Figura ikonike e muzikës botërore, Beethoven, krijoi konceptin e artistit, kapërceu tragjedinë e vet për të arritur synimin e tij dhe të bëhet hero. Ai e shihte veten si një artist dhe kish të drejtë të qëndronte si një artist. Ai ishte vërtet i tillë, një krijues mbi të gjithë. Goethe shkruante:” Kurrë nuk kam takuar një artist të tillë me kaq përqëndrim shpirtëror dhe intensitet, vitalitet dhe përzemërsi”. 

Asnjë kompozitor nuk zë kaq shumë pozicion qëndror në jetën muzikore sa Beethoveni. Nga ana tjetër, me Beethovenin kemi gjithnjë parasysh krijuesin, kompozitorin gjenial, një nga titanët e historisë botërore të artit përkrah Dantes, Homerit, Mikelanxhelo-s, Shekspirit , një Promethe i muzikës (Phil Gulding). Beethoveni kish dy nocione, njëri revolucionar për shoqërinë ndërsa tjetri romantik për muzikën. Ai ishte poet i tonit muzikor ndërsa melodia e shkruar ishte në kufijt e Romantizmit, një diçka e re në muzikë. Dhe, një gjë vihet re po të krahasojmë vetëm kohën e parë të Sonatës Patetikeme të njëjtën kohë të fuqishme të Fantazisë në Do minor të Mozartit. Është një diferencë midis shek.18 dhe shek.19, një diferencë midis një shoqërie që mbizotërohej nga idea e aristokracisë, dhe e shoqërisë e mbizotëruar nga koncepti i individualitetit.

Beethoveni i solli muzikës diçka të ndryshme nga Mozarti, diçka të re, një lloj ritmi propulsiv, zgjerim në të gjitha strukturat muzikore. Emocionet dramatike dhe ato të konfliktit (në termin e pastër muzikor) si dhe zgjidhjet, në punimet e tija, nuk janë njohur më parë, ai mendonte në tonin dhe arkitekturën muzikore. Ai i thoshte studentit të tij, pianistit Karl Çerni (Carl Czerny):” Ajo që është brenda zemrës time, del e shkruar në nota”. Muzika e Beethovenit është biografia e tij. Me anë të muzikës së tij mund të komunikosh me vetë thelbin e vërtetë të jetës. Jeta e tij, dramat, konfliktet, dashuria, humbja e dëgjimit, probleme të tjera shëndetsore i gjejmë në muzikën e tij. Edhe mbas 200 vitesh muzika e Beethovenit vazhdon të jetë e freskët, ushqim i shpirtit të njeriut. Jam përpjekur gjithmonë ta vë muzikën e tij në kontekstin e jetës së tij, si ka jetuar, në të cilat periudha të jetës ka kompozuar veprat madhore, aktiviteti i tij, analiza të punimeve kryesore, të performancave, strukturave, kontrastet, ndryshimi i modeve, dinamikave, thyerja e rregullave klasike, për të sjellur të renë dhe progresiven në muzikë dhe në artin muzikor në tërësi. Por njëri prej aspekteve njihet mirë nga të gjithë, humbja e plotë e dëgjimit, e megjithatë ai vazhdoi të kompozojë duke dalë triumfues mbi të keqën më të madhe për një muzikant, madje ai kapërceu edhe krizën e Heiligenstadit që duke u ndodhur para vetvrasjes tha: “Vetëm arti im më ktheu prapa”. Ky ishte pra Ludwig van Beethoven. Një fakt i tillë njihet, ai ishte një nga ata që punoi, kompozoi duke qënë me humbje të plotë të dëgjimit për mbi 15 vjet. Lufta e tij me humbjen e dëgjimit ishte heroike dhe epike, vazhdoi të luaj në piano dhe këmbëngulte të dirigjonte muzikën e tij. Orkestrantët kryesisht e kishin vëmendjen tek violinat e para. Por në vitin 1825, Joseph Böhm, një drejtues kuarteti, kishte lënë një shënim për ekzekutimin e kuartetit op.127 në Mi Bemol në prani të vetë Beethovenit.” Sytë e Beethovenit qëllimisht ishin ngulitur në kuartetin por në praninë e tij nuk ishin të lehta provat. Me një vëmendje tepër të kujdesshme sytë e tij shikonin lëvizjen e harqeve në sajë të cilëve ai ishte në gjendje të korrigjonte menjëherë ndonjë mangësi në tempo dhe ritëm” (Harold C.Schonberg).

