Shkas për këtë shkrim u bë një spekulim i një stacioni televiziv, ku ironizohen fjalët e kryeministrit Rama, kur në argumentimin e tij mbi vendosjen e taksës së naftës, tha se pesha e shqiptarëve është dyfishuar nga përdormi pa kriter i makinave.

Ky spekulim u shoqërua nga filmime të kohës së diktaturës, ku shqiptarët panë se si zhvillohej fizkultura e mëngjesit pikërisht në sheshin e sotëm “Nënë Tereza”, nga disa zyrtarë që  vraponin dhe kryenin ushtrime fizike. Dukej se ky lloj organizimi ka qenë i detyruar dhe në se ai sistem ka patur një pikë të fortë, sipas mendimit tim dhe pa asnjë lloj nostalgjie, është pikërisht aktiviteti fizik dhe sporti, shpesh i detyruar.

Në fakt, meqenëse njeriu psikologjikisht e ka shumë të vështirë të detyrojë vetveten (ndryshime nga brenda) për të bërë stërvitje për mirëmbajtjen e shëndetit të tij, ja vlen që të ketë një detyrim nga jashtë, siç mund të jetë rritja e çmimit të cigares apo naftës. Me këtë rast, lexues i nderuar, mund të më thoni se sa prej jush ngrihen në mëngjes dhe bëjnë lëvizje të tilla si ngritja lart e krahëve të shtrirë (krahu duhet të jetë anash veshit), apo lëvizje të tjera që ju ndoshta nuk i keni praktikuar që kur ishit fëmijë të vegjël, si p.sh ulje ngritje nga pozicioni galiç etj.?

A e dini ju se funksioni kryesor i muskulit të supit (deltoid) është pikërisht ngritja e krahut lart dhe ulje ngritjet, pikërisht muskujt e gjymtyrëve të poshtme, që mundësojnë ecjen tuaj? Sa prej jush përdorni shkallët në vend të ashensorit, (jo vetëm kur ikin dritat)? Jam i sigurt se shumë pak prej jush i bëjnë këto veprime të përditësuara, ndërkohë që veprime të tilla si shikimi i televizorit për orë të tëra, apo pirja e kafes janë më shumë se të përditësuara. Pse ndodh një fenomen i tillë? Përgjigja është e thjeshtë. Se ju nuk mund të detyroni vetveten për të bërë ushtrime fizike. Se ju nuk e konsideroni veten si ai nxënësi i pabindur, që mësuesi i fizkulturës e detyron të rrijë me një këmbë apo kryejë 20 pompa. E pra, pyetje të tilla mund të jenë të panumërta, por ajo që dua të theksoj është se psikologjikisht është vështirë që njeriu të bëjë zgjedhje të shëndetshme për jetën e tij. Ne jemi ashtu si zgjedhim të jemi. Kur vjen puna në zgjedhjet që ne bëjmë në jetë, ato më të vështirat janë më të suksesshmet. Dembelizmi është një fenomen pandemik i shoqërisë së sotme.

Ky fenomen natyrisht është i lidhur edhe me zhvillimin teknologjik, Por nëse do rritet bileta e autobusit apo çmimi i naftës, ju do të detyroheni që ndoshta të lëvizni më shumë, si rrjedhojë, të përmirësoni veprimtarinë e zemrës dhe të muskujve, të cilat Natyra i ka dizenjuar për të punuar. Baza e shkencës së Fiziologjisë ushtrimore është pikërisht struktura dhe funksioni i muskujve tanë (më shumë se 600), me të cilët, ne njerëzit, lëvizim kockat tona, d.m.th realizojmë lëvizjen. Por le të kthehemi te sfida e kryeministrit. Ai ka dhënë prova se mund të pakësojë dhjamosjen qendrore të qytetit tonë të dashur Tiranës(parku “Rinia” dhe anash Lanës).

Por duke qenë koshient se  zvogëlimi i dhjamosjes së tepërt te njerëzit nuk mund të krahasohet me çrrënjosjen e dhjamosjes nga qytetet, për shkak se kur bëhet fjalë për uljen e peshës të tepërt trupore te  njerëzit, janë shumë procese komplekse fiziologjikë që ndodhin, duket se ai ka gjetur një zgjidhje detyruese: rritja e taksës së naftës.

A është shëndeti prioritet i shoqërisë shqiptare?

Cili është problemi, rritja e taksës së naftës apo rritja e cilësisë së jetës? Politizimi i rritjes së naftës, cigares, në fakt është në një farë shkalle politizimi i shëndetit. Megjithëse vitet e fundit interesi për ruajtjen e shëndetit duket se është në rritje, kam përshtypjen se akoma në një masë të madhe, shëndeti nuk përbën përparësi për shoqërinë shqiptare.

Një arsye më shumë për vështirësinë që kanë njerëzit të ndryshojnë sjelljet e tyre në lidhje me shëndetin është se ruajtja e tij nuk është vlera më e madhe që ka shoqëria e sotme. Ajo konkurron me shumë vlera të tjera si pasuria, pushteti, siguria, njohuritë dhe shtresat sociale. Por paradoksi është se pikërisht kur njerëzit synojnë më tepër karrierë apo pasuri, le të themi në moshën 40-55 vjeç, shfaqet edhe rreziku më i madh për shëndetin.

Vdekjet e parakohshme (moshat 50-60 vjeç), më së shumti mund të ndodhin si rrjedhojë e neglizhimit të shëndetit dhe mungesës së kontrollit. Natyrisht që askush nuk mund të parandalojë një vdekje aksidentale, por një vdekje nga infarkti i miokardit ose hemorragjia cerebrale mund të parandalohet ose shtyhet në kohë, thjesht duke modifikuar stilin e jetesës. 

