"Serbia i ka kaluar kohërat e luftës. Në Kosovë e kuptojmë realitetin", thotë në intervistë me DW, Aleksandar Vuçiq, kryeministër i ardhshëm i Serbisë.

DW: Cila do të jetë politika juaj ndaj Kosovës dhe dialogut në Bruksel? A do të jeni Ju udhëheqës i delegacionit të Serbisë apo do të kërkoni ndonjë zgjidhje tjetër?

Aleksandar Vuçiq: Për këtë çështje do të bisedoj edhe me Chaterine Ashton në Bruksel. Nuk do t'u shmangem obligimeve të mia, sepse detyra jonë është që të flasim me shqiptarët e Kosovës. Ne themi dialogu Beograd – Prishtinë e shqiptarët thonë dialogu Kosovë – Serbi. Mund ta quani si të doni, sepse me rëndësi nuk është forma por përbërja dhe krijimi i mundësive që njerëzit të jetojnë sa më mirë. Ne kemi fituar më së shumti vota të serbëve në Kosovë e Metohi dhe kjo tregon se njerëzit atje janë të ngopur me parullat e mëdha të luftës. Njerëzit duan të jetojnë në paqë, duan punë. Mendoj se ne së bashku duhet të jemi të përkushtuar dhe të kërkojmë zgjidhje të problemeve. Edhe pse jo rrallë kemi pasur konflikte, nga unë nuk do të dëgjoni asnjë fjalë të keqe apo fjalë të rëndë për njerëzit e delegacionit shqiptar. Kjo është një punë shumë e rëndë për të dy palët. Shpresoj se gjithmonë do të mund të bisedojmë së bashku. Gjithmonë mund dhe duhet të flasim së bashku dhe shpresoj se shumicën e problemeve do t'i zgjidhim së bashku. Në radhë të parë në sektorin e ekonomisë. Gjatë bisedimeve në Bruksel ka pasur edhe detaje dhe anekdota interesante. Për shembull, për një temë jemi zënë shumë keq, nuk më kujtohem tamam cila temë ka qenë. Kur e pamë që gjërat nuk po lëvizin fare, atëherë unë dhe Thaçi filluam të flasim për ndihmat e BE. Unë propozova që BE të na japë para për ndërtimin e autostradës Nish – Prishtinë dhe të përfundojmë një projekt shumë të rëndësishëm. Thaçi menjëherë u lajmërua dhe tha: unë e mbështes propozimin e Vuçiqit, por duam para dhe jo seminare apo know how. Ndërsa Ashton tha: e shihni ju si merren vesh këta kaq shpejt kur Evropës duhet t'i merren para… Atmosfera u relaksua pak, por në fakt ne me të vërtetë presim që BE të na ndihmojë me projekte konkrete, sepse çështja e autostradave nuk është fare naive. Pse të mos fillojmë me gjërat që të dy popujve u mundësojnë një jetë më të mirë, me gjërat që mund ta forcojnë mirëbesimin dhe mbështetjen mes vete.

DW: Kur jemi tek raportet me zotin Hashim Thaçi: unë kam qenë edhe vetë në Bruksel dhe e di që atmosfera mes jush në takime nuk ka qenë gjithmonë e këndshme. Kjo është e kuptueshme, sepse në kohën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 ju keni qenë ministër i Informimit në Serbi, ndërsa Hashim Thaçi lider politik i UÇK. Do të thotë ju keni luftuar në mënyrë të drejtepërdrejtë kundër njëri- tjetrit. Sa i ngarkojnë këto gjëra bisedimet me dyer të mbyllura në Bruksel?