Sigurisht që për një njeri jomuzikant do të ishte e paimagjinueshme ta besonte se si një kompozitor pa shqisën e dëgjimit të kishte aftësi sa të komunikonte me çdo gjë që i nevoitej muzikës. Që prej viteve të formimit të Beethovenit në Bon e deri në kuartetin e fundit të shkruar nga muzgu i jetës së tij, e gjithë kjo periudhë, është zhvillimi krijues i tij, përparësia e së cilës përfaqësonte punimet muzikore të shkallës së lartë, sonata për piano, duo sonata, trio, kuartete harqesh, komplete variacionesh, koncerte, uvertura dhe simfoni krahas formave vokale, opera, kantata, mesha, këngë. Kritiku gjerman,E.T.A. Hoffmann, argumentonte që muzika e Beethovenit përfaqëson mishërimin më të lartë të një arti i cili përfundimisht e emancipoi atë, përmes një proçesi të gjatë historik… (William Kinderman). Periudhat e stilit kompozicional të Beethovenit janë të lidhura me imazhin heroik dhe revolucionar të tij.

Beethoveni dha një kontribut të madh e të shquar në ndryshimin e marrëdhënieve midis artistit dhe shoqërisë sipas të cilit, artisti i suksesshëm duhet të konsiderohet si një gjeni origjinal. Trashëgimia e Beethovenit hedh një hije të madhe mbi shek.19, një hije që mbulonte të dy rrymat e famshme, të drejtimeve të ndryshme, të asaj konservatore me Mendelssohn, Brahms e Bruckner dhe të asaj më radikale me Berlioz, Liszt e Wagner. Në këtë situatë të polemizuar nuk ishte e lehtë të mbahej një balancë beethoveniane midis traditave dhe novatorizmit. Në Simfoninë No.5 në C-moll op.67, muzika e Beethovenit përshkohet nga madhështia dhe krenaria, ajo shpesh paraqet një mardhënie të hapur me botën, me një natyrë të përvojës së tij estetike. Beethoveni kërkonte rrugë të reja që nënkuptonin periudhën e dytë të stilit. Kështu, unifikimi i ciklit të sonatës klasike arriti një fazë të re zhvillimi me Beethovenin ose në Simfoninë e Pestë ai arriti tërësisht të përqëndrojë ekspresionin më tepër se kudo në artin e tij, me një ndryshim dramatik midis maxhorit dhe minorit. Por në punimet e periudhës së dytë me kuartetet Razumovski, simfonitë No.5, 6, 7 dhe 8 si dhe piano-sonatat, nuk shihet element klasik në stilin e kompozitorit por shpirt demonik, impulsiv, emocional, misterioz si dhe origjinalitet. Simfonitë e Beethovenit tingëllojnë krejtë ndryshe nga ato të Haydnit dhe Mozartit dhe prandaj E.T.A.Hoffmann shkruante se, muzika e Beethovenit ka në esencë elementë romantikë dhe për këtë arsye Beethoveni është kompozitor romantik…… “Romantik ose jo, Beethoveni ishte forca më e madhe disruptive në historinë e muzikës” (Donald Jay Grout). Në muzikë, Beethoveni ishte origjinal, krijoi modelin dhe stilin e tij duke u bërë një gjeni pa kompromis, kur të gjithë kompozitorët po i jepnin shtytje Klasicizmit, Beethoveni thyen çdo rregull dhe kufi dhe kjo vihet re në sonatat, koncertet, kuartetet e simfonitë. Forca dhe virtuoziteti dramatik i veprës së tij impresionoi elitën kulturore veçanërisht nga ndryshimi rrënjësor i stilit muzikor të shek.18. Reputacioni i hershëm i tij bashkë me famën mbështeteshin në prirjen fenomenale të improvizimit në piano duke qënë një suprem virtuoso. Sonatat bëhen më dinamike në strukturë, mbas vitit 1803, muzika e Beethovenit merr një formë të re, atë të stilit heroik, forca dhe dimensioni i së cilës ishin pikë kthese në historinë e muzikës. Kjo gjë, së pari u shfaq në Simfoninë No.3 Heroike me një energji madhore, me një zhvillim të ri të formës simfonike, formë e cila u aplikua edhe në punimet pasardhëse, në simfonitë e tjera, koncertet e pianos, koncertin e violinës. 

