“Me Serbinë gjërat s’janë kurrë të kollajshme.” Kështu shkruan gazetarja kroate Adelina Marini në shkrimin “Zbutja e Serbisë” në EU inside. Raportimi i zgjeruar dhe mjaft i pasur në informacion, shfaq një Serbi të pekuluar si foshnjë e rënë nga qielli e të trajtuar si një vezë politike, të cilën forcat e ndryshme politike në BE-në nobeliste të Paqes, ruhen se mos e thyejnë thjesht duke shqiptuar fjalën e gabuar. Përfaqësuesi sllovak në Parlamentin Europian kërkon progresin e Serbisë në BE, sepse përndryshe mund të “rishpaloset nacionalizmi serb”; ai grek kërkon që Serbisë “duhet t’i dëshmojmë mirëkuptimin tonë dhe t’i ofrojmë mbështetje”; ai bullgar se Serbia “nuk duhet shtyrë më fort se duhet, dhe se me të duhet të jemi fleksibël”; vetë gazetarja e artikullit flet për “suksese gjigante” në ndryshimin e kulturës së Serbisë (“sido që ende të thyeshme”?) dhe me empati e sheh si “të dhimbshme” alternativën serbe për të rikthyer sytë brenda vetes dhe për reflektim. Ajo shton se “BE nuk duhet të humbasë shansin që të mbështesë Serbinë që të kapërcejë problemet e veta psikologjike e politike pas marrëveshjes së saj të fundit me Kosovën.”

Sikur të mos e dija se kudo më sipër bëhej fjalë për Serbinë, do mendoja se diskutohet për një vend që ka përjetuar mbi kurrizin e vet luftërat e padrejta të fqinjëve dhe Europës, që sot ndihen thellësisht fajtorë për këtë, dhe ofrojnë ndihmë e kuptim që të vënë në vend dëmin moral e material të kryer ndaj Serbisë.

Po flitet shpesh së fundmi për “zbutje” të nacionalizmit serb. Por çdo gazetar ballkanas apo evropian që e përmend shprehjen, ndien njëkohësisht edhe skepticizëm për sa i sinqertë apo masiv është ky paqtim. Me plot të drejtë kjo, do thosha, dhe jo vetëm se era e qyteteve të djegura nga ushtria serbe është ende e freskët në kujtesë! Gazetari dëshiron të jetë në pozitë progresive dhe si i tillë beson se bota përparon, e bashkë me të edhe mentaliteti kolektiv në Serbi, ndaj nuk mund t’i hedhë poshtë shenjat pozitive që lëshohen si fishekzjarrë të rrallë, shpesh të pështjelluar, nga hapësira institucionale e Serbisë. Nga ana tjetër, historizmi dhe të tjera fakte që vijnë direkt nga rruga, ia mbysin entuziazmin gazetarit të mjerë. E përditshmja gjermane Süddeutsche Zeitung me mosbesim bënte thirrje “për të mos u nxituar për fillimin e negociatave me Serbinë pas marrëveshjes me Kosovën, dhe për të pritur për implementimin e saj”. Me sa duket, institucionet europiane, ca nga halli e ca nga qejfi, prijnë në të parët rozë të këtij realiteti.

Më 31 dhjetor, Respublica.al njoftonte se hapja në Beograd e një ekspozite për krimet ndaj një familjeje shqiptare të njohur si “Masakra e Podujevës”, u konsiderua kthesë e madhe e Serbisë. Dhe, në fakt, po të shohësh se në ç’kushte shtetrrethimi u hap ekspozita, e kupton edhe më mirë këtë. Faqja online “In Serbia” në shkrimin “Protestë kundër ekspozitës kushtuar viktimave shqiptare në qendër të Beogradit” raporton se, jo vetëm që rrugët përqark ishin rrethuar nga policia para dhe gjatë kohës që ekspozita qe e hapur, por edhe krerët e disa organizatave të djathta që mund të shkaktonin rrëmujë apo ta ndiznin më tej protestën, qenë “thirrur për pyetje” dhe siguruar në polici para hapjes së ekspozitës. Veç frikës që Europa duket të ketë nga Serbia, ka edhe një frikë më të madhe që Serbia zyrtare ka nga Serbia e rrugës, nga ata “qytetarë të revoltuar” që sulmuan kryeministrin Daçiç pas marrëveshjes me Thaçin; frikë dhe bindje se votat janë mbi gjithçka. Anëtarja holandeze e Parlamentit Europian, Marije Cornelissen flet për prezencë masive grupesh huliganësh në Serbi. Ajo, sipas Marinit, shton se “qeveria nuk e kontrollon violencën në Serbi dhe se këto grupe janë tepër të fuqishme dhe agresive”.

