(Për Mirëjam)

Sirena çante muzgun e vonë. E prisnin të gjithë, nuk kishte asnjë befasi ajo kuje, ishte programuar të shenjonte fillimin e marshimit të madh që përmbyllte zborin, e megjithatë mushkria e qiellit që ulërinte ashtu, ishte e aftë të pillte një alarm prej hekuri dhe këpucësh të rënda që shpejtonin nëpër rrugicat e qytezës studentore. Nga xhamet e fjetoreve, kinoklubit të zbrazët dhe godinat dritëvrara të fakulteteve shfrynte një ajër pashmangësie dhe fataliteti. Ligustrat anë rrugicave dukeshin si të rrënqethura nga një frikë e papërkthyeshme prej gjumi. Edhe pse gjithçka qe përsëritur deri në lodhje ditët e shkuara: sirena do japë alarmin luftarak, me shumë gjasë zbulimi ynë ka diktuar avionë lufte që ngrihen nga Bullgaria, avionët e armikut duan 16 minuta të mbërrijnë në vendin tonë (pyetjes së Turit se ç’do me thënë “vendi ynë”, a është kjo vija e kufirit detar, bregu i detit, kryeqyteti apo ndonjë pikë tjetër strategjike, nuk iu dha përgjigje; me sa dukej, avionët e Traktatit të Varshavës hynin nga kufiri lindor tokësor e jo nga deti), e në këto 16 minuta të nëmura duhej ngritur nga shtretërit, duhej veshur me shpejtësi, duheshin marrë të gjitha pajisjet luftarake, duhej vrapuar për në depon e armatimit, duhej marrë arma përkatëse, duhej vrapuar në pikëmbledhjen e togës për të marrë urdhrat e radhës. Në fakt, sipas leksioneve, çdokush duhet të shkonte në bunkerin apo vendluftimin e vet dhe të priste për desantët që do parashutonin prej avionëve të nisur nga Bullgaria. Për sulmin nga NATO-ja nuk ishin dhënë hollësi, por edhe Italia ishte pranë, si Bullgaria, pra kjo nuk ndryshonte në thelb asgjë, në të dyja rastet duhet të prisje në vendluftimin tënd për desantët e huaj, t’i shquaje kur ata të vinin, të merrje shenjë dy figura përpara për të përllogaritur e paraprirë rënien e tyre prej rëndesës së tokës shqiptare, e pas të gjitha rregullave të qitjes, të shtije mbi ta për t’i asgjësuar me zjarr fillimisht, e më pas edhe me qytë dhe bajonetë. Po sipas leksioneve, nga zjarri kundër desantëve, do krijohej një rrjetë e pakalueshme për armikun, pasi për çdo 10 cm të vijës së sulmit të armikut, një predhë e jona do çante ajrin, duke krijuar një perde ferri (domethënë hekuri) për agresorët. Por për të bërë të gjitha këto, duhej nxituar tek depoja e armëve, ku magazinieri Rrem nga një fshat pa emër i Tiranës, priste për të shpërndarë armët një nga një, me një defter të madh në dorë.
Turi kishte fjetur atë pasdite, fytyra e tij e shlodhur vinte acaruese, talljet e tij të zakonshme i këpusnin gjymtyrët e tyre, si një insekt vere në duart e fëmijës, përpara se të arrinin në veshët e tjetrit: - Të kish sulmuar NATO-ja nga Italia më mirë, me atë rast shkonim të gjithë në Peruxhia.
 