Më kujtohet performanca e Simfonisë No.5 në Do minor, op.67 në Çikago me 16 Qershor të vitit 2012 me CSO (Orkestra Simfonike e Çikagos) të cilën e dirigjoi Maestro Riccardo Muti. Dirigjimi i Maestro Mutit ishte në stilin e tij dinamik, i fuqishëm që prej fillimit deri në fund. Ishte një performance e brilancës dhe e energjisë propulsive ritmike. Motivi i famshëm prej katër notave ishte i pranishëm përgjatë gjithë punimit simfonik në forma të ndryshme, në të katër kohët. Në stilin dhe ekspresionin e saj, hapja e “Allegro con brio" karakterizohet nga një forcë ritmike shtytëse dhe disonancë harmonike e ashpër që e mbështet atë. Motivi kryesor është i rrallë, i shkurtër, i drejtpërdrejtë dhe i fuqishëm. Variantet e këtij motivi, motivi i fatit shfaqen në pjesët e mëvonshme dhe më dukshëm në motivin këmbëngulës të kornos në scherzo. Këtë motiv e dëgjuam edhe një herë mbas harqeve dhe frymorëve të drurit (flaut, oboe, klarinetë, fagot) nga përsëritja e kornove të fuqishme të ekspozicionit. Duke ndjekur zhvillimin e performancës së Simfonisë No.5 gjatë dirigjimit, krahas variacioneve të Andante con moto, vëmë re lidhjen e skercos me finalen në një entitet të vetëm ku coda afirmon triumfin e tonalitetit Do maxhor mbi atë Do minor, Fati troket në derë, dhe crescendo paralajmron finalen e vërtetë, entuziasmin e fitores përfundimtare. Me tranzicionin nga minor në maxhor, Beethoveni krijoi një efekt mahnitës. Performanca e drejtuar nga Riccardo Mutit tregoi rëndësinë e Simfonisë së Pestë, të universalitetit të saj, në kërkim të një ekspresioni dhe harmonie karakteristikë e shek.19. Maestro Muti i dha publikut të Çikagos një eksitim dhe impresionim real në një sallë të CSO me akustikë të përsosur. Ekstremet në dinamikat dhe tempo ishin pjesë e asaj performance të bukur në të cilën Muti u admirua atë mbrëmje. 

Kërkimet dhe zbulimet e Beethovenit në harmoni dhe në strukturë ishin të guximshme, ato qenë faktorët kryesorë të sjelljes së Romantizmit në muzikë dhe ç'është e vërteta, këto nuk mund të arriheshin me format konvencionale. 

