Ilir Beqaj është një ndër ministrat që ka një “mal” pak më të lartë sesa kolegët e tij për të ngjitur. Shumëkush ka jetuar në këtë vend në dy dekadat e fundit, e di se çdo vullnet dhe dëshirë për të përmbysur imazhin e shkatërruar të shëndetësisë shqiptare, përplaset me një mur të lartë pamundësish, paragjykimesh, korrupsioni dhe pesimizmi. Ilir Beqaj thotë për Java, se në gjashtë muajt e parë, një pjesë e vogël e këtij muri ka nisur të bjerë. Megjithatë mbetet pjesa më e gjatë e rrugës për t’u përshkuar. “Kush na kërkon shëndetësi falas në gjashtë muaj, bën thjesht retorikë politike”, thotë ministri Beqaj.

 

Zoti Beqaj, kanë kaluar gjashtë muaj që nga marrja e postit të ministrit të shëndetësisë. Sa përputhet pamja që keni sot para syve, me imazhin që kishit krijuar para se të merrnit në dorë një detyrë komplekse dhe sfiduese?
- Faleminderit për mundësinë për të komunikuar me lexuesit tuaj, e për rrjedhojë edhe me publikun, për punën  e bërë nga Ministria e Shëndetësisë që prej 16 shtatorit 2013 kur qeveria e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” filloi detyrën dhe zbatimin e programit të votbesuar në Kuvendin e Shqipërisë. Ajo çfarë kam sot para syve është shumë e përafërt me imazhin e krijuar që para fillimit të detyrës. Qoftë prej njohjes së hershme të sektorit prej karrierës së gjatë profesionale në sigurimet shoqërore, qoftë prej detyrës së sekretarit të programit, gjatë viteve që PS ka qënë në opozitë.
E vetmja çështje që rezulton shumë shqetësuese, në krahasim me perceptimin tim deri në gusht 2013, është çështja e burimeve njerëzore. Ka mungesë të theksuar mjekësh, sidomos në disa specialitete të domosdoshme dhe sidomos në disa zona të caktuara të vendit, janë shumë profesionistë të shëndetëtsisë që nuk kanë marrë në 5 vitet e fundit kreditet e nevojshme në procesin e edukimit në vazhdim dhe që rrezikojnë të moslejohen të ushtrojnë profesionin. Prej disa viteve është bllokuar procesi i specializimeve në mjekësi. 
Njëherazi ka kërkesa të pafundme e të përditshme të profesionistëve të shëndetëtsisë, që kërkojnë të shtyjnë daljen në pension, edhe pse për këdo, mbushja e moshës së daljes në pension është një ngjarje e parashikueshme në jetë. Çështja e burimeve njerëzore është komplekse dhe zgjidhja kërkon aq kohë, sa i kalon edhe caqet normale të këtij mandati qeverisës. Megjithatë kemi filluar një proces të krijimit të një baze të dhënash të plotë të burimeve njerëzore në shëndetëtsi (pasi as kjo nuk ekziston). Kemi rënë dakort me Ministrinë e Arsimit dhe të Sportit, që të rifillojnë specializimet në shtator 2014 dhe kemi një program ambicioz e të ngjeshur, që të rikuperojmë boshllëqet në kreditet e sistemit të edukimit të vazhdueshëm.  
Ndërsa çështjet e tjera që lidhen me mungesë të funksionimit të hallkave të sistetmit të referimit, të mungesës të një sistemi të qëndrueshëm, që të garantojë furnizim të vijueshëm me barna e materiale mjekësore, funksionim të vijueshëm të pajisjeve biomedikale, me një sistem informacioni shëndetëtsor të vjetër dhe të vonuar, me treg farmaceutik kaotik dhe të molepsur nga konflikti i interesit, me spitale e qendra shëndetëtsore të rrënuara, pajisje biomedikale jashtë funksionimit apo pajisje biomedikale të kushtueshme, të pavëna në punë sepse nuk dihet pse janë blerë dhe nuk ka kush t’i vërë në punë, e shumë të tjera, janë njësoj siç e kemi përfytyruar.
 
