Kontesha

Geoffrey Chaucer

Bukuri mizore                                                            ca. 1390

Dy sytë e tu po më vdesin krejt
bukurinë s’ua duroj dot
si shpatë në zemër më ka hyrë drejt.

Fjalën në s’ma jep, të m’i shërosh shpejt
k’to plagë të zemrës, sa nuk është vonë,
dy sytë e tu do më vdesin krejt
bukurinë s’ua duroj dot.

Për fjalë të nderit bëj be se ti
në jetë a vdekje mbi mua mbret’ron
ama, në vdeksha, bota le ta dijë:
dy sytë e tu më therën krejt
bukurinë s’ua durova dot
si shpatë në zemër më hyri drejt.

 

William Shakespeare

Kur para botës dhe para fatit                                     1609

Kur para botës dhe para fatit
kokën me turp ul, se jam fort i mjerë
e veten këqyr e mallkoj shortin
qiellit të shurdhër i trokas në derë;
kur si dikush tjetër uroj të jem
njeri gjith’ pamje, me miq e shokë plot
vetitë e këtij apo atij të kem
se në punën time gëzim s’gjej dot;
mu atëherë kur veten kështu lëshoj
për fat mua mendja tek ty më shkon
i lirë shpirti im zë të fluturojë
në porta t’qiellit zë e bilbilon:
se kujtimi yt aq pasuri sjell
sa as froni i mbretit vetë s’më ndjell.

 

Ben Johnson

Këngë për Seljan                                                          1616

Dolli ti ngri, por veç me sy,
si dhe unë vetë, me sytë e mi
o puthje lër, mu përmbi kupë,
pa sa për verë, s’dua t’ia di.
Të nginjet do porsi një hyj
kur buron etja nga shpirti,
as me nektar s’e nd’rroj, moj çupë
ëmbëlsinë e këtij mushti.

Trëndafilat unë, s’ka ca ditë,
t’i dërgova, veç jo për nder,
por me shpres’ se mbi tëndin sy
kurr’ s’do të vdisnin ndonjëherë.
Dhe mbrapsht ma ktheve porsi dritë
kurorën që i more erë,
prej vetes hiç, por krejt nga ty
mban aromë ajo që at’herë.

 

Edmund Waller

Shko pra, trëndafil i bukur                                         1645

Shko pra, trëndafil i bukur
asaj që kohën çon dëm tregoji
sa e bukur dhe e plotë m’është dukur
ajo që tash shkoqur do t’kuptojë
se si atë me ty unë e përngjasoj.

Shpjegoji asaj, se është e re
dhe hiret s’do që kush t’ia kundrojë
se të kishe mbirë ti përmbi dhé
të shkretëtirës ku kurrë njeri s’banoi
gjë tjetër jo, veç vyshkje do të gjeje.

Se bukurisë i bie vlera
kur në hije rri e strehohet:
ndaj lutju asaj ti të dalë tek dera
e hiç të mos skuqet kur admirohet
por veten ta lërë të dëshirohet.

Pastaj vdis ti, në mënyrë që
fatin e gjësë së rrallë të njohë ajo sot
dhe fill prej teje ta mësojë këtë:
sesa pak kohë ka në këtë botë
ç’është e ëmbël, e bukur dhe e plotë.

 

Robert Herrick

Rrobat e Julias                                                             1648

Kur Julia del, tërë mëndafsh mbuluar
mendja më rri, si rrjedh i kulluar
lum’ i veshjes së saj të praruar.

Pa kur ajo pamje prapë syt’ m’i çon
tek fërgëllimat e saj më çdo anë
gjithë ai shkëlqim zemrën ç’ma robëron!

 

magusalb

 

Ilustrimi: pikturë nga Sir Anthony Van Dyck, "Lady Anne, Countess of Bedford", viti 1639. Foto © wikigallery.org

6 Komente

Faleminderit Magus! Të mrekullueshme. "...sesa pak kohë ka në këtë botë..."Edmund Waller...e ka vargun për njohjen, të dashurisë, të botës, mbase dhe të vetvetes.

Magus romantiku! smiley Shume te bukura, i lexova me buze ne gaz. 

cafare veshtiresie mund te hasi nje perkthys kontemporan kur perkthen anglishte te kesaj kohe te larget? apo perkthimi eshte bere nga ndonje version kontemporan anglisht?

Gezuar miq, me nga nje gote!

Ja dhe kjo me poshte qe i atribuohet mbretit Henry VIII, diku nga vitet 1500:

Alas, my love, you do me wrong,
To cast me out discourteously.
For I have loved you for so long,
Delighting in your company.

Chorus:
Greensleeves was all my joy
Greensleeves was my delight,

Greensleeves was my heart of gold,
And who but my lady greensleeves.

Secila nje lule, te gjitha bashke nje buqete pranverore! smiley te falenderojme. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).