Problemi është se “Serbia e rrugës” apo ajo e huliganëve është shumë më e gjerë sesa turma 100-personëshe që  ish mbledhur të protestonte në Beograd, kundër qoftë edhe idesë së pranimit të konceptit “viktima shqiptare”, kur flitej për një familje shqiptare nga e cila u vranë 14 persona, 7 prej të cilëve fëmijë me njërin vetëm dy vjeç.  Mungesa e një vije të qartë ndarëse mes Serbisë institucionale dhe asaj të rrugës vërehet mirë në fotot e bëra me këtë rast ku turma dhe policët që “e kontrollojnë” turmën, janë në një komunikim miqësor mes tyre, dhe solidariteti nën uniformë është i dukshëm. Nëse huliganët (sidomos po t’u referohesh me këtë emër) janë të papranueshëm si për Europën ashtu edhe për qytetarët serbë, ideologjinë mitike në bazë të sloganit “Kosova është Serbi” pjesa dërrmuese e popullsisë serbe e ndan për bukuri me ta; madje janë të lumtur që e ndajnë, se aty bashkimi i tyre merr edhe bekimin hyjnor të patriarkut Irinej, bekimin zyrtar të qeverisë, dhe atë kulturor tradicional të Serbisë etnike. Një Serbi që ende ka këtë stad të zhvillimit dhe hapjes kulturore të popullsisë së vet, jo vetëm që është larg çfarëdo lloj ideali evropian, por vazhdon të mbetet një rrezik gjeopolitik për Ballkanin vetë.

Pikërisht për këtë arsye, “zbutja e Serbisë” duhet parë gjithnjë me kujdes, sido që çdo hap pozitiv duhet përgëzuar. Nëse Europa ngre në qiell çdo hap qoftë edhe jo-shënjues të Serbisë, dhe kërkon prej saj (me frikë se mos nxehen masat serbe dhe i kthehen Rusisë apo rinisin luftëra) vetëm një “normalizim të marrëdhënieve me Kosovën” dhe jo njohje të saj, nuk shoh arsye përse shqiptarët, fjalavjen, duhet të jenë po kaq entuziastë. Titulli i minilajmit në Respublica më 31 dhjetor thoshte: “A. Vuçiç hedh hapin e pabesueshëm: shteti serb ka kryer krime monstruoze dhe ka fajësuar shqiptarët”. Në fakt, po të gjesh origjinalin, të del që shqiptarët, në kontekstin real të zëvendës kryeministrit serb Vuçiç, s’janë aspak të rëndësishëm, por qeveritë e shkuara të Serbisë (ato imoralet) janë qendra e sulmit të tij. Në një farë mënyre ai bën sevap, dhe i zë me gojë edhe shqiptarët aty. Ndaj s’ka gjë “të pabesueshme” në hapin e Vuçiç-it. Ky, vetëm në fund të tetorit, protestoi kundër thënies së Erdoganit se “Kosova është Turqi…”, jo për arsye tjetër, veç se kështu  Erdogan na paskësh “poshtëruar Serbinë”. Gazetari shqiptar kur sheh se komuniteti i tij nëpërkëmbet, nuk ka arsye të shohë ëndrra të bukura, por duhet të raportojë me vizion të plotë dhe analizë të nevojshme kritike. Vuçiç është po ashtu ai që, pas marrëveshjes së fundit mes dy kryeministrave, u tha serbëve në televizionin RTS me sa pati fuqi se Serbia nuk e njeh Kosovën, dhe se marrëveshja është “e mirë” sepse me të “çizmja shqiptare nuk do të jetë më në Kosovën e Veriut”. Për çfarë çizme e ka fjalën Vuçiç, kur dihet se shqiptarëve të gjithë Kosovës (dhe jo veç veriut), u është bërë qafa më e trashë se sholla e çdo çizmeje, nga dhjetëvjeçarët e qëndrimit nën çizmen e shtetit serb? Së paku duhet të sigurohemi që manipulimi që politikanët serbë u bëjnë qytetarëve të vet, të mos magjepsë edhe ata shqiptarë, sidomos gazetarët.