Opozita ju kujton prej kohësh premtimin tuaj elektoral për një shëndetësi falas. Cili është reagimi juaj për këtë kritikë që dëgjohet mjaft shpesh në tribunat politike?
- Ju vetë në pyetjen e parë flisni për 6 muaj në detyrë. Për rrjedhojë, është e qartë që të kujtosh qysh tani premtimet elektorale, kjo është vetëm retorikë politike. Ne jemi të vendosur për të krijuar një sisitem të kujdesit shëndetësor që bazohet në mbulimin universal. Sistemi kontributiv nuk e përmbushi misionin e tij. As ai i themeluar në 1994, as ligji aktual i sigurimeve shëndetësore i miratuar në shkurt 2011, që qeveria e mëparshme nuk pati vullnetin për të filluar ta zbatojë. Nuk është një gjë që bëhet për një ditë apo për 6 muaj. Këtë e kemi thënë qartë e prerë qoftë në fushatë elektorale, qoftë në prezantimin e programit qeverisës. 
Ndërkohë që duhet të përballemi edhe me rekuperimin e dëmeve të keqqeverisjes. E gjetëm sistemin shëndetësor me 50 milionë USD borxhe në formë faturash të pashlyera. Janë gati sa shpenzimet mujore për shëndetësinë publike. Prandaj po punojmë në tri drejtime paralele: a) për shlyerjen e detyrimeve të së kaluarës; b) për përmirësime në funksionimin e përditshëm të sistemit shëndetësor; si dhe c) qoftë për reformën rregullatore drejt shërbimit shëndetëtsor kombëtar përfshirë programet kryesore, ku janë kontrolli bazë për grupmoshën 40 – 65 vjec, shërbimi kombëtar i urgjencës, treg i rregulluar farmaceutik, por edhe për hapjen e kantierit të shëndetësisë. Në këtë aspekt, angazhimet më madhore janë: rikonstruksioni themelor i pesë spitaleve të rëndësishëm në Tiranë (kirurgjia e përgjithshme, sëmundjet e brendshme, pediatria, onkologjiku, trauma), spitali i ri rajonal në Fier dhe spitali i ri psikiatrisë ligjore. Këto shtatë spitale janë projekte që po diskutohen me Bankën e Këshillit të Europës, me Bankën Botërore, me Komisionin Europian dhe me Qeverinë Italiane. Jam i sigurt se marrëveshjet e financimit do të mbyllen brenda këtij viti.     

Cilat janë problemet madhore të shëndetësisë shqiptare sot?
- Problemi kryesor që ka kujdesi shëndetëtësor sot është aksesi i kufizuar i qytetarëve. Kjo krijon pabarazi në trajtimin e qytetarëve. Duke qënë se kufizimi në akses lidhet kryesisht me mungesën e pagesës së kontributeve të detyrueshme, pra me mungesën e punësimit formal, kjo pabarazi krijon varfëri. Problemi është financimi i ulët publik për kujdesin shëndetësor. Problem është gjithashtu edhe  mungesa e një marrëdhenije komplementare midis shëndetësisë publike dhe asaj publike. Problem tjetër kreysor është edhe korrupsioni, pagesat informale, mitmarrja, shpërdorimi i mjeteve publike. I kemi identifikuar qartë të gjitha këto çeshtje. Kemi një plan konkret për secilën prej tyre, por edhe veprimet e përbashkëta, pasi zgjidhja është komplekse.
    
