Një histori dashurie dhe përplasjesh mes njerëzve që vijnë nga dy kultura të ndryshme treguar përmes gjuhës së kërcimit. Dy trupa, herë të ngërthyer fort pas njëri-tjetrit, herë të ndarë. Nën tingujt e muzikës në sfond, ata herë derdhen në një mbërthim pasional ndjenjash e puthjesh e herë kalojnë në një refuzim reciprok deri në konflikt që shoqërohet edhe me shpulla, për t'u penduar më tutje sërish dhe për t'u pajtuar. Një tekst që balerinët lexojnë i sqaron shikuesit sfondin e historisë së dashurisë që shikon në skenë.

"Ne u njohëm përmes Facebook-ut dhe lamë dikur një takim. Që në momentin kur sytë tanë u takuan për herë të parë, rashë pre e magjisë së tij. Ne ishim si dy magnetë që tërheqin njëri-tjetrin. Kurrë nuk kisha përjetuar deri tani një gjë të tillë. Unë rashë menjëherë në dashuri me Labinotin. Mes nesh ka një tërheqje tejet të fuqishme dhe shumë pasion.

Unë do ta përshkruaja marrëdhënien tonë si instinktive, madje pothuajse kafshërore. Por megjithatë në jetën e përditshme kemi shpesh vështirësi të komunikojmë. Nganjëherë unë thjesht nuk mund ta kuptoj këndvështrimin e tij të gjërave. Ndonjëherë ai është mjaft demode dhe ti e kupton vërtetë që ai vjen nga një kulturë patriarkale."

Kështu ose në mënyrë të ngjashme lind dhe rrjedh historia e veçantë e dashurisë me ndarje e ribashkime të një çifti që u takon dy kulturave të ndryshme, histori të cilën Koreografja dhe balerina Katharina Maschenka Horn nga Gjermania dhe balerini Labinot Rexhepi nga Kosova e tregojnë përmes gjuhës së kërcimit.

Jo dashuria, por një jurist

Diçka të veçantë ka edhe vetë vajtja e Katharinës në Shqipëri. Ajo nuk lidhet aspak me ndonjë histori dashurie, si ajo që shfaqet në skenë. "Vajtja në Shqipëri ishte në fakt një rastësi. Një kushëri i babait, që është gjykatës në Gjermani, ishte në Shqipëri në fillim të viteve '90-të si ekspert për përpilimin e ligjeve të reja. Ai ma çoi në mend idenë dhe më sugjeroi që të aplikoj për një projekt kulturor në Shqipëri."

Në vitin 2008 Katharina ishte për herë të parë në Shqipëri për një projekt me koreografin shqiptar Gjergj Prevazi dhe me Albanian Dance Theater Company. Në vitin 2010 ajo mori një ftesë për të krijuar një koreografi për Albanian Dance Theater Company, e cila u shfaq edhe në kuadrin e "Tetorit Gjerman". Po ashtu ajo jep mësim edhe në Universitetin e Arteve në Tiranë. Për vitin akademik 2011/2012 edhe me një mbështetje nga DAAD. Gjatë këtij kursi ajo njohu edhe Labinot Rexhepin, me të cilin vuri në skenë historinë e dashurisë dhe përplasjet e mes mentaliteteve të dy njerëzve që vijnë nga dy kultura të ndryshme.

