Rasti i shkrimtarit e gazetarit Ardian Ndreca, është i fundit i një serie njerëzish që unë i vlerësoj, dhe që i bashkohet korpusit qeverisës. Ai (siç pritet) do të jetë Ambasador i Shqipërisë në Vatikan. Me sa lexova, ndërsa diskutoheshin kandidaturat kish lindur edhe një debat, se paska fyer Presidentin, apo se rrezikon të shkruajë në gegnisht (!). Në fakt, debati i vërtetë do të qe: A duhet që njerëz si Ndreca t’ia heqim shoqërisë civile e t’ia japim shtetit? Por para se të shkojmë atje, do doja të vlerësoja nga ana personale se çfarë humbas e çfarë fitoj nga ky emërim. Çfarë fiton Shqipëria nga emërimi i Ndrecës?

Shqipëria dhe Vatikani

Nuk e di se sa të rëndësishme konsiderohen në nivel dy-qeveritar marrëdhëniet e Shqipërisë me Vatikanin, por nga një vështrim i shpejtë nuk më duket se shkojnë përtej marrëdhënieve “shumë të ngrohta e miqësore”. Jemi afër, por në të vërtetë jemi larg. Prerjet e interesave dhe mundësive konkrete gjeopolitike nuk na lejojnë të bëjmë shumë përveçse t’i buzëqeshim pa shumë fjalë njëri-tjetrit, si shtet, kur hasemi në rrugët e gjeopolitikës.

Nuk besoj se Vatikani vlen për marrëdhëniet tona ekonomike; as për strategjitë tona rajonale nuk është ndihmë e madhe (me sa di unë nuk ka njohur as Kosovën); për ambiciet tona ushtarake po ashtu nuk na hyn në punë dhe e vetmja marrëdhënie e fortë ka të bëjë me komunitetin fetar katolik të Shqipërisë. Pra, një Ambasador në Vatikan nuk është ndonjë hall i madh që ky shtet duhej të zgjidhte, siç do të ishte për shembull zgjedhja e Ambasadorit tonë në Greqi, Serbi, Itali, Francë, Amerikë a Angli, vende që ne nuk kemi mundur t’i shfrytëzojmë kurrë maksimalisht falë ambasadorëve të paaftë, meskinë e dembelë. Sigurisht, të kesh një intelektual të njohur në krye të një Ambasade më së paku i bën nder shtetit, edhe pse një intelektual nuk është e thënë se do të jetë një diplomat gjithaq i mirë. A duhet për kaq të konsumojmë Ndrecën? 

Ndreca i shtetit

Ardian Ndreca hyn nga të paktët kolumnistë që unë i lexoj vazhdimisht dhe me ëndje. Personalisht, do doja që Ndrecën të vazhdoja ta lexoja. Jam i sigurt që ai do të vazhdojë të shkruajë, por nuk do jetë më ai i pari. Sado të përpiqet të jetë i baraslarguar nga ngjarjet, ai do të jetë një ambasador që shkruan publicistikë dhe jo një mendje e lirë që shkruan për njerëzit. Detyra e intelektualit në një vend si ky është që të qëndrojë jashtë sistemit. Kam frikë se sado t’i japim guxim vetes se posti shtetëror nuk do na ndryshojë, kjo ndodh, pa e dashur ne. 

Rasti më domethënës i një publicisti të aftë që u konformua në sistem është ai i Edi Ramës, që pasi u bë pjesë e sistemit nuk dha asnjë kontribut publicistik për publikun, madje, në gjykimin tim personal, u bë palë me të pasurit kundër qytetit. Shembuj të tillë ku intelektualët konformohen në sistem janë të shumtë, dhe sidomos bien në sy në kohën e ndërrimit të pushteteve, ku sistemi përpiqet t’u “blejë” heshtjen gazetarëve, intelektualëve apo kolumnistëve me integritet. Sistemi jo thjesht të blen me poste. Sistemi nuk të lë asnjë rrugë tjetër. 

Intelektualët përherë të varur

Është e kollajtë të japësh mend mbi jetën e dikujt, siç po bëj unë në këtë rast, të gazetarit Ardian Ndreca. Të gjtihë pretendojmë prej gazetarëve ndershmëri, pavarësi e guxim, të gjithë presim prej tyre të thonë për herë të vërtetën (nganjëherë atë që duam ne të dëgjojmë si të vërtetë), por asnjëherë nuk bëhemi merak, a i ushqen ata e vërteta?

