Përflitet se “rilindja” socialiste do ta lindë sërish arsimin e lartë shqiptar, por tani si anglosakson. Që tani mund të vëmë bast se universitetet shqiptare mund të bëhen anglosaksone aq sa mund të bëhet Edi Rama mbretëreshë e Shqipërisë. Siguri për fitimin e bastit është logjika e sistemeve. Më tej është logjika e “parimeve”. Dhe më tej, logjika e parimeve të “parimeve”.

Për fatin e reformës dhe atyre që preken prej saj, domethënë gjithë kombit shqiptar, më të rëndësishmit në këtë vargan janë parimet e “parimeve”. Këta merren të mirëqenë sepse ka pajtim të gjerë se qëndrojnë pa diskutim, dhe prandaj mbeten“transhedentalë” (Alain Badou), domethënë jashtë e tej çdo diskutimi. Mirëpo pikërisht këta “transhedentalë” vënë në lëvizje vetë “parimet” e shpallur, siç vënë fijet në lëvizje kukullat e teatrit, i drejtojnë vetë diskutimet e pafund që bëhen gazetave e televizioneve, por pa u bërë vetë asnjëherë objekt i shqyrtimit kritik. Prandaj për fatin e reformës së arsimit të lartë, dhe të ardhmes së kombit shqiptar, është e rëndësishme që këto parime të nxirren nga fshehtësia prapa perdes ku rrinë të pashqetësuar, e të sillen këtej në skenë, në këtë botë, për t’iu nënshtruar shqyrtimit kritik.

Lodhja që shkakton të menduarit (filozofia), është ndër këto parime të “parimeve” , i cili shfaqet në formën e maskuar se na mungon koha, ndërkohë që çështja e reformës është urgjente; dhe në formën e hapur të imitimit, teksa kërkohet shkurt: të gjenden modelet e gatshme të suksesit dhe të imitohen. Ky parim, me konsensus të gjerë popullor, shmang si “filozofime pa fryt” diskutimin e pohimeve të para, domethënë të parimeve, dhe shpesh me arsyetimin se ato i kanë menduar të tjerët para nesh, duke lënë për ne vetëm përdorimin e gatshëm të tyre. Në kontekstin e këtij parimi çka merret e mirëqenë është, për shembull, vetë ekzistenca e universiteteve në shoqëri (edhe në tonën). Prandaj pyetja “ç’kuptim ka qenia e universiteteve në shoqëri”, “pse të mos jemi shoqëri pa universitete”, do të dukej shumë hutuese dhe absurde. Mirëpo përgjigjet në këso pyetjesh primitive, domethënë të para e themelore do të na bënin të ndajmë mendjen të ndërtojmë ose jo universitet shqiptar. Qartësia për pse-në e universitetit, e bën të lehtë paskëtaj dizajnimin dhe ngritjen tekniko-ligjore të tij, ashtu si vëzhgimin (dhe vlerësimin) nëse është ose jo në përputhje me pse-në themelore të tij.

