Qeveria e re e Egjiptit është shumë e lumtur të lejojë miliarderët e dënuar të epokës së Mubarakut të kthehen në shtëpi dhe me krenari të plotë. Disa po synojnë të paguajnë që të fitojnë rrëzimin e akuzave

Ndërsa turmat mbushën rrugët e Egjiptit gjatë rebelimit të vitit 2011 që rrëzoi autokratin Hosni Mubarak, nuk qenë vetëm politikanët dhe gjeneralët në Kajro ato që po luftonin për të mbrojtur interesat e veta. Me regjimin e vjetër që po dridhej, oligarkët e biznesit të lidhur me regjimin bënë gati plaçkat – dhe miliardat e tyre – dhe u larguan nga vendi.

Njëri prej tyre qe Hussein Salem, i cili kishte nofkën “babai i Sharm el-Sheik” për shkak të pronësisë së tij në një numër të madh hotelesh në resortin turistik në Detin e Kuq. Salem bëri miliarda dollarë në energji, armatime dhe turizëm në Egjiptin e Mubarakut – ai qe aq pranë ish-presidentit sa të dy patën investime të përbashkëta, sipas dokumenteve të siguruara nga Foreign Policy.

Qe një aleancë shumë fitimprurëse për Salem: herët në vitet 2000, Mubarak i dha atij monopolin e eksporteve të gazit në Jordani, Izrael dhe Spanjë. Salem përdori këtë marrëveshje për të shitur gaz me çmime më të ulëta se tregu për shumë vite. Sipas një vendimi gjykate në Egjipt, kjo praktikë i kushtoi vendit 700 milionë dollarë humbje.

Salem nuk është kthyer në Egjipt që nga rënia e Mubarakut – dhe ka arsye të mira për këtë. Egjipti i pasrevolucionit kërkoi të rikuperojë milionat e vjedhura nga Mubarak dhe aleatëve të tij, një seri procesesh gjyqësore u përqendruan në praktikat korruptive të biznesit të Salem dhe familjes së tij.

Në tetor 2011, Salem – bashkë me djalin e tij, Khaled, dhe vajzën, Magda – u shpallën fajtor për fitime të paligjshme në shitjet e gazit dhe u dënuan në mungesë me shtatë vjet burg. Në qershor 2012, ai u dënua se i pati shitur gaz Izraelit me çmime më të ulëta se tregu dhe u dënua në mungesë me 15 vjet burg. Ai u urdhërua të paguajë 412 milionë dollarë gjoba.

Salem gjithsesi ka edhe nënshtetësinë spanjolle, gjë që i ka lejuar të shmangë sistemin ligjor të Egjiptit. Tashmë ai jeton në Majorka, Spanjë dhe kërkohet nga Interpoli bashkë me djalin dhe vajzën e tij. Gjykatat spanjolle, gjithsesi, kanë refuzuar ta ekstradojnë atë në Egjipt për shkak se dy vendet nuk kanë marrëveshje dypalëshe të bashkëpunimit juridik apo ligjor. Gjykatat spanjolle kanë gjithashtu dyshime mbi ndershmërinë e proceseve ligjore të Egjiptit.

Por për herë të parë që kur Mubaraku u rrëzua, fati i Salem – dhe i biznesmenëve të tjerë të epokës së Mubarakut – mund të jenë duke ndryshuar për mirë.

Qëkur gjeneralët e Egjiptit rrëzuan Presidentin islamit, Mohamed Morsi, korrikun e kaluar, Salem tha se ka qenë i ekzaltuar dhe po planifikon rikthimin e tij në Kajro, sipas avokatit Tarek Abdel-Aziz që foli për Foreign Policy.

Miliarderi besnik i Mubarakut i telefonoi një televizioni egjiptian në janar për të ofruar një marrëveshje për qeverinë e re të mbështetur nga ushtarakët: anuloni dënimet e mia dhe unë do t’i jap Egjiptit miliona.

Zyrtarët e Egjiptit publikisht e mikpritën ofertën.

“Zoti Hussein Salem dhe biznesmenë të tjerë të nderuar… iniciativa juaj është shumë e vlerësuar”, tha Hani Salah, një zëdhënësi i qeverisë gjatë një bisede telefonike me televizionin vendës CBC. “Çdokush që propozon një ofertë fisnike dhe të nderuar, gjëja më e vogël që mund të bëjmë është të dëgjojmë atë për të mirën e vendit tonë të dashur”.

