... kur të rritem dua të bëhem profesor

Në Kosovë së fundmi studentët janë ndërgjegjësuar për problemet me cilësinë e kërkimit shkencor dhe të integritetit të personelit akademik. Ndërsa në Shqipëri ekziston prej vitesh edhe përse as shteti e as universitetet nuk kanë ndërmarrë masat e duhura dhe studentët nuk janë mobilizuar. Sidomos cilësia e publikimeve në revista jo-serioze shkencore është një problem gangrenë për sistemin e kërkimit shkencor në Shqipëri.  Shakaja e fundit me rektorin e Universitetit të Prishtinës dëshmon për përmasat që ka marrë ky problem edhe në Kosovë.

Në vitin 2006 u nis reforma në sistemin e kërkimit shkencor që integroi institutet e kërkimit shkencor në universitetet publike, për të cilin kemi diskutuar edhe më parë. Ndër synimet kryesore të reformës, të shprehura në Strategjinë Kombëtare e Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ishin rritja e volumit të kërkimit shkencor dhe e cilësisë së personelit akademik. Për këtë qeveria ndërmori shkurtimisht disa hapa si rritja e investimeve në kualifikimin e personelit (p.sh. bursat e ekselences), ndryshime në kuadrin rregullator të promovimit të pedagogëve dhe të shpërblimit të tyre, ngritjen e një institucioni koordinues për projektet kombëtare e ndërkombëtare të kërkimit (AKTI) etj.

Ndryshimet në kuadrin rregullator përfshinin kriteret për promovimin e pedagogëve në Dr., profesor i asociuar dhe profesor, edhe shpërblimet financiare përkatëse në bazë të titullit akademik. Për këtë ministrat e arsimit gjatë qeverisë Berisha vendosën që ndër kriteret e promovimit të vendoseshin volumi i kërkimit shkencor (p.sh. për Dr. deri në katër botime shkencore dhe kumtesa në konferenca brenda e jashtë vendit, parashikuar në udhëzimin Udhëzim, Nr.5, Date: 22.01.2008).

Kritere relativisht të vështira u vendosën për titujt profesor i associuar dhe profesor (Vendim i KM, Nr.467, Date: 18.07.2007, i ndryshuar në vitet 2008, 2012), ku sipas vendimit të Këshillit të Ministrave një ndër botimet shkencore duhet të ishte në revistat shkencore me faktor impakti dhe peer review. Faktor i impaktit është një tregues për seriozitetin e revistës shkencore pasi është një tregues për citimet në një disiplinë të caktuar. Ndërsa peer review siguron shqyrtimin e studimit nga studiues të së njëjtës disiplinë. Gjithashtu për të rritur nivelin e personelit në institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat, qeveria vendosi në ligjin e arsimit të lartë (2007) kushtin për numrin minimal të pedagogëve dhe të profesorëve për fakultet (minimalisht një profesor dhe një profesor të asociuar për fakultet), kushte këto të ngjashme me idenë e profesurës në perëndim (Lehrstuhl në Gjermani, apo chair në SHBA). Objektivat e qeverisë synonin njëkohësisht reagimin e komunitetit akademik për t'u shndërruar në një komunitet më selektiv ndër radhët e tyre, pasi vlerësimi i kritereve do të realizohej nga Këshilli i Profesorëve në fakultet apo universitet. 

Gjatë qeverisjes socialiste ishte ndërtuar një mekanizëm korruptues për promovimin akademik, duke filluar nga kuadri ligjor. Ish-kandidatët e shkencave dhe studiuesit e instituteve të ndryshme të kërkimit u njesuan automatikisht me titullin Dr. edhe pse kriteret nuk  ishin medoemos të njëjta. Disa prej tyre u bënë edhe profesorë pa kurrfarë produkti kërkimor ose me një produkt mediokër. Institutet e kërkimit në fakt u mbushën me të tillë profesorë duke degraduar sistemin e kërkimit shkencor në gjendje vegjetative.