Përdorimi i përgjigjeve të gatshme, pa i shteruar pyetjet nëpër mendim, është ndër këto parime të “parimeve” që rrjedh nga i pari dhe drejtojnë konkretësinë e diskutimeve për reformën. Përgjigjet për “pse-në” e universiteteve në shoqëri rrëshqasin shpejt nëpër përgjigje të gatshme: “të transmetojë dije”, “të përgatisë brezin e ardhshëm”, dhe të tjera të këtij soji. Mirëpo pikërisht këso përgjigjesh të gatshme na çojnë tek pyetësimi i  modeleve të zgjedhur për imitim, na çojnë të mendojmë për “krizën e universiteteve” në vetë shoqëritë perëndimore, dhe pikërisht në masën që edhe atje universitetet thjesht po “përçojnë dije”: dije të gatshme për përdorim dhe përgatitjen e brezit të ardhshëm për punësim… në tregun e punës! Ndërkaq, përshtatja e universiteteve ndaj tregut menjëherë bën dy gjëra: Nga njëra anë, e kthen universitetin në ndërmarrje ekonomike, prodhuese të një malli specifik: të studentëve si mall i ardhshëm tregu. Vendim ky që e bën vetiu të parëndësi diskutimin dihotomik “privat-publik”, sepse tregu gjithsesi është shtëpia e privates. Nga ana tjetër, e përmbysë idenë liberale të ekzistencës së vetë tregut sepse e bën tregun masë të njeriut e të përshtatjes së njeriut (studentit) ndaj tregut, ndërsa në filozofinë liberale tregu dhe ekonomia e tregut legjitimohen e mbahen në ekzistencë me të vetmin argument: çon në mirëqenien e njeriut. Prandaj gjithë aktivitetin dhe mendimin modern liberal e përshkon ky tension ndërmjet njeriut dhe instrumenteve të tij, domethënë tregut, industrisë, teknologjisë, shkencës, etj. Dhe është e lehtë e nuk do asnjë ndihmë ose përgatitje (universitare) njerëzore që “tregu i lirë” të gllabërojë e të mbysë gjithçka dhe çdo vlerë tjetër: madje edhe veten e vetë (nëpërmjet trusteve, monopolizimit, etj.). As nuk është habi që ndër njerëzit më të suksesshëm në ekonominë e tregut (dhe të universiteteve privatë) të kenë qenë individë pa ndonjë arsimim ose diplomim universitar, sepse i tillë, siç na mësojnë Hobbes-i e këtej, njeriu është i lindur nga natyra e vetë biologjike-shtazore. Ndërsa universiteti i duhet shoqërisë më shumë pikërisht për përgatitjen e njeriut të aftë të mbrojë e zhvillojë njerëzoren e vetë, përfshirë edhe mbrojtjen e tregut të lirë nga prirja e natyrshme vetëvrasëse e tregut.

Importimi dhe imitimi i një krize për të zgjidhur krizën tonë është tjetri parim i “parimeve”, i cili teksa rrjedh nga dy të parët, luan fijet e “diskutimit publik” për reformën e arsimit të lartë në Shqipëri. Me fjalë të tjera “kriza e arsimit të lartë shqiptar” quhet e zgjidhur me importimin në Shqipëri të “krizës së universiteteve perëndimorë”, ndonëse është e njëjta krizë të cilën tashmë e kemi, dhe të cilën “reforma” e tillë vetëm e përforcon. Mirëpo kjo zbulon, nga njëra anë, vetëkonceptimin tonë “transhedental” se kemi një pasuri kohe të madhe sa për t’ia lënë të ardhmes reformimin e menduar të arsimimit të lartë, për të cilin kur të vijë koha prapë do të themi se nuk kemi kohë; dhe nga ana tjetër, se jemi pikërisht “produkt i universiteteve perëndimore” të sotme: tashmë prej tyre na janë përçuar dije (të gatshme), të cilat ne  i zbatojmë në vendin tonë (treg pune) si të tilla, pa asnjë reflektim themelues. Nuk është çudi pse simptomatik për këtë “krizë të universiteteve perëndimore” janë më të njohurit e tyre si Harvardit, Oksfordi, Kembrixhi, etj., deri në atë shkallë sa as nuk e kanë vetëdijen për të. Efiçentë në kulm për “përçimin e dijeve” dhe zbatimin e tyre mekanik për treg, nuk dihet që në këta shekuj të kenë themeluar ndonjë mendim shoqëror (veç pragmatizmit), ndërkohë që përçojnë dhe komentojnë teknikisht përkryer mendimin e krijuar jashtë tyre, qoftë ai ekzistencialist, strukturalist, poststrukturalist, postmodern, antihumanist, psikanalitik, skizanalitik, pozitivist, etj. [Një shenjë që mund të merret për të dalluar universitetin nga shkollat e larta që prodhojë profesione për treg]. As renditja e listës së personaliteteve politike të dalë prej tyre, ose nobelistëve në fusha të ndryshme nuk e ndryshon gjendjen, sepse të parët nuk kanë lidhje me krijimin e mendimit por me zbatimin e tij duke e marrë të gatshëm, ndërsa të dytët, kur nuk janë “blerë” të formuar tashmë në universitete të tjera, e vënë në vështrësi vetë dhënësin e çmimit Nobel kur vetëdijesohen se teoria për të cilën e kanë marrë atë ka qenë e gabuar (si Milton Friedman-i nën pleqërinë e tij, etj.).