Që nga rrëzimi i Morsit, vijoi Salah, Egjipti është më i hapur për iniciativa “pajtimi” – dhe se ai pret që edhe biznesmenët e tjerë në arrati të epokës së Mubarak të ofrojnë marrëveshje të ngjashme.

Marrëveshjet e pajtimit mundet ose të arrihen nga një komitet i emëruar nga Kryeministri dhe ministri i Drejtësisë ose mund të negociohen nga Prokurori i Përgjithshëm, i cili është i emëruar nga Presidenti.

Pajtimi, gjithsesi, nuk nënkupton ndonjë gjë më të madhe sesa heqja e akuzave dhe dënimeve për korrupsion në këmbim të parave të thata. Gjatë një bisede tjetër telefonike, Salem i ofroi qeverisë 3.6 milionë dollarë për të nxitur turizmin dhe për të riparuar stacione policore, kisha e xhami në këmbim të lirisë së tij. Kjo në fakt përbën një reduktim drastik të pazarit në krahasim me propozimet e tij para grushtit të shteti: Në maj 2012, pak para se Morsi të bëhej president, Salem ofroi së paku gjysmën e pasurisë së tij të vlerësuar në 1.6 miliardë dollarë në këmbim të anulimit të dënimeve dhe akuzave kundër tij, sipas Abdel-Aziz.

Tri vite pas protestave që shënjestruan pikërisht këto lloje biznesesh të pista që patën bllokuar ekonominë e Egjiptit, vendi duket se po mendon t’i drejtohet pikërisht njerëzve që e grabitën vendin për një shpëtim nga falimenti. Pavarësisht kërkesave të përsëritura të protestuesve për drejtësi shoqërore, Egjipti post-revolucion nuk ka dëshmuar ndonjë përmirësim të dukshëm: Transparency International e rendit Egjiptin në vend të 114 nga 177 vendet e “Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit”, dhe ky pozicion është përkeqësuar që nga viti 2011.

Marrëdhënia mes biznesmenëve të epokës së Mubarak dhe qeverisë së Egjiptit duket se u prish shumë më herët, kur hetimet që shënjestruan këto biznesmenë u nisën nga qeveria e përkohshme ushtarake që pasoi rënien e Mubarak. Por “ripajtimi” mund t’i lejojë qeverisë së re të mbështetur nga ushtarakët të rikrijojë të njëjtat rrjete të fuqishme biznesmenësh besnikë që lulëzuan gjatë sundimit të Mubarak.

Procesi i “hap derën korrupsionit dhe shpëtimit ndaj drejtësisë”, thotë Ghada Ali Moussa, një profesor i shkencave politike që udhëheq qendrën për qeverisje, një agjenci qeveritare që punon për të parandaluar korrupsionin dhe për të përparuar në transparencë.

“(Marrëveshja e mundshme e pajtimit me Salem) do të jetë një prototip ideal për të tjerët”.

Biznesmenë të tjerë të regjimit të Mubarak po përgatiten gjithashtu për oferta pajtimi.

Ministri i Mubarak për tregtinë e jashtme dhe industrinë, Rachid Mohamed Rachid, është duke kryer bisedime të ngjashme me qeverinë dhe është i vendosur të japë një ofertë, thotë Moussa. Rachid, i cili u dënua në mungesë me 20 vjet burg dhe së paku 330 milionë dollarë gjoba për vjedhje të fondeve publike dhe përfitim, u arratis për në Dubai gjatë vitit 2011.

Konsolidimi i pushtetit të shefit të ushtrisë, Abdel Fattah al-Sisi, mund të rrisë gjithashtu gatishmërinë e Egjiptit për të arritur marrëveshje pajtimi. Ndërsa shumica e biznesit të zakonshëm të qeverisë ka mbetur pezull nën qeverinë aktuale të përkohshme, një njeri i fuqishëm në pallatin e Presidentit dhe një Parlament i ri mund t’i bëjë gjërat më të lehta.

“Do të krijohet një klimë për ta mundësuar këtë lloj ripajtimi”, thotë Ibrahim el-Henedy, zëvendësministër i Drejtësisë së Egjiptit dhe kreu i Autoritetit të Fitimeve të Paligjshme, institucionit në detyrë për të hetuar mbi korrupsionin.