Si do jetojnë gazetarët? A e di publiku (se unë e di) sa paguhen shkrimet në gazeta? Para se të gjykojmë, fjala bie, Lubonjën që del te Klani, a e pyesim veten si do jetojë ai, nëse nuk merr honorare për pjesëmarrje televizive? Pse u dashka të kërkojmë që intelektualët të jetojnë, shkruajnë e veprojnë jashtë sistemit, kur e dimë mirë që aty nuk ka kushte për mbijetesë? 

Ky shtet, ka bërë të pamundurën që intelektualët për të jetuar të kenë nevojë për bukën e shtetit. (Këtu, sa për procesverbal, duhet thënë që ish-Kryeministri mban titullin kampion për shterrimin e burimeve financiare të kujtdo që nuk konformohet në sistem, qofshin grupe mediatike apo individë, i ndjekur pastaj dhe nga Kryeministrat e tjerë, Nano e Meta). Akoma shoh të vijë vërdallë i papunë prej vitesh, Moikom Zeqon, një nga eruditët e paktë që njoh (dhe do vazhdoj ta përsëris këtë rast). Shteti, i bën “karshillëk” Moikomit. Po të dojë, shteti ia gjen një punë. Por, ja që shtetit, nuk i do...

Në këto kushte, është e padrejtë e ndoshta e pandershme të kërkosh prej kujtdo t’i thotë jo një posti qeveritar, që garanton së paku një jetë më të qetë e më pak probleme financiare. Unë vetë, druaj se nuk do i thoja dot jo. Ndoshta prandaj janë shuar intelektualët e pavarur, sepse ky shtet s’të jep asnjë mundësi të jesh i pavarur. I vetmi shans që të jep është “o me të, o të vdesësh urie!”

Një shtet që të shtrëngon

Dhe ja ku u kthyem përsëri te shteti dhe makineria e tij perverse për të blerë pavarësinë e individit. Në momentin që shteti blen heshtjen, ai i ka bërë një shërbim të përkohshëm vetes. Ka heshtur një zë, dy zëra, ndoshta të gjithë zërat. Në plan afatgjatë mungesa e zërave kundër sistemit bën që shteti të degradojë si një pijanec që mbytet në të vjellat e veta, pa pasur njeri pranë që të flasë. Ndaj, shtetet moderne gjejnë forma për të mbajtur gjallë elitën e tyre intelektuale, pa qenë nevoja as t’i detyrojnë të shtrijnë dorën për bukë, e as të lypin “punë në shtet”. 

Ka me dhjetëra grante, institute studimore e kërkimore, qoftë dhe borde, përmes të cilave intelektualët mund të nxjerrin bukën e përditshme, të botojnë librat pa qenë nevoja të jenë në mëshirën e privatit komercial, të ligjërojnë në Universitete pa qenë nevoja të trokasin te universiteti i Pushtetit. Kur them ka, dua të them “ka” si mundësi. Por, ky shtet duket krejt i paaftë për të ndërtuar instrumente korigjuese të vetvetes, i ngopur me arrogancë, dritshkurtësi e ligësi. Ndaj, e vetmja mënyrë që ndjek është konformimi përmes shtrëngimit i intelektualëve për të hyrë në sistem. Për t’u kthyer te posti i Ambasadorit në Vatikan.

Ambasadat

Më kujtohet që të punoje në Ambasadë ishte një luks i rrallë në kohë të Enverit. Nuk kishe ndonjë gjë për të bërë, ne ishim vend i izoluar, dhe në Ambasada; i ikje mjedisit mbytës në Shqipëri; bëje dhe ca jetë jashtë. Vazhdon, me trishtim të jetë njësoj. Më kujtohet një sërë shkrimtarësh e artistësh, këngëtarësh e piktorësh, që, të përkëdhelur prej Partisë që vinte në pushtet, katapultoheshin në Ambasadat tona jashtë. Dhe këtu nuk po flasim për serinë e kunetërve, dajave, vajzave të tezes, nipave e dhëndurëve që merrnin si pajë, një vend në Ambasadë. Po flasim thjesht për artistë pa lidhje gjaku me Partinë.

