Thuhet se nji herë Buda, thellë në mendime, u paska thanë dishepujve të tij se: “Asht ma mirë me udhëtue mirë sesa me mbërritë gjikund.” Vërtetsia e kësaj thanie të supozueme prej tij nuk shkoi pa u kundërshtue prej pasuesve të profetit. Për me shkundë prej vetes autorsinë e padëshirueme, shumë syresh prej tyne nxjorrën në pah ngurrimin e tepruem të Budës me lëvritë prej vendit edhe kur nen shënjestrën e mijave shigjetave të Maras. Por edhe sikur thania mos të ketë dalë prej gojës se nji qenie njerzore kaq të këthellun në humbjen e vetvetes, ka në te njifarë hollësie orientale qi e ban kumbin e saj tërheqës për veshin e atyne qi s’bajnë dot pa fashitjen e herëpashershme të aforizmave.

Në të vërtetetë shprehja u farktue s’pari prej skocezit Louis Robert Stevenson, i njohun ndër ne falë adoptimit televiziv të RAI-it në fund te viteve 60 të romanit të tij historik “Shigjeta e Zezë”. Aktori Arnoldo Foa, qi në film luen Sir Daniel-in, mund t’përfytyrohet fare lehtë teksa lexon për nji audience me tipare të spikatuna kaliorsake El Doradon, esenë e tij të emnueme kësi pas vegimit marramendës të asaj qyteze të trillueme qi zukat imagjinatën e të tanëve:

“Asht e vërtet qi ne kurrë s’do mundemi me ia arritë qëllimit; ma shumë gjasa ka qi ky vend mos t’ekiztojë aspak; po edhe nëse do t’jetonim me shekuj të tanë e t’kishim  mbi vete t’dhantueme fuqinë e nji zoti, as atëhere  s’ do t’ kishim mundë me u gjindë  s’mbrami pranë asaj qi na e dëshiron zemra. 

O duer puntore të ju mortorëve! O kambët e palodhuna qi udhëtoni e s’e dini ku shkoni. Shpejt e shpejt kujtoni ju se do të mbërrini para nji kodrine qi duket aty afër, edhe pak ma tutje, me perëndim të diellit ndër sy, t’ shifni kumanoret e El Dorados.

S’ e kuptoni ju fatlumninë qi mbani  mbi vete: sepse me udhëtue me shpresë asht nji gja ma e mirë sesa me mberritë, e se mbërritja e vërtetë asht mundi.” (R. l. S, El Dorado, Virginibus Puerisque)

Shtegtimi i njerit në jetë, na rikujton L. R. S, s’duhet të sundohet vetëm prej soditjes së fiksueme ndaj  arit. Me vezullimin e tij në sy çdonjani prej nesh do t’ a kishte të pamundun me vrojtun gjanat tamam asi siç duhen.

Sa  për Budën, në shikim të parë të mbushet mendja se mbërritja e tij në atë gjikundin e tij të veçantë, shumicën e kohës tue ndenjun  kambëkryq e pjesën tjetër pështetun në nji krah, e ban edhe ma të pangjashme kanditaturën e tij për thanien krahasuese.

Në të dyja këto vështrimeve qëllimi i shtegtimit duhet të puqet në përgjithsi me drejtimin e zakonshëm të zhvendosjes. Për ne të tjerët, me shikimin periferik pothuejse të verbën e qi qasjen ma të afërt me nirvanën mund t’a kemi ndoshta me albumin ‘Unplugged’ të Kurt Cobain-it, çashtja e materialitetit të udhëtimit asht ende të pazgjidhun. Për shembull ç’bahet me ato udhëtime jo t’mira e t’ pashpresa qi mbushin fund e krye jetët tona? A janë ato pjesë e atij qëllimi të përgjithshëm apo thjesht episode të pavlera, mësimet e tyne të denja veç me u zanë me mashë e flakun tej saora?

Ja pra nji prej këtyne shtegtimeve t’rëndomta qi ngren flamurin për nji proponim udhëtimi!