“Gjithçka që po bëhet lidhet me ofertat për ripajtim: cila është më e mirë për Egjiptin, të ripajtohet apo jo?”

Edhe pse Salem qe nga “biznesmenët më të këqij” të biznesmenëve të korruptuar të vendit dhe është urdhëruar të paguajë disa nga gjobat më të mëdha, Henedy thotë se qeveria është ende e interesuar në arritjen e marrëveshjeve të pajtimit.

Avokati i Salem, Tarek Abdel-Aziz, beson gjithashtu se koha është e përshtatshme për të zgjidhur mosmarrëveshjet e klientit të tij me qeverinë e Egjiptit. Ai i tha FP se po punon mbi një ofertë zyrtare ripajtimi, e cila do t’u dorëzohet autoriteteve tashmë që Morsi është rrëzuar. Klienti i tij është “shumë optimist”, tha avokati.

“Tashmë, lavdëruar qoftë Zoti, ka një sistem ekzistues që kujdeset për të gjithë egjiptianët”, tha Abdel-Aziz. “Sot ne kemi një regjim të ri – me shpresë se një regjim i drejtë do t’i çojë gjërat përpara”.

Abdel-Aziz mohoi që Salem qe i lidhur me Mubarak dhe tha se akuzat ndaj tij qenë të motivuara politikisht. Gjithsesi, një dokument i nxjerrë fshehtazi nga Autoriteti i Fitimeve të Paligjshme, tregon se Salemët dhe Mubarakët – së bashku me biznesmenë të tjerë të lidhur me regjimin e vjetër – investuan së bashku në një fond të regjistruar në ishujt Kajman, një parajsë fiskale në Karaibe.

Fondi i investimeve, i cili quhej Fondi i Egjiptit, investoi në 16 kompani egjiptiane në çimento, banka, prona të patundshme, çelik, naftë, ushqime e bujqësi.

Kreu i marrëdhënieve me investitorët te EFG Hermes bank, Hanzada Nessim, shkroi në një e-mail se banka e saj e themeloi Fondin e Egjiptit më 1997. Kur u pyet nëse EFG Hermes qe e vetëdijshme për emrat pas këtij fondi investimesh, Nessim shkroi se banka qe tërësisht e informuar mbi identitetet e investitorëve dhe se nuk kishte aludime për keqbërës kundër asnjërit prej tyre në atë kohë.

Ndërsa Salem dhe Mubarak nuk qenë listuar personalisht si kontribuues, fondi përfshinte kompani nën pronësinë e fëmijëve të tyre: Clelia Assets Corporation, nën pronësinë e Khaled dhe Magma Salem, investoi 3 milionë dollarë; dhe Pan World Investments Corporation, nën pronësinë e Gamal dhe Alaa Mubarak, investuan 250 mijë dollarë. Fondi i regjistruar në parajsë fiskale do të siguronte taksa të ulëta për investitorët e vet, si dhe do t’i lejonte ato të fshihnin investimet e tyre nga sytë e egjiptianëve.

Salemi jo vetëm që mashtroi Egjiptin – ai vodhi edhe nga Shtetet e Bashkuara. Më 1979, kompania e tij, Egyptian American Transport and Service Corporation (EATSCO), fitoi një kontratë për të transportuar mallra ushtarake nga SHBA-ja për në Egjipt. Marrëveshja erdhi në çastin e Marrëveshjes së Kampit Dejvit, kur shitjet ushtarake amerikane filluan të fuqizohen në Kajro, duke e bërë transportin një biznes me potencial fitimprurës.

Gjithsesi, Salem u përpoq të rrisë fitimet e veta duke i faturuar Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së kosto të inflacionuara transporti. Mes viteve 1979 dhe 1981, sipas dokumenteve gjyqësore amerikane, EATSCO dorëzoi fatura false për 34 rrugë transporti, të cilat e mbifaturuan Pentagonin me 8 milionë dollarë. Më 1983, Salem pranoi akuzat për mashtrim në një gjykatë amerikane. Gjobat dhe pretendimet civile u paguan nga Salem dhe kompanitë e përfshira në skemë me një total prej 4 milionë dollarësh.

