Eda ka qenë lexuesja ime e parë, por ajo s’e dinte, ose nuk donte t(i)a dinte se shkruesi i mesazheve isha unë. Një herë, që harrova të ndërroj kartat e i dërgova vjershën e radhës me emrin tim, ajo kujtoi se po i luaja ndonjë rreng e më qeshi qortueshëm duke më thënë: „Jo keq, por duhet të punosh goxha për të arritur hijeshinë e stilit të murgut“. Pasi Eda besonte se mesazhet ia dërgonte një murg nga Mali Athos (i cili banonte fillimisht në Ardenicë, por që pastaj e transferova atje ku nuk lejohen gratë, kur Edës iu ngrit mendja të shkonte e ta kërkonte në manastir).

Kemi qenë në të njëjtin kurs bashkë e miq të mirë, deri ditën kur vura re se kisha nisur të ndieja edhe më për të, pasi nisa ta mendoja edhe kohën që s’ishim bashkë. Një i njohuri ynë i përbashkët pat hapur asokohe njëfarësoj klubi për artistë të rinj, apo të rinj që donin të qenë artistë, e ne haseshim pothuaj çdo mbrëmje aty, por shoqëria që kishim me tjetrin jo vetëm s’më ndihte që t’i shprehesha, por edhe më pengonte, pasi Eda më trajtonte si mik të ngushtë e çdo përçapje për më shumë, qoftë edhe në të menduar, më ngjante abuzim me dashamirësinë e saj.

Ndaj nisa t’i dërgoja mesazhe në celular si një i panjohur që s’merrej vesh pse shkruante, gjë që m’u duk fillimisht si përçapje e pashpresë, e cila ose do të injorohej nga ajo, në rastin më të mirë, ose do të merrte ndonjë sharje të hidhur si përgjigje, në rastin më të keq (Eda s’ta përtonte kur e donte puna). Sidoqoftë kjo ishte për mua alibia më e mirë për t’u shprehur lirisht e, duke qenë se bëhej fjalë për diçka të pafajshme e të dëlirë, s’kisha brerje ndërgjegjeje, aq më tepër që mesazhet e mia qenë jopersonale e të sjellshme, në më të shumtën e rasteve lirike, në mos poezi që përshkruanin gjendjen time shpirtërore asokohe, nga autorë të njohur, apo edhe të shkruara vetë më vonë, kur Eda nisi të më përgjigjej, aspak me egërsi, siç e kisha menduar në drojën time, por thjesht e me dashamirësi, siç bëjnë pothuajse gjithnjë vajzat për të qenë kur u drejtohesh njerëzisht, gjë që unë e kam mësuar, për fat të keq, kaq vonë. I pata dërguar së pari një fragment nga „Kënga e këngëve“ të Biblës, të cilin ajo, si besimtare e lëkundur ato vite, e pati njohur e ish bërë kureshtare për dërguesin, të cilin unë për një trill të momentit e përfytyrova murg që ka hequr dorë nga epshet, për t’iu dhënë dashurisë hyjnore të patrup, qoftë kjo edhe femërore; murg rishtar që sapo qe dorëzuar në Manastirin e Ardenicës, por që merrte e jepte me botën me anë të celularit, histori kjo, që po të shqyrtohej mirë, me siguri linte goxha për të dyshuar, por që kjo s’ndodhi me Edën, e cila ndoshta më shumë se të dyshonte, i pëlqente të besonte, gjë që, kur e kam menduar më me nge, kish shumë të ngjarë ta kisha bërë edhe unë vetë, duke mbyllur me dëshirë jo njërin sy, por të dy të mundshmit, pasi shumëkujt, përfshirë edhe pakësinë time, i pëlqen të besojë që një i / e panjohur diku në botë e dëshiron vetëm për atë që është, domethënë për shpirtin/ fjalën e tij / saj e jo atë që duket, me një fjalë trupin, pamjen a gjësende të tilla të përkohshme. 

Ana teknike e marrëdhënies tonë paralele efemere u krye relativisht lehtë me një kartë të dytë enkas për murgun e një ofertë Vodafoni. Edhe unë vetë vura re se ndryshoja disi së brendshmi, kur nxirrja njërën kartë, atë normalen, për ta zëvëndësuar me tjetrën, jonormalen, hyjnoren, qielloren, prej të cilës dërgoheshin vargjet më të ndjera për dashurinë e më gjerë të poetëve më të njohur botërorë e shqiptarë, derisa më ra në dorë një celular për dy karta, fat ky, që unë, nën ndikimin e gjithë asaj doze mistiko-poetike e interpretova si shenjë.