Mbipesha dhe kosto ekonomike

Albert Buitenhuis nga Afrika e Jugut emigroi për punë në Zelandën e Re në vitin 2007. Çdo vit ai rinovonte lejen e punës, por vitin e kaluar autoritetet e Zelandës së Re nuk ja rinovuan lejen e qëndrimit, se ai peshonte 130 kg, duke shkelur kështu standardet shëndetësore të popullatës zelandeze. Argumenti ishte se me këtë peshë trupore Buitenhuis mund të kishte kosto ekonomike për shtetin pritës.

“Është e rëndësishme që gjithë emigrantët të kenë standard të pranueshëm të shëndetit për të minimizuar kostot dhe kërkesat për kujdesin shëndetësor të shërbimeve të Zelandës së Re”, tha ministri i Emigracionit, duke theksuar se Buitenhuis është në rrezik të lartë për diabet dhe hipertension. Duke qenë koshient për dijet e mia ekonomike të mangëta, nuk pretendoj të argumentoj përfitimet apo humbjet financiare që shqiptarët mund të kenë nga ngritja e taksës së naftës, por për një gjë jam i sigurt në aspektin shëndetësor.

Pa dyshim që efekti i saj do të jetë përdorimi më i vogël i makinave, si rrjedhojë rritjen e aktivitetit fizik, si rrjedhojë pakësimin e sëmundjeve që lidhen me jetën sedentare, e si rrjedhojë uljen e barrës financiare që shtetit i duhet për kujdesin shëndetësor për të sëmurët kronikë. Logjika ekonomike është e thjeshtë. Shtimi i të sëmurëve kronikë kërkon më shumë para për kujdesin ndaj tyre. 48% e vdekjeve (4.3 milion në vit) në Europë ndodhin si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare dhe vlerësohet se më shumë se 10 milionë janë me SKV. Impakti socio-ekonomik për vitin 2008 ishte 196 miliardë euro.

Edhe në vendin tonë, sipas prononcimit të mjekëve kardiologë, 54% e vdekjeve ndodhin nga sëmundjet e zemrës. Dikush nga lexuesit mund të mendojë se ata që vdesin nga sëmundjet e zemrës, e kanë të shkruar dhe ndoshta e kanë të vështirë të bëjnë lidhjen midis taksës së naftës dhe sëmundjeve të zemrës. Por studime të shumta nuk kanë pasur si objekt lidhjen e taksave të qytetarëve me shëndetin e tyre, por një gjë është e sigurt. Shumë studime pranojnë se një jetë pasive mund të shkaktojë këto sëmundje, natyrisht e lidhur kjo edhe me obezitetin, alkoolin, mbiushqimin etj..

Para disa kohësh në media u shpall shifra e numrit të viktimave të shkaktuar nga aksidentet automobilistike: rreth 7000 që nga viti 1991. Evidentimi i kësaj shifre nuk është e vështirë, por pyetja që unë bëj është: Sa viktima ka shkaktuar mbipesha dhe obeziteti gjatë këtyre viteve? Natyrisht që në shumicën e rasteve mbipesha dhe obeziteti janë të lidhura ngushtë me një jetë sedentare, ku përdorimi i makinës bëhet edhe në raste të panevojshme. Studimet e shumta kanë treguar një lidhje të ngushtë midis mbipeshës dhe sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit tipit 2 dhe hipertensionit. Dhe vdekjet nga këto sëmundje, megjithëse të vështira për tu evidentuar, se te ne nuk ka pasur studime afatgjata për këtë çështje, me siguri janë shumë here më të larta se vdekjet aksidentale.

5 Komente

Ky Ferunaj ka qene shtangist me duket. Emer shume i nighum. Po maj me qe e ka pas Feruni dikur, ne qofte se osht ai qe them une...

Autori, nuk thote noi gjo te re se dihet qe ushtrimet fizike, hecja me kembe te bejne mire, ulin rrezikun e atakut te zemres, ulin mbi peshen, etj, por qe ta lidhesh me taksen e naftes, duket sikur shqiptaret kane arritur standartin e Europes, dhe tani prokupimi kryesor eshte levizjet, ushtrimet, hecjet, zemra etj. Ky artikull do ishte mire per ketu ne perendim, por jo ne Shqiperi, ku ka rreth 20% te varfer te tejskashem, 30% te varfer (jo te tejskashem), 40% mesatar dhe 10% te pasur, (gjithmon plus-minus).

Autori, ta kishte shoqeruar shkrimin apo te fliste per permisimin e sherbimit urban publik, do ishte mire dhe do e justifikonte rritjen e takses se karburanteve. Edhe une kur shkoj ne Shqiperi, heci me kembe per te ulur dhjamin, por ai ne Shqiperi qe mezi mbush barkun me buke, pse te mos perfitoje nga rritja e takses se karburanteve.   

Teza qe rritja e takses se naftes ul obezitetin mua me duket e paplote. Autori duhet te thellohet edhe per pasojat pozitive ne ngrohjen globale.

Sa % e kohes se shpenzuar ne makine, ose sa % e naftes se djegur, shkon per "shetitje te kota"? Kjo eshte pyetja e pare per keta qe mbrojne kete tezen idiote. 

Rritet cmimi, bie konsumi tek konsumatoret. Pra vet rregullohet konsumi, jo bie konsumi drejperdrejte.

Ka mire ambienti,  buxheti ka lesh rritje te te ardhurave nga ky ze. 

Do rritet kerkesa per cilesine e lendes djegese dhe kerkesa e llogarise per sasine e faturuar nga shperndaresit.

 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).