Inferioriteti ndaj perëndimit, përkthyer si ksenomani, është parimi tjetër i “parimeve” që rrjedhë nga tre të parët. Në kontekstin e këtyre parimeve duket politikisht armiqësore dhe faktikisht absurde të flitet për “krizë të universiteteve perëndimore”, e sidomos të tillë si i Harvardit apo Oksfordit. Mbyllur brenda krahasimit me universitetet tona, “universitetet perëndimore” duken një mrekulli e “paarritshme” dhe fat sikur të kishim “krizën” e tyre, ndërsa megalomani të “vajtosh kalorësin se i varen këmbët”. Mirëpo jashtë kësaj mbylljeje, duke u hapur ndaj universales njerëzore, nuk ka asnjë arsye të ndjehem inferior ndaj asnjë universitari perëndimor, qoftë ai edhe më i shquari i Harvardit, Kembrixhit apo Oksfordit, sepse, (veç parave) gjithë ç’ka në dispozicion ai e kemi edhe ne, domethënë faktet dhe universalët logjikë, si të dhëna natyrore njeriut si njeri. E për arritjen e tyre mjafton me qenë i tillë dhe i përgjegjshëm për këtë. Prandaj arsimi i lartë shqiptar do të ndërtohej shëndetshëm pikërisht nëse pikënisje bëhen këto të dhëna.

Plagjiarizmi ligjor, i cili rrjedh natyrshëm nga irritimi ndaj mendimit kritik, importimi dhe imitimi, inferioriteti dhe ksenomania, është parimi tjetër që drejton “parimet” e reformës së përfolur. Derisa plagjiarizmi mbahet si ves i dënueshëm në gjithë fushat e tjera, mbahet si virtyt për ligjbërësit. Mirëpo këtu hyn logjika e sistemit, e cila garanton dështimin e reformës së ngritur mbi parime të tilla “të parimeve” të saj, përfshirë plagjiarizmin ligjor. Në termat e sistemit sistemi ligjor është një nënsistem i shoqërisë. Nëse një ligj nuk është koherent brenda një sistemi ligjor (p.sh të financave) dhe me nënsistemet e tjera shoqërore, përfshirë sistemin e vlerave, sistemin kulturor, sistemin e administratës ose burokracinë etj., ai ligj dështon sado i mirë në vetvete, sepse sistemi, me përkufizim, është tërësi pjesësh të lidhura funksionalisht, ku secila ndihmon e bën të mundshëm funksionimin e tjetrës. Përndryshe sado të efiçentë në vetvete, një motor i aeroplanit reaktiv po t’i vihet biçikletës, asnjëri as nuk e kryen funksionin e vetë as nuk e ndihmon tjetrin ta kryej atë. Prandaj njëlloj, kopjimi apo imitimi i modelit anglo-sakson “pa mbretëreshën” e Anglisë, garanton se ligji i tillë do të jetë funksional aq sa është e mundshme që Edi Ramës të bëhet mbretëreshë e Shqipërisë. Ndërkaq, është e vërtetë se shqyrtimi e hulumtimi i parimeve, i pohimeve themelues të universitetit, ashtu si i fushave të tjera, më shumë sesa detyrë e politikanëve është para së gjithash detyrë (e pakryer) e intelektualëve, të cilët, ndër të tjera e kanë luksin e gjithë kohës së nevojshme dhe të mjeteve që ta bëjnë këtë. Sigurisht që tashmë është vonë të bëhet diçka e menduar për këtë reformë, por reforma pasardhëse do të jetë shumë e shpejtë. Së paku deri atëherë le të jenë çtranshedentuar parimet që na vënë në lëvizje e t’i jenë nënshtruar shqyrtimit kritik.