Aleksandar Vuçiq: Nuk është lehtë, atmosfera është e rëndë. Jo rrallë për të gjithë është shumë e pakëndshme, por kjo është puna jonë. Puna ime dhe e tij është të bisedojmë dhe të gjejmë zgjidhjet më të mira për popujt tanë. Ju keni të drejtë, sepse në vitin 1999 ne kemi qenë në anët kundërshtare. Por as sot nuk jemi në pozicione të njëjta, as për së afërmi. Megjithatë kemi një raport të civilizuar dhe dinjitoz. Ndonjëherë i kalojmë edhe kufijtë dhe në bisedime ka edhe tone tepër të larta, por ekziston respekti i dyanshëm dhe vetëdija se ne duhet të bisedojmë mes vete. Së bashku duhet të gjejmë zgjidhjet më të mira për problemet dhe të mendojmë për një ardhmëri sa më të mrië për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë e Metohi. Mendoj se në këtë aspekt kemi një atmosferë dinjitoze.

DW: Pra nëse Ju kuptova mirë: Ju jeni të gatshëm që ta udhëhiqni delegacionin serb dhe të shkoni në bisedimet për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të kontestuara në Kosovë…?

Aleksandar Vuçiq: Unë kam qenë i gatshëm edhe deri tani dhe nuk e di pse të mos jem edhe në të ardhmen.

DW: Por kësaj radhe si udhëheqës i delegacionit?

Aleksandar Vuçiq: Dua të theksoj se kjo varet edhe nga dëshirat e BE. Duhet të shikojmë se në ç'nivel do të vazhdojnë bisedimet, por unë me siguri që kurrë nuk do t'u shmagem obligimeve të tilla. Më lejoni të them edhe diçka, sepse më duket shumë e rëndësishme: ekzistojnë njerëz që thonë se angazhimi në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit është i mirë, sepse kjo është në përputhje me mendimet e shumicës së njerëzve. Por mos u përziej në çështjen e Kosovës sepse në këtë mënyrë vetëm mund të humbësh vota. Ka dhe të tjerë që thonë mos u përziej në ekonomi sepse do t'i humbësh të gjitha votat. Ndërsa përgjigja ime ka qenë: mua nuk më kanë zgjedhur në këtë post që të jem i bukur apo të flas vetëm gjëra të mira, por t'i zgjidhë problemet. Dikush duhet t'i zgjidhë ato, duhet të shkojë tek njerëzit që i bllokojnë rrugët dhe të përballet ndoshta edhe me sharje. Unë nuk kam pikë faji për shkak se dikush i bllokon rrugët, apo për faktin që dikush e ka mbyllur ndonjë firmë dhe njerëzit kanë mbetur pa punë. Apo për faktin që dikush ka bërë privatizime të gabuara. Por dikush duhet t'i zgjidhë edhe problemet në Kosovë dhe ato në ekonominë e Serbisë etj. Pritni pak: a thua me të vërtetë duhet të ikim nga problemet vetëm për të fituar ndonjë votë më shumë, apo për të qenë më i dashur për dikë? Unë nuk do të shmangem nga zgjidhja e problemeve.

DW: Është për t'u respektuar interesimi Juaj për zgjidhjen e problemeve. Por një prej kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare ka qenë dhe është zbatimi i denjë i Marrëveshjes së Brukselit në tërësi. A jeni Ju të gatshëm që ta implementoni këtë marrëveshje në tërësi?

Aleksandar Vuçiq: Unë mendoj se këtë jemi duke e bërë në mënyrë korrekte. Marrëveshja IBM për kontrollin e kufirit dukej në fillim e pazbatueshme, ndërsa tani nuk ka gati asnjë problem. Së shpejti presim edhe marrëveshje për sigurimin e automjeteve, gjë që do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve. Nga ana tjetër kemi biseduar dhe kemi gjetur zgjidhje edhe për komandantin rajonal të Policisë së Kosovës, gjë që tanimë funksionon sipas Marrëveshjes së Brukselit. Nuk them që bisedimet janë të lehta, por më duket se nuk jemi larg narrëveshjes dhe kompromisit edhe për organet juridike dhe drejtësinë. Shpresoj se edhe ky problem do të zgjidhet. Natyrisht që ka edhe probleme të brendshme pasi që duhet të ndryshojë ligji kushtetues, me të cilin duhet të harmonizohen zgjidhjet lidhur me autonominë. Ndryshe këto zgjidhje mund të shpallen të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese, me shpjegimin se zgjidhjet nuk janë në përputhje me Kushtetutën.