S’pari kjo përkjekje s’duhet të shifet as si udhë-çelëse e as si heroike. Në te nuk pritet të shfaqet papritmas kapiteni Oates qi shkon drejt vdekjes së sigurtë tue thanë; “ Po dal pak jashtë, mund t’vonohem do kohë”, e tretet mandej përtej ipeje. Përkundra, kjo lëvizje ndërmjet dy pikave fikse qe për njifarë kohe të gjatë tejmase e shpeshtë dhe e zakonshme. Aq e zakonshme në fakt sa disa të pafan prej nesh jemi në gjendje t’a rikujtojmë përmendsh deri n’ ma t’voglat detaje: 

(Herët në mëngjes me bukë me vete, nji vagon mallnash në fund të trenit, taketuke hekuri qi troket pandalun prej tundjeve,  ndalesa në Vorë e kausha mbushë me mana, pështjellë me fletë detyrash nëpër dritare. Në Shkozet njerzit tue u hedhun përgjatë zhvendosjes së kadaltë të trenit në lëvizje. S’fundi ajo copë rruge në kambë për në plazh përmes atyne hapsinave boshe ndërmjet qytetit e natyrës e qi Paul Farley dhe Michael Symmons quejnë skaj-toke).

Natyrisht bahet fjalë për ate të famshmen prej të gjitha rrugëve me tren, Tiranë - Durrës. E nëse dikush mendon se përshkrimi i përngjan ma tepër të nji dite në Frontin e Perëndimit të Remarque-ut sesa nji ditë pushimi buzë detit, s’ bahet dot me faj, asht e tejet e vështirë me ndërmjetsue për nji kohë qi s’mund të paramendohet kollaj prej mendjes së sotme. 

Por edhe këto shkrepje të kujtesës, mund të thotë ndonji, nuk  janë të denja m’u fanitë pranë kuptimit të parë të udhëtimit. Udhëtimi i vërtetë duhet të përmbajë në vetvete njifarë surprise qi na shungullon prej hutimi, njifarë risie qi na tërheqë me vete, njifarë ankthi të nevojshëm qi na nxjerr pahiri prej përdishmërie e përsëritjeve bajate. S’asht e thanë  qi t’jemi tue shkue nji vendi të pashkelun, mund të gjindemi faremirë të njajtit shteg qi kem kalue shpesh, veçse tash diçka kapërthyeme na ban me e vërejtë ate copë udhë përmjet syve të nji fëmije.

Me këta sy ferishte këqyrëm ne nji ditë të vecantë udhëtimi gjatë Gushtit të 1991.

E s’kish kur tjetër me ndodhë përpos 1991; ay vit i dyndyn me ngjarje të shpeshta e të papërsëritshme dukej sikur kish përbrendë të shtrydhë e të distilue historinë e nji gjysëm shekulli. Nëse jeta qi ne njifshim qe ajo e paraqitjeve qi vërehen, ajo e 1991 ish e paqitjeve kah ma të pabesueshme. Nji ditë mund të rastiste të ecje mbi gëzhoja të nji mitralozi të randë e të nesërmen të shifje humoristin e estradës së qytetit qi ia ban me dorë nji shefi të politikës botnore. Dukej sikur tanë bota qi jonë qe kthye kryeposhtë e tërhequn kah naltë poshtë me nji forcë të hatashme.

Por as kohët interesante e as rrapllimat rrotulluese të shndrrimeve s’qenë të mjaftueshme me ndalë ndopak ate desideratum kryeneç qi s’ tundet as sot e kësaj dite. Largimi prej atij vend me trajtë të stërgjatun qi ne quejmë Shqipni ka qenë e ngelet impulsi i parë i tash tre breznive. Kurrkush s’mund të thotë me siguri nëse dëshira jonë atbotë shkonte ma s’forti ndaj kandjes për nji vend të ri apo arratisë sa ma pare prej atij sinori, përpjestimi duhet të jetë luhatun ndopak gjatë këtij çerek shekulli degdisje. 

Kësi ndodhi qi u gjindëm brenda kësaj shtjellsie tok me mijëra të tjerë sypra kalatës së portit. Përpara syve tonë anija Vlora e ndërmjet nesh e saj njerëz qi u lavjershin nëpër litare hidheshin në det me aftësi atletike të vrikshme. E kur ajo gërdallë e madhe me ngarkesën e vet të çmueshme plot njizetmijë u venitë kadalë drejt perëndimit, (afërmendsh  s’mund t’i mbante të tanë mbi shpinë), la pas mbetjen tjetër të pakurajë qi pas atij vegimi fryu sytë e u hapërda mandej si e humbun drejtimeve të ndyshme.