- Unë dua të na sulmojnë suedezët, - erdhi zëri i Gabës, i ngjirur nga pija dhe sokëllimat e pasdites. Ishte një çudi se si ai nuk rrëzohej dhe mbante hapin me të tjerët që nxitonin për tek depoja e Rremës. Teksa prisnin për marshimin përmbyllës, që do simulonte një situate lufte, pra avionët nga Bullgaria, alarmin përkatës, brofjen e gjithë zboristëve për tek armët, grupimin, e më pas të famshmin marshim 30 kilometërsh, Gaba kish nxjerrë disa shishe me verë Kallmet, dhe i kishte përplasur me karshillëk në tryezë, duke thënë se edhe Selam Musai kishte pirë para se t’u hidhej topave të armikut.
- Nuk ka paqe nën ullinj, miku im - kishte thënë duke përplasur mbi një nënkresë pas murit të dhomës fundin e shishes. Tapa dilte ngadalë. - Gratë fusin shejtanin në shishe, ne nxjerrim tapën nga shishja: kush tha që bota është e barabartë? S’kemi turjelë për tapa, por kemi zemër dhe njohuri të fizikës, kundërgoditjen e qytës ndaj dhomës së gazit. Sot, do na sulmojnë Traktati i Varshavës, NATO-ja do ndërhyjë për të ruajtur he-gje-mo-ni-në, greku, jugosllavi, Italia e bukur e Bolonjës dhe Peruxhias, do na sulmojë edhe ajo, kjo botë u shthur, o prapësi, o dreq… por ama dhe kjo shishe na u hap… o pleq…
Kishin pirë nga e njëjta shishe, të zdërhallur në dysheme. Armiku na lufton me kompiuter, kishte vazhduar recitimet Gaba, pasi është superior në teknologji, por ne do i fusim viruse. A e dini, shokë, ç’janë viruset? Ç’është lufta biologjike, si një vazhdim i luftës kimike popullore… dhe i politikës me mjete të tjera…
Fahrudini dhe Dushani u dhanë me fytyra të ngrysura. Dukej që mbartnin një frut të tejpjekur sherri.
- Ah, ja dhe Napoleonët tanë, - kishte britur Gaba. – E gëzofshi Bolonjën, shokë!
Dy vlonjatët nuk kishin folur. Pastaj Fahrudini nuk kish duruar më, rrugët e sherrit dhe vrerit nuk janë aspak misterioze.
- Ke harruar më kryesoren, - kishte thënë. - Cilësinë e komunistit.
U kuptua menjëherë që po zvarrisnin osh të njëjtin debat mbi komunistët e fisit. 
- Çfarë?
- Cilësinë, them, të komunistit.
- Cilësitë e komunistit janë dhjetë.
- Aq janë edhe Porositë e Biblës. Të Ballit Kombëtar. Nuk e kisha fjalën aty.
- Po ku e kishe?
- Tek cilësia e komunistit, pra. Për shembull, një komunist i vitit 1942, nuk mund të krahasohet me një të 1975-ës. Pra duhet ponderim.
- Hmm…
- A nuk mendon kështu?
- E vështirë kjo pyetje.
- Pse e vështirë? 
- Spese një komunist nuk është si kjo vera e Gabës, sa më i vjetër, aq më i mirë.
- Ç’na ngatërron me verën? Komunistët e parë fare, qenë më të devotshëm, sot të gjithë duan të bëhen komunistë!
- Pra po thua që komunistët e sotëm qenkan për sy e faqe?
- Nuk e thashë ashtu. Mos shpif!
- Nga ajo që the, ashtu del.
- Del një mut që të hash.
- Mutin ta hash vetë.
- Shiko se jemi në stervitje të grupuar, pa ta rregulloja unë qejfin ty.
- Pa hë provoje një herë, në ta mban bytha!
Fahrudini kishte marrë një kanë uji dhe e kishte vërvitur në drejtim të Dushanit, i cili nuk arriti të shmangej plotësisht. Pasi bëri rikoshet në kokën e tij, qelqi u bë copë e thërrime pas murit. Të dy të ndërkryerit nuk arritën të përlesheshin, pasi të tjerët u futën në mes tyre. Një pështjellim u shtoll në mesoret e shtretërve, nga kapanonet ngjitur erdhën për të marrë vesh ç’ndodhi. Fahrudini i ra Dushanit me kabashe, dëgjohej sqarimi. Dikush po pastronte spicat e qelqit, Dushanit i shkërmoqën dy cigare mbi ballin e plagosur, s’ka gjë shkon shpejt, duhani është dorë me një (edhe shurra, ish ndjerë zëri i Turit), ç’ndodhi? Fahrudini i ra Dushanit me kabashe (me kane uji, sqaronte Turi pyetësit e dialekteve, si të kërleshur edhe ata), Fahrudinin e kishin marrë për krahu, kinse me forcë (sepse nuk mund të ikte sikur po i shmangej “konflagracionit”), dhe e kishin shpënë në një anë të skajshme të fjetores, ça ndodhi? ça ndodhi? Fahrudini i ra Dushanit me kabashe… (me broke - qetësia pedagogjike e Turit nuk mund të mungonte. Kurrë.)
Show mbaroi, kishte thënë dikur Turi duke hapur duart, unë po fle, shokë, sirena do më zgjojë, në befasi, ashtu siç duhet, unë jam i vërtetë, jo si ju, unë do jem vërtet i alarmuar, i kapur në befasi, në situatë lufte, eh, unë e meritoj të shkoj në Peruxhia, jo ju, edhe pse unë kam vetëm 17 pikë në qitje… por pikët, o Bolonja ime, i kam cilësore, komuniste të 41-shit, të gjitha.