DW: A do të bëni edhe ndryshimin e Kushtetutës, për të implementuar marrëveshjet dhe vendimet për Kosovën?

Aleksandar Vuçiq: Kjo është një çështje që i takon procesit të integrimeve në BE dhe për këtë çështje do të bisedojmë në negociatat e anëtarësimit në BE. Por së pari duhet të ndryshojmë ligjin kushtetues në mënyrë që të zbatojmë autonominë esenciale. Me këtë ligj do të saktësohen qartë qëndrimet e Serbisë ndaj këtyre çështjeve.

DW: Zoti Vuçiq, autonomia esenciale e serbëve në Kosovë për të cilën po flisni Ju, mund të ketë të paktën dy interpretime. Kosova pohon se me zgjidhjet e arritura në Bruksel është mundësuar njohja territoriale e Kosovës dhe ka filluar procesi i integrimit të serbëve në institucione. Por ka edhe të tillë që thonë se krijimi i bashkësisë së komunave serbe paraqet vetëm hapin e parë drejt ndarjes së veriut të Kosovës. Cili është mendimi juaj ndaj propozimeve për ndarjen e Kosovës?

Aleksandar Vuçiq: Po nuk është bashkësia e komunave serbe vetëm në veri të Kosovës.

DW: Kjo bashkësi përfshinë nëntë komuna, por kryesisht flitet vetëm për ndarjen e veriut …

Aleksandar Vuçiq: Pikërisht ashtu është sepse bashkësia i përfshinë nëntë komuna, nga të cilat katër janë në veri të Kosovës. Shikoni: unë as sipas kushtetutës së Serbisë nuk mund të angazhohem për ndarjen e Kosovës. Unë e kam thënë këtë edhe në Bruksel, herën e fundit kur Hashim Thaçi apo Vlora Çitaku e kanë përmendur çështjen e ndarjes. Kam thënë: shikoni këtu jemi për të zgjidhur problemet dhe për faktin se ne nuk pajtohemi mes vete. Ju mendomi se Kosova është e pavarur, ndërsa ne mendojmë se Kosova është pjesë e Serbisë. Hajde pra të gjejmë ndonojë rrugë se si mund t'i zgjidhim problemet. Por mendoj se për ndarjen nuk ka folur askush.

DW: Pala kosovare mendon se Kosova është vend i pavarur, të cilën deri tani e kanë njohur edhe 106 vende, ndër to 23 vende të BE. Pesë vende të BE ende nuk e kanë njohur ende, por edhe këtu ka pasur disa lëvizje kohët e fundit. A jeni Ju të gatshëm që ta njihni Kosovën si shtet, nëse njohja e shtetit të Kosovës shtrohet si kusht për anëtarësim në BE?

Aleksandar Vuçiq: Deri tani askush nuk e ka paraqitur këtë kusht. Unë nuk mund të flas tani se çfarë do të ndodhte po të ndodhte. Pas zgjedhjeve të ardhshme me siguri që do të vi dikush tjetër në pushtet, në vitin 2017 apo 2018. Pas reformave të rënda që do t'i bëjmë, ma merr mendja se dikush tjetër do të fitojë pushtetin dhe atij duhet t'ia shtroni këtë pyetje. Deri atëherë me siguri që askush nuk do ta shtrojë njohjen e Kosovës si kusht. Ata e dinë që kjo për Serbinë në këtë moment është e pamundshme dhe se kjo është një gjë për të cilën në këtë moment nuk mund të bisedohet. Mendoj se as atëherë askush nuk do ta njoh formalisht pavarësinë e Kosovës. Por ne e kuptojmë realitetin dhe e dimë se në Drenas, Skenderaj apo në Pejë – përveç në Gorazhdevc – nuk mund ta ngulim flamurin serb dhe të themi se kjo është Serbi. Ne e kuptojmë realitetin, por edhe shqiptarët duhet ta kuptojnë realitetin në veri dhe në disa pjesë të tjera të Kosovës. Por ne jemi këtu për të biseduar dhe për këto çështje po bisedojmë.

