Donald Justice

Burrat dyzet vjeç

Burrat dyzet vjeç
mësojnë si të mbyllin butë dyert
e dhomave tek të cilat
nuk kanë për t’u futur më.

Dhe kur ndalen në pushim të shkallëve
E ndjejnë si u lëviz dyshemeja
nën këmbë, si të ish bord i anijes
ndonëse dallga e vogël është.

Thellë nëpër pasqyra 
ata rizbulojnë
fytyrën e atij djalit që fshehtas
praktikon nyjen e kollares së babait.

Si edhe fytyrën e babait,
ende të ngrohtë prej misterit të shkumës së rrojës
se ata vetë janë më tepër baballarë tani, se sa bij.
Diçka i mbush ata, diçka

që vjen si tingulli në muzg
i gjinkallës, i plotë,
dhe mbush ajrin e pemëve në rrëpirën
pas shtëpive të tyre me kredi.

 

Adrienne Rich

Gratë

Tre motrat e mia qëndrojnë ulur
në gurë vullkanikë të zinj.
Po i shoh për të parën herë, nën këtë rreze, se cilat janë.

Motra ime e parë po qep një kostum me rastin e një ceremonie.
Ajo do paraqitet aty si Zonja Transparente
me të gjitha fijet nervore sheshit.

Motra ime e dytë gjithashtu po qep
të çarën e plagës që ka në zemër, që kurrë s’iu shërua krejt.
Por ajo shpreson që, të paktën, t’i lehtësohet shtrëngimi në kraharor.

Motra ime e tretë vështrimin ka tretur
tek kreshta e kuqe dhe e errët, që shpërhapet në perëndim, tej në det.
Getës së saj i ka ikur fija, por ajo ama është femër e bukur.

 

Billy  Collins

Përqafim

Të ndodh ndonjëherë në korridor:
duart ia hedh vetes rreth trupit
dhe nga mbrapa duket sikur 
dikush të ka përqafuar,
dhe duart e saj po të mbërthejnë prej këmishe
ndërkohë që gishtat e saj të futen nëpër flokë.

Nga përpara pastaj është histori tjetër.
Kurrë s’e ke parë veten kaq vetëm,
duarkryq e buzagaz, si i budallallepsur.
Dukesh sikur po pret që rrobaqepësi i burgut
të të mbërthejë me atë xhaketën*
që të rri ngjitur e të mban lidhur në vend.

* ‘straitjacket’ në origjinal; një xhaketë e posaçme që u vishet të burgosurve të rrezikshëm ose mendërisht të çekuilibruar për t’i siguruar që të mos lëvizin. Krahët e të burgosurit kryqëzohen mbi kraharor dhe mëngët e gjata të kësaj xhakete i lidhen pastaj pas shpine, që të mos ketë mundësi të shpëtojë. 

 

Anne Stevenson

Sous-entendu*

Mos kujto

se unë s’e di
që, teksa bëjmë muhabet,
dorë e fantazisë tënde,
ashtu si pa rënë në sy,
nga getat po më zhvesh
tek rrëshqet me shkathtësi 
qorrazi drejt shalës sime.

Ndaj mos kujto
se unë s’e di
që ti e di 
se çdo fjalë që them
është një rrobë.

* 'sous-entendu': frëngjisht në origjinal; ka kuptimin e diçkaje të pashprehur, por të nënkuptuar.

 

Robert Graves

Rrahje zemre

Ti, dashuria dhe unë
(pëshpërit ai) ti dhe unë,
e në mos pastë tjetër njeri kund?
Ç’punë na prish kjo mua dhe ty?

Pulsi rreh
pulsi i avashtë rreh
koha vdes prej humbjes së gjakut, tek zemra ngadalë rreh
zgjuar ata rrinë shtrirë, të dy.

Ditë e qëruar,
natë, dhe prapë ditë e qëruar,
por mbi kokat a e tyre prej qiellit të vrenjtur
do të shpërthejë një ditë stuhi.

Ku do të na gjejë vallë,
(pëshpërit ajo) ku do të na gjejë kur të vijë
vdekja në shtëpinë tonë, ku do të na gjejë
mua dhe ty?

Jo atje por këtu,
(pëshpërit ai) vetëm këtu
ku jemi bashkë ne të dy, tani, tani e këtu
gjithmonë unë dhe ti.

Pulsi rreh
pulsi i avashtë rreh
koha vdes prej humbjes së gjakut, teksa zemra ngadalë rreh
zgjuar ata rrinë shtrirë, të dy.

 

 

7 Komente

smiley Magus. Bravo!

Te gjitha shume te bukura. Flm Magus qe i solle dhe i ndan me ne. E preferuara ime eshte "Getës së saj i ka ikur fija, por ajo ama është femër e bukur."

Perkthimet me pelqyen goxha. 

sa bukur shqiperon Magus....!

 

Ju falemnderit per fjalet e mira, ori gra. smiley

S'di burrat nga jane, meqe jemi ne teme me burra e gra bashke. Apo, kur thote Andon Zako, "nen hije, rrine e kuvendojne"... per politike, natyrisht, cfare tjeter. smiley

Lexova vetem te paren, he per he, ngaqe e kisha me te njohur. Personalisht do kisha respektuar me shume formen origjinale ne pikesimin, gjatesine e vargut, germat e medha. Me pelqeu tingullimi ne vargjet e fundit; pak me pak perdorimi ne shqiperim i fjaleve "rizbulon" dhe "praktikon".

Ok, flm per opinionin.

Tani kjo nuk ka ndonje rendesi te madhe, por me duket e vlefshme ta zgjas pak fillin ne kete pike.

Per pikesimin: mendoj se eshte ne perputhje me drejtshkrimin shqip qe te kapitalizohen (pra, me germa te medha) vetem fjalet ne fillim te nje fjalie (qe mbaron vecse me pike ne fund, sic dihet). Pse fjala ndodhet ne fillim te nje vargu, kjo nuk e kualifikon ate per germe te madhe. Ne shqip flas, ne anglisht eshte ndryshe.

Per gjatesine e vargut: ne kete poezi specifike i dhashe dores pak liri pasi nuk me duket se gjatesia e vargut ndikonte shume tek kuptimi. Dicka mund te thuhet per efektin e theksimit kur ti e 'thyen' vargun diku, dhe jo ne nje pike tjeter. Sigurisht keto lloj 'vendimesh' te perkthyesit duhet te jene me kuptim, jo arbitrare. Por mua po me rrinte mire vargu keshtu sic doli ne shqip. Nese ti veren ndonje parregullsi specifike prej ketyre thyerjeve te vargjeve tek poezia e pare me thuaj. Dicka mesojme, besoj, nga nje shkembim i tille mendimesh, si tip 'group effort'. smiley Ok?

Faleminderit per pergjigjen. Edhe ne shqip mund ta nisesh nje varg me germe te madhe, pavaresisht nga rregulli i pergjithshem gjuhesor. Sa i takon thyerjes se vargut, nuk po propozoja thyerje arbitrare, por riorganizim. Ndoshta ngaqe me pelqeu respektimi i qellimit kuptimor te autorit ne perkthimin tend, dhe m'u duk sikur mund te shtyheshim edhe me tutje.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).