Ndryshimin e përshkruar nisa ta vija re shpejt edhe tek Eda pasi i vinte mesazhi e pas dyzinës së parë gjithnjë e më shpesh edhe gjatë kohës që priste që t’i vinte tjetri, gjë që nga ana tjetër më forconte mua nxitjen për t’i shkruar, deri në një pikë vlimi, kur ana tjetër jona, ajo e përmalluara, eterikja, absolutja sipas Platonit, nisi të dominonte tokësoren tonë, rutinën e punëve e halleve të përditshme e të na bënte më ëndërrimtarë, më të ndjeshëm, fundja edhe më të bukur: të paktën kështu më ngjan mua kur e kujtoj nga pas atë kohë, që erdh’ e u bë kështu ndër më të bukurat e jetës time, - e vlerësoj tani që shkruaj këto radhë, se atëherë ndoshta nuk qeshë i ndërgjegjshëm për këtë, humbur ashtu në metatekstin e identitetit tim, që ia kisha falur aq bujarisht një tjetri - ndonëse në marrëdhëniet tona të përmbrëmshme s’kish ndryshuar asgjë, po të heqim këtu përqafimet disi më kapërthyese e më të fikëta kur piqeshim e ndaheshim me tjetrin.

Për të qenë edhe vetë dëshmitar i dehjes që shkaktonin tek Eda mesazhet e murgut, që tash kishin kapur përmasat e letrave, nisa ta ruaja çastin e dërgimit për kohën kur qemë sëbashku: ia nisja atë disa minuta pasi qemë takuar dhe e përjetoja jo pa ego letrare përndezjen e lëkurës së saj që kuqërremej lehtë, fryrjen e lehtë të buzëve dhe kafshimin e tyre nën vetëdije nga dhëmbët e parë që shfaqnin padurimin deri kur i merrte, apo kënaqësinë kur i merrte vërtet; kjo më ngazëllente deri aty sa të gjeja një sebep për t’u larguar ca prej aty, që të shkruaja lirisht a për t’u mbyllur në banjo, vetëm e vetëm për t’i shkruar një tjetër syresh, që i binte të ishte edhe më i zjarrtë, më cerebral se i pari, por, në të vërtetë, duke i shkruar Edës, unë po shkruaja poezi të mirëfilltë, aq sa mundesha, natyrisht, që i drejtohej femrës ideale, Sulamithit, Beatriçes, Margaritës, Tanushës sime në këtë botë, rolin e së cilës luante Eda, jo Eda tokësore dhe shoqja e fakultetit, por marrësja e kumtit, abstraksioni i saj, kuqëlima mbi mollëza e jo mollëzat vetë. Edhe për këtë u kthjellova shumë më vonë, kur vjershat që i pata dërguar asaj erdhën e u bënë pothuaj vetvetiu tre vëllime me poezi, që i botova më vonë me emrin e murgut.

Eda m’i tregonte mesazhet që merrte - siç thashë, qemë miq të ngushtë - e m’i komentonte e mua vërtet më dukej se ish një tjetër ai që ia kish nisur, ndonëse koha mes shkrimit e marrjes së tyre nga ajo ishte shpesh e atypëratyshme. Shpesh kam ndjesinë se ajo, ashtu si edhe unë vetë, ndonëse e merrte me mend se vinin nga unë, parapëlqente të besonte se shkruesi ish tjetërkush e, duke qenë se kjo më ndodhte edhe vetë, s’do të më habiste po të kishte qenë ashtu, siç s’më dridhej qerpiku kur ajo më lexonte vjershën e radhës e harroja që e kisha shkruar unë, derisa edhe të prekesha prej saj. 

Një natë, pasi ia pata ruajtur gati me sadizëm dozën e dy-tre ditëve pa ia dhënë, një vjershërim të gjatë që ato ditë më ngjante goxha i kulluar, e bëra gati celularin në xhep veç për ta shtypur „send“ e prita rastin kur lamë lokalin e po shkonim për në shtëpi. Ajo kish qenë gjithë mbrëmjen munguese dhe e hutuar në bashkëbisedim, që e ndërpriste herë-herë pasjellshëm për të parë celularin, që tingëlloi zbehtë krahasuar me klithmën e saj kur pa dërguesin. Ndaloi pastaj, u ul n’anë të trotuarit, u ula edhe unë në krah të saj e këndja e saj ishte edhe këndja ime, heshti pasi mori frymë thellë kur e mbaroi së lexuari e m’u kthye papritur si t’ish një tjetër e m’u lut ta merrja në krahë e ta puthja. Mbylla sytë dhe bëra ç’tha e ndërsa po humbja më shfaqej n’t’errtin e kapakëve koka e Afërditës, të shoqëruar nga rreshtat e parë që i kisha dërguar: "Në shtrojën time gjatë gjithë natës/ kërkoj atë që ma do shpirti/ e kërkova, por s’e gjeta/ Do të ngrihem, qytetin do ta përshkoj/ do ta kërkoj në udhë e sheshe/ atë që shpirti ma do/… E kërkova, por s’e gjeta / Më gjeti roja/ që endet nëpër qytet…”