DW: Unë kam jetuar në Beograd 15 vite dhe e njoh edhe një Vuçiq tjetër: atë të viteve 90-të. Në Beograd kam qenë edhe në vitin 1999 dhe më kujtohet programi i Partisë Radikale Serbe, ku Ju keni qenë në një post shumë të lartë. Në këtë program thuhej se të gjithë shqiptarët duhet të dëbohen nga Kosova….

Aleksandar Vuciq: Por këtë nuk e keni dëgjuar nga unë…

DW: Po flas për Partinë tuaj ku Ju keni qenë Sekretar i Përgjithshëm. Ndërsa sot ju flisni me një ton krejt tjetër. Kjo me siguri që u pëlqen edhe njerëzve në Kosovë, por edhë në vendet e rajonit. A jeni Ju të gatshëm zoti Vuçiq, që për hir të pajtimit mes dy popujve më të mëdhenj në këtë pjesë të Ballkanit, të kërkoni falje për krimet serbe ndaj popullit shqiptar në Kosovë?

Aleksandar Vuçiq: Unë nuk mendoj që kërkimi i faljes apo ndonjë akt tjetër personal janë të rëndësishme. Mendoj se me rëndësi është që ata që kanë bërë krime edhe të përgjigjen për këto krime. Mendoj se është me rëndësi që të gjejmë dhe t'i dënojmë ata të cilët i kanë vrarë tre vëllezërit Bytyqi. Mendoj se rezultatet janë shumë më të rëndësishme se sa fjalët. Unë nuk pres prej askujt në Kosovë që të kërkojë falje për krimet e bëra ndaj serbëve në Kleçkë apo diku tjetër. Pres që përgjegjësit për këto krime të nxirren para gjykatave dhe të denohen. Jam i sigurt se këtë presin edhe shqiptarët prej meje, që ata që kanë bërë krime në emër të vendit dhe popullit tim të nxirren para drejtësisë. Unë ju siguroj se asnjë kriminel nuk do të mbrohet dhe secili që ka bërë krime do të përgjigjet për këtë.

DW: E kam fjalën për vet aktin e kërkimit të faljes për krimet e bëra …

Aleksandar Vuçiq: Edhe Juve do t'ua them atë që ua kam thënë edhe kroatëve: unë nuk jam njeri që kërkon falje dhe jep fjalë të mëdha, vetëm sa për të promovuar veten në opinion. Unë jam një njeri, i cili mendon se me rëndësi është që të punojmë dhe të jemi të përgjegjshëm dhe serioz. Mendoj se këto vlera i respektojnë edhe shqiptarët në Kosovë. Unë në asnjë mënyrë nuk mund të them se është mirë që dikush në mënyrën më të tmerrshme dhe më monstruoze i merr dhe i paketon si sardele në një gropë të tre vëllezërit. Unë e urrej jashtëzakonisht atë që dikush e ka bërë ndaj njerëzve të pafajshëm.

DW: E keni fjalën për tre vëllezërit Bytyqi?

Aleksandar Vuçiq: E kam fjalën për ata të cilët e kanë bërë këtë krim ndaj vëllezërve Bytyqi. Më falni ju lutem: po kush mund t'i mbrojë serbë të tillë? Pse unë do të duhej të mbroja dikë në Kosovë që ka dhunuar serbët dhe ata që ka vrarë, sepse në Kosovë edhe më tej ka shumë serbë të zhdukur. Rasti i vëllezërve Bytyqi nuk është zgjidhur qe 15 vjet. Nga fjalët e kota nuk ka asgjë. Ne duhet të jemi të përgjegjshëm dhe serioz dhe t'i zgjidhim të gjitha veprat penale. Këtë duhet ta bëj edhe pala shqiptare.