Rrethana & Rrethina

7 Komente

"universitetet shqiptare mund të bëhen anglosaksone aq sa mund të bëhet Edi Rama mbretëreshë e Shqipërisë" smiley

Tek universitetet, mendoj se nuk ke se ç'reforme te besh, aty mund vetem te ushtrosh kontrroll per provimet, si i marrin, sa jane te pregatitur studentet, etj. Reforma duhet bere tek shkollat e mesme, e cila eshte baza e formimit te njeriut. duhet te shtohen oret profesionale, te hapen shkolla te tjera te mesme profesionale, te pregatiten nxensit per tregun e punes. Dikur shkollat profesionale fuksiononin perbukuri, dilnin teknike shum te zote. 

shyqyr te degjon veshi qe ka akoma ndonje shqiptar jo inferior!

te gjithe me reforma ne arsim nenkuptojne venien e ndonje gjuhe te huaj apo zhvillimin ne gjuhe te huaj te lendes arsimore. ndersa maksimumi eshte ndonje mesues amerikan a italian qe i ka rene bretku neper afrike me fisin tucismiley,te jape mesim ne shqiperi!

smiley

Analize shume e mire. Me pelqeu!

Me kujtoj ne fakt nje diskutim timin me Noshkaido  rreth nje interviste per kete ceshtje.

Si fillim, më vjen keq që autori nuk e sheh të arsyeshme të na shpjegojë shkurt reformën universitare që kritikohet. Të vetmit shpjegues janë termat "anglosakson" dhe "përshtatje ndaj tregut".

Në vazhdim, është interesante që një kritikues i mungesës së diskutimit mbi parimet vetë ofron të njëjtën paprekshmëri të parimit "tregu është i keq".

Ajo që më habit më shumë është që flitet sikur në hapësirë kozmike. Nëse ka ndonjë përpjekje që universitetet shqiptare të mos prodhojnë kaq shumë ekonomistë, juristë, politologë, sociologë, duke vlerësuar se çdo vit dalin nga shkollat mijëra të diplomuar të papunësueshëm në profilet e studimit në kushtet e ekonomisë shqiptare, mua kjo më duket punë me mend. Pa thënë asgjë mbi marrëdhënien aktuale shkollim-punësim, pa marrë parasysh inercinë e sistemit, çfarëdo që të thuhet mbi marrëdhënien e (supozuar të) projektuar shkollim-punësim nuk ka për të qenë e besueshme.

Po në linjën e aktualitetit, kriza e universiteteve perëndimore nuk është siç e paraqet Ferraj, madje, për aq sa e kuptoj unë, kriza e këtyre i ngjan shumë krizës së universiteteve shqiptare: prodhohen të diplomuar në baza të mashtrimit, mbushen auditoret falë premtimeve për një jetë më të mirë, kridhen njerëzit në borxhe që i ndjekin mbrapa gjithë jetën duke u kapur pas fijes së kashtës se me një diplomë më shumë disa nuk do të bien nga klasa e mesme e disa do të mund të hyjnë aty më në fund. Universitetet kanë krijuar një treg të tyrin virtual, me lidhje tepër të vakëta me tregun ekonomik. Kriza e universiteteve perendimore ka gjithashtu një tipar perj rrethi vicioz që dalëngadalë do të shfaqet edhe mes shqiptarëve: numri i madh i studentëve dhe të diplomuarve në nivele doktorature po krijon ushtri të tëra me të keqpunësuar, me rroga sa për mbijetesë, nëpër po ato universitete, një lloj tipik skllavërie ku skllavi kërkon dhe mundëson mbijetesën e pronarit. Pse na duhen universitetet? Ndër të tjera, edhe që dikush si Ferraj të punësohet.

Ndërkohë që kjo ndodh kryesisht në shkencat sociale dhe filologjike, për shkencat natyrore dhe ekzakte vërtet që ka një nënshtrim ndaj industrisë, sidomos farmaceutike dhe financiare, por edhe këtu Ferraj ia këput trashë me nënvlerësimin e zbulimit shkencor duke e njësuar me Friedmanin (dmth tregun, dmth një tjetër akt vetëshërbimi), me të cilin mirë bën që matet, por më mirë akoma do të ishte të matej mirë.

Kriza e universiteteve paradigmëndërtuese si ata që citon Ferraj është tjetër gjë, është deficiti etik në drejtimin e studimit shkencor dhe ekonomik, jo aq prej nënshtrimit ndaj tregut se sa prej nënshtrimit ndaj kërkimit të verbër të së vërtetës, shkëputur nga konteksti social, një farë miopie e dëmshme në kushtet e amoralitetit shkencor. Por as kjo gjë nuk shpjegohet në artikull, ndoshta për shkaqe që kanë të bëjnë me Mbretëreshën e Anglisë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).