Po ashtu, vizita e kryeministrit serb në ekspozitën e familjes së masakruar kosovare Bogujevci përmendur më lart, kremtohet me lavde në shtyp. Pa dyshim që Daçiç bën një hap që duhet përmendur, sido që shtyrë nga pragmatizmi i pastër për të hapur dyert e Europës e pa asnjë erë ndjese reale për të shkuarën. Por, ndërsa bëjnë këtë, duhet edhe të analizojnë kuptimin e asaj që Daçiç thotë në po atë vizitë, përballë katër fëmijëve të mbetur gjallë nga Bogujevcët. Balkan Insight raporton se Daçiç thotë: “nuk është e drejtë të flasim këtu për krimet “e tyre” apo “tonat”; viktimat janë viktima; kam sugjeruar se monumente duhen ngritur si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë për të dy palët, viktimat serbe dhe ato shqiptare; të gjithë ata që kryen krime gjatë konfliktit të Kosovës duhet të dalin para drejtësisë…”. Vëreni, jo vetëm se si mizoritë e “palëve” barazohen në cilësi e sasi dhe si lidhjet shkak-pasojë humbasin në proces, por edhe radhitjen që Daçiç u bën palëve që kryen krime, si dhe viktimave. Për mua personalisht, nëse kjo është sa ke për të thënë, më mirë mos shko fare të nderosh viktimat e familjes Bogujevci. Unë, po të isha motra e një gruaje, një burri a një fëmije të vrarë nga grupi i Akrepave serbë bashkë me 13 pjesëtarë të tjerë të familjes sime, në atë çast do të të kërkoja të dilje nga salla e ekspozitës. Fatosi, Saranda, Jehona, Lirija dhe Genci nuk e bënë këtë për mirësjellje dhe si akt politik në emër të një të ardhmeje më paqësore. Por së paku gazetarët duhet të mos e linin pa komentuar meskinitetin politik të Daçiç-it. Që të bëhet drejtësia shoqërore, Serbia duhet të mbajë (dhe të ndiejë thellësisht) fajin madhor për masakrimin masiv jo veç të shqiptarëve, por edhe kombësive të tjera në Ballkane. Dhe të thuash në këtë pikë se krimet janë të barabarta, është shenjë se në nacionalizmin serb ende s’ka ndryshuar gjë.