DW: Për kërkim falje fola sepse një akt i tillë ka ndihmuar shumë në raportet mes Gjermanisë dhe Polonisë…

Aleksandar Vuçiq: Mirë, por rasti i Gjermanisë dhe Polonisë nuk është i ngjashëm me atë të Serbisë dhe Kosovës. Nëse futemi në këtë debat, atëherë duhet të shtrojmë edhe pyetjen se kush është në këtë rast Gjermania e kush Polonia…

DW: Mirë të mos kthehemi në histori, por a besoni Ju në procesin e pajtimit mes serbëve dhe shqiptarëve?

Aleksandar Vuçiq: Unë besoj që serbët dhe shqiptarët jetojnë dhe duhet të jetojnë së bashku dhe se ata duhet të kenë shumë më shumë mirëbesim mes njëri-tjetrit. Unë e di që këtu nuk ka dhe nuk mund të pritet ndonjë dashuri tepër e madhe. Kjo vlen edhe për raportet mes serbëve dhe kroatëve. Unë nuk dua t'i vardisem askujt me fjalë të tilla. Shqiptarët në Prishtinë mua nuk do të më duan kurrë. Mendoj se mjafton ta respektojnë dikë, nëse e shohin se edhe ai po i respekton. Nuk duhet ta duan, mjafton respekti. Mendoj se ky raport është shumë më i rëndësishëm dhe më i mirë. Besoj se me bisedime dhe me krijimin e mirëbesimit, me bashkëpunimin më të ngushtë mes dhomave tona ekonomike, me ndërtimin e rrugëve, gjërat do të ndryshojnë ngadalë në të mirë. Është shumë vështirë të pritet që në vitet që janë para nesh të ketë ndonjë dashuri të madhe mes nesh. Por jam i bindur se do të kemi një mirëbesim më të madh dhe se do të kemi raporte më të mira mes nesh. Për dallim prej shumë të tjerëve, unë mendoj se kjo nuk pengon askënd. Përkundrazi mendoj se ky lloj afrimi është i mirë për të dy popujt.

DW: Këtu pajtohemi dhe besoj se një ndër elementet, të cilët me siguri do të ndihmonin është ndërtimi i raporteve më të mira të Serbisë jo vetëm me Kosovën por edhe me Shqipërinë. Një sinjal shumë i rëndësishëm në këtë drejtim do të ishte, për shembull, vizita e kryeministrit të Shqipërisë në Beograd, sepse një vizitë të tillë, nëse më kujtohet mirë, nuk ka pasur që nga viti 1946. A do të ketë një vizitë të tillë?

Aleksandar Vuçiq: Sa i përket takimeve me zotin Rama, unë jam i gatshëm në çdo moment të takohem me të në Beograd apo në Tiranë. Thënë qartë: jam plotësisht i gatshëm për takim dhe bisedime me të. Mendoj se zoti Rama dhe unë do të takohemi dhe do të bisedojmë gjatë këtij viti.

DW: Pra mund të presim vizitën e zotit Rama këtë vit në Beograd, apo keni menduar Ju të shkoni në Tiranë?

Aleksandar Vuçiq: Për mua është absolutisht e parëndësishme se ku do të takohemi, unë nuk vuaj nga gjëra të këtilla. Unë mendoj se një takim i tillë është i rëndësishëm për Serbinë. Puna ime është që të mbroj interesat e Serbisë dhe mendoj se është me rëndësi që të takohem me kryeminisrin e Shqipërisë. Mendoj se një takim i tillë në asnjë mënyrë nuk do të destabilizonte rajonin. Përkundrazi.

 

Intervista e plotë

34 Komente

serbi i quan shqiptare te kosoves,ndersa titulli qe i vene shqiptaret eshte delegacioni kosovar!

faleminderit serbismiley sic do te thoshte dikush,por une e kam megjithmend!