Çfarë i mungon më shumë shëndetësisë, paratë apo strategjitë dhe vizioni?
- E thashë edhe më lart se kemi financim të pamjaftueshëm për kujdesin shëndetësor. Është midis më të ultëve në Europë. Ndërsa për vizionin besoj se ne e kemi të qartë. Po ashtu edhe strategjitë. Sigurisht që duan qoftë kohën e tyre për t’u zbatuar dhe dhënë rezultat, qoftë njerëzit e përshtatshëm për t’i vënë në jetë. Edhe këto besoj se i kemi, me disa kufizime tek komponenti njerëzor. Megjithatë unë jam i vetëdijshëm se pa u treguar e provuar njerëzve se me të njëjtat para jemi në gjendje të bëjmë më shumë për kujdesin shëndetësor, pa e provuar vetë njerëzit se paratë nën dorë, bakshishet e rryshfeti janë reduktuar ndjeshëm, do të ishte e parakohshme dhe e pandershme të kërkonim më shumë para nga buxheti i shtetit (pra nga kontributi i përbashkët). Mungesën e mjeteve të bollshme financiare do ta plotësojmë duke rritur ndjeshëm partneritetin publik-privat në shëndetësi. 
 
Në cilat drejtime po ndërhyni aktualisht? Cili është bilanci gjashtëmujor i punës tuaj?
- Po realizojmë ato angazhime që kemi marrë që në ditët e para të qeverisjes. Në 1 prill 2014 bëhet efektive heqja e TVSH-së për barnat dhe shërbimet mjekësore. Në 1 prill fillon të zbatohet lista e re barnave të rimbursueshme. Kemi arritur të ulim çmimin e barnave, qoftë me anë të procesit të negociimit, qoftë me anë të ndryshimit të marzheve të tregëtimit, qoftë me alternativa të reja. Në mënyrë të përmbledhur, barnat do të kushtojnë rreth 20 % më pak prej 1 prill 2014. Janë hartuar dy projektligje të reja për barnat dhe materialet mjekësore.
Është përmirësuar funksionimi i pajisjeve biomjeksore në spitalet universitarë dhe rajonalë. Janë rritur kapacitetet diagnostikuese dhe ekzaminuese në spitalet dhe qendrat shendetëtsore të vendit. Është shtuar ndjeshëm fondi për barnat dhe materialet mjekësore-spitalore ku, veçmas, do të nënvizoja dyfishimin e fondit për barnat citostatikë për të sëmurët me kancer. Janë hartuar paketat e shërbimeve që Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor do të kontraktojë dhe paguajë me ofruesit publikë dhe jopublikë, përfshirë shërbimin e dializës, transplantin e veshkës, implantin koklear, ndërhyrjet kardiokirurgjikale dhe të kardiologjisë invazive.  
  
Keni qenë sekretar për programin para dhe gjatë fushatës elektorale. Sa dhe si po përmbushet deri tani, sipas jush, programi qeverisës i koalicionit të majtë?
- Qeveria ka një kryeministër dhe nuk është e udhës që unë si ministër të bëj bilancin e punës së qeverisë. Ne kemi shpallur një program të 300 ditëve dhe atëhere do të bëjmë një bilanc më të plotë. Dua t’ju sjell në vëmendje se programin e 100 ditëve e realizuam plotësisht. Por në këta 6 muaj kemi realizuar një pjesë të mirë të angazhimeve në sistemin fiskal (taksimi i ndershëm, heqja e taksës mbi biznesin e vogël, heqja e TVSH-së për barnat), kemi filluar shlyerjen e borxheve të qeverisë së mëparshme, kemi përgatitur projektligjin për faljen e gjobave tatimore të vendosura në prag fushate, gjatë fushate dhe në tranzicionin e qeverisjes. Mendoj se nuk janë pak, nëse kihet parasysh edhe gjendja katastrofike ku e gjetëm thesarin e shtetit.

17 Komente

Po me LSI-në çëpati?

nuk e di per te tjerat, por per ate te paren mbi bllokimin e specializimeve ja fut kot  e genjen.. 