Serbët janë fqinjët tanë, dhe me ta duhet të gjejmë rrugë e mënyra komunikimi paqësor. Të gjithë duhet të hapemi e të shohim kritikshëm veten, serbët së pari, e të gjithë pas tyre. Unë kam miq të mirë serbë, ashtu siç njoh edhe serbë me diploma universitare e pasuniversitare që kanë urrejtje kafshërore ndaj shqiptarëve. Por rruga e përmirësimit të marrëdhënieve mes nesh nuk kërkon që të ngremë në qiell çfarë është gjysmake dhe e papastër, e të mos kritikojmë përparimin në Serbi nëse është gënjeshtar. Përkundrazi! Në fakt, për këtë arsye, gazetari i një sistemi demokratik për fat nuk është (e nuk duhet të jetë) politikan, dhe duhet të ketë lirinë (dhe mbrojtjen)e nevojshme që të thotë pa frikë çfarë sheh e kupton. Unë çmoj plot grupe në Ballkan (Shqipëri, Serbi, Kroaci, Greqi) që janë mëndjehapur dhe i kanë dhënë dërrmën nacionalizmave dhe miteve, aq shkatërrues sot për zonën. Është fat që F. Lubonja e të tjerë nuk jepen kur vjen fjala për kritikën dhe ndëshkimin e krimit kryer nga shqiptarët kundër serbëve në Kosovë a gjetkë. Fakti që atij i bien në qafë duke e quajtur “Ljubomir”, “të shitur tek serbët” etj, ka fare pak rëndësi, sepse çdo qytetar i ndërgjegjshëm i Ballkaneve që do që ky rajon të përparojë, duhet të bënte po këtë.  Serbia mund e duhet të jetë në krye të reflektimit vetëkritik.

Nga ana tjetër, aluzionet për barazi mes krimeve të shtetit serb dhe atyre kryer nga popujt apo institucionet e tjera në ish-Jugosllavi, janë padrejtësi sociale.  Ashtu siç është padrejtësi sociale, të bësh sikur nuk sheh falsitetin e kërkesës së një faljeje gjysmake nga ana e Serbisë sot, shembëllsuar qartë edhe në flip-flopet pa fund të presidentit serb Nikoliç nëse Serbia ka kryer ose jo genocid në Srebrenicë (shih Marinin më lart për këtë). Më 5 janar, njofton Respublica.al, ministri i jashtëm serb Mrkiç tha se, nëse rruga për në Europë sakrifikon Kosovën, atëherë “falemnderit, por ne duam Kosovën”.

Një Serbi demokratike është e çmuar për Ballkanet, por të bësh sikur e ke të tillë, pa e pasur, është hipokrizi që s’i bën nder kujt. Zbutja e Serbisë duhet parë për çfarë është vërtet, dhe s’duhet ekzagjeruar. Evropa dhe ne të tjerët rreth Serbisë, nuk duhet ta trajtojmë atë si një fëmijë shkatërrimtar që duhet ta marrim me të mirë se, po s’bëmë kështu, na bën gjëmën. Kjo sjellje e quajtur shpesh si “strategjike” s’është dinjitoze as për Serbinë, as për shtetet përreth që s’janë aq “të frikshëm” sa Serbia në nacionalizmin e vet. Një Serbi që pozon si evropiane, kur në fakt është ende primitive dhe skizofrenike, nuk i duhet askujt dhe është vetëvrasëse. Nëse elita politike serbe nuk pohon qartë për qytetarët e vet se duhet të njohë zyrtarisht vullnetin e shqiptarëve të Kosovës që janë edhe popullsia dërrmuese e saj, ajo është një Serbi e mjerë. Serbia nuk do “zbutet” a ndryshojë vetëm se e pranuan në Europë, po qe se ndryshimi nuk vjen nga poshtë e nga brenda.

 

Foto ilustruese: Protesta gjate ekspozitës “Bogujevcët – histori vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës”

35 Komente

Serbia ka qene dhe eshte gjithmone e bute, por vazhdon te vuaje edhe sot e kesaj dite nga mbeturinat e pushtimit ottoman. Vetem kur te mund te pastrohet gadishulli ballkanik nga mbeturinat ottomane do te kete zhvillim dhe qyteterirm europian.