Autoritet serbe historikisht kane folur per "shqiptare te Kosoves" dhe asnjehere per 'kosovarë', term per te cilin ti dukesh po aq kunder. Kjo eshte nje prove tjeter e asaj qe, ne Ballkan ... (vazhdimin e di vete ti mo) smiley

vazhdoje, se supozimi yt ka shume drejtime.  per serbet,duke qene kombetariste,fjala kosovar perfaqson nje identitet krahinor,ashtu sic eshte,prandaj kur perdorin fjalen serb nuk  mund te vene prane  saj fjalen  kosovar.  pra u referohen kombesise se banoreve te kosoves.

tashti,nese ti mendon ate qe as serbet nuk e cojne nder mend,megjithese per ate perpiqen cdo cast,qe kosova nuk eshte shqiptare,atehere thuaje qe te merremi vesh.

ball;kani ne fakt eshte pothuajse i gjithi shqiptar,te pakten nga peloponezi ne sanxhak.  do nje cik kohe kjo gje ,sepse mungesa e linje kombetare ne shqiperi i veshtireson gjerat per shqiptaret dhe i lehteson per fqinjet.

Serbi eshte me i besueshem se Greku.

Serbi kishte mundesi nga 1912 te mos linte asnje Shqiptare ne Kosove mirpo nuk e bene kete.

Ndersa Greku nga 1912 shprazi tere Camerine qe eshte teritore 2 here me e madhe se Kosova.

Por perser Serbi dhe Greku mbeten armiq te perbetuare.

 

E ke gabim aga.

Kosova e vitit 1912 eshte 2 here me e madhe se Kosova sot.Shiko harten dhe do te bindesh per kete.

Cameria eshte me e vogel,plus qe Greqia pati negociata me qeverine e Ismail Qemalit dhe nese trimat patriote shqiptare do ta kishin degjuar Ismail Qemalin,sot kufiri do te ishte me poshte ndonese Janina do ti jepej Greqise.Pra do te ishte win-win.

Plus qe ne Greqi ka pasur nje popullsi arvanite,qe ne disa raste ka ndihmuar Shqiperise ,sic ishte presidenti grek Teodoros Pangalos ne 1920.

Serbia pasi mori dhe zbrazi nga shqiptaret gjysmen e Kosoves,gjysma tjeter ishte e pamundur per tu marre,jo se nuk donte Serbia por sepse Fuqite e Medha,nuk e lejuan.

Greqia eshte me e rrezikshme,mendoj une se te vret me pambuk dhe punon me plane afatgjata.

Megjithate edhe asaj tani do ti duhet te perballet me faktin qe ka gati 1 milion shqiptare atje,qe po zene pune te mire dhe jo te gjithe identifikohen si greke.

Po pse çfare beri Serbi ne 98-99-n?

spastrim etnik por ne kohen e gabuare po ta kishte bere kete me 1912 nuk do e ndalte kush dhe kishte perkrahje Ruse, Franceze, Angleze si e bene Greket me Camet

po ta kishin bo me 98 Greket ate spastrim etnik me Camet nuk ish realizu kure dhe sot do kishim Camerin e pavarur

Si e gjeni besueshmerine tek spastrimi etnik ne kohen e gabuar? Cfare rendesie ka nese nuk eshte bere ne 1912? 

po te ishte bere me 1912 nuk do ishte NATO apo USA ta ndalonte dhe ne do perjetonim te njejtin fat si Cameria 

Mire, i/e dashur Age. Vazhdoni t'iu pergjigjeni pjeserisht pyetjeve.

Politikani serb, mu duk njeri i pregatitur, nacionalist moderator, shum dipllomat (per te mos thene rreshqites smiley ) , megjithate le te shpresojme per me mire, per nje bashkpunim me te gjere ne fushen ekonomike, infrastrukturore, shendetesore, turizem, etj., por me syte kater. 

nacionalist moderator

Pjer moderator eshte dikush qe moderon nje debat. Ti kam pershtypjen se ke dashur te thuash "nacionalist i moderuar".

 

Po, diçka ndermjet te dyjave. 

Sa qejf ke tu japesh material padronve te tu o Roni smiley mos harro se keta jane 5% e popullates atje. 90% e popullates jane (jetojne, vishen e sillen) si ne Shqiperi e Europe. 

