Me një titull pompoz e të denjë për ndonjë zbulim të rëndësishëm shkencor, “Kultura financiare – shqiptarët barazohen me europianët” gazeta Mapo pasqyronte para do kohësh një statistikë të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilës, për nga kursimi, blerja dhe risqet financiare u barazokemi me xhepat e civilizuar europianë. Ndër të tjera, sipas Bankës, një arritje e individit dhe shoqërisë tonë qenka edhe njohja e këmbimit valutor në kohë apo dhe kuptimi i fjalëzës “inflacion”.

Kreun e kursimtarëve, sipas kësaj statistike, e marrin të vetëpunësuarit, studentët dhe të punësuarit e tjerë çfarëdolloj, duke mos harruar të vërë në pah se më t’pakursyerit e të gjitha kategorive shoqërore janë ata në nevojë dhe ata që nuk gjenden në kurrfarë marrëdhënieje pune. Gjithashtu, shqiptarët manifestokan edhe zgjuarsi për sa i përket zgjedhjeve që duhen bërë nëpër raftet e markatave apo dyqaneve të rrobave. “Diçka që s’ta mban xhepi, nuk mund ta blesh” thotë e entuziazmuar statistika jonë, që kushedi ç’metodë shkencore duhet të ketë ndjekur për të dalë në përfundime të tilla.

Po sipas të njëjtës statistikë, shqiptarët nuk na i paskan shumë të mira marrëdhëniet debitore me shtetin, por që me rritjen e moshës, edukimit arsimor dhe pozitës demografike ky detyrim (pra shlyerja e faturave të rrymes) vjen e zë vend në ndërgjegjen e individit dhe familjes shqiptare; kryesisht të burrave, që mbajnë përmbi supe barrën ekonomike të familjes herë duke u konsultuar me gruan, herë duke mos e pyetur fare. Dhe Banka jonë sugjeron që organizimi, sekreti i një ekonomie të begatë shtëpiake, duhet përforcuar te familjet e mëdha dhe shpenzimeshumë. E të tjera e të tjera!

Ajo çka më bëri përshtypje nga budallallëku i mësipërm, me të cilin qesha unë, bota dhe nja dy gomarë krejt të zakonshëm shqiptarë, është përpjekja “shkencore” e “Bankës së Shqipërisë” për të grimuar nën terma eurokulturorë me paturpësinë më të pashoqe situatën e rëndë financiare të bashkëqytetarëve tanë. Kursimin nuk e quan më përgatitje për situata edhe më të vështira financiare, por zgjuarsi ambicioze. Rënien e fuqisë blerëse kufizim racional dëshirash. Pamundësinë për të paguar rrymën mungesë ndërgjegjeje qytetare. Nevojën kulturë. Gjëra që as mendja më e hallakatur nuk do t’i thoshte. Por që mendja eksperte, shkencore, po i thotë ama!

Mirëpo, pavarësisht idiotësive shkencore të Bankës, përmendja e të cilave qe e detyrueshme, dua të ndalem pak te kultura financiare e qytetarëve shqiptarë. Pyetja, përkundër pallavrave që e shoqërojnë, mbetet për t’u parë. Sa të kulturuar janë financiarisht parexhinjtë shqiptarë? Një pyetjeje të tillë mund t’i përgjigjem fare mirë duke u bazuar në përvojën individuale dhe deklaratën e paradoditshme të kreut të biznesit shqiptar. Gjatë inspektimit në një punishte metalesh, kreu i shoqatës së biznesit deklaroi se synimi i qeverisë së re dhe personit juridik që ai përfaqëson është kthimi i rrjedhës së investimeve nga perandoria e ndërtimit te prodhimi i brendshëm industrial. Kjo është edhe sfida e çdo qeverie ndërtuese. Sot, derdhja e të gjitha parave nëpër rrokaqiej cep më cep territorit ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë jo vetëm rrënim mjedisor e urban, por edhe ekonomik. Rreth shtatëdhjetëmijë apartamente qëndrojnë aktualisht pezull në kryeqytet, dhe sikur kjo të mos mjaftonte, kullat vazhdojnë të ngrihen lart e më lart në qiellin e gjymtuar qytetas. Natyra po urbanizohet dhe qyteti po mbetet pa natyrë. Shtëpi pa fund dhe pafund të pashtëpi. Kjo është vetëm njëra faqe e monedhës.