Shumica e milionave të Salem erdhën nga marrëveshje të mira në Egjipt, ku ai mori trajtim preferencial nga aleatët e vet në majë të qeverisë. Në prill 2011, shefi i spiunazhit të epokës së Mubarak Omar Suleiman dëshmoi para një prokurori egjiptian se kompania e Salem, East Mediterranean Gas Company, pati marrë një monopol mbi eksportet e gazit drejt Izraelit, Jordanisë dhe Spanjës në fillim të viteve 2000, duke anashkaluar procesin e zakonshëm të tenderimit. Sulejmanit iu kërkua të dëshmojë pasi shërbimet sekrete të Egjiptit dyshohej se kishin ndërmjetësuar në arritjen e marrëveshjeve të gazit.

Suleiman tha se Salem kishte qenë shok me Mubarak për më shumë se 20 vjet, dhe se eksperienca e tij në marrëveshjet e biznesit me Izraelin qe një prej arsyeve se pse u zgjodh ai për eksportin e gazit.

“[Salem] qe marrë me izraelitët më parë me MIDOR”, tha Suleiman, duke iu referuar kohës së Salem si kryetar bordi i Middle East Oil Refining Company, një projekt izraelito-egjiptian të krijuar më 1993 për të ndërtuar një rafineri të përbashkët në bregun verior të Egjiptit dhe për të zgjatur një naftësjellës drejt Izraelit.

Shtatë vjet më vonë, Salem shiti 37 për qind të East Mediterranean Gas Company për 4.2 miliardë dollarë, sipas shërbimit të lajmeve të biznesit në Izrael Globes.

Nuk është e vështirë të shohësh se pse Salem po përpiqet kaq shumë për ripajtim. Nëse Egjipti refuzon një marrëveshje për të dhe negocion një marrëveshje ekstradimi, Kajro mund të marrë asetet e Salem të ngrira aktualisht në Zvicër, Hong Kong dhe Spanjë. Ekstradimi mund t’i lejojë Egjiptit të dënojë Salemin drejtpërsëdrejti dhe shumë vende – përfshirë ato ku Salemi ka depozituar pasurinë e tij – kërkojnë një vendim të tillë final në mënyrë që t’i kthejnë Egjiptit asetet e tij të grabitura.

Nëse ekstradohet me sukses në shtëpi, Salem mund të detyrohet të paguajë më shumë se 4 miliardë dollarë gjoba dhe prona dhe mund të vuajë 22 vjet në burg bazuar në dënimet e kombinuara të gjykatave të Egjiptit.

Një marrëveshje ripajtimi, nga ana tjetër, jo vetëm që do ta vendosë Salem në situatë të mirë me qeverinë e Egjiptit dhe mund t’i japë fund hetimeve të huaja mbi faktin nëse pasuria e tij është rezultat i fitimeve të paligjshme.

“Do të bëhet shumë e vështirë për autoritetet zvicerane të vijojnë me hetimet kundër Hussein Salem nëse autoritetet e Egjiptit rrëzojnë të gjitha akuzat ndaj tij”, thotë Olivier Longchamp, zyrtar i marrëdhënieve ndërkombëtare financiare te shoqata joqeveritare zvicerane Berne Declaration. “Paratë mund të kapen vetëm nëse janë provuar se kanë origjinë ilegale”.

Tashmë, tre vjet pas revolucionit kundër korrupsionit të epokës së Mubarak, Salem duket më pranë objektivit të tij se kurrë më parë. Një kthim ironik, aq sa ai po përshëndet aktualisht qeverinë e mbështetur nga ushtarakët se po lufton disa biznese të pista, për të cilat, për shumë egjiptianë, ai është një simbol. Siç tha ai në janar, “era e korrupsionit dhe padrejtësisë tashmë është mbyllur”.

3 Komente

Hajt per hair, ishalla filloni te qetesoheni e te rifilloni punen, se edhe Thomas Kook gati po falimenton nga renia e pasagjerve qe çonte ne Egjypt dhe Tunezi. Europianet qe gjer dje shkonin me qejf ne vendet turistike te Egjyptit dhe Tunezise, jane terhequr. Biles manaxheret e shoqerise turistike Thomas Kook po bejne tratativa me Jordanin, Marokun, si vende stabile per te çuar klientelen e tyre (qe çdo vit pronotonin Egjyptin dhe Tunezine) ne Jordani dhe Maroko.  Habitem se si agjensite turistike shqiptare, nuk kontaktojne me firmat turistike kendej, per te terhequr europianet ne Shqiperi. 

kush eshte ky Thomas Kook o Pjero?

ndonje miku yt pezogross

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).