Extreme Makeover - Culture Clash

Gjatë qëndrimeve në Shqipëri unë i bëja gjithmonë Gjergjit shumë pyetje, sepse çuditesha për shumë gjëra në Shqipëri. Po ashtu gjatë bashkëpunimit apo bisedave kishim edhe disa keqkuptime jo vetëm për shkak të gjuhës edhe të kulturave tona të ndryshme, tregon Katharina. Dhe koreografit shqiptar Gjergj Prevazi i interesonte mjaft tema e "një gjermaneje në Shqipëri" dhe përballja e saj me realitetin shqiptar. Në kuadër të këtij bashkëpunimi lindi ideja e krijimit të një serie me titullin "Extreme Makeover - Culture Clash". Katharina tregon se ideja për këtë titull i lindi në analogji me emisionin televiziv amerikan "Extreme Makeover": "Kjo seri televizive përhap një perspektivë gjoja perëndimore, sipas së cilës secili ka mundësi që t'i nënshtrohet një transformimi dhe të bëhet dikush tjetër, nëqoftëse merr udhëzimet e duhura për ta bërë këtë. Kjo shfaqje propagandon një pamje shumë sipërfaqësore dhe të standardizuar të imazhit të grave apo të marrëdhënieve. Qëllimi dhe një nga objektivat e bashkëpunimit tonë në Shqipëri është ta shohim në mënyrë pak kritike këtë format."

Me sytë e një gjermaneje

"Shqipëria është një vend shumë magjepsës dhe një vend i ekstremeve. Njerëzit janë shumë emocionalë. Nga njëra anë janë shumë të përzemërt dhe të ngrohtë, nga ana tjetër mund të jenë shumë të ashpër ndaj njeri-tjetrit, bëhen shpejt agresivë dhe nuk i përmbajnë dot emocionet e tyre. Këto cilësi përballen me të qenit tim gjermane dhe unë i shtroj shpesh vetes pyetjen, nëse dhe deri në ç'masë emocionaliteti i lartë mund të kontribuojë edhe për cilësinë e jetës. Ajo që më bën vazhdimisht përshtypje të pakëndshme në Shqipëri është fakti se padrejtësia është kaq e zakonshme dhe e dukshme, por njerëzit thjesht e pranojnë atë. Hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është shumë i madh dhe duket si një gjë plotësisht normale. Në rrugë sheh fëmijë të palarë që lypin ndërkohë që pranë tyre kalon një makinë e madhe dhe e shtrenjtë e prodhimit të fundit. Ka madje makina amerikane që janë aq të mëdha sa mezi kalojnë nëpër rrugët e Tiranës. Dhe kjo është normale. Ka pra shumë gjëra të tilla që unë nuk i kuptoj. Natyrisht unë nuk them se në Gjermani nuk ka asnjë padrejtësi, por padrejtësitë dhe pabarazitë në Gjermani janë të strukturuara ndryshe dhe nuk janë kaq ashiqare." - tregon Katharina.

Përplasja e kulturave në skenë dhe në sallë

"Kur i ra me shuplakë vajzës, mezi e mbajta veten të ngjitesha në skenë dhe t'i jepja Labinotit një shuplakë." - tregon njëra nga spektatoret e shfaqjes "Extreme Makeover - Culture Clash" në Korçë. Në një moment Labinoti e rreh të dashurën, sepse idetë e tyre për bashkëjetesën, martesën familjen shkojnë shumë larg, deri në ekstrem. Entuziazëm në sallë kur Katharina i përgjigjet shuplakës me shuplakë.

Të pamësuar të shohin në publik puthje të forta erotike, kur Labinoti dhe Katharina puthen në skenë për disa minuta me radhë, disa burra të moshuar gjatë shfaqjes në Durrës qeshin nën hundë si fëmijë shkolle që po shohin diçka të ndaluar për moshën e tyre. Gjatë një shfaqjeje tjetër në Tetovë, spektatorët përplasin pas puthjes duart, të lehtësuar që më në fund ajo e keqe në majë të skenës mori fund. "Po ajo e puthur ç'qe? Doni të na tregoni si bëhet?" - pyet një spektator pas shfaqjes.

"Në përgjithësi ajo që më duket tepër interesante dhe dua ta theksoj është se sidomos burrat, shpesh hidhin sytë mënjanë në skenën kur ne zihemi dhe rrihemi dhe nuk ishin në gjendje që të të shikonin më. Kjo më ra direkt në sy."