Faqja tjetër, gjykuar në përvojën time jetësore, më saktë në qytezën time burg e të varfër, është fakti se treçereku i popullsisë rron me skema sociale, dërgesa emigrantësh dhe sipërmarrje të vogla familjare. Por, për çudi, kjo qytezë e braktisur, pa kurrfarë punishteje fabrike apo ferme, numëron  disa miliona euro kafene nga më modernet (dhe çmime nga më modestet); vetura nga më luksozet (pa rrugë); dyqane dhe komplekse (pa fuqi blerëse). Në çdo fshat periferik gjenden dy ose tri kafene. Ëndrra e çdo banori, për disa e realizuar ndërkaq: ngritja e shtëpive nga më marramendëset nëpër toka dhe terrene bujqësore etj. Por, fare pak të punësuar. Fare, fare pak. Natyrisht, ngaqë askush nuk investon në tokëbukën e Ultësirës Perëndimore. Askush nuk investon në vijën bregdetare. Askush nuk investon në vreshtat e famshme të qytezës. Askush nuk investon në ndërtesat dhe makineritë e ish-punishteve të dikurshme. Askush nuk investon në potencialet e mëdha ekonomike që ekzistojnë realisht në këtë qoshkë pensionistësh. Kjo është pra kultura jonë financiare! Thuajse zero. Zero me xhufkë.

Por Banka jonë, guvernatori qejfli dhe skota e idiotëve shkencistë duket se nuk rrojnë më në realitetin e qytetarit shqiptar, hallet dhe nevojat elementare të tij. Aq më pak në potencialin e tij zhvillimor. Guvernatori ynë rron nëpër statistika të rrejshme që jashtëqiten odave rozë të drejtorive. Rrena ku humbet edhe vetë. Rrena katërmijetetëqinddollarëshe për frymë, ku të zgjedhurit për produktet e shportës, kursimin dhe objektivat ekonomikë s’janë lak rreth grykës, por sport që u vë lakun të gjithëve në grykë.

Marrë nga rrethana & rrethina

22 Komente

Ore admin, po kjo eshte per 24 karat o njeri.

tek kategoria humor estradash do ta kisha vendosur une... smiley

Ndoshta do ishte me interes te lexonim edhe botimin/punimin e BQ. 

Pjer, e gjith esenca dhe "perfitimi makroekonomik " i artikullit eshte pargrafi i fundit, me te cilin une jam plotesisht....dakort !

Dakord, por ato fjale jane (duhet te jene) per qeverine dhe jo BQ . 

Nuk shoh ndonje dallin te mirefillte Pjer midis qeverise dhe BQ.

Jane dy institucione te ndryshme pavarsisht partnere, Deion. BQ i lejohet te beje pak optimizem, te japi kurajo, ne analizat e saja, se ka te beje me besimin ne ekonomine dhe parane vendase, jo ne punen e saja e cila ka specifika te veçanta. Ndersa qeveria, lejohet te beje optimistin ne punen e saja, por jo ne analizat e saja. 

Dmth Pjero njera eshte pasive ne ushtrimin e funksioneve, ndersa tjetra aktive. Flm Pjer.

Unë e di si e meriton ti, por po i dëgjoj fjalën Pjerit dhe po të përgjigjem me edukatë:

Mirë turp nuk ke, por mos pështy lart se të bie në surrat!

Verej me keqardhje se..po ju djeg shoku Kavo!

Bravo, tamom kshu eshte. 
 

raporti i BQ qe duhet thene se eshte nji nga me te azhonuarit, nuk eshte raport per ate karrocierin apo hidraulikun (pa dash me ofendu profesionet). Gjuha dhe termat e perdorur jane etalone standarte ne shumicen e tyre dhe nuk kuptoj arsyen e ksaj flet-rrufeje. Plus, do kish qene mire qe krahas shkrimit, te vihej dhe linku i raportit te BQ-se.

perla te cmuara nga shkrimi i ktij kerricit:

...budallallëku i mësipërm, me të cilin qesha unë, bota dhe nja dy gomarë krejt të zakonshëm shqiptarë...

 

...pavarësisht idiotësive shkencore të Bankës,

 

...guvernatori qejfli dhe skota e idiotëve shkencistë...

 

Guvernatori ynë rron nëpër statistika të rrejshme që jashtëqiten odave rozë të drejtorive...

keta te rrethanave dhe rrethinave po ngrene ndonje grup estrade, ma ha mendja. smiley

radio Tiraaaaa-naaaa!
 

Car eshte ....llik ?!

BQ-llik? sdi gjo vallahi, di qe nje lagje ne Shkoder e ka emrin Bahcallek...

Baza e studimit duhet te jete e dhena e pakontestueshme qe ne ne ekonomi,kulture e me gjere vijme fill te dytet ne Europe.

saktesoje tamam: te dytet, mbas Gjermanise.

e lexova me pare kete lesh shkrimin me traplleqe... dhe thash me vete... mu ne krye do ta vendosin. smiley

E thene shkurt: sistem bankar i felliqur! 

good shkrim!

Besoj ka pas dore edhe atasheu i Bankes se Shqiperise ne peshk. smiley

Ho me Rono, e shef qe punojne ene keto te Bankes????!!!!!!

Ps: Thanks Neim.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).