Se çfarë mund të bëjë një këngëtar-ambasador për të joshur vëmendje ekonomike, kulturore e politike ndaj Shqipërisë, nuk e di. Por, mund dhe ta imagjinoj. Dhe ajo që imagjinoj është mediokre. Ndaj, prisja që politika jonë e jashtme të fillojë të ndërtojë një sistem tjetër përfaqësimi. Ndoshta, duhet që në Ambasada të mos shkojnë njerëz të shquar e as të ditur, por diplomatë të mirëfilltë, ata që e kanë zgjedhur këtë profesion që në shkollë, që kanë një karrierë në administratë, dhe që kanë ambicie për t’u rritur e plakur në sistemin tonë diplomatik. Prej tyre, më pas Kryeministrat mund të përzgjedhin funksionarë të lartë shtetërorë e ministra. Njësoj si sistemi ushtarak i një vendi, dhe ai diplomatik duhet të jetë një organizëm i komplikuar, i puthitur, funksional e ku kriteret janë më se të qartë që në fillim. Një organizëm që ushqen e riparon vetveten. 

Dhe kjo nuk bëhet me kolumnistë si puna ime. Unë nuk do i thoja dot jo një posti në Ambasadën tonë në Danimarkë. Por është detyra e shtetit të mos më fusë në mëkat. Për të mirën e vet. Për të mirën time. Për të mirën e atyre që duan të më lexojnë. 

17 Komente

Ca problemi ka ktu iher? Ndreca gjithmone ka ngrene buken e shqiptarit e ka mbajtur meshen e vatikanit ! 

Tani dmth do i hyjne parate e bukes ne banke.

Simples! smiley

Ne fakt ai ka studiuar per filozofi dhe eshte profesor ne nje universitet ne Itali. Nuk ja ka nevojen dmth "buken e shqiptarit" as rroges te ambasadorit, as honorare te artikujve te Shekulli. Kushedi, e terheq titulli "ambasador" ndoshta.
 

ore dakort; po mos harro se balten e perzien ne shqiperi ky. Dmth, aq me keq nqs eshte e vertete ajo qe thua!  smiley

Prandaj me zhgenjen kjo gje. Nuk e kuptoj. Ekonomisht eshte i pavarur.

Dmth teza e autorit, qe "pushteti e bleu" nuk qendron, sepse ka profesionin dhe pavaresine e tij, si ekonomike, si intelektuale, mqs ka formimim te mire dhe nuk ka studiuar marksizem-leninizem si keto rrangallet e vjeter tone.

Verejtje e sakte. Se per cfare arsye pranon te emerohet ambasador nuk e marr vesh.

Ta them une pse; ky & co kujtojne se jane akoma ne shekullin e 19te ku gjoja popullit shqiptar i duhej patjeter nje lloj identiteti katolik te shpetonte nga kthetrat e pushtuesit te tmerrshem turk. smiley

Ore mire e ke,po Ardiani c'thote?

Nuk e meriton shteti dallkaukeve M.Zeqon. Po as Akademia e Shkencave , Instituti Historise, Arkeologjise, Antropologjise nuk i ka bere nje vend?

Moikom Zeqo ka lindur më 3 qershor 1949, në qytetin e Durrësit. Më 1971 është diplomuar në Universitetin e Tiranës për filologji dhe letërsi. Më vonë është diplomuar për histori dhe arkeologji si dhe ka bërë studime pasuniversitare në Romë, në Athinë, dhe në Washington D.C.. Ka punuar si redaktor letrar në gazetën “Drita” dhe arkeolog dhe specialist i artit të lashtë pranë Akademisë së Shkencave.

Është Doktor i Shkencave dhe mban Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh”.

Është autori i 62 librave me poezi, prozë, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të nje numëri skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, sërbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht si dhe në gjuhën tonë.

Është autor i tre ekspozitave vetiake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj.

Moikom Zeqo është sot një nga personalitetet më të mëdha dhe të njohura të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe.

Shi shi, qenka bo burre i mire Zeqo tani??? Ne 2009 ca nuk i thate, me liber shtepie e kane marre dhe ketu te peshku. 

" .... Ky shtet, ka bërë të pamundurën që intelektualët për të jetuar të kenë nevojë për bukën e shtetit. (Këtu, sa për procesverbal, duhet thënë që ish-Kryeministri mban titullin kampion për shterrimin e burimeve financiare të kujtdo që nuk konformohet në sistem, qofshin grupe mediatike apo individë, i ndjekur pastaj dhe nga Kryeministrat e tjerë, Nano e Meta). Akoma shoh të vijë vërdallë i papunë prej vitesh, Moikom Zeqon, një nga eruditët e paktë që njoh (dhe do vazhdoj ta përsëris këtë rast). Shteti, i bën “karshillëk” Moikomit. Po të dojë, shteti ia gjen një punë. Por, ja që shtetit, nuk i do...