Por mekanizmi i korruptuar vijoi edhe gjatë viteve 2005-13,  edhe pse jo në të njëjtat përmasa. Objektivat e qeverisë u shndërruan në objekte shkëmbimi interesash brenda komunitetit akademik. Pedagogë pa skrupuj dhe mediokër nxituan të merrnin titujt profesor dhe doktorë duke përdorur mekanizmat klientelist në fakultete. Madje, objektivat e qeverisë dhe kriteret për publikim të lidhura me promovimin shkaktuan një lum “shkencëtarësh” shqiptarë të shpiknin konferenca ndërkombëtare në Shqipëri, të publikonin në revista shkencore jo-serioze dhe një valë plagjiature të pashoqe në temat e doktoraturës dhe të masterit.

Objektivat fisnike të qeverisë nuk patën rezultatin e dëshiruar për nga cilësia, por për nga sasia. U rrit numri i publikimeve dhe konferencave ndërkombëtare. Universitetet publike dhe private, si nën trysninë e marketingut, por edhe të kritereve për publikim në kuadrin e fitimit të titullit Doktor, filluan të publikojnë vetë periodikë “shkencore” apo të organizojnë konferenca ndërkombëtare. Disa prej revistave nuk kanë ndryshim nga gazetat e përditshme në cilësi dhe ambicie profesionale, por ka ndër to edhe revista me pretendim serioz. Të tjerë pedagogë gjetën hapësira të publikojnë jashtë shtetit, por në revista jo-serioze. Si rezultat u rrit numri i personelit akademik me tituj Doktor dhe Profesor i Asociuar, edhe përse jo gjithmonë nën pritshmëritë e ligjit dhe strategjisë së qeverisë. Pra, problemi me botimet në revista jo-serioze u shkaktua nga strategjia e qeverisë, sepse kriteret u vlerësuan formalisht dhe jo nën thelbin e tyre.

Komuniteti akademik i vlerësoi kriteret për dhënien e titujve akademikë formalisht për nga numri minimal i botimeve apo kumtesave shkencore duke injoruar pjesën ligjore që kërkonte vlerësimin për nga cilësia. Këshillat e Profesorëve p.sh. injoruan kriterin e revistave me faktor impakti dhe nuk nxorën një listë të revistave të njohura nga institucioni, por pranuan botime në revista aspak serioze.

Në Shqipëri nuk është nga kulti i kargos, por akademia është bërë një industri fitimprurëse dhe që siguron të ardhura në një vend ku papunësia është e madhe dhe mediokriteti edhe më i madh. Sidoqoftë, një zgjidhje do të ishte që ministria të nxirrte një listë të zezë ose të bardhë të revistave (sikur në Malajzi), por kjo është mirë të ngelet në përgjegjësi të universiteteve si vlerësuesit më të mirë të integritetit akademik. Duhet marrë parasysh se ka revista shkencore që sapo kanë hyrë në treg dhe që të regjistrohesh për impakt faktor duhen minimalisht tre deri në pesë vjetë. Gjithashtu hulumtuesit shqiptarë për shkak të gjuhës dhe të nivelit të kërkimit e kanë të vështirë të botojnë në revista me impakt faktor, e ky është një faktor shtytës edhe për studiues seriozë.

Marrim shembull disa prej këtyre revistave ku botojnë zakonisht studiuesit shqiptarë (nëpër internet gëlojnë mbi 4000 revista të tilla, të cilat kryesisht përfitojnë para nga hulumtuesit, por unë do të përqëndrohem vetëm në katër prej tyre dhe në artikujt më të fundit):

