendësojë, aty ku është e mundur produktet e jashtme me ato vendase. Nisma të tilla vijnë pikërisht në kohën kur edhe shumë firma shqiptare kanë investuar shumë para e mund për arritjen e standarteve evropiane të mallrave të tyre, e megjithatë përballen me një mosbesim nga ana e konsumatorit, i mësuar të vlerësojë pozitivisht markat e huaja. Kjo ka bërë që shumë produkte shqiptare në treg të shiten me emërtime të huaja!

Synimi i nismave të tilla është që tregu të shndërrohet nga një hapësirë e ndërveprimit sporadik për shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve për interesat e palëve, në një mënyrë për të krijuar mirëbesim dhe lidhje afatgjata midis tyre. Sipërmarrjet shqiptare kanë nevojë për konsumatorë besnikë dhe ata mund t’i sigurojnë me anë të produkteve dhe shërbimeve cilësore.

Edhe ekonomia kombëtare përfiton në disa plane nga mbyllja e rrethit prodhim-konsum brenda vendit. Paratë e qarkulluara ngelin brenda vendit (Shqipërisë apo Kosovës) dhe investohen përsëri nga sipërmarrjet, duke rritur punësimin. Të ardhurat në buxhet rriten, sikurse edhe investimet publike, duke ndikuar kësisoj në mirëqenien e përgjithshme të shqiptarëve. Duke u forcuar në tregun brendashqiptar, sipërmarrjet shqiptare mund të bëhen konkurruese edhe në rajon e më gjerë. Markat e suksesshme shqiptare i japin edhe botës diçka nga qenia shqiptare, sidomos në qarkullimin global të imazheve.

Sigurisht që pa një ekonomi të fortë kombëtare nuk mund të aspirojmë forcim të faktorit shqiptar në Ballkan. Dihet mjaft mirë se vendet që janë kryesisht tregje për produktet e huaja, ndodhen në një pozitë neo-koloniale dhe nuk mund t’i mbrojnë denjësisht interesat e tyre kombëtare. Zhvillimi i qëndrueshëm vjen nga prodhimi i brendshëm, i cili rrit mirëqenien dhe kapacitetin kulturor të punonjësve.  Prodhimi dhe konsumi i mallrave vendase ndihmon edhe formimin e qeverive të përgjegjshme që kujdesen për interesat e popullit dhe të ekonomisë kombëtare. Në kohën e tanishme, kur politika kryesore qeveritare në hapësirën shqiptare është privatizimi i pasurive kombëtare në favor të sipërmarrjeve të huaja, është e pritshme që qeveritë shqiptare të mendojnë në radhë të parë se kujt do t’ia shesin ato dhe se çfarë mund të përfitojnë për vete politikanët. Shqiptarët me paratë e djersës së tyre të derdhur tjetërkund po konsumojnë mallra të huaj në atdheun e tyre, së bashku me të papunët që konsumojnë edhe ata punën e emigrantëve tanë. Siç shkruan Albin Kurti, “çdo qytetar kudo në botë, sikurse edhe te ne, është gjithsesi konsumator, por në Kosovë qytetarët nuk janë më shumë sesa konsumatorë. Janë njerëz me gojë, ama disi pa duar” (Publikja shqiptare, f. 143). Me sa shkruam më sipër, tregojmë se qytetaria nuk humbet krejtësisht në konsum, sepse për sa kohë që ekziston mundësia për të zgjedhur produkte të huaja dhe ato të vendit, mbetet një zgjedhje politike për t’u bërë nga konsumatori shqiptar. Eshtë detyra jonë që me shtimin e prodhimit kombëtar ta zgjerojmë mundësinë e zgjedhjes në treg.

Sido që të jetë, nuk duhet harruar se kombi ka edhe një përmasë të pamohueshme ekonomik, prandaj ekonomia duhet t’i shërbejë afrimit të shqiptarëve me njëri-tjetrin. Këto  janë arsye pse fushatat “Blej Shqip” dhe “Duaje Tënden” i japin një veti morale tregut dhe nxisin veprimin qytetar në treg e përtej tregut.

 

Marrë me shkurtime nga E-Zani

14 Komente

Gjë e mirë është... Drita, një fqinje në Shqipëri, ka kohë që e thotë... Puna është se teta Drita shet vetëm speca, domate dhe qepë*.

.

.

* të cilat i blejmë me kënaqësi.

ketu ne greqi edhe firmat e medhaja nderkombetare ose sponsorizjne ekipet kombetare ose reklamojne se prodhimet e tyre jane bere me lende te pare greke.  nje prodhim qe nuk ka flamur grek shitet automatikisht te pakten 20% me lire se nje i ngjashem me flamur grek.  ngado qe te vesh , ajo qe reklamohet me shume eshte ''kombesia'' e produktit.  eshte gallate kur shikon se p.sh rrjeti gjerman i s.m lidl reklamon se i ka produktet greke!

ndersa ne shqiperi ndodh e kunderta.  prandaj nuk para blej gjera vete ne shqiperi se me ngrihen nervat kur te thote shitesi se jane italiane apo greke!

Budallalleku me i madh, "Blej Shqip!" perfshi edhe "Turizmin Patriotik".

p.s. tani po ve re logo te stenda e Blej Shqip. Digitalb (qe as shqip nuk eshte si fjale) e cila eshte paisje e huaj, e cila blihet nga shqiptaret per te pare ndeshje futbolli dhe filma te huaj. Apo DEKA, vaj ne shishe plastike te prodhuar jashte, me vaj qe prodhohet me esenca qe importohen po ashtu nga jashte.

