Si do i risjellim nё kinema dhe kush ёshtё shikuesi i filmit shqiptar? Sa mund të ndihmohet industria e filmit nga buxhetet e deritanishme dhe, a është kjo rruga e vetme për të prodhuar filma? Këto pyetje shtroi ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, në një tryezë konsultimi me kineastë, producentë dhe studentë të filmit. Në përfundim të diskutimeve, debateve dhe hera-herës dhe “krehjeve” personale që zgjatën gati dy orë, asnjë nga pyetjet nuk mori përgjigje. Secili fliste nga llogorja e interesit personal.

Që filmi shqiptar e ka humbur publikun, kjo dihet dhe shihet në sallat e kinemave, në ekranet e televizioneve por dhe në përfaqësimet në festivale filmash, ku më e madhe është jehona e pjesëmarrjes sesa niveli apo cilësia e filmit që na përfaqëson. Që cilësia është arsyeja që filmi shqiptar nuk ka treg dhe audiencë, edhe kjo dihet e shihet, por sesi duhet të dalë nga ky batak, vetë prodhuesit e filmit nuk kishin ndonjë vizion të qartë. Ata ishin të bindur se e keqja më e madhe që pengon zhvillimin e filmit shqiptar është ligji “Për kinematografinë” dhe buxhetet në ulje që shteti akordon për prodhimin e filmit. 

Kineasti Bujar Alimani solli si shembull modelin e “kinemasë guerile”, kineastët indipendentë, të cilët prodhojnë filma me buxhete të vogla. Kujtim Çashku e sheh problemin tek QKK-ja, e cila ka funksionuar pa vizione të qarta dhe ka qenë e ndikuar nga klane të ndryshme në financime projektesh. Ilir Butka solli eksperiencën e tij me “Albania Film Commision”, e cila funksionon prej disa vitesh pa hyrë në një sistem të qartë juridik dhe në ndihmë të prodhimtarisë së filmit shqiptar, siç e shpjegoi ai duke patur si referencë modelin e fqinjëve italianë. Producentja Sabina Kodra diskutoi për mekanizmin fiskal, që në Europë po nxit shumë kinematografinë lokale, si edhe bashkëprodhimet me vende të ndryshme. Kineasti  Saimir Kumbaro kërkoi ndryshime në ligj, të cilat duhen rishikuar për të lehtësuar prodhimin e filmave shqiptarë. “Është e rëndësishme që ministria të ndërhyjë në ligjin aktual”, – tha regjisori Kumbaro, duke pranuar në njëfarë mënyre edhe gabimet që janë bërë në hartimin e këtij ligji. Gjithashtu ai shprehu kritika ndaj QKK-së, që sipas tij e mbështet financimin e projekteve dhe filmave sipas klaneve, pjesë e të cilit janë dhe vetë anëtarët e bordit. “Duhet ngritur një skemë për të krijuar borde me njerëz të ndershëm dhe profesionalë që marrin vendime për financimin e projekteve filmike. Në QKK, anëtarët e bordit që marrin këto vendime nuk dinë të lexojnë një skenar filmi”,- tha Kumbaro. Për pedagogun e Akademisë së Filmit “Marubi”, Elvi Hoxha, problemi nuk qëndron te ligji, por te moszbatimi dhe mosnjohja e tij. “Ligji që kemi, është më i mirë që kemi. Kështu që mbani atë që është dhe shihni çfarë mund të ndryshoni”,- tha ai.