Shenim; I lutem komentatorve ketu, te sjellin/fusin foto nga njerzit ne Kosove, universitetet, shkollat e qendrat e punes, per ti thyer hundet ketij sherbetori te sllaveve ekstremiste, ketij "patrioti" n'mes tone.  

Pjer, 5+90 = 95

Zakonisht si reference merret 100% dhe jo 95%.

Natyrisht, kete e di dhe bufi, por e lashe vete ashtu per te pare reagimin tend, ndryshe si do vertetohet ajo qe them une. Une e kap lepurin me qerre, biles vjen vete ai tek mua, lakuriq fare. 

Ishalla po ta bon dhe ty Allahu kabull o Pjer!

Bjeri-bjeri smiley se i bie bukur fyellit sllav. 

etiketimi i dikujt sllav ose grek tregon shenje dobesie ne fuqine e argumentit tend...

Faleminderit Bame!

eshte nje qasje demografike ndaj problemit. nuk me duket naj hata. per rastin ne fjale, argumentuesi nuk eshte shquar kurre per dobesi argumenti. perkundrazi, do thosha.

Prandaj dhe i jemi lutur qe ta ckoqise mire muhabetin, se ne, gjindja, kaq marrim vesht...

I hapur per dialog mu duk...le te japi ndihme dhe Rama! Nderkohe shpresoj krijimin e nje tregu te perbashket kosove-shqiperi ne menyre qe kosova te mos importoje me mallra e sherbime nga serbia.

Jonathan Moore: Lidhur me çështjen e përgjithshme të reformës territoriale, jemi shprehur publikisht si mbështetës të kësaj përpjekjeje, ashtu si një numër vendesh të tjera. 

Faleminderit z. Moore!!!

Clidhje ka kjo me Vucicin?

Per te tregu se kemi mbeshtetjen e Amerikes, si brenda, dhe jashte!

Edhe Vucic e mbeshtet reformen teritoriale!

Ne Serbi, do te vije momenti i gjykimit te ftohte, realist dmth te drejte.Fryma nacionaliste i kushtoi shtrenjte dhe krimi mbi popuj te tjere i rri mal mbi shpine.Serbet nuk jane aspak me te mire se greket edhe pse larg dinakerise greke, mbeten xhollo si mendje dhe po aqe te eger e makaber ne krime sa greket ..ne mos edhe me shume.Por duke e ndjere klasa e re politike se ne gjirin e Evropes do te jene me mire se ne gjirin sllavoortodoks, gradualisht do synojne ta ndrojne kursin me drejtim Brukselin.Gjith problemi eshte se Evropa ka shume probleme per te cilat nuk ka shume alternativa zgjidhjeje.Nje serbi ne Evrope eshte me e oreferuar se sa nje Shqiperi ..ne Evrope, per disa arresye...!

Problemi eshte se Serbia,nuk shkeputet dot nga Rusia,edhe ne BE nese futet( qe une dyshoj) do te jete kale troje i ruseve.

Eshte i vetmi vend ne Ballkan qe nuk u bashkua me te tjeret tu vinte sanksione ruseve.

Kjo afrimi me BE-ne ju behet qe ta njohin Kosoven,dhe sa te njohin do tu matin koken me pe,para se ti futin.Gjermanet njehere ju kane vene kushte shtese,qe nuk i ploteson dot Serbia edhe sikur te doje.

Rama prandaj u prit dje nga Merkel,se Serbia duhet izoluar nga ana diplomatike.

Nuk e sheh e kane rrethuar me vende te NATO-s.

Vucici eshte pragmatik dhe mund te njohe Kosoven,por publiku serb eshte shume regresiv.

Problemi me kryesore eshte qe partit pro Ruse ne Evrope po dominojn dhe Evropa eshte vete e varure me shume se Serbia nga Rusia.

Ceshtja eshte qe Serbia te behet pro Amerikane ose pro Ruse

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).