Siç mund të merret me mend kthimi për Tiranë i ish ma i keq e i dëshpëruem se kurrë ndonjiherë. Turma e pafundme qi iu avit stacionit në Durrës ish shumë herë ma e madhe se numri i ulesve qi mund të ofronte ndonji tren shkatarraq. Kësi kur njerzit iu turrën trenit të fundit u deshën vetëm pak sekonda me u mbushë aq shumë sa s’ merret dot me mend. Gjindja mësynë ma tej hapsinat e tjera e ndërmjetshme e sa hap e mbyll sytë gjithkund ku mund të shtije nji kambë, përfshi ato boshlliqet jashtë vagonësh ku takohen me njana-tjetrën katër shqykat puqëse, u ngjeshën dengas me trupa njerzore. Të pamundun me ça ma ate masë të dendun e të përplotë, njerzit e iu sulën hapsinës së vetme qi kish ngelë ende pa u pushtue, strehës së vagonave. Kapun pas qyngjeve tyt -shtypun të ajrimit, mbajtun shoshoq për krahu e mbulue me rob çdo faqe metalike të trenit, pamja e asaj kapice njerzore me eshtna çeliku, duhet të ketë qenë padyshim nji nga imazhet ma të habitshmet qi dikush mund t’ ketë përjetue gjatë nji jete.

Edhe ma e pangjashme duhet të ketë qenë pamja e trenit në lëvizje. Nisja e shoqnueme me fërshëllima e zhurmë, afrimi hakrues i Tunelit të Rrashbullit, shtrimja barkas e mandejme, kalemendja e kësaj lumze n’majë treni qi shkon në drejtim të kundërt të vullnetin të robve, tue përnda tokën e thatë të gushtit me nji tren të ndryshkun, s’do ish besue dhe për njiqind vjet e jo ma me e jetue vetë asokohe.

Por edhe ma e pabesueshme se pamorama lëvizëse duhet të ketë qenë orvatja me shpjegue këte shfaqeje të pakundshoqe. Si mundet t’ interpretohej nji përqendrim kaq i madh dëshpërimi bash në majë të nji mjeti qi don me t’ largue edhe ma tej prej synimit e me t’avitë pranë po asaj tuge prej së cilës don me u largue?  Ç’ kuptim mund t’i jepej nëse e mundun kësaj kotësie? Ju qi lypin metafora absurdi ndaluni e mos lypni ma tutje! Me t’vërtetë treni kinez i Durrësit nuk ka retorikën poetike të përsëritjes së rrokullisë së nji guri por edhe ky i yni  nuk asht i mangët për kah forca e përcjellja. Në fund të fundit, treni e ka të përfshime në vete përsëritjen;  ky me siguri as i pari e as i mbrami dështim arratije i këtyne shtegtarëve.

Vetëm pak muej ma vonë, plot pesëdhjet vjet pas daljes në dritë të origjinalit, botimi në shqip i Mitit të Zizifit të Camus e përforcoi ma tej ndjesinë e këtyne përpjekjeve boshe. Si t’ qe shkrue me porosi libri duhet t’i ketë prekë telat e shumë udhëtarëve e asaj dite. Kësi pra s’ka ndonji nevojë me shpjegue gjana të pashpjegueshme, jeta asht absude e pakuptimtë dhe e pallogjikshme. Njerëzit e pashpresë të trenit, Sizifi me gurin e tij të randë, Iksioni apo çdokush tjeter i mbërthye në nji përsëritje të padobishme duhet veç t’na shërbejë me diftue gjendjen tonë të mjerueshme. Shpëtimi vjen veç atbotë kur bahemi me dije të kësaj gjendje. “Të  vërtetat asgjesohen kur bahen të njohuna”, (A. K Miti i Sizifit), thotë Camus, vetëm atëherë do mund me qenë gati me e përballë kët botë rrense.            