1. European  Scientific Journal – është një revistë me vendndodhje në Maqedoni dhe e preferuar kryesisht nga universitetet në rrethe (Gjirokastra, Vlora dhe Durrësi). Nuk është revistë me impakt faktor pasi nuk është në database e Thomson Reuter, por pretendon të jetë në njërën prej database të shumta në internet. Nuk nxjerr numra me një tematikë apo disiplinë të caktuar dhe nuk është me peer revieë. Niveli akademik i kësaj reviste sipas vlerësimit tim është jashtëzakonisht i ulët. P.sh. vetëm në dhjetor të 2013 ka lëshuar katër edicione speciale ku një ndër to janë procedurat e një pseudo-konference organizuar nga shkolla e lartë Vitrina.  Në një numër gjen studime mbi fizikën bërthamore, modele ekonometrike të shfrytëzimit të puseve të përbashketa në zonat rurale të Mozambikut, e deri tek bashkëjetesa e fëmijëve me persona me aftësi të kufizuar në familjet shqiptare (Universiteti i Vlorës, 2014). Në tre numrat e fundit (2014) ka ndër të tjera artikuj mbi mësimin e gjuhës angleze profesionale në Shqipëri (nga Universiteti i Durrësit), për trajtimin me lazer të lesionit vascolar në buzë (me bashkëautor ë nga Universiteti Mjeksisë, Tiranë),  mbi analizën faktoriale me R, MATLAB dhe SPSS (nga Universiteti i Tiranës).  Artikulli mbi përdorimin e gjuhës angleze nuk është një studim por kopje e udhëzimeve që gjenden rëndomtë në librat shkollorë. I së njëjtës natyrë udhëzuese është edhe ai mbi analizën faktoriale, një kopje udhëzimesh pa asnjë risi në interpretimin apo trajtimin e analizës faktoriale.

2. Mediterranean Center of Social and Educational Research: është me qendër në Itali dhe nxjerr katër revista, ku publikojnë kryesisht nga Universiteti i Tiranës. P.sh. në Academic Journal of Interdisciplinary Studies një doktorande nga UT ka publikuar mbi mundësitë e punësimit në të rinjtë e zonave rurale (2013, 2-3); një tjetër nga Universiteti i Durrësit ka publikuar mbi zgjedhjen ndërmjet trenit dhe autobusit nga Tirana në Durrës (2013, 2-4); profesorë nga Universiteti Bujqësor kanë botuar një analizë ekonomike në Mediterranean Journal of Social Sciences mbi dëshirën e kasapëve për të paketuar mishin e qingjit (2013, 4-9); receptimi kritik i Gjergj Fishtës, në po të njëtën Academic Journal of Interdisciplinary Studies është vepër e një pedagogeje në departamentin e historisë në UT (2013, 2-3) etj.

3. International Scientific Publications:  Ka revista mbi ekonominë, gjuhësinë, bujqësinë etj. dhe frekuentohet kryesisht nga universitete private (edhe pse serioze) dhe universitetet e Tiranës. P.sh. dy pedagogë të Universitetit të Tiranës, Filiali i Sarandës, kanë botuar në 2012 (n. 3) Economy & Business mbi fleksibilitetin e tregut të punës në turizëm, rasti i Sarandës, ndërsa dy të tjerë nga Universiteti i Neë York-ut në Tiranë kanë publikuar në 2009. Në një tjetër revistë të po kësaj kompanie, Agriculture & Food (2012, n. 1) kanë publikuar me bashkëautorësi 5 autorë nga Universiteti Bujqësor, sikur dy të tjerë në vitin 2013 (volumi 1 n. 2). Në revistën tjetër Language, Individual & Society, numri 6 (2012) kanë botuar dy pedagogë nga Universiteti i Neë York në Tiranë.

4. International Journals of Engineering and Sciences: me qendër në Pakistan dhe ku botojnë kryesisht nga Universiteti Politeknik i Tiranës (UPT). P.sh. mbi hartat gjeologjike të hapësirave turistike në Divjakë (2012, n. 4); mbi algorithmin stenografik në imazhet binare nga dy pedagogë të Universitetit të Tiranës (2012, n. 3); mbi rrjetet jo-kabllore nga një pedagog në UPT (2012, n. 5); mbi kitet radiofarmaceutike nga një studiuese në Universitetin e Gjirokastrës (2011, n. 2) etj.

 

Publikuar më parë tek PTF

3 Komente

ku osht Qemoli edhe i her? Si tha: University of United States. We don't even have a basketball team. smiley

 

"(M)boto ose (m)bytu" duhet te ishte titulli, ne daci te jini ne te njejten faqe me gjuhen engleze! smiley

"... kur të rritem dua të bëhem profesor"

une doja te behesha ushtar.. po ce do qe i kam inat republikanet dhe jam kunder dhunes
jo mo jo... e ndryshova, u bera ekonomist. po kur pash se kishte shume ekonomista, u bera psikolog. pastaj bera edhe nja ca specializime te metejshme dhe tani jam si mbret... o ho ho ho ho

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).