Po koncerti i violinës op.61 në Re maxhor ? Arrita ta shohë direkt interpretimin e virtuozes Gjermane Anne-Sophie Mutter në Çikago me 2 Tetor 2010 ndërsa dy herët tjera në regjistrim në dvd, me violinistin Vadim Repin. Të tre interpretimet ishin të përsosur. Koncerti op.61 qëndron midis koncerteve më të mëdhenj të violinës si nga forma ashtu edhe përnga stili, një koncert për virtuozët. Anne-Sophie Mutter në mbrëmjen e 2 Tetorit ishte soliste në violinë dhe dirigjente njëkohësisht. Interpretoi me Stradivarin e saj në një ton të ngrohtë plot gjallëri krahas variacioneve, arpeggiove, vibratove, lirizmit të bukur të shumë frazave, kadencave të Fritz Kreislerit e mbi të gjitha, ajo i dha koncertit aromë beethoveniane. Vadim Repin interpretoi koncertin në vitin 2007 me Orkestren e Filarmonisë së Vienës në drejtimin e Riccardo Mutit dhe më 2012 me Orkestren Marijnskij të St.Petersburgut nën drejtimin e Valerij Gergijev. Në të dy rastet Repin, virtuozi i tingujve shumë ngjyrësh, është në një balancë të përsosur me orkestren. Thëniet e Yehudi Menuhin që “ duke e interpretuar këtë violinë-koncert,violinisti është plotësisht i ekspozuar, ai nuk mund të fsheh asgjë”, janë me vend. Solo e Repinit në fillimin e Allegros është e koncentruar me ëmbëlsi dhe me tonin e tij të ngrohtë, dhe, pavarësisht kësaj, ai dominoi në të dy rastet orkestren. Në Larghetto zëri i violinës ngrihet mbi orkestren dhe është veçanërisht i këndshëm në dialogët dhe në pjesën cantabile të klimaksit kryesor ndërsa në Rondo violinisti është i papërmbajtshëm, luan në një stil të vetin modern dhe me teknikë brilante. Koncerti i Vadim Repinit ishte në thelb plot lirizëm, me një ekspresion të gjërë, të shtrirë në një linjë të mrekullueshme të legatos që përshkoi të tri kohët.Orkestra e Vienës dhe ajo e Marijnskit e shoqëruan violinistin me eleganceën e tyre të përhershme që prej fagotistit, violonçelove, klarinetave e baseve e deri tek harqet virtuozë. Performanca e Marijnskit ishte madhështore, jo vetëm pse salla luksoze e rinovuar në traditat e dikurshme shkëlqente por sepse audienca e saj profesionale dhe e kulturuar ndodhej përball dy liderave të sotëm të muzikës, Repin në violinë dhe Gergijev në dirigjim. Koncerti op.61 u interpretua në mënyrën klasike dhe romantike, në një partneritet të shkëlqyer të violinistit dhe dirigjentit.Veçanërisht violinisti Repin luajti plot intensitet, pasion dhe temperament, ai e pasuroi koncertin me lirizëm beethovenian. 

Periudha e triumfit e Beethovenit ose siç e quajnë madhështorja përfshin Variacionet Diabelli, Missa Solemnis, Simfonia No.9 , tri sonata për piano dhe pesë kuartetet e fundit për harqe. Nga viti 1822 Beethoveni filloi të mendojë për një simfoni në të cilën për herë të parë do të përfshinte korin dhe kuartetin vokal, gjë të cilën nuk e shohim as tek Haydn as tek Mozarti. Në fillimin e vitit 1824 Simfonia e Nëntë u kompletua. Unë isha dy herë në audiencë, në dy performancat e shkëlqyeshme, atë të Meshës Solemneop.123 në Re maxhor dhe në atë të Simfonisë No.9 op.125 në Re minor me Orkestren Simfonike të Grand Rapids të dirigjuar nga David Lockington. Simbas fjalëve të muzikologut Jan Swafford, Missa Solemne e Beethovenit mund të jetë punimi më madhështor, i padëgjuar ndonjëherë. Anton Schindler, sekretar dhe biograf i kompozitorit, përshkruante Beethovenin gjatë punës:” Në dhomën e ndenjjes, prapa derës së kyçur dëgjuam mjeshtrin që po këndonte pjesë të fugës në Credo-këndonte, bërtiste, përplaste …Mbasi e dëgjuam këtë skenë të jashtëzakonshme për një kohë të gjatë, u hap dera dhe Beethoveni qëndroi para nesh i përçartur, dukej sikur kish qënë në një betejë me gjithë ata kontrapuntistë dhe armiqtë e përjetshëm”. Në fund ai triumfoi, shkroi atë të cilën e shpalli si punimi më i madh që unë kam kompozuar deri tani. Muzikologët e Beethovenit, Maynard Solomon, William Kinderman, Donald Tovey janë fokusuar para së gjithash në studimin estetik më tepër se sa në atë biografik duke qënë shumë familjar me punimet e Beethovenit në aspektin analitik. “Ishte e domosdoshme, mendonte Beethoveni, të studjohen mjeshtrat e periudhës Baroque (Barok) muzika e të cilëve ishte ndryshe nga ajo e Mozartit dhe Haydnit. Edhe pse ishin Bach dhe Handel nuk duhej lënë pas dore Palestrina”. Ajo çfarë pëlqente Beethoveni ishte kompleksiteti i kontrapuntit të tyre. Ana personale e muzikës së Beethovenit dëgjohet në qetësinë e pjesës së shkurtër Kyrie duke u rishfaqur në Benedictusnë të cilën në një nga pasazhet më të shquara violina solo e koncertmaestros James Crawford përsiatë në kthjelltësi fjalët “Benedictus qui venit in nomine Domini” (I bekuar është ai që vjen në emër të Lordit). Violina solo simbolozon praninë hyjnore, ideale, me përdorimin e akordit Sol maxhor të lartë si një pikë nisje dhe kthimi. Lockington e dirigjoi Meshën Solemne për 78 minuta më 11 Maj 2013 me kurajo dhe kompetencë. 

