Në më pak se 5 ditë, qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës do të kenë takimin e tyre të parë të përbashkët, por përtej zhurmës, miratimit të një fondi të përbashkët për Preshevën, nuk dihet ende se çfarë mund të bëjë kjo mbledhje e madhe qeverish. Në Kosovë, e përditshmja Express e sheh gjithçka si një mundësi që kryeministrat të kenë një dalje ekstra në media dhe analistë të pyetur prej saj shohin se takimi nuk mund të vlejë për asgjë tjetër përpos kësaj.

Nga ana e tyre, dy shefat e qeverisë e kanë shpallur si një ditë vendimtare. Ata thonë se kjo është “një faqe krejt e re”. Ende ndërkohë nuk mund të thuhet nëse mbledhja e parë do të provojë skeptikët, që e shohin si shfaqje propagande apo do të sjellë vërtet një ndryshim në raportet mes Prishtinës dhe Tiranës.

Sigurisht retorika zyrtare dhe jo zyrtare mes palëve ka qenë e tillë dhe aq e ndezur sa të bën të mendosh se mes dy vendeve ekziston vëllazëria aq shumë e përfolur, por përtej kësaj Shqipëria dhe Kosova kanë shkëmbime tregtare krejt të papërfillshme dhe në dukje asnjë bashkëpunim serioz përveç deklaratave. Përkundër kësaj, realisht vendet kanë pasur probleme edhe pse shumica e popullsisë në dy anët e kufirit flet të njëjtën gjuhë dhe një pjesë e mirë e saj ende ëndërron bashkimin. “Patatofobia” i pati cilësuar disa muaj më parë Rama, ngërçet kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës në dogana, por në njoftimin paraprak nuk dihet nëse palët do t’i shqyrtojnë këto ngërçe dhe nëse do të ketë më tej hapa për të rritur bashkëpunimin tregtarë apo ndonjë urë tjetër lidhëse përtej retorikës dhe faktit që të dyja vendet jetohen prej shqiptarëve.

Përtej kësaj mbledhja e përbashkët nuk është një shpikje shqiptarësh. Serbia dhe Maqedonia e kanë filluar këtë më 2011 dhe kanë rënë dakord deri edhe për mbajtjen e ambasadave të përbashkëta që do u kursente mjaft para dy shteteve. Maqedonia madje duket e gatshme ta zgjerojë këtë politikë edhe me Shqipërinë e Kosovën. Mediat shqiptare të atjeshme më shumë se sa një nismë të Tiranës apo Shkupit e shohin këtë si një detyrim për integrimin në BE. Pra si diçka e paracaktuar prej Brukselit në mënyrë që vendet të sheshojnë problemet dhe nxisin bashkëpunimin. Nuk dihet nëse kjo vlen edhe për mbledhjen e qeverive të Prishtinës dhe Tiranës, por për këtë të fundit ende dihet shumë pak. “Me vetëdijen e lartë për potencialet e zhvillimit dhe nevojat për zhvillim të popullit shqiptar në të dy anët e kufirit, dy qeveritë do të ndërtojnë një qasje të përbashkët strategjike për të hapur perspektiva të reja ekonomike, sociale e kulturore për qytetarët tanë”, shkruante kryeministri Edi Rama në faqen e tij sociale që ka shërbyer si njoftimi i parë zyrtarë për takimin. Nëse do të ketë një axhendë apo ka një të tillë duhet të presim ende. “Synojmë një qasje të përbashkët dhe strategjike për interesat tona vitale. Fillimi i një rrugëtimi të ri!”, shkruante po ashtu në faqen sociale Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës.

Por ndërkohë në Prishtinë zërat janë kritikë. “Takimi do të përfundojë me një fotografi dhe një kafe të cilën do ta pijë Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi bashkë me homologun e tij nga Shqipëria, Edi Rama në ndonjë kafiteri të qytetit të Prizrenit”, shkruan Express. Gazeta citon analistin Halil Matoshi të thotë se “Më shumë takimi do të ndodh që kryeministrat të shesin patriotizëm anakronik të shekullit të 19-të”. Kryeministri i Shqipërisë sidoqoftë pati këmbëngulur më herët se marrëdhëniet me Kosovën do të zhvillohen pikërisht duke u shkëputur prej këtij patriotizmi. Ai kritikoi atëherë ashpër ish-kryeministrin Berisha për gjuhën që përdorte, ndërsa vinte theksin mbi problemet e pazgjidhura në dogana dhe në fakt mungesën e projekteve reale të bashkëpunimit mes dy vendeve. E vetmja që mund të shënohet veç është përpjekja për një abetare të përbashkët, por asgjë nuk ka ndodhur veç kësaj.

Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Prishtinës janë për pasojë mjaft të çuditshme. Ato janë shoqëruar gjithmonë me fjalime të zjarrta vëllazërimi, por me mungesë të qartë projektesh dhe qëndrimesh të përbashkëta. E vetmja gjë që mund të thuhet edhe pse nuk dihet as sa dhe as si, është një farë ndikimi i Shqipërisë për njohjen e Kosovës në vende të ndryshme apo përkrahja për njohje në organizata ndërkombëtare. Ndihmat sporadike në raste emergjencash po ashtu kanë qenë të pranishme, por vendet edhe pse me qytetarë që do donin të ishte ndryshe, jetojnë thuajse të ndara. Problemet po ashtu kanë qenë të dukshme dhe të mëdha. Bizneset e kanë më të vështirë të kalojnë kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë se sa çdo vendi tjetër në rajon.

Në Luginën e Preshevës sidoqoftë ka një optimizëm të dukshëm në lidhje me mbledhjen që pritet të akordojë një fond për ndërtimin e një materniteti në zonën e banuar me shqiptarë, por nën administrimin e Serbisë. Fondi që do të jepet prej të dyja qeverive, pritet të jetë i përhershëm dhe shihet si shpëtimtar prej shqiptarëve të atjeshëm.

6 Komente

Ladi, ta duam e ta ndihmojme njeri-tjetrin, tha Pagarusha smiley.  

Linjat e interkonjeksionit po vendosen.  Gjithesesi, kuptohet qe ka akoma shume per te bere, por edhe retorika boshe nuk pertypet me edhe aq kollaj. 

Takimi duhet përshëndetur si risi dhe guxim politik të tjerat  vijnë pas;gjithmonë ka një her tê par e gur gur bëhet mur thuaj Matoshit.

ke paska cituar si ze kritik nga kosova!  lubonjen e kosoves,matoshin.

ore sa do te bertase lobi i integrim-antishqiptarizmit,kosova eshte nje krahine shqiptare qe, pavaresisht se dumbabistet e sotem te integrimit perpiqen ta paraqesin si nje shtet ''ballkanik'' ,do ta gjeje rrugen ne perfshirjen me trungun kombetar.

e forta eshte se matoshet e shqiperise ,me demek per te njollosur atdhetarizmin,mundohen te paraqesin berishen si flamurtar te saj!

keq keshtu ,keq , me ithtaret e ''bashkimofobise''

Ca te boje , vetem Thaci e pret .

Nje foto sa 1000 fjale.

Ne rradhe te pare dy kryeministrat.

Reshti i dyte akoma me interesant:ministreshat e euro-integrimit  Citaku dhe Gjosha

O Zot,sa jane deformuar gjenet e Baballareve te LIdhjes Prizrenit.

Shyqyr qe s eshte Meta ne ate foto ! smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).