Kufijtë mes zhanreve: Teatër, kërcim apo cirk

Edhe pse "Extreme Makeover - Culture Clash" u pëlqeu si artistëve dhe kritikëve të artit, edhe spektatorëve të thjeshtë, dallimi mes kulturave shfaqet edhe në disa aspekte të tjetra, ato teknike.

Bashkëpunimi mes Gjergj Prevazit, Labinot Rexhepit dhe Katharina Maschenka Horn ndyrshon nga të tjerët dhe është një lloj "bashkëpunimi i vërtetë", në të cilin nuk ka vend për rolet tradicionale të kërcimtarëve dhe të koreografit. Pra që të tre kanë bashkëpunuar dhe ushqyer me ide dhe mendime si koreografinë edhe realizimin teknik në skenë.

Po ashtu përveç kërcimit kjo pjesë përmbante edhe pjesë të lexuara nga vallëtarët në prologun e pjesë dhe elemente të ndryshme muzikorë. Për këtë si për një pjesë të spektatorëve, madje edhe të kritikëve të artit, nuk është e qartë nëse kemi të bëjmë me kërcim, teatër, balet, apo cirk.

Dyshime të tilla lidhen ndër të tjera me faktin se me kërcim apo balet një pjesë e audiencës shqiptare kupton ose "teknikën klasike të baletit", ose vallet popullore apo teknikat urbane të kërcimit si Hip Hip ose Ballroom Dance. Termi kërcim bashkëkohor (contemporary dance), në të cilin bën pjesë edhe performanca "Extreme Makeover - Culture Clash", është në fakt një term shumë i përgjithshëm për teknika të ndryshme.

"Teknika dhe estetika që ne përdorim në pjesën tonë bazohet në lëvizje organike që duken shumë të natyrshme dhe për të cilat të dy trupat e vallëtarëve duhet të bashkohen dhe madje gati të shkrihen me njëri-tjetrin. Kjo pjesë ka edhe elemente të teatrit, por sigurisht kryesorja është kërcimi dhe tregimi i ngjarjes përmes lëvizjeve që ne bëjmë në skenë. Ne nuk bëjmë akrobaci, por përcjellim nëpërmjet lëvizjes së trupave tanë emocione, imazhe dhe histori." - thotë koreografja gjermane.

Gjithësesi Katharina e sheh këtë pasiguri të publikut në klasifikimin e shfaqjes si kompliment, "sepse për mua kjo do të thotë se ne e kemi treguar me trupat tanë historinë në mënyrë aq organike, sa spektatorëve u është dukur si një tregim."

Planet për të ardhmen

Projekti i ardhshëm i ciklit "Culture Clash" sillet rreth temës "... about male identity". Në qendër të tij do të jenë identitetet e meshkujve në Gjermani dhe në Ballkan dhe në të do të marrin pjesë kërcimtarë dhe performues nga Berlini, Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Maqedonia. Në këtë pjesë do të trajtohet tema të tilla roli tradicional i burrave, atij gjerman dhe atij nga Ballkani, apo qëndrimi i shoqërive të ndryshme ndaj homoseksualitetit.

Për performacën "... about male identity" koreografja Katharina Maschenka Horn do të sjellë në skenë si interpretues një grup të përzier balerinësh homoseksualë edhe heteroseksualë, që kanë koncepte mjaft të ndryshme për jetën. Kjo pjesë sigurisht do të thyejë, jo vetëm në skenë, disa tabu si në Shqipëri edhe në vendet e tjera të Ballkanit.

5 Komente

pordhet e ketyre qe bejne sikur zbuluan ameriken ,nuk durohen.

megjithese ,nga nje ane kane te drejte sepse albanian theater company  te con instiktivisht drejt ruandes  apo liberise

Pikerisht. Evropiania e lodhur nga sallonet mondane ka zbuluar shqiptarin ekzotik. Dhe na e sjellin ketu pale.

instinktive, kafsherore...cfare do njeriu me shume?

Kulture lesh

 

"All taste cultures are of equal worth when considered in relation to their taste publics." (Gans)

smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).