Është Simfonia e Nëntë e cila qëndron më madhështorja, e pakrahasueshme, është pika kulminante e muzikës, thoshte Wagner. Kur e dëgjoi Simfoninë e Nëntë për herë të parë në Drezden më 1849 Mihail Bakunjin (mendimtar, ideolog) nga Rusia, i tha Wagnerit:” Sikur e gjithë muzika që është shkruar të humbasi, këtë simfoni duhet ta ruajmë dhe ta shpëtojmë nga çdo rrezik”. Allegro ma non troppo, un poco maestoso* përbën një moment të përjetshëm në krijimtarinë e Beethovenit dhe një dokument krijimi gjenial.Në fillim kemi një introduksion orkestral që fillon me një disakord të fuqishëm dhe dramatik i cili fshin çdo gjë pas vetes ndërsa mbas përsëritjes së tij janë variacionet në temën “Oda e gëzimit” (Ode to Joy) e Shilerit. Shkalla epike e simfonisë të cilën Wagneri i frymëzuar do ta përdorte në tetralogjinë e tij Ring des Nibelungen (Unaza e Nibelungut), u shfrytëzua prej kompozitorit në krijimin e temës së parë kryesore në Re minor e cila mbas një hapje misterioze, fillon me një forcë dominuese në kontrast me të dytën dhe motivet që rrjedhin prej saj. Molto vivace-Presto* është një scherzo (skerco) të cilën Beethoveni e vendosi në kohën e dytë për të komunikuar më tepër me simfoninë sesa për arsye estetike. Adagio molto e cantabile në Si bemol maxhor ka një moment lirizmi sublim,dy temat e së cilës alternojnë me njëratjetrën. Harqet, pa kontrabaset, alternojnë me klarinetat, fagotet dhe kornot për një ekspresion karakteristik beethovenian me një crescendo-diminuendo të shkurtër. Presto-Allegro molto assai ka 9 pjesë kryesore dhe është një sintezë e të gjithë simfonisë dhe, përfaqëson një faqe të paharrueshme në të gjithë historinë e muzikës dhe të kulturës. Në këtë pjesë Beethoveni inkludoi kuartetin vokal me katër solistë dhe korin duke e revolucionarizuar këtë punim si një krijim i madh simfonik në formë dhe strukturë.Beethoveni me anë të muzikës do të tregonte madhështinë e fitores përfundimtare, fitoren e të mirës mbi të keqën. Dirigjenti Lockington e drejtoi Simfoninë No.9 në mbrëmjen e 11 Nëndorit të vitit 2012, plot autoritet, në mënyrë solemne, me intensitet dhe forcë.

Por pa u zgjatur me këtë simfoni madhështore, të fuqishme, të gjallë, me një shpirt rinor, të kompozuar nga Beethoveni, filozof i muzikëssiç e quajti Hegeli i famshëm, dua të ndalem përsëri në një problem shumë të rëndësishëm. Të gjitha vendet e kulturuara, popujt dhe shtetet e tyre i kushtojnë një hapësirë të konsiderueshme jo vetëm merabiljeve të këtij gjeniu, legjende të muzikës, por çdo vit, në muajt dhjetor dhe mars organizojnë festivale të muzikës me kompozime të Beethovenit. Në Dhjetor të çdo viti tradicionalisht është muaji i Beethovenit apo në muajin Mars është Festivali muzikës së Beethovenit siç është Bonn Beethovenfest. Në Tiranë deri tani as nuk ndjehet ndonjë përpjekje më e vogël për një gjë të tillë. Sigurisht, po të kishim një Filarmoni siç e kanë të gjitha vendet e Rajonit, as kremtimi i 100 vjetorit të Pavarësisë nuk do të kalonte pa një Simfoni të Nëntë solemne, po ashtu edhe koncertet e muajit të Beethovenit dhe një Tirana Beethovenfest. Shpresoj se Ministria e Kulturës e qeverisë së re do ta vlerësojë më mirë dhe seriozisht këtë problem shumë të rëndësishëm që Koncertet e pianos, Sonatat, ndonjë Simfoni të Beethovenit, Meshën Solemne, ta shohim më në fund në interpretimet e Tirana Philharmonic dhe jo jashtë vendit. Në këtë mënyrë nderojmë figurën ikonë të muzikës botërore por nderojmë edhe popullin tonë për respektin dhe dashurinë për korifejtë e muzikës botërore. 

