Jam adhuronjës pa rezerva i traditave të vendit. Arësyet janë të shumta. E para se tradita na shquan nga popujt e tjerë. Të dytën dhe të tretën i harrova, po mjafton e para.
Pra jam adhuronjës i traditave të vendit që na shquajnë nga vendet e popujt e tjerë, të cilët, me do e mos, janë të poshtër e barbarë.
Tradita e vendit e do që kur bëhet dikush ministër të vejë gjithë populli në dikasterin përkatës, për urimet e rastit. E do, s’e do; e quan të mënçmë a budalla; e quan të ndershmë ose jo – për të uruar duhet të vesh ta urosh. Kjo që të kesh nesër derën çelur për do-një favor personal ose të do-një miku ose të do-një miku të mikut – si e do tradita e vendit. Po të jesh i afërmi i ministrit shtrohesh në kolltuk të butë edhe bën muhabet, dyke pirë kafe e duhan (se punët e Dikasterit venë vetë…) kurse po të jesh vetëm “turmë” kënaqesh me një cigare e me një shkëmbim buzëqeshje të ëmbël si hallva e si kadaifi bashkë. Fund i fundit, mor zotni, ti nuk vete për cigare, po që ta dijë Ministri se je në jetë, se e urove, se i the “Shkëlqesë” dhe dora dorës, kaqë mjafton.
Më anë tjatër tradita e do që vendi të ketë buxhet – qoftë edhe se arka s’ka një metelik.
Dhe tradita s’ka si të shkelet!
Gjith tradita e do që në buxhet të jenë shkruar shpenzimet për një vit. Po për fat të keq viti është i gjatë fort dhe durimi ynë i shkurtër fort. Pra ministri, në është ministër me zile, e jo frikacak i nderçmë, lipset të bëjë dy gjëra: a) t’i marrë fondet e një viti qe’ në muajin eparë; b) t’i prishë sapo i përlau.
Këtë e lejon tradita edhe tradita nuk shkelet.
S’prish punë në mbeten 11 muajt e tjerë pa fonde. Qëllimi i buxhetit dhe i qeverimit u prek, si e do tradita kombëtare.
Pikat e më sipërme duhen vënë në zbatim aq më fort se mund të bjerë qeverija, dhe, kuptohet, një qeveri që ik nuk lipset t’i lerë qeverisë që vjen as një lek në arkë.
Tradita e do që bosh e mora, bosh e lashë – e ç’nxora, i prisha! Fund i fundit, mor zotni, vetë i mblodha vetë i harxhova!
Pra në se një qeveri ha fondet e një viti në një muaj a dy, tradita e do që qeverija tjatër të krijojë fonde të tjera gjith për një vit e t’i marrë që në fillim në xhep, ose në arkat dikasteriale-private për t’i shpenzuar brenda një muaji.
Kur në një vit kemi katër a pesë qeveri, kjo do të thotë katër a pesë lumturi buxhetore!
Kuptohet se shtesat edhe bartjet e fondeve janë bashka!
S’ka lumtëri më të madhe se atëhere kur ndërrohen qeveritë!
Pasurohen kaqë njerëz – vetë edhe miqtë -mbulohen kaqë halle, boshatiset arka e madhe edhe mbushen arkat e vogla.
Sepse tradita e do që kur vjen një ministër i ri të fillojë me favore dhe kur ik ta mbyllë gjestionin gjith me favore. Veçanërisht kur ik duhet të jetë dorë-hapur “per buon uscita” e më fort që ministri-trashëgimtar të trashëgojë arkën bosh.
Kështu e do tradita edhe tradita nuk duhet shkelur!
Sepse, e para: tradita na shquan nga vendet e popujt e tjerë, që janë me do e mos barbarë edhe të poshtër dhe sepse, e dyta, e treta…
Ishallah kemi çdo muaj një qeveri, që kësilloj kombi të jetë i lumtëruar më çdo muaj.
Ishallah…
Ishallah…

4 Komente

Dmth dhe Kuteli per koncesionet e Argites paska shkruar.

Shakaja aside, me pelqeu kjo shprehja 'je ne jete'

po që ta dijë Ministri se je në jetë

Gjithashtu interesante keto ndryshimet drejtshkrimore apo gramatikore qe hasen tek shkrimet e vjetra, si p.sh. do-nje, me vije ne mes, ne vend (n)donje

për do-një favor

S'e di nese gjendet gjekundi ndonje material qe shpjegon se si evoluan keto gjera.

Te lumte dora Mitrush- hallall librat qe kam lexuar prej teje.

Po nuk preken barkderrat, se ne vend te lekures, kane sholle kepuce

Ne mos gaboj Elba, Mitrushi ka bere nje liber mbi Parane, ne mos gaboj. Ketu e kam hasur. Di gje si quhet. 

bukur. smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).