Bravo Serbise qe pozicionohet si lider i projektimit te zhvillimit dhe qyteterimit europian ne Ballkan Perendimor, duke ndihmuar pastrimin e mbeturinave te te kaluares

ja dhe ustai grek i ardhur nga egjipti shekuj me pare jep mendimin e tij modest per te buten serbi.

jo,  une kam bindje te forte  qe ky  eshte  ''ustai'' serb  nga nje fshat i Lushnjes.. quhej  Ilir dikur, por qe ne amerike e ka bere Ilia dhe identifikohet si serb..  eshte  matematikan, ka pas edhe  nja dy shkrime ketu te peshku per kete..

who cares, ai eshte thjesht dikush qe kujton se eshte '' usta i qosheve greke dhe serbe''

Oooo Iliaaa... po ajde be derr pe derri.... smiley

smiley

 

Ilia zuzari, bilbilgjy-zari....smiley

otomanet s'i pati problem serbi, perderisa ketej gjoja clironte veten nga pushtuesit, ketej pushtonte te tjeret

Serbia ka qene ai ujku qe do mjegull smiley

Ehhhhh Ustash......Serbise nuk i intereson te pastrohet Ballkani nga popullsite te feve jo-ortodokse ....sepse sdo kete me justifikime per spastrimet e saja te buta etnike.

Nejse,  duhet me ndryshu nick me keqardhje sepse paska me te Lebetitur,  si thote Ustashi, e buta Serbi....po qenit te terbuar si i referoheni nga zonat tuaja????

mire mo mir po ruaj koken se del ndonje 'budalla' shqiptar e ta keput gurmazin si te kecit ... per ty e kam

ah c'ju ka punuar sorrosi ju!!

pse nuk ka edhe ne beograd muc naner e lubonjer?

kur do hapet edhe ne tirane ekspozita per krimet shqiptare ndaj serbeve te ''zbutur'' ,se ustai i janullatosit eshte gati!

do beje lubonja nje zgjatim te atyre betoneve qe vuri te ish komiteti central. qindra nena serbe shpirtshkretuara nga shqiptaret mizor... Behet me i plote kuadri.

shkrimi  teper i panevojshem i gjate. me lakonike e dashur, me lakonike. shume uje ...

Ustai nuk e thotë, se peshqit duhet ta kuptojmë vetë. "Mbeturinat otomane" jemi ne, shqiptarët, por mbase dhe pak boshnjakë. Pra misioni serb nuk ka mbaruar në këto 100 vjet pa na çfarrosur krejt. Në ndihmë do kenë edhe komunitetin e familjes sllave, por sidomos familjen ortodokse, ku rol të rendësishëm do ketë ustai me Greqinë e tij.

Jemi në pritje usta! Nisuni, po dua shklyejmë boothën!

Ilian e kemi nga Fieri...

o usta o usta

po ti qenke budalla

budalla dhe maskara

ik me t'mire se petro

t'ka n'list per me ''t'vra''.

" ....Që të bëhet drejtësia shoqërore, Serbia duhet të mbajë (dhe të ndiejë thellësisht) fajin madhor për masakrimin masiv jo veç të shqiptarëve, por edhe kombësive të tjera në Ballkane. Dhe të thuash në këtë pikë se krimet janë të barabarta, është shenjë se në nacionalizmin serb ende s’ka ndryshuar gjë..." 

" ....Një Serbi që pozon si evropiane, kur në fakt është ende primitive dhe skizofrenike, nuk i duhet askujt dhe është vetëvrasëse. Nëse elita politike serbe nuk pohon qartë për qytetarët e vet se duhet të njohë zyrtarisht vullnetin e shqiptarëve të Kosovës që janë edhe popullsia dërrmuese e saj, ajo është një Serbi e mjerë. Serbia nuk do “zbutet” a ndryshojë vetëm se e pranuan në Europë, po qe se ndryshimi nuk vjen nga poshtë e nga brenda..." 

 

Artikulli me pelqeu dhe do ishte mire tu çohej parlamentarve europiane ne gjuhet kryesore. 

nuk do ta quaja zbutje ,ka ndrruar mbase strategji.Nuk mendoj kurre ne nje paqe dashamirese midis tyre dhe nesh...Nuk i dua ...

me too.  nuk i dua, nuk i dua dot, e pamundur 

po nuk ka dashuri midis popujve. ju ka infektuar Enveri, jo popull mik, jo popull vella... Midis popujve ka interesa, nje popull para cdo gjeje tjeter, eshte nje grup interesi. 