Kur po putheshim me Edën pata papritur ndjesinë që ai që po puthte nuk qe ai që e meritonte, ndaj u tërhoqa prej saj duke i rrëshqitur buzët nga buzët në qafë e pastaj në faqe, për të përfunduar në ballë, gjë që atë e bëri të vinte buzën në gaz, a thua se e priste të shugurohej ashtu nga vetja ime e dytë, që tash kishte zënë vendin e së parës, nga vëllam Thoma Andoni, murg solemn në vetminë e tij lirike, që tjetrin / tjetrën e donte, në mos më shumë se veten e tij, të paktën po aq sa atë vetë, ndërsa ajo, vetja pra që po i linte vendin, po largohej disa buzë më tutje bashkë me tundimin, bashkë me Edën që tash qe Afërdita - ndoshta edhe djalli vetë, por këtu u nguta t’ia pres fillin mendimit - e të ngrija kokën për të kërkuar në qiell simotrën yllësore me të njëjtin emër.

Kur e gjeta, ashtu të vogël e të jermët në zbardhëllimin e saj diç më t’afërt se drita e ftohtë e yjeve të tjerë, m’u bë e qartë se nuk kisha dashur asnjëherë vërtet Edën, vajzën e dashur të kursit, me të cilën qemë bërë miq, as femrën në të, por diç’ më të fshehtë e më supreme se aq, diç’ që s’e kish të nevojshme të duhej nga unë, por unë nga ajo, duart m’u ftohën e kërkova t’i fus nën zhgun, por gjeta veç xhaketën time laike, sepse duart qenë ende të miat e ndodhesha akoma në Tiranë, diku nga Komuna e Parisit, e jo doemos në malin e Athosit.

Ne u ndamë pastaj si zakonisht, përqafimi qe më i fiktë se kurrë e ndërsa këmbët po më çonin drejt banesës sime u bëra sërish dalëngadalë ai i zakonshmi, që u pendua keq kur masturboi në banjo, natyrisht me imazhin e Edës, për rastin e çuar dëm. Menjëherë pas zbrazjes u ndie po aq i vërtetuar në të mosbërit asgjë, saqë u ul e shkroi radhët për herën tjetër. Ish tjetër orgazmë ajo e të shkruarit, më e gjatë e më qëndrueshme e, këtë shkrova atë natë, do kish qenë humbje në do e kisha shkëmbyer atë tantra verbale me erotikën kohëshkurtër e bumerangeske të një marrëdhënie të supozuar e normale, nga ato që u ndodhin përditë shumëkujt, e që gjenden a të gjejnë pa shumë mundim pothuajse kudo. Ndërsa ardhja e pafund e asaj që nuk vinte asnjëherë e tëra e asnjëherë kulmore ish diçka pa barazvlerë, madje, dhe këtë ia shkrova për ditën tjetër Edës, ndodhte ndoshta pikërisht kur shkëmbimi ishte a priori i përjashtuar, pasi marrësi isha vetëm unë vetë e ajo / ai që më desh vetëm dhuronte e ndaj njeriut që e kërkon i duhet të lerë njërën për të marrë tjetrën, të heqë dorë nga femra, familja e fëmijët, për t’u dashur së fundi siç duhet. Ky argumentim nuk është se e bindi as shkruesin vetë, vëlla Thoma Andonin, që u shtri fill paskëtaj për të fjetur, pasi pat parë së pari nga dritarja jashtë e sipër, qe mbushur aty me frymë e pat mërmëritur si me vete një Ati ynë në qiej…

3 Komente

... fand ich mich in meinem Bett zu einem ungeheuren Mönch verwandelt smiley

"Melinos," sa fjale e bukur. smiley

me duket se eshte nje lloj leshi. smiley

lesh melino-s

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).