Kineasti Joni Shanaj kërkoi krijimin e një strukture në QKK, e cila të merret me promocionin e filmit, çka nënkupton që të punojë për promovimin e filmit dhe të jetë e shkëputur nga prodhimi i filmave. Përsa i përket buxhetit për filmin, ai propozoi modelin që ofrojnë disa vende të BE-së, ku 1/3-ta e buxhetit vjen nga shteti dhe pjesa tjetër vilet si kontribut i detyrueshëm nga mediat audiovizive. Njëherësh ai hodhi idenë e një QKK-je vizionare dhe me strategji të qartë për mbështetje dhe prodhimtari kinematografike, ku dha të nënkuptohej se deri më sot kjo strategji i ka munguar institucionit në fjalë. “Shteti është i shurdhët dhe nuk e di ç’bëhet në QKK, dhe këtë shurdhëri e ka manifestuar me uljen e buxhetit vit pas viti”,- tha Mevlan Shanaj, i cili binte dakord me kolegët që kërkonin rishikimin e ligjit. “Të ngrihet një grup pune për rishikimin e ligjit. Të punohet për promovimin e filmit, i cili është harruar, dhe të ngrihet rrjeti i kinemave në të gjithë Shqipërinë. Kinematë me financim privat kanë dështuar”,- theksoi Shanaj. I gjendur në sulmin e kritikave ndaj Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, kryetari Artan Minarolli u shpreh se arsyet që kinematografia shqiptare është në krizë vijnë për shkak të buxheteve gjithnjë në ulje që i janë akorduar prodhimit të filmit nga shteti. “Ne kemi patur një ritëm të prodhimit të filmit me metrazh të gjatë 2 filma në vit dhe kemi bërë çmos që ta ruajmë këtë ritëm, por ky është shumë pak krahasuar me vendet e rajonit dhe kjo ka ardhur për shkak të buxhetit të vogël”, – tha Minarolli.

Edhe për këtë vit buxheti që qeveria i ka akorduar QKK-së është 500 mijë euro, ashtu si dhe një vit më parë. “Nëse ne do ta shtrojmë ose do ta vendosim diskutimin gjithmonë tek ankesa e përhershme: nuk ka fonde, ne nuk kemi zgjidhur asgjë dhe nuk kemi kapërcyer asnjë centimetër nga këto 20 vjet”, – tha ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi. Ajo megjithatë garantoi për vullnetin dhe dëshirën e ministrisë që drejton, për të mbështetur strategji dhe ide vizionare për ecurinë e filmit, por jo vetëm nga buxheti i shtetit. Kumbaro theksoi në fjalën e saj se “është shumë e rëndësishme takimi dhe ballafaqimi i mendimeve tuaja për të bashkëpunuar të gjithë së bashku në koordinimin, orientimin dhe krijimin e një sinergjie që do të ndihmojë prodhimin, mbështetjen dhe promovimin e filmit”. Vlen të theksohet rrahja  e mendimeve pro dhe kundër buxheteve të mëdha dhe të vogla, të cilat jo gjithmonë janë tregues i suksesit të një filmi. Ministrja Kumbaro premtoi ngritjen e një grupi ekspertësh që do të jenë pjesëmarrës të përmirësimit të ligjit të kinemasë, aksione që shumë shpejt do të realizohen në një takim të dytë.

***

Nga Respublica:

Çështja e buxhetit ka zënë vend kryesor në debat. “Pse nuk reaguat ju kur u ul aq shumë buxheti, pse nuk protestuat”, ka apeluar regjisori dhe Kryetari i Qendrës Kombëtare të Filmit Artan Minarolli, i cili ka qenë në qendër të kritikës. Por sipas GSH-së ai ka debatuar ashpër edhe me regjisorin Kujtim Çashku. Ja disa pjesë të debatit:

K.Ç: M’u duk për një çast se më lëvizi në këtë sallë fantazma e Ylli Pangos. Prokuroria të hapë çështjen se ku shkoi pasuria e shtetit kur ish-Kinostudioja u shndërrua në “Alba-Film”. Sot ka 8 televizione në ish-Kinostudio që kanë zënë hapësirat. Dua të di pse nuk protestoi QKK-ja kur unë luftoja me policët?

A.M: Çfarë duhet të bëja unë? Unë nuk isha fare. Ti flet për hallin tënd personal e jo për kinematografinë...

K.Ç: Nuk është problemi te ligji. Mediokriteti ka forcën për t’u bashkuar shpejt. Zonja ministre, duhej të kishit gjetur njerëz që qëndrojnë mbi klanet.

Ministrja: Më kërkuat të mblidhja njerëz që qëndrojnë mbi klanet, por njerëz të tillë nuk ka. Në Shqipëri të kërkosh grupe mbi klanet, është si të kërkosh marsianë.

Përtej këtij debati, një tjetër çështje ka qenë edhe ligji apo edhe bordet që zgjedhin filmat. Për këta të dytët, regjisori Saimir Kumbaro ka thënë hapur se: “Duhet riparë bordi i QKK-së. Bordi që përzgjidhet ka 7 shoqata kineastësh dhe ka sjellë degjenerimin e Qendrës Kombëtare Kinematografike. Bordi përzgjedhës i filmave duhet të jetë i fshehtë. Gjysma e anëtarëve të bordit nuk e dinë se çfarë është gjuha e filmit, nuk dinë të lexojnë skenarin.

