Shqipëria është përfshirë zyrtarisht në listën e “Çmimit Europian për Letërsi”, pjesë e “Politikave Europiane për Kulturën”. Hyrja në këtë listë është bërë nën kujdesin e FE të Botuesve. Autori që do të përfaqësojë Shqipërinë do të zgjidhet nga një juri e përbërë nga Petrit Ymeri(kryetar), Diana Çuli, Marjana Misha, studiuesi Moikom Zeqo dhe Bujar Hudhri. Konfirmimin për pjesëmarrjen e Shqipërisë për herë të parë në garën e çmimit europian për letërsinë e ka bërë dje në një konferencë për shtyp në Qendrën e Informimit e BE-së në Tiranë Ettore Sequi, Ambasadori i BE-së në Shqipëri.

Sequi tha se “BE i kushton vëmendje politikave të saj kulturore, kur  gjatë viteve 2007-2010 kanë pasur një buxhet prej 400 milionë eurosh”, duke bërë të ditur se “Evropa Krijuese”, pjesë e Programit të Bashkimit Evropian për Sektorin Krijues dhe të Kulturës arrin një vlerë monetare prej 1.46 miliardë eurosh për një periudhë 7-vjeçare, duke synuar forcimin e sektorit të kulturës dhe krijuesve të Evropës, drejtuar regjisorëve, shpërndarësve, agjentëve të shitjeve dhe profesionistëve të sektorit audio-viziv. Kështu, Shqipëria ka marrë dje ftesën zyrtare përkrah 12 vendeve të tjera evropiane, për t’u përfshirë në program.

Sipas kryetarit të jurisë, Petrit Ymeri “Çmimi Evropian për Letërsi” do të përzgjedhë një autor shqiptar një herë në tre vjet, ndërsa vepra e tij, pavarësisht nga gjinia letrare, do të përkthehet në disa gjuhë evropiane. Shkrimtarja Diana Çuli, anëtare e jurisë së këtij çmimi rrëfen për Shqiptarja.com  kriteret e përfaqësimit të letërsisë shqiptare në Bruksel.
 
Urime, zonja Diana, ju jeni anëtare e jurise për Çmimin Europian të Letërsisë, si e pritët konfirmimin për pjesëmarrjen e Shqiperise nga Ettore Sequi, Ambasadori i BE?
-Urimet janë për letërsinë shqipe, e cila, me këtë program të Bashkimit Europian, që u paraqit sot nga ambasadori i BE-së Ettore Sequi, do të ketë një mundësi mjaft konkrete të trokasë në dyert e Europës krahas autorëve të tjerë europianë. Ka shumë rëndësi kur letërsia e vendeve të vogla si Shqipëria nuk mbetet në periferi të kontinentit, por hyn në garë si e barabartë me të barabartët. Me këtë program mbështetës të ngritur për letërsinë e gjithë vendeve evropiane, BE dëshmon edhe njëherë strategjinë e saj të patundur për bashkëjetesën e kulturave të ndryshme në një unitet evropian.   

Dimë që jeni një ndër iniciatorët e këtij projekti, a keni hasur në vende të BE-paragjykime për nivelin e letërsisë shqiptare. Cilat ishit rrugët që zgjodhët ju dhe kolegët tuaj për të arritur marrëveshjen dhe pastaj pjesëmarrjen?
-Ky projekt është iniciativë e BE dhe e organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, sipas kritereve dhe rregullave qe ka vendosur BE. Unë kam qenë për shumë vite në jurinë e Balkanika-s, ku kam kontaktuar me shumë autorë, kritikë e studiues ballkanikë e evropianë. Nuk mendoj se ka paragjykime për letërsinë tonë. Aq më tepër që me autorë si Kadareja e Kongoli që janë botuar në shumë vende të botës, letërsia shqipe është prezantuar me shumë dinjitet prej vitesh. Ne kemi shumë mungesa si shoqëri në krahasim me standardet evropiane, por në kulturë e letërsi shpesh jemi bashkërenditur me ta.
 
Cilat do të jenë disa nga kriteret me të cilat letërsia shqipe mund të përfaqësohet denjësisht në konkurrim? 
-Disa nga kriteret që u përmendën dhe sot në takim nga kryetari i shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, dhe që janë kritere të programit të BE, autorët garues nuk duhet të kenë botuar më shumë se 4 libra dhe nuk duhet të jenë botuar në më shumë se 4 gjuhë të huaja. Duhet të jenë me cilësi të lartë artistike në krahasim me autorët e tjerë konkurrentë, në mënyrë që të prezantojnë këtë cilësi dhe nivel para lexuesit evropian, kur të përkthehen.
 
Ettore Sequi deklaroi një buxhet të BE për kulturën prej me një shifër prej 400 milionë eurosh për 2007-2010. Sa ka përfituar letërsia në raport me artet e tjera nga kjo?
-Ky është një buxhet total për të gjitha fushat e kulturës dhe për një periudhë jo të gjatë kohore, po jo vetëm për Shqipërinë. Lajmi i mirë është se Shqipëria u pranua këtë vit të jetë pjesë e këtij programi. Nuk e di sesa mund të jetë pjesa e letërsisë si mbështetje financiare – ku hyjnë dhe përkthimet, botimet, etj. – por në sitin online kjo gjë mund të studiohet. Ky program europian është një shans për botuesit, shkrimtarët, përkthyesit e gjithë njerëzit e kulturës. 

Cilat janë shpresat tuaja pas kësaj marrëveshjeje?
-Ky është një konkurs që e mbështet BE dhe që do ta bëjë të njohur shkrimtarin fitues në vendet europiane. Shpresa është që të kemi një garë sa më të vështirë - pra vepra sa më të mira dhe të dërgojmë në Bruksel ditën e shpalljes së fituesve një shkrimtar shqiptar sa më dinjitoz.

 

7 Komente

Kjo drite jeshile per kulturen shqiptare, mund te jete nisme e mire per te ter palet. 

Hajde kriter hajde, jo me shume se 4 libra. Pastaj per perkthimin ne jo me shume se 4 gjuhe zor, vallaj, me gjet.

po fevziu sa libra ka bere??

Petrit Ymeri, Diana Çuli, Bujar Hudhri.

e ku ka si ti, o shqiperia ime... 

ti ngele ne internet lale. duhet me dale ne terren ose me e mbyll squpin. 

me pelqe interneti. 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).