Në këto kushte, është e padrejtë e ndoshta e pandershme të kërkosh prej kujtdo t’i thotë jo një posti qeveritar, që garanton së paku një jetë më të qetë e më pak probleme financiare. Unë vetë, druaj se nuk do i thoja dot jo. Ndoshta prandaj janë shuar intelektualët e pavarur, sepse ky shtet s’të jep asnjë mundësi të jesh i pavarur. I vetmi shans që të jep është “o me të, o të vdesësh urie!”..." 

  Dhe te mos harrojme se Moikom Zeqo eshte nje nga intelektualet e PS, me vlera intelektuale shum me teper se Rama dhe ata qe e rrethojne. 

 

 " .... Dhe ja ku u kthyem përsëri te shteti dhe makineria e tij perverse për të blerë pavarësinë e individit. Në momentin që shteti blen heshtjen, ai i ka bërë një shërbim të përkohshëm vetes. Ka heshtur një zë, dy zëra, ndoshta të gjithë zërat. Në plan afatgjatë mungesa e zërave kundër sistemit bën që shteti të degradojë si një pijanec që mbytet në të vjellat e veta, pa pasur njeri pranë që të flasë. Ndaj, shtetet moderne gjejnë forma për të mbajtur gjallë elitën e tyre intelektuale, pa qenë nevoja as t’i detyrojnë të shtrijnë dorën për bukë, e as të lypin “punë në shtet”..."  

 Me mire, me bukur, as une nuk do ta kisha thene. 

Më kujtohet që të punoje në Ambasadë ishte një luks i rrallë 

edhe mua me kujtohet kur na binin rroba nga gjermania, pale per nje pale letra gjermane para se te loznim; i keni lare duart?

po letra po lozim ,nuk po hame buke!

po po por kan ardh nga ambasada - rikujtonte babai smiley

Nje njeri qe shkrun gegnisht ne shkrime publike te botume per nje publik te gjere - e kam fjalen jo vjersha dhe tekste kengesh- e ka te shkrujtme mu ne balle mungesen e luajalitetit ndaj shtetit shqiptar si institucion dhe si ide, si nocion.

Kaq mjafton qe nje njeri i tille, as msus ne Brucaj nuk duhet me u vone, jo mo ambasador! 

Ca tjeter pervec se besnikeri ndaj shtetit tat mund te jete me e rendesishme per nje pozicion te tille? 

Emerimi i ketij njeriu eshte shpulle surratit per gjithe ata arsimtare qe dite e nate mesojne femijet te shkruajne shqip ne menyre standarde. 

Pune e keqe

smiley

ketij i duhet hequr edhe shtetesia shqiptare,e jo me te emerohet ambasador!

hajde me kembe te mbare edhe bollanon ambasador ne athine

Ramistet jane te cuditshem. Jane nje tufe amorfe, pa forme dhe pa ngjyre, pervec ndjekjes nga pas te Rames, ndryshe nuk ka si shpjegohet qe nje bicim neomarksisti ose te pakten nje i majte si Cukali, gjoja i rrymes counter-culture, i bashkohet nje reaksionari si Ndreca.

Ndreca nuk ben per ambasador pasi e ka deshmuar veten si nje ekstremist politik dhe fetar.

Shkrimet e Ndreces, qe i lexoka me kenaqesi Cukali, vlojne nga urrejtja dhe ekstremizmi dhe zor se ka ndonje qe nuk eshte si Ndreca qe do te mund ti lexonte me kenaqesi.

Ehh sa e peshtire qenka te jesh ramist.

ky koloreteja eshte nje shul .. shkruan llafe, tjerr lesh ne ajer.. shprehjet e tij jane "besoj", "imagjinoj" -- po ik ore loqe bej nje kerkim ne jeten tende, intervisto nje diplomat, bej nje analize te benefiteve dhe kostove per emerimin e nje personaliteti ... shkruaj dicka me siguri qe eshte ashtu, mos tirr lesh kot .. hulumto!

karriera diplomatike eshte  e strukturuar me ligj, nuk ka nevoje per mendjen e koloretos, dhe vetem diku tek 15% e diplomateve nuk jane per momentin diplomate karriere (sipas VKMse) .. por keto i lejon qeveria per te mundesuar shperblimet politike (gjithkund ne bote tolerohet nje mase e tille pse jane poste politike dhe privilegje te partise ne pushtet)

.. dmth ja dergove edhe llafin Rames se ke qejf te shkosh sekretar i dyte apo i pare ne Danimarke? nuk i thoje dot Arber Maznikut? apo doje ta beje publikisht?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).