Epilogu ka qenë edhe më interesant sepse është folur për ligjin dhe pedagogu Elvis Hoxha ka përcjellë këtë përvojë me ministrinë: “Fajin nuk e ka ligji. Ai është marrë në Francë; ku do të gjejmë një ligj më të mirë? Hajde të shkojmë në Bathore ta kërkojmë. Më kujtohet një ish-sekretar i Përgjithshëm i ministrisë më tha njëherë, “na dërgoni një shkresë ku të na bëni me dije se ekziston një ligj kinemaje që ta zbatojmë”.

9 Komente

Kurre (mos thuaj kurre, kurre ??) nuk do te kthehen filmat shqiptare ne kinemate shqiptare. Ne asnje vend te Lindjes (gjeopolitikoartistikisht atyre u kemi perkitur) nuk u jane kthyer ; nje perjashtim ka qene keto vitet e fundit kinematografia rumune ( "vala e re" ) por edhe ajo, jo se iu kthye kinemave rumune, por sepse shkelqeu ne festivale  nderkombetarë filmi (si psh.  1, 2, 3, 4. 5, 6, 7,  .. etj etj).
Me e mira e mundshme do ishte rritja e nje far' (po them njefar ! ) cilesie te filmave te huaj qe shfaqen ne ato pak kinema shqiptare dhe kjo do ishte arritje ! E madhe shume biles !!

Për fatin e keq, keni plotësisht të drejtë!

e vertet fatkeqsisht

Po mundesi financimi nga bankat a ekzistojne per producentet? Me 500000 € ministria mund te financoje nuk e di sa filma por po ta perdori kete fond si garanci per bankat ndoshta mund te financohen me shume.
E dyta, mendoj se cfare shihet sot ne ekranet shqp eshte nje e dhene qe flet shume per publikun shqiptar. Nqs sot genre qe ecen me shume eshte telenovela, atehere aty te perqendrohen dhe ta pervetesojne kete genre. Mbase me vone kur producentet te jene me te forte nga ana financiare mujd edhe te perballojme filma me metrazh te gjate dhe ndoshta pa ndihmen e ministrise se kultures. Mendoj qe ministrja ka te drejte kur ve ne dukje qe gjithe diskutimi perqendrohet te buxheti qe ve shteti ne dispozicion. Kjo eshte nje pike e rendesishme por jo percaktuesja.

Per cfare t'i financojne, kur s'kane fitime te garantuara? Dhe kush tha qe me te shikuarat jane telenovelat? Ku e gjete kete informacion? Ke ndonje link? Telenovelat kane nje grupmoshe, kategori dhe orar te caktuar, si ne cdo vend. Cilin ekran shqip ke pare, me saktesi?

Nqs e shikon artin thjesht si art edhe buxheti perdor hollywood- nuk ka per te dale ndonjehere. Nqs e sheh dhe si biznes atehere zgjidhjet dhe zgjedhjet gjenden.

Ku behen filma qe s'paguajne veten? Financimet vijne per e shumta nje ose dy here, ose per te promovuar ndonje gje ne vecanti. Dhe ku i kishe marre ato informacionet per ekranet shqiptare, se s'ma the?

Po ja pagova nje firme anketuese te me bente nje résumé te programacionit te televizioneve shqiptare se helbete jetojme larg, pa internet, keto stacionet shqp nuk shihen ne ameriken e veriut dhe nuk kane faqe interneti e kshu me rradhe. Ah harrova, kur vjen ndonje shok nga shqiperia shkojme per vizite dhe e pyesim c'mendonte per kanalet shqiptare. Sajohemi dmth.

s'e ke idene, dmth, dhe ia fute kot me informacion te 15 vjeteve me pare, si gjithnje. Televizionet shqiptare kane te njejtin format qe kane televizionet e tjera perendimore, te njejten kategori oraresh, per te njejten kategori personash, dhe te njejteat perqindje shikueshmerie per secilin program. S'ka lidhje fare ajo qe ke thene.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).