*Autori është kritik muzike

Marrë nga Milosao

12 Komente

eh, maestro Ludoviku..smileyi madh!

i verberi i Izmirit..?smiley     

keta ndofta jana prova  e ekzistences se  ''ndjesise se gjashte''.   ajo qe quhet   ''ndjesia e krijimit''  qe natyrisht  e kane krijuesit dhe artistet e medhenj.smiley

Mirë  kritiku për Bethovenin por më pak duhet të shkruante për Belulin që ndiqka koncertet katmun.

Mjeshtri i madh, kur ishte i ri patimmarre nje semundje Prej grave te shumta qe shkonte me to.Kish marre sifilizin qe nuk ju nda gjer sa iku bashke me te.Thejeri, e thote shkoqur, " ai mori nje denim te merituar, per shkeljen e ligjeve te dliresisese ...kulluar.."
Kurse adhuruesi i Bet'hovenit Shindleri, thote se pija me preferuar e tij ishte uji i fresket te cilin shoqeruar me veren hungareze Ofener, e pinte pamase! Ai preferonte ...vererat e perziera?Vavruhu, thote se ishte. Nje pijanec sh shum i madh...!
Ai pati vetem dy nxenes.Rizin dhe Vegeleri.
Sipas legjendes ai eshte nje " Chevalier sans peur et sans reproche.." Por ne plot raste ledhonte mbi kamarieret pjata, luge copa buke , pirunj bile edhe karriget qe i ndodheshin afer?Genjeu ne menyren me te turpshme Shoqerine Filarmonike te Lobdres kur shiti tri uvertura te hedhura rraqe si xhedite te reja.Ishte nje kopuk i vertete per te mashtruar.Kur ecte rruges vetem dukej si budalja dhe kalamaj e rrugicave e ndiqnin... duke e tallur., ate " Pasha... te harremeve Te shkaterruara.
Njeriu qe nuk vajti kurre ne shkolle , qe nuk pati asnje deftese te mirefillte ( si tupanxhiu i kamzes doktoraturen) por qe sa u pa e mori gjith talentin ..nga ndonje fryme e shenjte apo fanitje e All Llahut!U kthye ne nje hero ideal, pa u kerryer asnje telash adhuruesave pafund .e nisi si nje katolik i mire dhe e mbylli si nje pagan perfekt!

rri nashi, mos na hap telashe me keto gjykimet etike.vita brevis,ars longa.

Po pse o spiritus te mos e themi qe ka qene mjeshter i paarrire i " ashtusjes" ?
Mo me furqis se kam dhe ca te tjera.Por ishte frymezuesi i gjermaneve te medhenj si Bismarku, me idete e revolucionit freng,i pari revolucion ateist ne Evrope.Bismarku ishte gjerman, .... por fliste frengjisht...

Po, po i dashur mik ! Por me thoni dot, pse ka thene mjeshtri i madh " Ai qe deshirin te korre lot , le te mbjelle dashuri..!" ....per 12 vite e gjysem ... dashuri per te nipin shprehur fuqishem ne muziken e tij..!

Ai preferonte ...vererat e perziera?Vavruhu, thote se ishte. Nje pijanec sh shum i madh...!

 

hemmm,  se ke me kujtojne keto  karakteristika..smiley    megjithse, ne pergjithsi,  keto  jane disa  veti  te njerzve te medhenj dhe pak egocentrike...

Kuptohet ku na e hidhnje llafin, Belul...!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).