Kotësia brenda nji bote të vetme, mund t’i shkote për shtat fillimit të viteve 90-ta, por sa ma shumë kohë kalonte aq ma shumë me vend krijohesh për nji lloj tjetër përqasje. Njizet e kusur vjet arratije nëpër gjithnduer qoshe të botës janë zor me i shpëtue ngjashmënisë me endjen nëpër Sinai të jahudive. Njimend ne t’ paprofet  nuk mund me u krenue se jemi zgjedhun për punë t’mëdha pos daravitjeve të asoshme, andaj dyshimi ynë në përheqje mërgimtare shfaqet edhe ma i përligjun se ai i atynve. Kur ata të drobitun prej shtretëtinës iu drejtuene Musait tue i thanë se edhe skllavënia e Egjyptit nuk u dukte tash aq e mundimshme, krahasue me heqjet e tashme, sjellja e tyne në ate pikë mund të jetë ba e meritushme për nemjen e mapasshme. Nëkaq dihatja shqiptare për brigje sa më të largëta qëndron e pavarun ndaj nji bese t' amshueshme për tokën e premtueme, e kësi edhe ma e lavdrueshme.

Veçse dihatja jonë asht ma e pak e përpiktë në skemat e mëdha të gjanave. E jona mbetet landë jo kollaj e përcaktueme. Si t’themi, dergjemi për të panjoftunën e as vetë s’po dimë se ku po duem me shkue. Interpretime e metafora për nji ngjarje të vetme mund të jenë aq të shumta sa shpresat e robve nji treni të përplotë qi shkon teposhtë qëllimit. Ne në gjysmë rruge, ende të paqartë sesi do t’ bitiset kjo punë, mund me thanë me siguri vetëm se do kemi para nesh edhe shumë te tjera rrugë t’parehatshnme. Përbujts të andrrave tona siç jemi, udhëtimi dhe i pavend e jo i mirë mund me na marrë e me na çue larg pikësynimit, por larg tij ne mund me qenë ma gati me kuptue, me kuptue nji realitet tjetër jashtë andrrave tona.

E pra dhe udhëtimi ma i keq na ban me mendue e udhëtimi me mend asht ma i shlirti prej të tanëve.

6 Komente

Filozofi me i menqur i te xhitha kohrave , sipas mejtimit tem, eshte ai qe ka bere lidhjen midis fyellit dhe nje vrime te tij.

Por edhe po t`i them fyellit cyrle apo pipez nuk eshte se gaboj shume. Me shume ka rendesi ajo nje vrima jo instrumenti apo fyelltari.*

* Fyelltar quhet ai qe i bi fyellit?

Nje korrigjim i vogel, nese nuk do ta merrnit per fyerje

"Fyelltar quhet ai qe i fryn fyelli, jo ai qe i bie fyellit", keshtu qe me shume rendesi ka fryerja e fyellit, ndersa instrumenti, fyelltari apo vrima vijne me pas, pra ne rradhe te dyte.

Usta , qenke nga zona Korce Opar me duket se andej perdoret fryj.smiley

Ama me mire shkon me than i bi fyllit ( jo fyellit ) dhe gjithashtu me mire i thone :

Bjeri gajdes gajdexhi,

bjeri me t`u thafte dora etj etj smiley

Pra kenga nuk eshte Fryji gajdes gajdexhi. smiley

Per shkrimin ne fjale ka me shume rendesi fryrja e fyllit ( ja e shef dhe vete qe ne shkon ) ne nje brimë ose vërrë si nga Opari.

te korrigjosh (dmth ndreqesh) dhe te thuash "fryerja", kjo eshte nje gje qe s'vete.

nejse, nuk do komentoja, por sapo fola ne telefon me nje shok timin dhe ra llafi i gjuhes shqipe, qe eshte nje mrekulli hyjnore, dhurate nga Zoti, gjuhe e cila flitet nga njerez qe nuk jane as sa 1/10 e saj (gjuhes se tyre) per nga niveli cilesor (sidoms ne aftesi organizuese, por jo vetem).

M'u kujtuan pastaj cifutet e sotem, te cilet kane bere nje gjuhe te sterthjeshte, qe te mesohet kollaj nga te ardhurit e rinj ne izrael (e mesojne per 6 muaj) - fiks rasti i anasjellte, ku kolektivi eshte 10 here me lart se gjuha qe flet.

Ne VETEM GJUHA na ka mbajtur dhe mban keta qe jemi dhe bashke.

Emigrant mos nenvlerso llapen, e cila ka rendesi po aq sa gjuha, ndersa per te na mbajtur bashke, llapa ka rendesi me teper se gjuha.

mos nenvlerso llapen

Prite Zot! Meazallah! 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).