psh. ne vitin 2010, urdher Nr.606, datë 29.12.2010

PËR HAPJEN E PROGRAMEVE TË CIKLIT TË TRETË, TË STUDIMEVE SPECIALIZUESE AFATGJATA, NË "MJEKËSI URGJENCE" DHE "NEUROKIRURGJI", NË FAKULTETIN E MJEKËSISË TË UNIVERSITETIT TË TIRANËS

ne vitin 2011  VENDIM Nr.242, datë 23.3.2011

PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1282, DATË 23.12.2009 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE "PËR KUOTËN E PRANIMIT DHE TARIFËN E SHKOLLIMIT NË PROGRAMET E CIKLIT TË TRETË TË STUDIMEVE SPECIALIZUESE AFATGJATA, NË FAKULTETIN E MJEKËSISË TË UNIVERSITETIT TË TIRANËS, PËR VITIN AKADEMIK 2009-2010", TË NDRYSHUAR

Ndërkohë që duhet të përballemi edhe me rekuperimin e dëmeve të keqqeverisjes..

sikur shendetesia ishte nen hyqmin e LSI te cilen populli mjaft i mencem shqiptar e ndeshkoi duke i dhene 4 here me shume vota smiley

Jo votat jane njelloj si me pare, dmth kaq te punesuar = kaq vota. Por kane me shume mandate prej atij qe ca ketu ne Peshk e quajne Ed Palloshi.

E thashë edhe më lart se kemi financim të pamjaftueshëm për kujdesin shëndetësor. Është midis më të ultëve në Europë

Cdo gje qe kemi ne eshte me e uleta ne Europe ...... This is not an excuse smiley

pa e provuar vetë njerëzit se paratë nën dorë, bakshishet e rryshfeti janë reduktuar ndjeshëm

Per kete nuk me mbushet mendja.... Nuk heqim dore ne nga leket poshte tavolines ose ne xhep. Eshte ves i keq qe na ka ngelur qe ne kohen e Saliut.smiley

 

Pritet replika e Petrit Vasilit.

Petrit Vasili? Pushteti asht kazani ku vlon maskaralliku dhe,qe te jesh "in" u dashka me ba pakt me te. smiley

Kishte shkuar nje i aferm imi ne poste, per te nisur ne ambasade italiane, dokumente per legalizim (behet nga posta tani). Ne tre sportele, tre gra, punonte vetem njera. E shkreta me tregonte, e mbushur ne pune, pako, merr e jep dokumente, letra, methetethashe. U bera me nerva, tha. I bertita ketyre dyjave qe rrinin e shikonin. Po ju cfare beni? Per cfare jeni ketu, kur kjo tjetra eshte e mbytur? Nuk folen. Njera mori nje vule dhe nisi te vuloste ca pako kot, sa per figure. Kontingjent i ri i LSI. Posten Shqiptare e ka LSI. Nuk i kane hequr te gjithe vetem sepse i duhen disa njerez, qe ti bejne punen.

Hahaha!

Fiks e ke gjet!

Tamam keshtu eshte, njelloj ama sic ishte edhe ketu e kater - pese vitet e fundit, kur keta parazitet e LSI-se qeverisnin bashke me Saliun.

Sidoqofte, kjo fare e keqe duhet shkulur, sepse eshte bere pengesa kryesore e zhvillimit normal te vendit.

Sidoqofte, kjo fare e keqe duhet shkulur, sepse eshte bere pengesa kryesore e zhvillimit normal te vendit.

ben pun koqifozi minjvet? apo duhet ma i fort?

Per mendimin tim kjo parti duhet nxjerr jasht ligji!Kete qe them ... di ta argumentoj ..!

?

Tingellon pak si xhelozi,sepse edhe ata socialista jane, dhe nuk kerkojne gje tjeter vecse integrim europian. (Me shume para ne xhepa). Qofte integrimi qofte parate ne xhep jane shenje e perparimit te pandalshem.

Po sot spital pa i thuej Peshkut si je, akoma si nje bredh i rrezuar perdhe

Mqrf, mire Kryeministri qe s'ka shkuar me ne spital, po as fotografen s'e ka derguar me?

mirmjes

E para gje qe mund te behet pa shume shpenzime eshte lyerja e dhomave dhe ambienteve te te gjithe spitaleve dhe  pajisja e tyre me shtreter te rinj, jo nga ato te ushtrise te para viteve '90.

Le te fillohet nga kjo gje minimale...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).