Tregu duhet te jete i lire e te huajt te konkurrojne lirshem me shqiptaret. Por fakti eshte qe shume prodhime shqiptare paragjykohen, dhe shume prodhime te huaja mbivleresohen. Shqiptaret jane mesuar qe gjerat e jashtme jane gjithnje me te mira. Dhe e kane gabim. Shume gabim. Kjo si levizje behet en cdo vend te botes, por ty te djeg qe e ka nje kompani qe s'i ka puthur prapanicen sales dhe aq. S'eshte se do t'ia dish per gje tjeter.

Ka nje levizje vitet e fundit drejt industrise ushqimore, shume ndertuese/ ish-ndertues po hedhin leke aty tani. Po me ca perjashtime, cilesia le akoma per te deshiruar. 

Nderkohe qe nga ana tjeter kemi problemin qe fshataret kane mesuar mrekulline e kimikateve dhe kane filluar ti perdorin rendshem, nuk e di nese ka nje frut apo perim shqiptar qe vertet mund te quhet bio tashme. 

Kjo ne se do paraprihet nga mendje te mira, sidomos drejt industrise agroperpunuese do jete shume efektive.Them se qeveria duhet ta stimuloje sipermarrjen ne kete drejtim dhe prodhimeve BIO !

O Grave kot me te pyt cfare kupton ti me prodhim bio sepse e degjoj qe e perdorin vend e pa vend. 

Kuaz, ca kuotoj une me prodhim bio eshte e thjeshte fare.Nenprodukte qe vine nga prodhim natyral, pa asnje lloj nderhyrjeje apo stimulimi me lemente a mikroelemente, mbi kafshet, ushqimin e tyre apo dhe token si mjeti kryesor i prodhimit. Di ti si behet djathi i dhise mo?Di ti ku kullosin dhite nga neve? E di ti mo qe dhite tona ( te tradites ) nuk futen ne stalla ?Ndersa keto kohera kane ardhur ca raca dhish qe mbahen mbillur tere kohen e ushqehen me ushqime te parapergatitura dhe japin goxha qumesht! Edhe ai behet djathe por jo si djathi qe une e quaj safi dhie i kullotur vetem me gjethe ...pralli! Ato dhi, mo gaz qetheshin me gershere cobani jo me makinerira...! te mora dhite mo se per te tjerat prodhime ...jam i zanatit mo berber.Dhe o te lodhja

PO ca te blesh shqip psh. te blesh birre qe eshte nje felliqesire e vertete pa perjashtim nga te gjithe prodhuesit? Te konsumosh qumesht apo kos qe nuk kane kurrefare sigurie ushqimore dhe ne nje pjese te tyre mbajne ere qumesht pluhur? Te konsumosh mish te "fresket" dhe te "njome" por qe fshatare idiot i kane injektuar hormone ne doza maramendese nga injoranca? Te konsumosh tranguj qe per ti zmadhuar mbasi i kepusin i mbajne te zhytur ne nitrat amoni? 

Fiks berbero keta tanet duan te na vdesin fare per ca leke me shume. Fiks western per nje grusht dollars.........

Pervec mos inkurajimit te prodhimit vendas, ka dhe nje mungese vizioni nga qeveria e re Rama qe u jep perparesi dhe ul taksat per biznesin e vogel, kryesisht tregrar qe nuk sjell kurre zhvillim dhe nuk nxit aspak biznesin e mesem dhe madh prodhues, sjelljen e makinerive dhe kualifikimin e forces puntore.

Eshte nje rreth vicioz ku shtyse kryesore nuk eshte zhvillimi i vendit por vetem mbajtja e pushtetit dhe pasurimi i dy klaneve qe alternojne njera tjetren ne menyre periodike.

pse kane fillu edhe atje ti injektojne kafshet? skandal behet lopa sa i vagon treni ska pike shije mishi eshe vetem kancer te behet ... rrini larg mishit nqs eshte ashtu. 

Duke u forcuar në tregun brendashqiptar, sipërmarrjet shqiptare mund të bëhen konkurruese edhe në rajon e më gjerë

Zakonisht eshte e kunderta. Vende te mbyllura nuk krijojne dote industri konkurruese sepse sipermarresit nuk kane arsye ta bejne ate gje ne rast se e kane klientin te garantuar.

Dihet mjaft mirë se vendet që janë kryesisht tregje për produktet e huaja, ndodhen në një pozitë neo-koloniale dhe nuk mund t’i mbrojnë denjësisht interesat e tyre kombëtare.

WTF!! Ground control to major tom!

 

Nejse, gjeja qe mbase ka me shume rendesi ketu eshte qe njerezit tani kane filluar te pelqejne me shume prodhime lokale dhe organike. Foraging eshte shume hip per restorantet me te mira ne qytetet globale e njerezit jane gati te paguajne shume me shume per prodhime te aferta. Nga kjo mode fermeret shqiptar kane me shume mundesi per te fituar sec kishin ne rast se preferancat e viteve 80 apo 90 ishin akoma dominuese.

yes

une blej shqip ke rossman & lala dhe ke carrefour

----

ne s'po u besojm produkteve amerikone, me u besu atyne shqiptare

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).