Cudi se thelle iu eshte futur Enveri smiley

 

Boll se na merzite tesh,ha ndoj rrepe.Je mjeran qe per me u perzi perdor nick te emigrant.

smiley

kot merzitesh...

Po qetesohu.bej ndoj hajr,mbete ketu me 3-4 nick,ne menyre kostante gjithe diten.....perpiqu,ka edhe gjera te tjera kjo jete...

mire ashtu do bej. edhe ket cik peshk qe na e boni Zoti kismet, na e heq. 

kur gzoi fatkeqi thuj...

ja, po iki. 

autorja fjalen  ''zbut'', jo me kot   e ka vene ne thonjeza...   

po ça u ''zbut'' Serbia mor aman.. ata zgjodhen per president  kandidatin e partise ekstremiste/nacionaliste dhe  su plasi menderja fare se cdo thosh bota.. dhe mire ben xhanem,  jane ne shtepi te tyre..   ndersa  Evropi   rri e veshtron...  

tashi,  mendoj qe shembullin serb duhet ta ndjeki edhe Shqiperia edhe Kosova..  zot ne shtepine tone dhe  te marrin vendime  nacionaliste, strikt  per  interes tone kombetar..  dhe jo ububu, ca do thote  Evropa e ku di une..  hiç gje sdo thone!   bile  me shume do na respektojne..

presim Geertin... smiley

he, c'do beni?

smiley well said belul

Belul serbin e do evropa si do qe te jete me parti nacionaliste ose jo (aq me mire per evropen nese jane nacionaliste, keshtu te do evropa) Ne le te behemi nacionaliste sa te duam , nuk na pjerdh fare , thjesht je vend musliman, kaq, 

Serbet, ka kohe qe jane angazhuar maksimalisht ne drejtim te propagandes per, Permiresim imazhi. Sepse eshte i vetemi vend qe ne dy raste i ka vene flaken Ballkanit.Eshte i vetemi vend Evropian, i bombarduar ...nga evropianet dhe atllantikasit! Por edhe vendi Ballkanik qe punon dhe lobon furishem per tu pranuar ne Evrope! Ne kete kuader ka leshuar edhe plot zagare / alias ilias , te cilet i rren menia se jane " ustallare " te ...shitjes se sapunit per djathe!
Se paku per ne shqiptaret, kjo nuk kaperdihet or ....ustabashi !

Po ja do bejme dhe ne nje ekspozite per divizionin SS "Skenderbeu". smiley

Halli eshte qe serbet dine ti shfrytezojne keto fushata ndersa ne bejme 100 e prap m... e kemi imazhin. Per europen, serbia ka nje rendesi me te madhe gjeo-politike se shqiperia keshtu qe s'ka kuptim te rrish e te krahasosh se sa na kerkojne neve e sa na kerkojne serbeve.

Per sa kohe qe shqiptaret njesohen ne europe si "popull musliman" gjithmone nji hap prapa shkijeve do jemi. Nuk eshte aspak e drejte por realiteti ky eshte. Sa per europen, popullsia e shqiperise sot do kish +1 milion kurse Kosova do kish -1 milion. 

Artikulli i mire. Lubonjen kot e ka permendur. 

Eshte per te njejten arsye qe permend autorja, se duhet serbia e para qe te denoje fajet e veta dhe pastaj ne, qe lubonja nuk mund te mbrohet. 

Nese do pranojme se jemi viktime s'ka pse te ngutemi te pranojme fajet e shqiptareve. 

lesh me qime.... apo mish me qime?

Zbutja ka filluar.vellaznit tane u shesin vajzat serbeve 2500-5000 euro copa.

Vllaznit, Alba 2265 !

Nuk zbutet serbi or joo, ashtu si nuk zbutet shqiptari...shqiptaret te shikojne punet e brendshme se mbetem duke u ngrene me njeri tjetrin e domosdo imazhi Yne do mbetet i keq.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).