- Dua të na sulmojnë suedezët.
- Mirë, Gabë.
- Pse nuk më pyet pse suedezët?
- Sepse edhe unë i dua ata, Gabë.
- Ti nuk ke pse i do suedezët. Unë kam arsye.
Gaba u mbështetet një hop në diçka që mund të ish sa ferrë aq edhe kurriz rhinoceronti. 
Marshimi kish filluar nën një qiell pus, të cilin neonet e dobët të qytezës së studentëve nuk e vrisnin dot, ashtu të mbushur plot me lëngje manaferrash dhe pluhur polenesh nga fruta helmuese, dhe një zë folësi solemn, i cili mobilizonte, madje ishte i aftë të shkaktonte drithërima, me fjalë që vinin me shkulma, në këto orë vendimtare për fatin e atdheut, të mos kursejmë as jetën, të pathyeshme, luftë e drejtë, popull ushtar, ishte shumë e thjeshtë të të vinte vdekja ashtu, në atë dehje kolonash, konviktesh të pabesë dhe gjunjsh e kambalesh të të tjerëve, i vetmi që nuk dehej dot ishte Gaba, gjithë duke ngulmuar në dashurinë e tij skandinave dhe tani i mbështetur në atë kurriz gamileje që nuk donte të bashkëpunonte me karvanin, por që Gabën e mbante me një besnikëri gungaçe muzgu, ndërsa ai villte pothuaj i gëzuar, ndryshe nuk shpjegohej ai gazmim nofullash tek shihnin lagjet e vishtujve nga goja e tij prej të shtune… Gabë, ti nuk ecën dot, shiko aty pak më tej, është një mullar, do shtrihesh aty, do të të mbuloj mirë, nuk kam ku të shpie tani, nuk është mirë të të shohin të dehur, pikërisht sot, si thua, nuk do e marrë vesh njeri…
Ernesti e vuri Gabën me kujdes mbi kashtën e verdhë, dhe në të ikur ndjeu një zili të fshehtë për të. Ai mullar ishte gjëja më me kuptim në gjithë atë rrafshulët dhe Gaba, dëshmori i vërtetë me nëntë plagë shishesh nëpër trup.

8 Komente

- Pra po thua që komunistët e sotëm qenkan për sy e faqe?
- Nuk e thashë ashtu. Mos shpif!
- Nga ajo që the, ashtu del.
- Del një mut që të hash.
- Mutin ta hash vetë.

kushedi sa inot po i vje Bradit qe e ke bo link si komunist.

joooo. bradi gjallnbot kurr jo komunist. i vetmi komunist peshku jom un

si mund te tallesh me zborin? institucionin kryesor sozializues te atdheut, ku shqiptaret mekoheshin me dashurine per vendin dhe ushqenin deshirat per ti sherbyer me vetemohim atdheut.. si mund te tallesh ti me vendin ku farketohej vullneti i celikte i popullit, djepin e deshmoreve te ardhshem te partise.. 

ku vigjilenca shoku Idris?  na korriten revizionistet shoku idris.. e shikon si tallet me planet e shtabit te pergjithshem? te drejtuar nga komandanti i forcave te armatosura vete shoku Enver .. tallet me perkushtimin e te gjithe popullit ushtar dhe gadishmerine qe ja kishim kaluar edhe popullit ushtar izraelit (ata e kishin 17 min, ne 16 gadishmerine - ahaha per nje minute, po te ben gjemen ajo minute, ha tre luge fasule me shume, shkon me pare ne front edhe perse per te vdekur) .. 

e per jokomunistet? si mund te shkruajme kaq te pandjeshem mbi kete proces indoktrinimi, tjetersimi qe e reduktonte njeriun ne nje uniforme qe valevitej ne ceremonite funebre te vdekjes se shpirtit te shqiptarit ... procesione ku shpirterat rreshtoheshin brenda kambaleve te mbeshtjella me napa  .. teatro lufte me pushke druri dhe qitje ne mishin imagjinar te armikut te popullit - zjarr! zjarr!

bulkthi, me fal qe po e them kshu drejtperdrejt, po me dukesh ca i leshte nga trut e kokes ti, pikerisht nga te tilla komente, ose si ato qe ke bere te ajo tema me resme.

meqe ra llafi, ti i ke bere ato diciturat atje, or trim me flete? smiley  

nuk di a do ma nxjerre admini nje pjese tjeter te quajtur "Gropoveth" (esht cik e gjate per web, po c'beri), kshu sa per nje berdaf pershkrimor te gjendjes ne ate bote, nga zona qe ti nuk besoj se ke qene ndonjehere (si atehere, edhe sot).

edhe hej, nje te fundit: kot mundohesh te me fyesh andej ketej, se fyerjet e tua nuk arrijne dot deri te une.

ajt bofsh qejf tani.

 

kush qe dua te fyej.. une vetem po bej kritiken ideologjike te vepres revizioniste 

Ky eshte ndryshimi i madh Sh.Bulkth, ne i japim Qesarit vetem ç'ka eshte e Qesarit. Me pak fjale nuk jemi peshtytes profesioniste, si ca ketu e ne gjith shqiperine.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).